E premte, 26.04.2024, 11:19 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Rama po vazhdon të bëjë apologjinë e Vuçiqit

E marte, 12.04.2022, 08:11 PM


Blerim Latifi:

Rama po vazhdon të bëj apologjinë e Vuçiqit. Tash edhe për militarizimin e Serbisë. Serbia po armatoset për vetëmbrojtje, paska thënë. Do të thotë Serbia na qenka e rrezikuar. Po prej kujt? Rama duhet të na e thotë. Mos vallë prej Kosovës? Apo prej Malit të Zi? Apo prej Bosnjës? Kështu si ka filluar mos të çuditemi kur një ditë Rama të dalë dhe të thotë se edhe plani i BIA-s për ta vrarë Dick Martyn është bërë për vetëmbrojtjen e Serbisë. Logjika kur e humb sensin e realitetit prodhon konkluzione nga më të çuditshmet.

Nga historia e dimë se agresionet më mizore janë bërë pikërisht në emër të vetëmbrojtjes. Hitleri u sul mbi Poloninë në emër të vetëmbrojtjes së Gjermanisë. Milosheviqi i dogji Kroacinë, Bosnjën e Kosovën poashtu në emër të vetëmbrojtjes së Serbisë. Putini po e shkatërron sot Ukrainën në emër të vetëmbrojtjes së Rusisë.

Vetëmbrojtja në gojën e autokratëve është eufemizëm për planet e tyre të agresionit. Natyrisht, Vuçiqi bën pjesë në familjen e tyre. Sot nuk i mban të veprojë si ata, sepse nuk janë rrethanat, por militarizimi i Serbisë na e tregon qartë se ai beson në ardhjen e çastit të volitshëm.

Por krejt këto nuk kanë kuptim për një njeri që ka rënë në gjumin e ëndrrave të ditës të Ballkanit të Hapur.

E zgjimi nga ëndrrat e ditës është zgjimi më i vështirë, thotë Ernst Bloch.

___________

Mediat po shkruajnë se gjashtë aeroplanë transportues kinezë zbritën në Beograd me një ngarkesë të sistemeve raketore HQ-22 për ushtrinë serbe. Po ashtu ditë më parë Serbia njoftoi se po blenë 12 avionë luftarakë nga Franca. Këto janë vetëm zhvillimet e fundit në militarizimin e hovshëm të cilin është duke e bërë Serbia viteve të fundit.

Pse gjithë ky militarizim?

Nga kush kërcënohet Serbia? Është e qartë se nga askush. Në fakt e vërteta eshtë se ajo po përpiqet të krijojë një asimetri të madhe ushtarake me fqinjët e saj në Ballkanin perëndimor. Kjo vetvetiu e bën shtetin më të rëndësishëm në rajon. E kur je më i rëndësishmi, atëherë edhe interesat tua merren parasysh para interesave të të tjerëve.

Ndërkaq, ne çka bëjmë?

Atë që e kemi bërë gjithmonë, e që Fishta e thotë me ironi goditëse: Pijmë mastikë, e qesim petlla n'ujë.

___________

Maj, 1999. Koshare. Pozicionet poshtë vrojtoreve të kufirit, përballë Molliqit dhe Botushës, bashkë me Nehat Shalën, bashkëluftëtarin tim nga Kishnareka e Drenasit, i cili u nda nga ne dy vite më parë.

I paharruar do të jetë kujtimi për të dhe për 114 shokët tanë që dhanë jetën në Betejën e Koshares për çlirimin e Kosovës.

___________

Para nesh shtrihej Rrafshi i Dukagjinit, madhështor dhe i veshur me ngjyrat e para të pranverës. E kur qielli ishte shume i pastër mund të shihnim edhe përtej tij. Sa shumë e donim atë pamje nga lartësitë e Kosharës. Secili nga ne ëndërronte ditën kur do të preknim atë tokë. 114 prej nesh nuk e arritën atë ditë, sepse, siç thotë poeti i madh amerikan Walt Whitman, heronjtë më të mirë nuk do të kthehen kurrë në shtëpi.

___________

Dick Marty : “kërcënimi ndaj meje me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve".

Eh, sa punët e ndyta i kryen UDBA brenda e jashtë Kosovës për t'na paraqitur para Europës si një shoqëri ku lulëzon fryma antieuropiane.

Të gjitha do të dalin një ditë.

Kështu si ky plani për ta eleminu Martyn dhe për t'ua lënë fajin shqiptarëve.

___________

Serbia votoi pro përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Rama, i paduruar për ta parë Vuçiqin në anën e duhur të historisë, doli dhe e përshëndeti këtë votim. Nuk vonoi dhe erdhi shpjegimi i Vuçiqit: votuam për shkak të presionit e shantazhit të madh, sepse e kishim ndërmend të abstenonim.

Tash, Ramës, që po brengoset aq shumë për fytyrën e Vuçiqit, i mbetet të gjej një frazë tjetër për ta mbuluar atë që vetë Vuçiqi nuk po do ta mbulojë. Mjerimi politik brina nuk ka!

___________

Nuk është yll Hollywood-i. Është yll i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga më të mëdhenjtë e saj. Agim Ramadani.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Blerim Latifi: Feja! Blerim Latifi: Krimi i organizuar në fushën e konsumit në Kosovë Blerim Latifi: Qysh përsëritet historia Blerim Latifi: Historia 78 vjeçare e një populli të opiumizuar nga politikanët e tij Blerim Latifi: Doni ta dini se si kanë qenë vezirët dhe pashallarët shqiptarë në Perandorinë Osmane? Blerim Latifi: Rrethi i të çmendurve Blerim Latifi: E di një histori trishtuese nga baba im Blerim Latifi: Bashkimi Europian rritej ekonomikisht e politikisht, ndërsa ushtritë shiheshin me përçmim! Blerim Latifi: A e dëgjuat atë hoxhën që mallkonte rezistencën e Ukrainës dhe i thurte elozhe agresionit rus? Blerim Latifi: Rezistenca e fortë e ukrainasve, na e kujton një fakt themelor të luftërave për liri Blerim Latifi: Sot nuk është një ditë e randë veç për Ukrainën Blerim Latifi: Ekziston një lloj skizofrenie kulturore në historinë e Rusisë Blerim Latifi: Gjeniu gjerman që nxori shqipen nga pluhuri i harresës Blerim Latifi: Milan Shuflaj - Thuajuni zotërinjve tuaj të largohen nga Kosova Blerim Latifi: Liria e Kosovës ka qenë e do të mbetet kuq e zi Blerim Latifi: Ne mbijetuam, triumfuam mbi të keqen, mbi gjenocidin Blerim Latifi: Lufta e Dytë Botërore ishte qërim hesapesh midis fuqive të mëdha Blerim Latifi: Përvjetori i fillimit të Konferencës së Rambujesë Blerim Latifi: Ligji i lashtë i Lekës kishte bërë mrekulli në mes të ferrit nazist Blerim Latifi: Putini po ndjek të njëjtën rrugë si Hitleri

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora