Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Varreza e vjetër e Elbasanit
E marte, 11.01.2022, 06:33 PM
Varreza e vjetër e Elbasanit
Nga
Kastriot Dervishi
Gjatë
viteve të regjimit komunist, u prishën shumë varreza të vjetra. Bashkë me
eshtrat e të vdekurve të varrosur normalisht, u prishën dhe humbën edhe eshtrat
e shumë të dënuarve të vdekur në kampe e burgje, si dhe ata të vdekur në
paraburgim. Çdo rast ka historinë e vet, por sot po shpjegoj historinë e
Elbasanit.
Propozimi
për mbylljen e varrezës së vjetër shekullore të Elbasanit, e ndodhur në pjesën
lindore të qytetit u bë me shkresën nr.1163, datë 9.8.1952 të Komitetit
Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Elbasan, i cili u miratua në
mbledhjen e Kryesisë së Këshillit të Ministrave më 11.10.1952.
Sipas
relacionit të paraqitur nga nënkryeministri Spiro, më 2.10.1952, në vendin e
varrezave do ndërtoheshin ofiçina automobilistike, shkolla pedagogjike, fushë
sportive dhe në perspektivë stadiumi. I deleguar i Këshillit të Ministrave u
caktua Gaqo Peristeri. Sipas vendimit në fjalë, zhvendosja e eshtrave duhej të
kryhej brenda 5 vjetësh. Vendimi flet për zhvendosje të përgjithshme të
eshtrave, edhe të atyre që nuk njiheshin, duke filluar nga pjesa buzë rrugës,
për estetikë në proces, zbatim të rregullave të fesë. Me gjithë këto rregulla,
shumica e eshtrave nuk u lëvizën. U krijua një situatë absurde ku në një ish
varrezë shekullore u vendos parku i qytetit. Banorët e qytetit kalonin orët e
çlodhjes mbi eshtra.
Në
vitin 1991 kam qenë dëshmitar i një skene horrori. Ndërsa u hap një kanal rreth
100 metra për futjen e kabllove elektrikë, e gjithë vija e përshkruar u mbush
me kafka dhe eshtra.
Me
vendimin nr.19, datë 27.2.1953, Komiteti Ekzekutiv i KP të Rrethit Elbasan, nën
drejtimin e kryetarit Sul Spahiu, pasi dëgjoi relacionin e paraqitur nga shefi
i Seksionit Komunal, Musa Rroga, mbi bazën e urdhrit nr.1493, datë 20.10.1952
të Këshillit të Ministrave, vendosi që nga data 15.2.1953 të fillonin varrimet
në varrezat e reja, duke ndaluar varrimet në vendet e vjetra si dhe në Teqen e
Shaharrugë, Teqen e Madhe të Kokujës.
Brenda
vitit 1953 duhet të përfundonte zhvendosja e eshtrave të të vdekurve nga viti
1950 e poshtë. Procesi duhej të përfundonte në vitin 1954. Për agjitimin e në
qytet u caktua Liri Hakani.
Komiteti
Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit Elbasan, me shkresën nr.622, datë
30.3.1953, njoftonte Këshillin e Ministrave me praktikë sekrete se ishte
zhvilluar mbledhje dhe myftiu i atyshëm nuk kishte rënë dakord me kohën e shpejtë
të shpërnguljes. Madje kishte kërkuar përfshirjen e kryetarit të Komunitetit
Mysliman.
Këtu
përmendet fakti se vendi do kthehej në parkun popullor të qytetit. Sipas këtij
njoftimi, nga shkurti 1953, nisën varrimet në varrezat e reja.