Vërtetësi
Kastriot Dervishi: 243 të internuar vdiqën në vitet 1949-1953
E enjte, 16.12.2021, 08:29 PM
243 të internuar vdiqën në vitet 1949-1953
Nga
Kastriot Dervishi
I
ndjeri Reshit Mulleti kur është pyetur për Kampin e Tepelenës (i cili
funksionoi në vitet 1949-1953) ka thënë: “kam varrosur me duart e mia më shumë
se 300 vetë, ku 200 prej tyre kanë qenë fëmijë”. Kjo e dhënë e cila vlen për
faktin se 2/3 e të vdekurve kanë qenë fëmijë, duhet ballafaquar me të dhëna të tjera.
Për shkak të viteve dhe jetës plot mundim e stres, i ndjeri Mulleti domosdo nuk
mund të mbante mend një shifër të saktë të atyre të humbën jetën në atë kamp.
Por gjithsesi ai nuk foli për “300 fëmijë”. Kjo shifër, pa u verifikuar, u mor
e mirëqenë dhe është konsumuar shumë në publik, pavarësisht se nuk iu lidh një
provë.
Sipas
të dhënave zyrtare, në vitet 1949-1953 në kampet tela me gjemba të : Tepelenës,
Valiasit, Porto-Palermos, robërve gjermanë dhe “monarko-fashistë grekë”,
fabrikës së tullave Kamëz, vdiqën 243 të internuar. Në kampet e internimit
vdiqën:
Në
vitin 1949, 61 të internuar
Në
vitin 1950, 48 të internuar
Në
vitin 1951, 93 të internuar
Në
vitin 1952, 23 të internuar
Në
vitin 1953, 18 të internuar
Të
dhënat e detajuara sipas kampeve të Degës së Kampeve dhe Burgjeve nuk janë të
plota. E vetmja shifër e plotë për Kampin e Tepelenës është ajo e vitin 1949
për në të cilin vdiqën gjithsej 43 të
internuar (3 burra, 12 gra dhe 28 fëmijë).
Duke
vlerësuar edhe të dhënat jozyrtare, nuk rezulton kurrkund që në Tepelenë të
kenë vdekur 300 fëmijë, çka është një shifër mbi të gjitha vdekjet të marra së
bashku në kampet tela me gjemba për këtë periudhë.
Duke
ballafaquar të dhënat zyrtare me ato të pas vitit 1992, rezulton: se në listën
e të vrarëve apo të vdekurve të hartuar në vitin 1996, nuk rezulton reklamimi i
ndonjë shifre të lartë 300 fëmijësh të vdekur në Tepelenë, madje pothuaj ky zë
nuk ekziston. Po ashtu as në zbatim të ligjit nr.9831/2007, nuk rezultojnë të
paraqitura pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesa për 300 subjekte fëmijë të
vdekur në Tepelenë.
Në
përpjekje për të gjetur emrat e atyre që humbën jetën, vitet e fundit, nuk janë
listuar më shumë se 35 emra fëmijësh të vdekur në Tepelenë. Duke analizuar të
gjitha rastet, mund të thuhet se në Tepelenë për këtë kohë, mund të kenë vdekur
maksimumi rreth 70-100 fëmijë. Një shifër që gjithsesi mbetet e lartë dhe nuk e
shfajëson regjimin në krimin që ai bëri ndaj tyre.
Kushdo
që pretendon një shifër më të lartë se kaq, duhet ta provojë atë me emrat e të
ndjerëve.