Vërtetësi
Kastriot Dervishi: “Të zhdukur” nuk janë personat që nuk u gjenden eshtrat
E hene, 01.11.2021, 08:05 PM
“Të zhdukur” nuk janë personat që nuk u gjenden eshtrat
Nga
Kastriot Dervishi
Pa
marrë parasysh asgjë nga legjislacioni ynë, por duke iu referuar përkthimeve të
gabuara që vinin nga jashtë, këto vitet e fundit në fjalorin e përditshëm ka
hyrë përdorimi i fjalës “i zhdukur”, për personat që nuk u dihen eshtrat, të
cilët kanë humbur jetën gjatë periudhës së komunizmit. E vërteta është se në
masën 99.99% këta persona figurojnë të regjistruar të vdekur në gjendjen
civile, sepse janë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, janë vrarë në
kufi apo në përpjekje me forcat e regjimit, kanë vdekur në hetuesi ose kampe e
burgje. Në këtë kuptim, ata nuk janë persona për të cilët nuk dihet në jetojnë
apo jo. Vetëm një pjese të tyre nuk u dihet vendvarrimi dhe eshtrat, por jo se
janë “të zhdukur” apo se nuk ka paqartësi për fatin e tyre. Termi “i zhdukur”
përdoret për çdo person për të cilin ka dyshime se mund të jetojë dhe me
kalimin e viteve, duke u zbehur kjo shpresë, konsiderohet i tillë. Të shohim
legjislacionin tonë.
Kodi
i Procedurës Civile, miratuar me ligjin nr.8116, datë 29.3.1996, i ndryshuar,
kapitulli VI “Shpallja e zhdukjes ose e vdekjes së një personi”, nenet 375-381,
parashikon se “kërkesa për shpalljen e një personi të zhdukur ose të vdekur”,
paraqitet në gjykatë nga çdo person i interesuar, nga noteri dhe prokurori (ku
ka pasur vendbanimin e fundit i zhdukuri). Kërkesa duhet të shpjegojë rrethanat
e zhdukjes ose vdekjes së personit dhe ata që janë trashëgimtarë të tij.
Kërkesa dhe vendimi i gjykatës botohet i shkurtuar në “Fletoren Zyrtare”. Pas
kësaj, zyra përkatëse e gjendjes civile bën shënimin përkatës. Këta të
“zhdukurit” e pretenduar, sidomos ata të formulës 6 mijë shumëzuar me 2 mijë
euro, nuk janë të tillë sepse për ta nuk ka pasur asnjë proces dhe asnjë
shpallje apo vendim nuk është botuar në “Fletores Zyrtare”. Rendni pas këstit
të radhës tani.