E diele, 27.09.2020, 01:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Totali

E diele, 09.08.2020, 05:46 PM


TOTALI

Tregim nga QAZIM D. SHEHU

Drejtori thirri financieren e re në zyrë dhe,pasi e shikoi një herë mirë e mirë nga këmbët te koka ose anasjelltas, ai vuri re se ajo nuk ishte më e largët se e djeshmja kur e përpiu me sy ,sapo vajza  u shfaq në derë dhe ajo i dha ca shenja buzëqeshje që ai nuk i kuptoi tjetër veçse si afrim.Financierja ishte  mjaft e bukur, e kolme, ardhë në këtë ndërmarrje  ndoshta vetëm nga favoret që i sillte bukuria  e fisme( këtë mendim e sillte ngulët në mendje) dhe drejtori ishte nga ata hierarkët e përjetshëm të një pushteti, që çdo femër të bukur që vinte rishtas, mendonte ta kalonte në plorin e vet. Dhe plaste kur mendonte se këto favore estetike i shijonin të tjerët, kur duhej t`i takonin atij dhe vetëm atij.Sot asaj vajze sikur i kishte shterur buzëqeshja,mbi faqet e saj kuqëlonte një emocion i ndrojtjes që të jepte përshtypjen e seriozitetit dhe ftohtësisë.Drejtori pasi e largoi shikimin prej saj ,e hodhi diku, herë mbi tavolinë e herë mbi tavan, pastaj vështrimi i tij rrëshqiti në murin përballë ku rrinte gjithë seriozitet figura e udhëheqësit,stampuar në një fotografi bardhë e zi.Pastaj  ai u kujtua dhe nxori nga sirtari një letër.Vajza kujtoi se mos ishte ndonjë letër anonime që kishte lidhje me dashuritë e përfolshme që ajo i dëgjonte çdo ditë në biseda të fshehta ose të hapura nga shoqet e korridoreve në pushim,,ndonjë letër shkarkimi, ndaj u drodh pakëz, ndërsa drejtori e ngriti letrën gjithë seriozitet, e kundroi me vështrimin e tij të përqëndruar, rrudhi pakëz buzët ,mvrejti vetullat e tij të trasha alla brezhnjeviane,e uli letrën dhe ajo, në të qindtën e sekondës, ndjeu  se në tërë qenien e saj po vlonte në nisje, një sëkëlldi që, po të zgjatej edhe ca,mund t`ia merrte frymën.E shkreta vajzë ,u kujtua se patjetër duhej të kishte bërë ndonjë gabim të rëndë,po ende nuk po ndërmendej se çë,ndaj po rrinte aty përballë tij ,si para një ciklopi;po prapë po mendonte ç`donte tani ky njeri  dhe asaj një e përqethur e ftohtë ia fshiku arsyen,por e mblodhi mendjen, ai ta bënte dhëmbin thikë ,kurrë nuk do e ngulte as do ta përdëllente në hiret e saj.

Befas ra zilja e telefonit dhe drejtori bëri shenjë që ajo të dilte përjashta.Vajza lehtësisht doli dhe priti në korridor, pikërisht pas zyrës së tij.Aty nuk kishte njeri.Hapësira e kuadratizuar  ishte e heshtur si një tunel, i cili ,dritën që merrte nga disa dritare të ngushta, e sillte me kursim aty mbi flokët e saj që praronin vetiu nga ngjyra e verdhë dhe nuk e kishte për të .Sa kohë duhej të priste pas asaj zyre me një pamje të rëndë, punuar e gjitha me dru arre ,ajo nuk e dinte, por tani po mendonte se mos vallë kishte bërë ndonjë gabim,ashtu siç kishte menduar pakëz më parë; ajo po kujtonte se nuk kishte veçse një javë që kishte ardhë në këtë ndërmarrje , nuk kishte përvojë dhe ndonjë gabim mund t`i kushtonte jo vetëm vendin e punës ,por edhe diçka tjetër, dhe çfarë mund të ishte kjo diçka tjetër ,nuk e dinte , por e hamendësonte  se do qe diçka e rëndë që të bënte të të shkonin trupit mornica dhe djersë të ftohta. Drejtori ishte i fuqishëm dhe  asnjë lutje apo mëshirë nuk do ta bënte atë trup të stërmadh dhe atë fytyrë të vrazhdë prej shkëmbi të palatuar nga asnjë stuhi a rreze dielli, të kandisej që të lypte pak arsye në trurin e tij të dhjamosur; e dinte gjithashtu se ai do kërkonte një femër tjetër në atë punë dhe ajo po mendonte se ndoshta hiret e saj nuk duhej të kurseheshin, ndërsa njëherit shkonte ndërmend se sa bukuroshë i vinin rreth e rrotull.Në korridor kaloi Ladi,shok i zyrës.Ai e pa me vërejtje.Mbante një dosje në dorë.I kishin tavolinat përballë dhe ai sa herë ngrinte kokën nga shkresat, i buzëqeshte , pastaj ulte kokën, e ngrinte sërish, lëshonte buzëqeshjen e tij standarde , ulte kokën  e gjinjtë e saj, për të mos iu qasur dritës, mbuloheshin nga kopsat e mbërthyera të një trikoje të madhe.Nuk dinte nëse ai kishte ndonjë mendim të përcaktuar për të , por ajo ndihej mirë kur fliste me të për artin e kinemanë,gjë që nuk shkonte fare, ndërsa tërë ditën merreshin vetëm me numra dhe kalkulime shifrash të mërzitshme si rrënjë të kërleshura nga stuhitë.Ladi tundi kryet lehtësisht ,ai nuk buzëqeshi, ndoshta u drodh kur e pa atë para zyrës së drejtorit,ndoshta mendoi keq, kjo nuk kishte rëndësi, rëndësi kishte që tani pritej që drejtori të dilte nga zyra dhe ta ftonte brenda,por drejtori nuk po dilte,ajo duhej të shkonte në punë ose të priste aty, pikërisht aty, para asaj dere mizore, ku druri i arrës dukej sikur çlironte vetëtimat e thithura kur kishte qenë i gjallë në ndonjë brinjë apo prroskë. Befas u hap dera vetëm përgjysmë dhe nuk u duk askush.Kuptoi se duhej të hynte brenda dhe ashtu bëri.Drejtori tani dukej më i vërejtur,vetullat e tij ishin më të kërleshura , ndërsa balli drunga- drunga shpaloste në një rreze të kufizuar në refleks gri, një hije të rëndë.

-Ulu, -tha ai prerë.

Ajo u mat të ulej, por s`dinte se ku ,ndërsa karriget ishin të larguara anës mureve.Nuk u ul, po qëndroi në këmbë duke u munduar të kuptonte diçka, ndërsa nuk po kuptonte gjë.Po të kishte një pasqyrë dhe të shikonte veten, do vërente një fytyrë të skuqur tërësisht ,veçse jo nga inati, po nga zori,ankthi dhe frika që të shkaktonte mënyra sesi sillej ky përbindsh.

-Ti ,tha drejtori ,je një vajzë e mirë dhe unë do të mbaj në punë,-ai futi duart në xhep dhe fërkoi diçka midis shalëve, sikur donte t`i thoshte asaj se pikërisht për këtë do ta mbante në punë, ndonëse e dinte mirë refuzimin e saj.-Por, ti ke bërë një gabim që nuk të falet.Unë ,kur të mora në punë, nuk e mendoja se do ta bëje këtë gabim.Në ndërmarrjen time, nuk duhet të jesh vetëm e bukur, kushti një është ky për mua, por duhet të jesh edhe e zgjuar…kupton ,desha të them ,këto dy kushte unë i marr sipas rastit.

-Nuk të kuptoj shoku drejtor,-guxoi dhe foli ajo.

-Në këtë kuptim nuk ke se çfarë të kuptosh-u duk se bëri lojë fjalësh drejtori, -por ti duhet të kuptosh se çdo gjë e ka një kuptim.Për ideal të partisë nuk po kuptoj se si ti nuk ke kuptuar një gjë kaq të domosdoshme dhe të drejtë,diçka që mua më ka fyer rëndë ,që ul autoritetin tim, që ke lejuar  një person tjetër të dalë mbi mua, kur dihet që unë jami pari  i kësaj ndërmarrje…

-Nuk e di drejtor,nuk e di e shkreta të kem nakatosur  ndonjë gjë të pabërë ,di që jam korrekte në punë, ju mund të pyesni edhe Ladin..

-Si?! Ladin ,hëm  atë birbon, për ideal të partisë do ta qëroj , po çfarë t`i bëj …,që më lutet për të.Nejse, t`i lëmë fjalët.Të kalojmë direkt në temë.Pyetja ime është:ç`është ky Totali?

Ai i tundi asaj para syve listëprezencën me pagat e punonjësëve ,të cilën e kishte hartuar ajo.Financierja e pa me vëmendje mos kishte bërë ndonjë gabim me ndonjë shifër, hetoi mirë për ndonjë korrigjim nga ana e drejtorit,po çdo shifër ishte e paprekur.

-…Dhe si ka mundësi që ky Totali të marrë rrogë më shumë se sa unë që jam drejtor ndërmarrjeje.Ti këtë s`duhej ta kishte lejuar…Në vend të tij, ti duhej të shënoje emrin tim…

-…jo ,-u përgatit të fliste, do t`i thoshte se Totali nuk ishte ndonjë emër,po thjesht shuma e përgjithshme, vallë nuk e dinte drejtori këtë, mos ishte çmendur apo si, ndërsa drejtori, siç kuptonte në ato çaste, e kishte seriozisht, madje mvrejtja në fytyrën e tij nuk ishte një maskë po një fytyrë e shkrirë në një maskë.Nuk po kuptonte sesi duhej të merrej vesh me këtë njeri,ndërsa shihte duart e tij që po e kapnin letrën sërish me kujdesin e tepruar të çastit, sikur ajo letër të ishte ngjyer me zgjyrë. Kaq shumë ta kishte zemëruar ajo fjalë drejtorin? Dhe në moment, sikur donte t`ia lëshonte thumbin e akrepit  asaj, ai i zgjati letrën duke ngritur tonin e zërit, një ton urdhërues:

-Merre, zhdukma Totalin dhe vër emrin tim aty.

-Shoku drejtor, por…

-S`ka shpjegime, ky është gabim i rëndë!

-Shoku drejtor, por…përsëriti ajo, ndërsa shihte buzët e tij që mblidheshin nga një pakënaqësi e madhe ,shkaktuar nga ato numra marramendës që shënonin rrogën e Totalit.E mori letrën bëri një prapaktheu të lehtë dhe, kur doli në derë, ndjeu sërish ato fjalë të drejtorit:

-Këtu urdhëroj unë…

Këto tri fjalë iu dukën si tre gurë që i ranë mbi shpinë. Vajzës iu kujtua se drejtori ishte i zgjuar dhe e dinte mirë që kjo ishte një marrëzi,po ai po e provokonte e  po i sajonte diçka ,vetëm për t`u hakmarrë nga mungesa e shkarkimit të instiktit..Dhe tani e vinte para një prove.Nëse do hiqte Totalin dhe do vinte emrin e tij,punëtorët mbeteshin pa paga,po nëse nuk e vinte, çfarë të bënte?Drejtori do e thërriste sërish dhe vendi i punës ikte  në esfel.Po nëse e vinte, kush do ia pranonte këtë?Drejtori nuk mbante përgjegjësi,fundja ajo ishte përpiluesje.Po drejtori a nuk mbante përgjegjësi?Firma e tij…Firoma e tij!…Uh,çfarë djegësire,përzier me erë rakie dhe hudhrash, lëshonte ajo firomë, sa kutërbonte zyra. Po sikur drejtori ta merrte përpilimin si provë dhe atë ta denonconte për servilizëm,kurth e çfarë tjetër ?Dhe shkarkimi, denoncimi publik…mos o zot edhe burgu… s`kishte rrugë tjetër.Ajo, ose duhej t`i dorëzohej këtij zabërhani idiot, ose…Në zyrë, Ladi nuk ishte.Ajo u ul në karrige duke zënë kokën me duar.Si të dilte nga ky ngërç?!I vinte pakëz për  të qeshur, po si mund të qeshje para veprimit të atij njeriu që i donte të gjitha për vete, jo vetëm trupin e saj, po edhe gjithë rrogat e punëtorëve.Për një çast e përfytyroi drejtorin si një vampir.I erdh koka rrotull.Iu bë se zyra iu ngushtua, u ngrit të hapte dritaren ,po ajo ishte e hapur.Letra e shkruar rrinte ende mbi tavolinë si autodafe, apo si pllakë e lehtë budallaqe dhe vajza u ngrit, vajti tek makinë e shkrimit ,futi një letër tjetër në të.Kur u kthye Ladi, ajo po trokiste me gishtërinjtë e saj të hollë mbi germat e makinës së shkrimit. Mbasi mbaroi e lexoi letrën dhe pa se kishte shkruar përpikmërisht po atë listëprezencë.Të kërkonte ndihmë te Ladi apo të zgjidhte vetë këtë lak?Do t`i kërkonte ndihmë, së paku një mendim, ajo ishte financiere, madje përgjegjëse.Ia tha historinë.Befas Ladi filloi të qeshte, qeshte me të madhe, madje ai iu afrua dhe mbështeti  dorën miqësisht  mbi supin e saj.Ajo nuk ia largoi S`ishte në gjendje të mendonte për asgjë tjetër..

-E zgjidh unë këtë problem,- tha ai.

-Jo, jo, -tha ajo e tmerruar.

-Të betohem -vijoi Ladi,-nëse ikën ti nga kjo zyrë,iki dhe unë.

Në fjalë e tij ajo ndjeu siguri, mbrojtje, simpati.I erdh të qante,të qante me ngulç, por e mbajti veten ose e ndjente veten aq të mpirë, sa nuk ishte në gjendje të qante.Ladi mori letrën dhe doli nga zyra. Ajo vuri dy duart në kokë dhe ndjeu se nuk ishte në gjendje të mendonte për asgjë.Kur Ladi u kthye, i zgjati letrën.Totali nuk ishte hequr.Drejtori e kishte firmosur listëprezencën.Si kishte mundësi, çfarë duhej t`i kishte thënë Ladi,mos vallë i kishte bërë ndonjë magji?Pati forcë të pyeste:

-Si ndodhi?

-Asgjë,tha Ladi.Ai s`ka ç`të më bëjë mua.I trembet shokut Nevzat.Ai shprehte qetësi,siguri. Vajza pa në sytë e tij një dritë të qetë  që vinte nga një thellësi më e  ngrohtë dhe e tejpashme e atij djali të sjellshëm..Ajo mendoi  se po të mos ishte Ladi,për pak do t`i ishte dorëzuar asaj kafshe,por i ishte mirënjohës shokut të zyrës se ai po e mësonte se ishte e lehtë për tëmos u dorëzuar  nëse ke pakëz guxim.Mirënjohja ia rrëmbushi sytë me një tis loti të padukshëm..Por në botë ka edhe njerëz të mirë.Ladi nuk dukej se shprehte ndonjë gjë,por n ë qetësinë e fytyrës së tij vlonte s`dihej se çë.Ndoshta një mendim instiktiv se ai zabërhan meriton një grusht dhe ai s`kishte dashur ta zgjaste edhe më skandalin.

Dikush trokiti në derë.Një kokë u fut në atë gjysmëhapje:

-Irmën e kërkon drejtori…

- Nuk vjen-tha Ladi,-është e sëmurë.

As Irma nuk lëvizi,ajo po e merrte veten ngadalë.

-Tani je pakëz e tronditur,kur të shkosh herëtjetër,mos u tut nga ai palaço,nuk se çfarë të bën,-sikur e përforcoi Ladi,ndërsa ajo këtë do ta mendonte më vonë ,pasi tronditja t`i kishte ikur plotësisht dhe do t`i mbetej vetëm një kujtim i lig ajo çfarë në të vërtetë s`dihej si do kishte shkuar po të mos ishte Ladi….



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora