E hene, 07.10.2024, 10:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Liri Pone Bele: Taksisti

E shtune, 01.08.2020, 07:00 PM


TAKSISTI

Tregim nga Liri Pone Bele

Popullsia në rritje e një qyteti me zhvillim të vrullshëm detyrimisht kërkonte të shoqërohej edhe me shtimin e mjeteve të transportit, gjë tepër e vështirë rreth 25 vite më parë. Kur një person do të realizonte një udhëtim të veçantë, jo me tren jashtë qytetit apo me autobuz brenda tij, atëherë i duhej që paraprakisht të kishte marrë aprovimin, pra, të ishte i renditur në punën e planifikuar të njërit prej taksistëve, të cilët ishin të angazhuar përgjatë 24-orëve në fundjav kryesisht  në ceremonitë dasmore.

Minella ishte njëri prej tyre. E thërrisnin shkurt Mina. Ishte profesionist dhe nuk kish as më të voglin shënim në patentën e shoferit prej më tepër se 20 vjet si taksist, çka prezantonte korrektësi, zbatim rigoroz të rregullores, gatishmëri në periudha kohe delikate. Fatmirësisht njihte mirë strukturën e automjeteve, se për disa vjet kishte punuar së bashku me të vëllanë në servise makinash. Pamja e jashtme e tij përshkruhej lehtë: ishte njeri me trup mesatar, shpatullgjerë, fytyrë të zgjatur dhe balli i lartë rrethuar me flokë të rrallë, që kishin filluar të thinjeshin para kohe, pak të dukshëm saje kapelës me strehë të gjerë. Vëmendje tërhiqte shikimi i përqëndruar, i vëmëndshëm, gati-gati zhbirues,  si të justifikonte mungesën e përhershme të pyetjeve të rëndomta, të cilave me siguri ua jepte përgjigjen saktë me logjikën e vet. Njeri i papërtuar në cilëndo orë të ditës apo natës, nëse dikush do të kishte nevojë për të udhëtuar me të, njëherazi ishte i gatshëm  për të shkuar në më të largëtin qytet duke lënë pas dore gjithçka personale.

Gatishmëria për të ndihmuar këdo përfaqësonte në të njëjtën kohë një punë të vlerësuar, të paguar saktësisht pa më të voglin koment nga çdo njeri pasagjer, pa harruar dhe faktin që saje atij pozicioni në qytet mundej të kishte një rreth të gjerë njerëzish të njohur. Shumë pak prej tyre i përcaktonte si miq të vërtetë midis disa qindra personave me të cilët e lidhte puna. Korrektesia e Minait vërtetohej në disa situata, në të cilat ishte ndodhur jo rrallë. po rrëfejmë njërën prej tyre, më të spikaturën:

Ishte i vendosur dhe i palëkundur ndaj fjalës së dhënë. Thjesht, nëse kishte planifikuar një orar pune për të shkuar diku me një person të panjohur, rastiste që fare papritur, një tjetër kërkesë me një vlerë monetare shumë më të lartë se e mëparshmja, t’i ofrohej prej dikujt të njohur apo të një shkalle të lartë shoqërore dhe përgjigjja e Minait ishte e prerë:

- I kam dhënë fjalën, nuk mund të lihet tjetri në mes të rrugës!

Shprehja e preferuar dhe e përsëritur: “Duhet mbajtur fjala!”.

Sa me respekt shumica e bashkëqytetarëve përmendnin:

- Vetëm dy gjëra di të bëjë Minai, saktë: t’i qëndrojë besnik fjalës dhe të drejtojë timonin. Çuditërisht këto vlerësime ndoqën raporte ekstremisht të kundërta, sepse numri i duarve drejtuese të timonit të mjeteve rritej nga dita në ditë, por mbajtësit e fjalës së dhënë nuk i gjeje lehtë. Një tipar të spikatur të karakterit të tij e përfaqësonte fakti se Minai nuk komentonte rreth asaj çka shihte apo dëgjonte në bisedat midis personit të ulur në vendin e parë me dy apo tre të tjerë në ndenjësen e pasme, të nisur së bashku për të përfunduar në të njëjtin destinacion, gjë që vlerësohej edhe në qytetet fqinje.

Përgjatë punës së përditshme, Minait iu mundësua njohja me një biznesmen të fuqishëm beratas, me aktivitet të zgjeruar tregtar në disa qytete. Ai prezantonte pamjen e një mashkulli të fuqishëm dhe tërheqës, si të ushtronte  veç  aktivitetit  tregtar  edhe profesione të tjera…

Fakti, se me këmbëngulje po e kërkonte ta takonte për një njohje të thjeshtë, fillimisht një udhëtim në kohë të shkurtër brënda qytetit, kishte të ngjarë që beratasi të kishte marrë informacione rreth karakterit dhe mënyrës së punës së Minait, për të cilat po kërkonte edhe prova bindëse. Tregoi se aktivitetin tregtar në Berat e kishte të konsoliduar, por pikësynonte të bëhej partner edhe me një tregtar të njohur në qytetin e Minait, me të cilin kishte kontakte të shpeshta, në më të shumtat e rasteve në një ambient pune në qendër; ndonjëherë ishte e nevojshme të shkonin së  bashku edhe  jashtë  qytetit.

Koha e bisedës fillestare për njohjen midis tyre të ulur në tavolinë, realisht zgjati shumë pak, por Minai, si t’i llogariste minutat e kaluara, i kërkoi falje beratasit për largimin e parakohshëm, mbasi kishte lënë një orar pune me dikë, njëherazi, vështrimi admirues i biznesmenit, tregonte se kishte takuar personin e duhur. Në çastet e shtrëngimit të duarve, kur Minai  nuk pranoi asgjë tjetër  veç  kafes, tregtari i tha:

- Më tërheq vëmendje korrektësia jote dhe mbi të do mbështes  kërkesat e mia për të më shoqëruar kur të jetë e domosdoshme, brenda dhe jashtë qytetit tuaj, sepse lëvizja e përditshme është baza e punës sime.

Si rrallëherë, kurioziteti e nxiti Minain, nuk mundi ta frenonte,  ta pyeste pse nuk udhëtonte me makinën e vet, markë e prodhuar viteve të fundit, tip “Mercedes Benz”, nga më të shtrenjtat në qarkullim dhe që, sipas pohimit të personit, patentën e drejtimit e  zotëronte prej vitesh. Përgjigjja që iu dha Minait pas një çasti  heshtjeje, e befasoi:

- Preferoj të mos bie në sy të njerëzve, për më tepër në një tjetër qytet. Nuk dua të prezantohem, të tërheqin vëmendje hapat e mi të hedhur me shpejtësi, të cilët pasohen nga suksese të ëndërruara prej shumëkujt. Mund të tregohet edhe dashamirësi, por, me çka po shohim e dëgjojmë, ulur këmbëkryq pranë nesh duket xhelozia... Duke qënë tepër i tensionuar, për shkak të problemeve të shumta e serioze të punës, nuk dua të kem të tjera ngarkesa. Timoni kërkon përqëndrim, në pozitën e një pasagjeri të zakonshëm ndihem më i qetë dhe më i sigurt rrugëve të gjata. Më duhet pak çlodhje një periudhë kohe të shkurtër, por kjo është e sigurt vetëm kur timoni  nuk ndodhet në duart e tua pra , të jesh  thjesht një pasagjer.

Një mbasdite, beratasi shkoi ta takonte Minain në vendin e paracaktuar për qëndrimin e taksive të qytetit, në krahun e djathtë të rrugës. I tregoi se duhej të shkonte në një takim të veçantë pune të organizuar në katin e parë të ndërtesës të stilit modern gjashtëkatëshe, e porsandërtuar në rrugën lidhëse midis dy qyteteve, do të qëndronte atje katër orë, përgjatë të cilave kërkonte që taksisti të mos largohej në ndonjë tjetër angazhim kërkuar nga  klientët. Sigurisht Minai pranoi, mbasi ishte pjesë e ditës së punës , nga ana tjetër, natyrisht dinte që koha e zgjatur e qëndrimit vlerësohej përherë saktësisht dhe taksisti do të kthehej në shtëpi i kënaqur nga pagesa.

Sa here Minai hidhte shikimin në akrepat e orës, i kujtohej se atë mbrëmje, nip ii tij, Gjergji e kishte ftuar, një respekt i natyrshëm për dajën, të merrte pjesë në një takim miqësor, të cilin e organizonte për 40-vjetorin e lindjes, që rastësisht korrenspondonte me fillimin e punës në një post të lartë drejtuesi, plotësisht të merituar prej tij. Pra, dy arsye për t’u bashkuar me miqtë e të afërmit. Minai e mirëpriti ftesën e nipit të dashur dhe iu gëzua asaj mundësie zbavitjeje, sepse profili tij i punës mundësonte raste të pakta takimesh miqësore. Rastësisht gruaja  e Minait ditëve të fundit kaloi një gjendje virale, ndaj do të shkonte i vetëm sapo të kthehej nga puna tejet e zgjatur asaj dite, për arsye se ndihmën ia kërkonin dy moshatarë, njëri në gjendje të rënduar shëndetësore. I ndërgjegjsuar se nipi e njihte mirë, e vlerësonte si njeri korrekt, zemërgjerë dhe bujar, Minai besonte se do ia falte vonesën për të cilën ishte ishte i detyruar dhe ,sigurisht do vinte ta përshëndeste  asaj  darke.

Minai e ndjeu veten disi në një pozitë të vështirë, kur, sapo hapi derën e një lokali modern, sipërfaqja e gjerë e të cilit ishte vënë në funksion afërsisht në gjysmën e tij, vuri re me një farë emocioni se valltarët në formë rrethi kishin zënë gjithë hapësirën e qendrës së  sallës. Gjergji, teksa mbante në dorën e djathtë ngritur lart një shami të bardhë, ndiqte ritmin e muzikës dhe fytyra e tij  prezantonte natyrshëm një ndjenjë lumturie saje shkakut të argëtimit, të organizimit perfekt të fillimit dhe vazhdimit të një takimi miqësor të këndshëm. I përqendruar në ritmin e valles, nuk mund të shihte hyrje-daljet në derën rrotulluese të lokalit, një tjetër risi e ndërtimeve të kohëve të fundit, ndryshim i dukshëm.

Minai hodhi hapat e parë brënda sallës. Duke vështruar me druajtje përqark, konstatoi se në gjithë tavolinat pranë dritareve nuk kishte asnjë pjatë të gatuar. Në karriget pranë tyre asnjë mysafir i ulur, pra të gjithë ishin akomoduar në gjysmën e majtë të sallës. Po argumentonte që nuk mund të ulej në asnjërën nga karriget e pazëna pranë tavolinave të anës së majtë, pasi dikush që ishte duke kërcyer, do të rikthehej sapo të mbaronte muzika e radhës dhe pikërisht ai moment do të ishte shumë i vështirë për të dy.

Qëndroi në mëdyshje disa çaste, kur papritur dëgjoi zërin e dikujt ta thirriste në emër. Realisht u lehtësua për faktin se ndodhej në pozitë të vështirë. Për më tepër, kur njohu zërin, shpejtoi paksa drejt personit mashkull, i cili ngritur në këmbë bëri një hap drejt Minait dhe e shoqëroi të ulej në njërën nga karriget e pazëna pranë tavolinës së fundit. Në ato çaste, tonaliteti i lartë i muzikës së radhës nuk lejonte të dëgjonte e të kuptonte fjalët e shqiptuara nga personi pranë. Minai shpejtoi të ulej në vendin e treguar. Së pari mbushi gotën me ujë, as për të cilën nuk kishte pasur mundësi.

Fakti që personi i njohur ishte Roberti, e gëzoi. Po mendohej të shkëmbente disa fjalë me të sapo të krijohej mundësia dhe, pa e kuptuar as vetë, një ndjenjë malli e pushtoi, bazuar në marrëdhëniet  miqësore krijuar rreth tri vite më parë. Rrethanat e mëvonshme nuk kishin favorizuar takime midis tyre, çdonjëri kishte pasur problemet e veta. Rastësisht ishin përshëndetur; kishte dijeni se punët po i ecnin mbarë, sikurse edhe e kishte uruar nga zemra.

Gjithçka po i rikujtohej me hollësi Minait, teksa qëndronte i vetëm në pritje të ambientimit në mjedisin festiv, rrallë e frekuentonte. Roberti ishte njeri i shkolluar, i kulturuar, i respektuar dhe shumë punëtor. Ishin përcaktime personale të sakta. Me të kishte bërë shumë herë udhëtime të gjata deri në pikat kufitare, sepse periudha e kthesës së madhe të jetës shoqërore në vendin tonë, etiketuar si periudha e tranzicionit  përkonte me periudhën fillestare të zhvillimit të marrëdhënieve tregtare me shtetet fqinje, kryesisht Greqia, pasojë e të cilës shumë njerëz, njëri midis tyre ishte Roberti, filluan tregtinë. Në moshë rreth të 45-ve, prezantonte një mashkull me pamje të zakonshme, përherë serioz, shoqëruar me një tipar të veçantë, hidhte shikime të matura rreth vetes, si të kishte matur më parë shkallën e thellësisë së mendimeve personale që do të pasqyroheshin prej tyre në cilindo mjedis në pritje të përgjigjes së kthyer dhe  më kryesorja, nëse niveli i shkallës së tyre do ta meritonte vëmëndjen. Në njërin nga udhëtimet disaorëshe, Roberti tregonte se ishte  lindur në një familje të varfër punëtore, njohu vështirësitë e jetës qysh në vitet e para të fëmijërisë, aq sa prej tyre ruajti dhe fuqizoi brënda vehtes peshoren e jetës, çka do të thoshte qartë se, nëse duhet t’i futej një rruge të panjohur, më parë do të bënte një  bilanc të hollësishëm bazuar në informacione të sakta për të e të tjera në afërsi apo larg saj, ku përparësia i përkiste më të lartit nivel monetar, sepse gjithë rrethanat e tjera shoqëruese zbeheshin. Nuk shqetësohej, i mjaftonte aprovimi  i zgjedhjes të cilën e bënte vetë.

Pas mbarimit të shkollës së mesme për agronomi në qytetin e lindjes, gjëndja ekonomike e familjes e detyronte të punësohej  diku si rojë nate, gjë që nuk ia kishte treguar askujt për të mos u zbuluar as para shokut të bankës shkakun e çastit të dremitjes, që edhe mund të përfundonte në gjumë të thellë, shoqëruar me gërhitje e për pasojë të mos ndiqte orët e mësimit. Jo rrallë, shoku e tundte nga krahët duke patur si qëllim të përqendrohej në mësim dhe të dëgjonte mësuesin teksa spjegonte…

Të njëjtën linjë ndoqi gjatë viteve të fakultetit, pa e kursyer veten kudo ku i mundësohej puna e orëve të mbasdites në një lokal në periferi të kryeqytetit, thjesht prapa kuzhinierit me detyrën e vetme të lante gota, pa mundur të ngrinte kokën nga lavamani, por paga e vogël ishte e vetmja mundësi ndihme për një student. Krahas vështirësive shoqëruese, atyre viteve të jetës rinore Roberti mori një dhuratë tejet të vlefshme, për të cilën ishte mirënjohës. Përforcoi  prakticitetin e tij të natyrshëm dhe qartësoi pozicionin. Mbas mbarimit të fakultetit, nisi punën si agronom në një ndërmarrje në periferi të qytetit. Njëherazi, vazhdonte të gjurmonte nëse para tij do të mund të shihte një rrugë dytësore me të ardhura më të mira, duke analizuar hollësishëm disa fakte të pakundërshtueshme që tregonin se atyre viteve kafeja, një produkt pothuajse me përdorim të përditshëm në shumicën e familjeve, realisht kishte mangësi të tejskajshme. Një mendim  fillimisht i vakët, po hidhte rrënjë brënda mëndjes së tij, fuqizuar nga bisedat e përsëritura rreth interesit lidhur me shitblerjen e saj, e cila do të mund të hapte para Robertit rrugën e sigurt në sektorin e tregtisë.

Midis bisedave të shkurtra me taksistin Mina në rrugët e gjata deri në pikën kufitare, me buzëqeshje ai përmëndëte një episod:

- Një ditë te komshija shkova të krasitja tendën e hardhive, si pjesë e profilit tim dhe, kur ajo më sugjeroi të çlodhesha e të shijoja një filxhan kafe të porsabluar, nuk po u besoja veshëve. Sigurisht më shijoi kafeja e munguar. Pa e kuptuar as vetë, më lindi një mendim i shpejtë. Sugjerova ta mbaroja krasitjen të nesërmen. E pse më duhej të nxitohesha? Me sytë e mi pashë ta piqte pakon e kafesë nënë Xhevua, në zjarrin pranë meje, pra edhe të nesërmen...

Kështu, ditën tjetër me gërshërën e krasitjes në dorë, duke buzëqeshur, iu afrova komshies moshatare:

- Nëna Xhevo, a nuk do të ishte më mirë ta pija tani atë filxhanin e ngrohtë të kafesë, që edhe mund ta rriste cilësinë e punës?

Ajo, pas një moment heshtjeje, më dha përgjigjen e merituar, si të jem duke e dëgjuar aktualisht në veshët e mi. Për më tepër m’u afrua:

- Që nga dje deri tani, gjithë sasia e kafes së bluar u mbarua. Vizitat tek unë ishin më të shumta se zakonisht, ndoshta i tërhoqi aroma e saj... - dhe më tregoi vazon e vogël prej xhami të boshatisur, sigurisht ishte gjë e  panevojshme  të shihja vazon  të përmbysur  në dorën e të moshuarës….

Po buzëqeshja brënda vehtes, duke u kujtuar se unë mundesha ta mbaroja punën e krasitjes ditën e djeshme, por a nuk e lashë të papërfunduar qëllimisht, për të shijuar me çiltërsi të nesërmen një tjetër filxhan  kafeje  të porsa zier në xhezven e metaltë?

“Njerëzit kanë një ngjashmëri të natyrshme midis tyre”, - po mendoja, ndërsa nëna Xhevo vijonte të më sqaronte:

- Më vjen keq për sot, gjithë pakoja me kafe të pjekur u fillua dje dhe mbaroi brenda disa orëve. Askush nuk mundi ta refuzonte filxhanin e munguar, të ngrohtë me kafen e porsabluar; aroma e këndshme e saj ndihej në mjedisin e kuzhinës por, u venit shpejt…

- Ky episod me përmbajtje humori, - vazhdoi bisedën Roberti, - më kujton një periudhe kohe të kaluar, thuajse të njëjtë në raport me mungesën e kafes në shtëpinë tonë në ditët që pasuan ndërrimin e jetës së gjyshit tim. Shihet si diçka e lehtë në sipërfaqe dhe e parëndësishme, por e thellë në brendësi të përmbajtjes së saj, kur mungesa e kafes në shtëpi krijonte qëndrime të panatyrshme, ndonjëherë të papajtueshme me traditën e mikpritjes, thjesht të respektimit të personave që vinin për ngushëllim në respektim të të ndjerit… Ishte gati e pamundur të siguroje kafenë, për të cilën duhej një aprovim i zyrtarizuar, emërtuar “autorizim” për tri pako kafe, realisht sasi shumë më e pakët në raport me miqtë e të afërmit në pozicionin e personit që e meritonte respektin për takimin me familjen, aq sa shpesh e zonja e shtëpisë e përziente kafenë e pjekur, të bluar me qiqra të pjekura dhe të bluara. Fillimisht raporti i përzierjes ishte 3 pjesë kafe dhe 1 pjesë qiqra, por shpejt ato shkëmbyen raportet, duke arritur 1 pjesë kafe e pjekur të përziehej me tri pjesë qiqra, gjë që jo vetëm nuk e siguronte shijen e natyrshme të saj, por më tepër dëmtonte mullirin e vogël struktura e veçantë e qiqrave, duke e nxjerrë atë  jashtë  funksionit.

Rruga e gjatë deri në Kakavijë sikur shkurtohej nga bisedat e lehta të gërshetuara me një temë humori, njërën prej të cilave e tregonte taksisti Mina:

- Gruaja ime, Saveta, është mësuese. Një mbasdite shoqëroi mikeshën e saj, mjeke fëmijësh, për të kryer një kontroll mjekësor të një fëmije në godinën përballë banesës sonë, njihemi prej vitesh me atë familje. Pasi e mbaroi ekzaminimin dhe nuk konstatoi probleme serioze shëndetësore, gjyshja e vogëlushit dukej e gëzuar dhe, kur qëndruan për disa çaste duke biseduar lirshëm, i pyeti nëse donin t'u bënte nga një filxhan kafe. Ime shoqe pohoi me kënaqësi, e falënderoi se përgjatë mbasdites një kafe sikur e çlodhte disi... Sapo Saveta nisi ta pinte kafenë, kuptoi se diçka nuk shkonte me shijen e zakonshme të saj, gjë që e shprehu në mënyrë të sinqertë. E zonja e shtëpisë konstatoi me trishtim se në filxhanin e kafesë brënda raftit të bufesë rastësisht ishte ruajtur një sasi e vogël lëng limoni, prandaj Saveta nuk po mundej ta gëlltiste… diçka e mundshme dhe sigurisht e paqëllimtë, por mbresëlënës ishte reagimi i shoqes  së Savetës, një prezantim i hidhur i jetës reale:

- Saveta! E zonja e shtëpisë i pyeti me respekt mysafirët: “A dëshironi t'iu bëj një kafe?”. Ka raste kur mund të mos ketë asnjë sasi të vogël kafe dhe pyetja bëhet në formë respekti për mysafirët. Konkretisht përgjigjja jonë duhet të tregonte të njëjtën delikatesë: “Jo, faleminderit, sapo e pimë në shtëpinë tone”. Ka të ngjarë që asnjëra prej nesh të mos ketë kafe në shtëpi, por kodi i mikpritjes…..

- Gruaja ime, - tregonte Minai, - si të jemi dy binjakë, e urren hipokrizinë, preferon të prezantohet vetvetja, me natyrshmërinë e saj tipike mund të tregojë ndonjëherë edhe egërsi, me përgjigjen e saj të mençme e të sinqertë, vërtetuar me faktin e porsapërmendur se kafeja i pëlqente, por, më e rëndësishmja, nuk ka pse dikush të sillet në mënyrë artificiale sikundër komshia jonë e zënë ngushtë, e pranoi. Saveta ndihet e qetë, përherë tregon se është vetvetja. Sapo u kthye Saveta në shtëpi, më habiti kur tregoi episodin e ndodhur, vlera e të cilit është pasqyruese e jetës sonë reale, të përditshme dhe përpjekjeve të paqëllimta për ta zbutur atë... Mendoj se, duke e larguar, shmangur pjesën artificiale, vetëm atëherë, njohja me të vërtetën do t’u vlejë të dyja zonjave: mikpritëses, që propozon me etikë artificiale të qerasë mikeshat me një filxhan kafe, njëherazi duke qenë plotësisht e sigurt se kutia e vogël ku mbahet kafeja e bluar është boshatisur plotësisht; mysafirja, po në të njëjtën mënyrë, gënjen, gjasme sapo e mbaroi një filxhan në shtëpinë e vet, teksa… realisht nuk  e mbante mend ditën e fundit kur kishte provuar shijen e saj dhe…                            Gruaja ime që në mënyrën më të thjeshtë e të ndershme nuk pranoi të gëlltiste kafenë e pakët të porsazier, e cila, padashje dhe fare rastësisht ishte e përzier me sasi të barabartë lëng limoni të shtrydhur një ditë më parë e të ruajtur në dollapin e kuzhinës, për t'ia hedhur pjatës së supës gjatë darkës…

Çuditërisht dhe padrejtësisht në vendin tonë, përgjegjësia i mbetet personit, i cili prezanton të vërtetën në mënyrën më të natyrshme…

- Këtë ngjarje të parëndësishme e kujtoj shpesh, - vazhdoi Minai, - dhe pikërisht tani është momenti i duhur të shpreh urimet e mia për rrugën tregtare të zgjedhur prej teje në shitblerjen e kafesë, se mungesa e saj në vendin tonë i tejkaloi kufijtë, duke krijuar qëndrime të panatyrshme, ndonjëherë të detyruara, por, fatkeqësisht devijuese në traditën tonë të mikpritjes.

Për arsye të shumta, sektori në tregtinë e kafesë tërhoqi mjaft tregtarë të rinj, që po e zëvendësonin punën e deri atëhershme me tjetrën më fitimprurëse, shpesh pa shkollim, pa eksperiencë.                                          Roberti vazhdoi ta shihte me buzëqeshje taksistin i cili, nuk mund t'ia kthente shikimin, se ishte i përqendruar si përherë  me shikim të ngulitur përpara në rrugën e nisur dhe shtrëngimin e timonit  midis duarve, por  kjo temë bisede ishte një nga treguesit bindës se si tregtari edhe shoferi të dy, jetën  po  e  shihnin  nga  I  njëjti  këndvështrim…

Në një tjetër udhëtim, Roberti tregoi se kishte krijuar familje, ishte i martuar, priste fëmijën e parë; pra, përveçse kënaqësisë së dhuruar prej këtyre hapave të vështira në rrugën e re të porsashkelur, po i shtohej edhe ndjenja e përgjëgjësisë ndaj familjes së sapokrijuar. Nga ana tjetër, imprenjimi i tij në punën e përditshme në sektorin  në rritje te tregtimit të kafes, sa vinte e rritej më tepër ditë pas dite…

Si përherë, Minai u mjaftua me urimin e sinqertë përkatësisht rrugës së re dhe të pashkelur më parë nga Roberti. Nuk kërkoi të mësonte hollësira rreth bashkëshortes së tij. Realisht e gjykonte të panevojshme  të merrte pjesë në jetën private të një personi tjetër.                                                       Aktiviteti fillestar tregtar po ecte mbarë për Robertin. Pa kaluar shumë kohë dhe ai nuk e kishte të nevojshme të udhëtonte me taksistin. Mënyra e zgjidhjes së problemit të rrugëtimit për Robertin ishte personale dhe Minai nuk e gjykonte të arsyeshme të tregonte kuriozitet, veçse kur ndodhte të takoheshin    bashku, atëherë e shprehnin qartazi  respektin  reciprok.

Zgjerimi i aktivitetit kishte mundësuar bashkëpunim me tregtarë të shtetit fqinj, pasojë e së cilës ishin rritja e nivelit  ekonomik, por, nga ana tjetër, i kërkohej një angazhim i tejzgjatur në kohë, gjë që shoqërohej me mungesën një apo dy ditë brenda javës në jetën familjare. Roberti ishte i ndërgjegjshëm se kontribuonte më pak për kohën e domosdoshme në rritjen e vogëlushit, prandaj përpiqej ta korrigjonte sa më parë këtë problem të vështirë.

Shumë shpejt arriti rezultate të paimagjinueshe. Po etiketohej një tregtar i sukseshëm pas hapjes së magazinës qëndrore dhe furnizimit me kafe në pjesën më të madhe të lokaleve në qytet. Minai mbante lidhje me Robertin në hapat fillestare të punës së tij. Sigurisht me zgjerimin e aktivitetetit, numri i bashkëpunëtorëve u shtua, i shoqëruar me mjete transporti, pra takimet u rralluan. Indirekt i kishte tërhequr vëmendjen gërshetimi i detyruar i kohës së punës, i zgjatur, realizuar midis dy vendeve, me pak kohë angazhimi në jetën familjare dhe pothuajse aspak kohë për vehte.

Rastësia e takimit në darkën e nipit të Minait i gëzoi të dy. Roberti u ngrit nga vendi, e tërhoqi lehtë karrigen që ta ndihmonte në çastin e akomodimit të vendosjes diku pranë tavolinës. Të tjerë persona që nuk vallëzonin në ato çaste, flisnin me zë jo të ulët, njëherazi, tonaliteti i lartë i orkestrës e pengoi Minain të kuptonte se çfarë po i tregonte mikut... Dyshoi se ndoshta fjalët ishin për femrën bukuroshe në krahun e djathtë të Robertit, për të cilën nuk tregoi interes fillimisht.

Çuditërisht ajo po qëndronte me kokën paksa më të ulur se zakonisht mbi një pjatë të tejmbushur para saj. Pasi hodhi një vështrim kalimthi në çastin e hyrjes së taksistit në sallë, më pas  momenti i përqafimit miqësisht me Robertin, papritur e tjetërsoi pamjen tërheqëse të fytyrës së saj vezake rrethuar me gërsheta të trasha kurore me ngjyrë të artë, një imitim i përkryer me pikturat e famshme botërore për stilin e flokëve të mbretëreshave në shekujt XV-XVI... Çfarë mund të prezantonte shkëmbimi i vështrimit të Minait, kur po rrotullonte kokën ngadalë brenda sallës dhe vetëtimthi preku fytyrën e gruas simpatike të ulur pranë Robertit? A mund të fshihej diçka mbas tij? Për më tepër, përse gruaja po qëndronte gjatë pa lëvizur, me kokën ulur mbi tavolinë, njëherazi pa prekur e pa vëne asgjë në gojë?

Minait po i krijohej një dyshim i panjohur më parë, kishte të bënte me shmangien e shkëmbimit të shikimeve midis tij dhe bjondinës tërheqëse... a thua se u trembej atyre shikimeve… Diçka e intrigoi në ato momente. Po pyeste veten por pa marrë asnjë përgjigje. Të ishte shoqërimi i lëvizjeve të Robertit, kur i doli para, çasti i afrimit në momentin e uljes në tavolinë kur femra hodhi një shikim vetëtimthi drejt meje, forca e të cilit të ishte e tejskajshme, ta detyronte të mos lëvizte asnjë sekondë dhe në asnjë drejtim, veçse të pozicionohej pothuajse , e zhytur mbi pjatancë...

Nuk po mundej ta sqaronte situatën, as të pyeste dikë apo të shqiptonte ndonjë fjalë. Për më tepër nuk arrihet në gjykimin korrekt të pamjes së dikujt, nëse e sheh kokën e tij në pozicion vertikal, duke përcaktuar vetëm ngjyrën e flokëve që mund të jetë edhe mbresëlënëse. Sa për vlerësimin e saktë të pamjes së një personi, kjo realizohet kur ai ndodhet përballë dhe detajimi i hollësirave në konfirmim të njohjes ,renditen njëra pas tjetrës… Shumë shpejt, në thellësi të kujtesës, po i zgjohej mendimi se këtë femër bukuroshe  e  kishte parë, e njihte...

Disa çaste më vonë teksa ajo vallëzonte si një balerinë elegante dhe profesioniste në krahët e Robertit, njëherazi duke rrezatuar bukurinë e trupit të gjatë, tiparet e errëta të fytyrës me lëkurë të ngjyrës së bardhë dhe të lëmuar në sfondin e së cilës ngjyra e verdhë e flokëve shoqëronte dhe plotësonte kontrastin e tyre, në terësi një prezantim mjaft tërheqës dhe padashje vështrimi i çdo mashkulli do të përqendrohej gjatë pa e fshehur admirimin… Minai u sigurua plotësisht se partnerja valltare e Robertit  kishte qënë njëra nga pasagjeret, të cilën e kishte shoqëruar në mënyrë të përsëritur mbasditeve diku jashtë qytetit dhe, në respekt të plotë të kohës së paracaktuar, shoqëruar me pagesën ekzakte të përcaktuar nga Minai pa më të voglin koment, e kishte rikthyer mbas disa orësh në po të njëjtin vendnisje… Logjika e ftohtë, karakteri burrëror i Minait, si përherë e bëri të shtrëngonte buzët, të mos shqiptonte një pyetje të vetme, pra të mos tregonte para Robertit se zonjën shoqëruese të tij e kishte takuar, e njihte si kliente dhe se kishte qënë në shërbim të saj, në pozicionin e taksistit disa herë.

Minai përfaqësonte besnikëri absolute në ruajtje të kufijve të paracaktuar e të lejuar për cilindo profesion. Konkretisht ai zotëronte drejtimin e timonit pra dhe përgjegjësia ndaj respektit, zbatimit të rregullores rrugore ishte e barabartë me detyrën e ruatjes me çdo kusht (pavarësisht rrethanave të krijuara e të papritura), të privatësisë së personit me të cilin i rastiste të udhëtonte gjë  që përfaqësonte thelbin e punës së tij…

Mbas disa vallëzimeve, Roberti po ndihej i lodhur. Disa çaste u qetësua duke u ulur krah të Minait dhe po tregonte për një udhëtim të zgjatur që nga Greqia, ku kishte marrë sasinë e kafesë së porositur; natyrisht ishte nisur prej andej në orët e para të mëngjesit. E njëjta lodhje do ta shoqëronte të nesërmen, por nuk mund të refuzonte ftesën për atë mbrëmje miqësore e të mirorganizuar nga njëri prej miqve të tij më të afërt, të Gjergjit, me të cilin e lidhte një rrethanë e veçantë: shkollimi i vështirë i shoqëruar nga pjesëmarrja në të njëjtën punë shtesë, absolutisht të ndershme, e cila kishte favorizuar  ngritjen në një post të vlerësuar e të respektuar.

Ulur pranë Minait, Roberti i gëzohej rastësisë së takimit dhe po rikujtonte me nostalgji orët e panumërta në udhëtimet e përbashkëta… Dukej i kënaqur duke treguar se puna e tejskajshme e justifikonte vlerën monetare të realizuar prej saj, duke përmendur me keqardhje edhe faktin se familja e përjetonte mungesën e tij, në radhë të parë e shoqja, e cilla përballej me përkujdesin ndaj të birit, njëherazi me ngarkesën në punën e përditshme si financiere.

Minai e dëgjonte në heshtje, herë pas here aprovonte me një tundje të lehtë të kokës. Pa e kuptuar as vetë, shumë pak përqendrohej në bisedën me Robertin. Në kujtesën e vet po përvijohej bukuroshja bjonde, Tina, në udhëtimet e përsëritura  jashtë qytetit, arsyeja kryesore e të cilëve ishte vizita te nëna e saj e sëmurë, banuese në një nga fshatrat periferike. Çuditërisht disa gjurmë të tyre apo thjesht pikëpyetje nuk morën asnjë përgjigje nga taksisti profesionist, i cili nuk i kishte hasur kurrë më parë kur rastiste të udhëtonte me pasagjere femra. E habiste fakti që Tina në orarin e paracaktuar e priste me përpikmëri në pikën e kryqëzimit të dy rrugëve kryesore, duke i kërkuar ta ndalonte taksinë në të njëjtin vend dhe asnjëherë nuk pranonte ta takonte taksistin para portës së shtëpisë së saj. Dhe , Minai si përherë, ishte disa minuta para kohës së paracaktuar…

Një mbasdite, Minai pohoi me sinqeritet se asaj nuk i duhej të bënte një copë rrugë në këmbë derisa të mbërrinte deri te vendi i ndalesës së taksistit. Ai ishte i gatshëm dhe e kishte për detyrë ta priste pranë portës së shtëpisë Tinën, e cila, pas një çasti, iu përgjigj se shtëpia ndodhej diku afër. Minai nuk mundi ta mësojë vendbanimin e saj, sigurisht edhe pa qenë i interesuar aspak.

Një tjetër pikëpyetje për shoferin lidhej dhe me zbatimin rigoroz të kërkesës së pasagjeres. Arsyeja e udhëtimit ishte një gjendje shëndetësore e rënduar e së ëmës dhe taksisti duhej ta ndalonte makinën diku buzë rruge. Asnjëherë nuk kaloi mes rrugës së gjerë shtruar me asfalt në fshatin ku banonte familja e saj që Tina të ishte sa më pranë  prindërve, e cila duke e kundërshtuar lehtë tregonte se pëlqente të bënte një copë herë rrugë në këmbë  aq sa, një ditë Minai ja ktheu në mënyre të sinqertë:

- Të njëjtin veprim përsërit sa herë shkon të shohësh nënën e sëmurë. E pse të humbasim kohën e vyer? Rruga  e asfaltuar përmes fshatit  lidhet direkt me autostradën ku mua më duhet të hap rrugën, të qëndroj pikërisht në vëndin e lejuar nga punonjësit e qarkullimit rrugor për t’u rikthyer në qytet. Më kryesorja, ti po shkon të takosh nënën e sëmurë që i mban sytë drejt derës duke të pritur ty, s’ka arsye të vonohesh edhe më tepër, duke ecur në këmbë… Nëse unë do të ndaloja para portës së shtëpisë së prindërve të tu, do të ishte e favorshme si për nënën tënde dhe për mua...

Dukej sikur Tina ndihej në pozitë të vështirë.

- Ja, po shkoj me të shpejtë dhe do ta takoj sa më parë iu përgjegj, - ajo…Minai heshti, se, për më tepër ishte në dispozicion të pasagjeres dhe pagesa  ishte bërë e përpiktë, si përherë.

Në vazhdim të ngjarjeve që lidheshin me Tinën, Minai mund të përcaktonte më të veçantën që kishte ndodhur një pasdite.                                Pasi mbërritën në vendin e caktuar prej nga ku ajo do të vazhdonte rrugën drejt shtëpisë së prindërve dhe Minai do të ishte korrekt në të njëjtin vendtakim me pasagjeren për t’u rikthyer në qytet, disa dhjetëra metra më tej një zhurmë e paqartë brënda makinës e detyroi të hapte rrugë dhe u detyrua të ndalonte përkohësisht anë saj. Në çast zbriti dhe kontrolloi mjetin. Fatmirësisht  zhurma nuk  përbënte asnjë problem, se kishte të bënte me një send plastik rastësisht i ngjitur tek rrota e pasme. I qetësuar hapi derën përkatëse pranë vendit të shoferit, u akomodua i gatshëm për të nisur, por mbeti i shtangur për çka  po shihte në xhamin e pasëm të makinës: Tina, e cila kishte qëndruar si zakonisht në të njëjtin vend, mbasi kishte zbritur nga taksia, po e ndiqte me sy makinën e kthyer të porsanisur dhe, pasi u sigurua se Minai shkonte drejt qytetit, nuk mund ta parashikonte kohën e shkurtër, të detyruar për taksistin në sqarimin e natyrës së zhurmës, priti momentin kur në autostradë nuk po kalonte asnjë mjet, brenda sekondës e kaloi përmes autostradën, njëherazi, shoqëruar me kthimin e kokës sa para dhe mbrapa…

E bindur se Minai ishte larguar, Tina po hynte në portën e gurtë të ndërtesës moderne në anën tjetër të rrugës, ku biznesmeni beratas me kolegët ishte takuar për punë. E njihte mirë vehten Minai. Asnjëherë përgjatë 27 vjetëve si taksist nuk ishte interesuar të mësonte itinerarin e lëvizjeve të cilitdo klient, por ama një grua e re dukej të kishte një arsye të fortë që ta detyronte të rrezikonte jetën, duke kaluar përmes rrugës, ku makinat e shumta ecnin me shpejtësi. Për më tepër, nëse do të kishte një problem të veçantë, duhet t’ia kërkonte në formë ndihme  shoferit, i cili të siguronte kalimin përmatanë autostradës, pasi të kalonte rrethrrotullimin jo shumë larg tyre, vendndalimit të njëjtë.

Minai, ndonëse po përpiqej, nuk po mund të shkëputej nga pjesëzat e jetës të ditëve të mëparshme lidhur me Tinën. Pa e kuptuar as vetë, po përjetonte një kureshtje të natyrës njerëzore të brëndshme, por të paprovuar më parë me pasagjerët e panumërt. I kishte lënë gjurmë të veçantë kur një mbasdite vonë, beratasi bëri kërkesën e përsëritur që taksisti të ishte në orën 18:00 në oborrin e godinës moderne, ku, si herë të tjera, takoheshin për probleme pune me të tjerë kolegë, duke qëndruar së bashku. Korrekt me orën e paracaktuar, Minai  hyri në portën e madhe të hapur tejpërtej mbi kolonat e së cilës një skulpturë e rrallë e mermertë, imituese e një engjëlli duke u gatitur të nisej drej qiellit, i tërhiqte vëmendjen. Pas kolonave, një lulishte pothuajse përrallore të detyronte të mos bëje hapa të mëtejshëm drejt hollit luksoz. Këtë mjedis lulesh, pra vetëm oborrin, Minai e kishte soditur disa herë kur shoqëronte beratasin për takime me kolegët. Kësaj radhe ai kishte urdhëruar që Minai ta zbriste nga taksia diku pranë portës dhe po atje ta merrte për në qytet.

Dakort, as që duhej të komentonte punët e një tregtari të sukseshëm, veçse kurioziteti po e ngacmonte së brendshmi. E njëjta godinë ku biznesmenët takoheshin për të zgjidhur problematikat e tyre të punës, por çuditërisht një mbasdite Tina vuri në rrezik jetën duke i rënë përmes autostradës për të hyrë brenda atij oborri me lule të shumëllojshme, realisht në drejtim të kundërt me rrugën që e çonte pranë portës të së ëmës të sëmurë... A mund të kishte ndonjë lidhje të fshehtë shtëpia e prindërve të Tinës, e ndodhur brënda fshatit, në anën e djathtë të rrugës përkundrejt asaj godine shumëkatëshe në ballin e së cilës ishte shkruar me gërma të gdhëndura, të pjerrëta me ngjyrë të  gjelbër, “MOTEL” dhe, sapo dita zëvendësohej me orët e natës, gërmat rrezatonin si të ishin kthyer në xhevahire…

Zakonisht ata ktheheshin para se të errësohej. Minai kishte shijuar vetëm bukurinë, aromën e luleve, një pjesë e të cilës, shoqëruese e pasagjerëve, mbetej  ende brënda taksisë…

Episodi i fundit rreth një javë më parë, kur me beratasin hyri pa zbritur nga taksia në kopshtin me lule përrallore të motelit, e parkoi paksa pranë portës, duke qëndruar në pritje, pjesë përbërëse e procesit të punës së përditshme. Pas disa çastesh, derën e hapi zotëria, që ndryshe nga herët e tjera, u akomodua në vendin e parë, duke i kërkuar Minait të mos e ndizte makinën, të prisnin dy minuta, sepse me ta do të udhetonte një tjetër person, i cili, do të qëndronte në sediljen mbas shoferit. Taksisti aprovoi në heshtje. Në momentin që dera u hap nga duart e bardha, të holla e të bukura të një femre, Minai ngriti sytë drejt personit gjysmë të përkulur dhe shtangu sapo njohu fytyrën bukuroshe të bjondes me emrin Tina, veçse kësaj radhe me flokë të dallgëzuar supeve, të pathurura gërsheta si herë të tjera, çka e prezantonin shumë më tepër tërheqëse… Taksisti shtrëngoi midis duarve timonin, por forcën më të madhe ia përkushtoi shtrëngimit të buzëve, pa i lejuar ato të nxirnin jashtë tyre qoftë një tingull habie të vetme, apo një pasthirrmë…

Brenda një çasti të shkurtër u sqarua gjithçka në logjikën e tij. Po nëna e sëmurë e Tinës, që banonte në fshatin përmatanë rrugës,  kapërcimi tepër i rrezikshëm nëpër autostradë drejt kopshtit të motelit, pasi u sigurua se taksisti kishte marrë rrugën e kthimit? Po takimet e përsëritura të tregtarëve brënda hotelit? A mund të kishin lidhje të holla, të mezidukshme midis tyre, për të cilat beratasi kishte treguar korrektësi në zbatimin  e  orarit?

Në pozitën reale të një punonjësi përgjatë një procesi pune, sikurse ndodhej Minai, qoftë të menduarit rreth atyre episodeve të pazakonta, ishte jashtë kufijve të lejueshëm për cilindo, ndërsa shoqërimi me pyetje kureshtare do të ishte një shkelmim i etikës brënda shoqërisë njerëzore, që detyrimisht kërkonte respektim. Pikërisht, këto kujtime radhazi e bën të pavëmendshëm ndaj bisedës së Robertit, por momenti i papritur, i parashikueshëm, nuk vonoi kur dëgjoi zërin e sinqertë, të butë dhe të shoqëruar    të njëjtën kohë me shikimin e çiltër, karakteristikë për të:

- Tinës, gruas sime të mrekullueshme, i detyrohem shumë, sepse  pikërisht  përkushtimi i jashtëzakonshëm i saj ndaj familjes më ndihmon mua të eci me hapa të shpejta, të sigurta në rrugën tepër të vështirë, sikundër konsiderohet sektori i tregtisë, pa harruar edhe faktin që njohuritë përkatëse në fushën financiare, eksperiencën për tregti i kam pasur të mangëta. Ja, kjo është arsyeja kryesore që më bën mua t’i detyrohem vetëm asaj, gjithë të tjerat  janë dytësore...

Çaste të papërshkrueshme po jetonte Minai. Një gjendje turbullimi mendor dukej se po e përfshinte e nuk po ndihej i sigurt në forcat e veta për të mos u përfshirë në vazhdimin e hollësishëm të bisedës, brendia dhe hollësitë e së cilës do të ishin një fatalitet… Pa e kuptuar, Minai po provonte ndjesi të reja të pakëndshme, si: muzika nuk po rrezatonte ëmbëlsinë fillestare, gatimet nuk po shijonin, mjedisi po shkonte drejt boshllëkut… Realisht, si të ishte duke parë me sytë e vet një moment vrasjeje e cila jo përherë përkon me sendin konkret, po perceptonte aktualisht një vrasje ndjenjash njerëzore. Po e shihte veten aksidentalisht midis dy personave që e realizonin këtë fatalitet. Tina, gruaja e Robertit, po copëtonte e ndërgjegjësuar dashurinë, adhurimin dhe vlerësimin e të shoqit ndaj saj. Bashkëshorti, me dashuri të sinqertë, të natyrshme dhe me respekt të thellë e ngrinte të shoqen në lartësi qiellore...

Minai e ndiente veten tepër të trishtuar, njëherazi të pafuqishëm të ndizte një dritëz të pakët, qoftë një qiri të zakonshëm për të parë qartazi se po ndodhej në një këndvështrim të jetës njerëzore, ku rastësia e kishte pozicionuar atje, dhe gjykoi se më e mira për të gjithë do të ishte largimi sa më i shpejtë i tij. Në të njëjtën kohë e kishte të qartë se nipi i dashur, që e kishte rritur në krahët e veta, do të mërzitej nga largimi i parakohshëm i dajës, pa asnjë arsye të dukshme...

Me trupin kthyer ndaj sallës gazmore, Minai u habit kur pranë veshit të tij dëgjoi zërin pothuajse rinor të Tinës, e cila e ftoi në vallëzimin e radhës, një tango klasike... Mendoi se do të linte përshtypje jo të këndshme, nëse do ta refuzonte, për më tepër pas qëndrimit miqësor e dashamirës të Robertit ndaj tij. Nga ana tjetër, një femër bukuroshe që tërhiqte vëmendjen e të pranishmëve, po ftonte në vallëzim taksistin e qytetit, një shenjë respekti për të dhe veçanërisht për organizuesin e takimit  miqësor.

Zakonisht Minai e shijonte një festë familjare duke qenë ndër të parët e valltarëve; këndonte këngë popullore i vetëm apo mbante iso ndaj të tjerëve, ndërsa kësaj radhe pothuajse nuk kishte kapacitetin e nevojshëm fizik për të qenë midis çifteve të valltarëve. Vendosur në afërsi të tavolinave, nuk po merrte pjesë në grupet e këngëtarëve, sigurisht jo midis të talentuarëve si herë të tjera, nëse do ta vëzhgonte ndonjë i njohur… Asnjë fjalë nuk po shkëmbenin, ritmi i ngadalshëm i muzikës mundësonte biseda të thjeshta…

Tina e thyeu e para heshtjen. Sa për ritmin e të kërcyerit, ai zbatohej automatikisht. Minai nuk po e vështronte asnjë moment, teksa ajo mundohej ta përfshinte në bisedë dhe nisi të fliste me një trishtim të dukshëm:

- Fati e deshi që unë të prezantohem para teje, Tina e vërtetë, pas së cilës, për tre vite, ka qenë fshehur një femër e braktisur nga burri... Me një fëmijë të vogël mbi supe, e detyruar të kujdesej për nënën e sëmurë. Të më kuptosh drejt, tani as mundem, as kam të drejtë të vazhdoj rrugën e derisotme para teje, por, të lutem të më falësh! Të kërkoj ndjesë për sa të kam mashtruar! Rrethanat kanë qënë favorizuese për sjelljen time, sepse gjysmën e kohës Roberti ia përkushtonte aktivitetit tregtar, ndershmërisht pa më lënë mua pas dore, por ishte pikërisht zemërvogëlsia ime udhëheqëse    këtë rrugë të pandershme, etiketuar “moderne”...

Më është dashur kohë të përshkoj këtë rrugë të gjatë, çuditërisht fare pak kam që po e shoh qartazi në dritë të syrit. Më lejo të të falënderoj nga thellësia e zemrës sime, jo për hipokrizi. Para meje shoh një person të rrallë, që, saje logjikës, zemërmadhësisë, ruajtjes me besnikëri të jetës private të tjetrit: u përmbajte, u tregove i qetë, u tregove burrë pa më të voglën hije dyshimi në sytë e tu, kur mësove të vërtetën se Roberti kishte bashkëshorte Tinën... Të më kuptosh, këto fjalë nuk janë lavde, janë personaliteti yt, që më tregoi mua ato anë njerëzore të cilat i kisha harruar apo shkelur me këmbë. Po e përsëris: jam në dorën tënde, pranoj me ndërgjegje zgjidhjen që ti do ta konsiderosh të arësyeshme, - vazhdonte të fliste me zë të ulët, e përvuajtur thellësisht,  e në prag lotimi…

Minai, si përherë i sinqertë, ngadalësoi hapat, më saktë ndërpreu ritmin e vallëzimit, nguli shikimin në sytë e ndritshëm vezullues të Tinës dhe prerë, por pa mundur të fshihte një nuancë keqardhjeje brenda zërit paksa, më të trashë se zakonisht:

- Rastësia bëri të njihja pjesë delikate, të dhëmbshme dhe me rrezikshmëri të lartë në jetën e një personi përgjatë një periudhe kohe tejet të vështirë për atë personalisht. E pranoj ndershmërisht se këtu fillon e mbaron gjithçka për mua.

Lotët e Tinës po rrëshqisnin faqeve. Trishtimi e zaptoi dhe nisi të largohej ngadalë me kohën ulur. Valltarët ende në krahët e njëri-tjetrit reflektonin çaste lumturie dhe brënda atij intervali kohe pikërisht të tjerë njerëz, po jetonin anën e bukur, pozitive të jetës, saje tingujve magjepsës të muzikës…

Tina hodhi rastësisht vështrimin në anën tjetër të sallës dhe hasi në një moment fatal, të paimagjinueshëm për të. Ishte e pazonja të mendonte me kthjelltësi, të kuptonte se çfarë kishte ndodhur në kohën kur ajo vallëzonte me Minain. Pranë dritares, në njërën nga karriget e tavolinës së zgjatur, qëndronte ulur beratasi, i cili nuk ia kishte shkëputur sytë asnjë çast, natyrisht edhe përgjatë kohës së kërcimit me të. Bëri përpjekje t’i shmangej vëzhgimit këmbëngulës të syve të tij, që atyre çasteve nuk mund ta fshihnin egërsinë tipike shoqëruese. Sapo shkëmbyen shikimet, ai bëri guximshëm një shënjë nënkuptuese, tepër të rrezikshme e të dënueshme për çastin:

- Hajde të ikim së bashku sa më parë, nuk është vendi për ty…

Në më të shkurtrin interval kohe, ajo u qartësua. Mesazhi që i kishte dërguar beratasit për pamundësinë absolute të takimit asaj dite, shkak ftesa e nipit të Minait, jo vetëm nuk e kishte bindur, por i vendosur ta gjente vendndodhjen e saj, të vepronte sipas gjykimit të tij, pra ta merrte me vete, pa u dhënë më të paktën rëndësi rrethanave në të cilat Tina gjendej: së pari, në shoqërimin e bashkëshortit dhe në një ambient festiv mes të njohurve të shumtë. Qëndrimi, sjellja e beratasit vërtetonte se ai ndodhej në botën irreale, jo midis një mjedisi të shoqërisë njerëzore rregullat e së cilës çdo njeri është i detyruar t’i respektojë, edhe kur hapur bie në kundërshtim me to personalisht; së dyti, ana tjetër e çështjes tepër e rëndësishme, po shkelmonte dinjitetin, privatësinë e një personi tjetër, e cila kishte dhënë prova se e dashuronte, duke u përballur me shkallën më të lartë të rrezikut për jetën e saj…

Në të njëjtën kohë, Robertit nuk mund të mos i tërhiqte vëmendje një burrë në moshë mesatare, veshur me kostum firmato, me pamjen e një mashkulli të vetëkënaqur, që nuk ia ndante sytë të shoqes, kur qëndronte ulur apo merrte pjesë në vallëzimet e radhës; në të njëjtën kohë vuri re një sinjal të dyshimtë drejtuar Tinës...

Po përpiqej të gjykonte me gjakftohtësi, por ishte e pamundur, teksa shihte paturpësinë e qëndrimit, mënyrën e shoqërimit me shikime nënkuptuese të çdo lëvizjeje të gruas së vet... Ishte i panjohur për Robertin, me një prezantim të qartë provokues. Në pamundësi ta lejonte më tej, Roberti merr një vendim të prerë: të mësonte sa më shpejt se cili ishte ky “xhentëlmen”? Si mund të pranohej sjellja e tij, për më tepër ndaj gruas së tij? Dhe vendosi që, pastaj t’i jepte një mësim të merituar…

Përshkoi me hapa të shpejtë sallën, ku gjithçka ecte me të njëjtin ritëm. Iu afrua biznesmenit berates I cili me qëndrimin e tij mospërfillës, ofendues e preku thellë sedrën e Robertit. Zgjati dorën e djathtë, duke e shtrënguar në pjesën e fytit mbi jakën e këmishës cilësore, shoqëruar me zërin e njeriut të patrembur dhe  në vetëmbrojtje të ligjshme:

- Cili je ti, o bishë e vërtetë me fytyrë njeriu, me pamjen e një mashkulli... që merr guxim të hysh në një darkë miqësore dhe të mos ia ndash sytë gruas sime?! Ku e gjete të drejtën?!

Ka të ngjarë që forca e shtrëngimit të ishte e tillë, sa në moment  karigja u flak tutje, zhurma e përplasjes së të cilës tërhoqi vëmëndje. Beratasi klithi dhe me duart e veta po përpiqej të bënte të njëjtin veprim ndaj Robertit. Minai, si të parandiente diçka fatale, sapo e dëgjoi klithmën e mashkullit, sigurisht i vetmi që njihte brënda atij mjedisi, e gjykoi në moment arsyen e pranisë së paligjshme të tij dhe vrapoi drejt tyre. Me forcë i shkëputi nga njëri-tjetri, por nuk mundi ta pengonte beratasin, që, sapo e ndjeu fytin të lirë pas shtrëngimit, t’i kthente përgjigjen therëse, ironike Robertit, duke ia ngulitur sytë:

- Dëshiron të më njohësh mua? Atëherë pyet Tinën, gruan tënde…

Minai kurrë nuk mbante mend të ishte ndodhur në një situatë të tillë psikologjike tejet të rëndë, të papërshkrueshme. Iu drejtua me zë të ulët njërit pas tjetrit, por nuk mori asnjë përgjigje. Mbeti i gozhduar mes tyre, pa vendosur se si do të vepronte më tej… Pa të afrohej Tina, të cilën e tërhoqi dy hapa mënjanë. Pasi hezitoi një çast, mori një pamje të ngjashme me atë kur, dikush  bëhet gati të përplasë dikë pas murit pranë.

- Sot e mësova se je gruaja e Robertit…

Asnjë përgjigje apo ngritje të lehtë të kokës dhe Minai, si të ishte duke ngulur plotësisht i ndërgjegjshëm një thikë drejt zemrës së Tinës, vazhdoi:

- Po sot, kuptova që nuk paske qënë gruaja e Robertit…, por e këtij tjetrit, beratasit, - duke drejtuar gishtin drejt tij.

Roberti kthehet pas, dukej i tjetërsuar, por Minai vazhdoi:

- Robert! A të çoj në shtëpi ? -Do rrish me beratasin dhe Tinën, me këta të dy këtu ? -Apo do ti shoqërosh  këta të dy, për në Berat?

Tina nuk pati gojë të fliste. Qëndronte e vetme në shesh, e mbytur në lot, teksa  meshkujt  po  largoheshin…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora