Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Ajne Ibërhysaj - Do vij me hijen e erës
E merkure, 29.07.2020, 07:42 PM
Analizë libri
Sejdi BERISHA:
LIBËR
SI ALMANAK I DASHURISË, I SHPIRTIT DHE I MENDJES NDAJ JETËS, KOMBIT DHE ATDHEUT
(Ajne
IBËRHYSAJ: “Do vij me hijen e erës”, poezi – 2020)
Krijimtaria i ngjanë
rrugëtimit të cilin nuk ta shpjegojë kurrë dhe asnjëherë, ashtu siç e thotë dhe
e këndon mendja dhe shpirti i autorit. Ndërsa, poezia është vetë shpirti,
dhembja, lumturia, malli dhe ëndrra, e cila asnjëherë nujk përfundon, asnjëherë
nuk pushton. Të gjitha këto atribute i takojmë tek libri, “Do vij me hijen e erës”
të autores, Ajne Ibërhysaj, e cila edhe pse deri me tash nuk ka bërë libër, ajo
i është e njohur opinionit lexues dhe dashamirëve të poezisë, të cilën e hasim
nëpër gazeta e portale, me vargjet të cilat me ndijimin e veçantë por edhe me
trajtimin e zërit të shpirtit, dallon dhe lë vend e shpresë se tek po vjen një
krijuese e cila poezinë, ashtu siç e ka edhe jetën, e ka shndërruar një gjerdan
me lule, e nganjëherë të begatuar edhe me gjemba e therra, që padyshim se janë
mëlmesë e fuqishme e vargut dhe e këndimit karakteristik poetik. Më këtë formë
të të shkruarit, autorja gjithnjë provokon për nevojën se njeriu gjithnjë e përherë
duhet konsideruar jetën si një rrugëtim, i cili, nuk do të ishte me peshë as
interesant, nëse nuk ndalemi nganjëherë në ato barrikadat pranë të cilave
vetvetiu dalin vargjet, dhe pastaj, pengesat e tilla i shkrinë vetë forca dhe
lumturia e vargut, vetë shpirti i madh i krijueses.
Nganjëherë vargjet ngjajnë si në hartën e
fatit të njeriut
I gjithë ky
“shkrumb” krijues që është i radhitur në katër njësi ciklike: “Qetësia
e fjetur e fjalës”, “Bashkë
me fatin diku nxitojmë...”, “Të përqafohemi me
diellin” dhe “Kombi
im m’i ngrohë dejtë e gjakut”, pasqyron tamam jetën jo vetëm jetën dhe
atë që njeriun, kombin dhe atdheun por edhe njerëzimin e preokupojnë në mënyra
dhe forma të ndryshme, që gjithandej jetës lënë gjurmë, kurse pavdekësinë e bëjnë
pjesë jetë, të cilën ka dëshirë por edhe këmbëngulë për t’ia ofruar secilit
lexues të begatuar më atë begatinë e zemrës dhe të shpirtit. Këtu kujtoj se e
ka edhe atë peshën specifike “Do vij me hijen e erës”:
“Mos u gozhdo me ndjenja/Se mes
ëndrrash fati kryqëzon/Miklon e shpesh ngushton fytin/Shtrëngon
duart... Ti njeri/Bekimet të shoqërojnë/Nuk je i vetëm në këtë botë/Se një ditë të gjitha tretën/Çdo njeri ka bekime e lot...”(Poezia: “Një ditë të gjitha
tretën...”).
Në ciklin e parë, “Qetësia
e fjetur e fjalës”, autorja me ndijim të veçantë por gjithnjë e përcjellë
me dritën e lumturisë e me dhembjen për fatin e njeriut, nuk lë asgjë pa
theksuar e madhështuar, sepse, ajo ecjet e kohës, edhe dje, edhe sot, edhe
nesër i sheh si një lloj trishtimi që e mobilizojnë shpirtin e njeriut për t’u
përballur me të gjitha sfidat dhe kështu për ecur sigurt e plot krenari drejt të
së bukures, drejt vetvetes dhe lumturisë:
“Me pika
vese/E mbulova lumin/Në çdo rrahje
zemre/Ndjeva peshën e jetës...”! Dhe, jo vetëm kjo. Ajo, fatin e tokës, të vendlindjes, të
fshatit, të rrugës dhe rrugicave, të qytetit që e kapërthejnë shekujt, gjithnjë
i ka pjesë të jetës, më të cilat ecën edhe kur punon, edhe kur është në mjedise
të ndryshme, edhe kur s’e zë gjumi, edhe kur është në gjumë. Ndoshta për këtë dëshmojnë
thekshëm edhe këto vargje drithëruese: ”Bredhi
në këtë qytet të ftohtë/Kafshimin e
fjalëve e dhembje plagësh/E ndiej
në çdo gjëmë të shpirtit të tij/Kësaj maratone
jete fundi nuk i duket/Me
plasje duarsh e xhepa bosh/Hidhësia e
kafesë helmon ditën/Fytyra të
trishtuara nënash/Me fëmijë në parzma/I
presin rrugët e pafundme...”(Poezia: “Në zemrën e qytetit të gurtë”).
Në anën tjetër, brenda këtij libri ka
mbëltyer atë tharmin e dashurisë së njeriut, sa që në çdo varg, në çdo fjalë, lartësohet
fenomeni “dashuri”, pa të cilën dot nuk bëhet asnjë hap dhe çdo ecje duket se i
ngjan tunxhit: “Harron edhe si të dashurosh/Ndonjëherë
vetveten nuk e kupton/Si e marrë vazhdon të shtegtosh/Çdo rrugë e ndërton me
pika vese/Shpirt/Tempulli i lotit/Sa i fortë bëhet brenda
teje...”(Poezia: “Tempull loti”).
Po që se me kujdes
shprishim çdo varg, çdo fjalë, çdo mesazh, atëherë më të vërtetë librit i dalim
në hak nëse nuk e shprushim faqe për faqe, poezi për poezi, mbase edhe varg për
varg, sepse, ja se çfarë na sjellë ndërmend autorja: “Kujdes kur flet/Se fjala edhe mund të shitojë/Me te mund të vrasësh gjithçka/Pafajësia e fjalës/Nuk është as në qiell as në
tokë...” (Poezia: “Fjala vret edhe dritën e syrit”).
Kur gjithçka dhemb për
jetën, për historinë, për tokën e bjeshkët, për njeriun në të gjitha kohërat, në
librin “Do vij me hijen e erës”, nganjëherë vargjet aq të fuqishme, aq me peshë,
na duken si hartë e fatit të njeriut, të tokës dhe gjakut: “Loti e vrau zemrën e tokës/Qiellin edhe zogjtë/Dëshmitarë t’u
bënë/Rreth teje/Korbat vallëzonin me
vdekjen/Por ti e shndrite qiellin
e vrenjtur...”(Poezia: “Qiell i vrenjtur”).
Krijuesit janë veçanti, që
jetën e masin më grimca shpirti, me grimca malli e vuajtje, për atë edhe ata
edhe metaforën, edhe mesazhin e kanë me peshën e gurit, me peshën e gjakut që
ka ujitur e ujitë tokën nëpër periudha kohore e historike, e që e tërë kjo është
ajo matematika dhe rebusi shpirtërore, që na detyron që kambanat t’i rrahim në
të katër anët: “Psherëtinë
e përpëlitesh me vetën/Etshëm çapitesh me mendimet e fjalët/Me aludime gërryese e thumba vrastarë/E degdisë jetën larg gurit
të fjalës/U muros fjala në qiellin gri/Kështjella u
mbulua me gjethe vaj/Gjëmon mall në shpirtin si mal/Gjithçka e mbështjellë e gdhendur me fajin...”(Poezia: “Sa
pak paskemi dashur në këtë botë”).
Në këtë cikël hasim edhe
poezi edhe vargje që i ngjajnë zjarrit, që u ngjajnë pritjeve, që u ngjajnë
legjendave jo vetëm për atë që quhet tokë e diell, por, autorja edhe këtë sikur
na reflekton përmes vargjeve kushtuar nënës: “Nënë/Në krahët e tu/Qetësinë e
shpirtit e ndjeva/Në sytë e tu
pashë diellin/Në prehrin tënd kokën pushova/Edhe tash
e ndjej fjalën/U rritsh si kokrra e melit/Nënë/Kam aq mall për fjalën tënde/Lotët trupin ma drithërojnë/E
kujtimet ma çmallin shpirtin/Nënë/Në çdo frymëmarrje të
ndjej/Më pushton e mbështjellë një zjarr/Dielli m’i
kallë gjethet e pranverës/Ditët më ikin
si zogjtë e vjeshtës”(Poezia: “Nënë”).
Triumfi i dashurisë, pesha dhe arsyeja e
njerëzores
Në ciklin e dytë, “Bashkë me fatin diku nxitojmë...”, autorja, që në
poezinë e parë, lexuesit i sjell ndërmend se dashuria njeriun e bën të lumtur,
bile edhe atëherë kur malli e dhembja vret, edhe atëherë kur ndarja ka peshë
hidhërimi dhe pezmatimit, dhe, sikur të gjitha këto bashkë, dashurinë e bëjnë
edhe më të fuqishme dhe e çelikosin për të ecur gjithnjë me dinjitet dhe
vertikalisht. Andaj, edhe në këtë aspekt, autorja në këtë libër, vargun e
dashurisë e shndërron në pelegrin mbase edhe në studiues dhe pedagog e
këshillues për të përkëdhelur dhe mikluar dashurinë edhe atëherë kur ajo
ndoshta e ka ecjen pa kthim koke prapa. Andaj, madhështia e shpirtit të
dashuruar e ka veçantinë e njerëzores dhe nëse mund të thuhet edhe të mbi
natyrës, sa që të gjitha hedhen me një anë, që vetëm dashuria të triumfojë së
bashku me arsyen e njerëzores. Në këtë aspekt, kujtoj se me tërë këtë konstatim
puthiten më së miri vargjet e poezisë, “Sot dua
të pi kafe me ty”: “Thjeshtë dua të pi kafe/Me diellin e syve ty
/Me fytyrën flakëruese/Me buzëqeshjen tënde/Me shpirtin
e shenjtëruar/Me madhështinë e shijes së kafesë/Sot
dua të jem me ty!/Ti je shija e kafesë/Më dhuro pak grimca/Të mirësisë e
shpirtin tuaj/Më rrezato trishtimin/Japi ngjyrë kafe hidhërimit/E ngrohe
shpirtin”! E, tërë këtë madhështi me të cilën
disponon autorja, atë gjerdanin e poetik, por mu vargjet e sipërpërmendura, i
arsyeton dhe i dëshmon, se fuqia e dashurisë nuk njeh vetëm kufij por nuk njeh
as nuk i pranon as hidhërimet, as ndarje, as xhelozitë, të cilat, kuptohet, të
gjitha këto ndodhin në rrugëtimin jetësor tek të gjithë njerëzit. Pra, edhe kjo
është një fildish jete, sepse: “Ecim
mes ëndrrave dhe dëshirave/Shpesh përflakim veten
me to/T’i mbledhim rrezet
ta bëjmë një diell/Presim t’i shohim
yjet/Yjet na shohin ndryshe/E ditët zhveshin e vjelin besimin/Ngjajmë si pyjet pa gjethe
Jeta si stuhi
deti/Lundrojmë mes
tallazeve/Ëndrrat qeshin/Shtrëngojmë duart e lutem drejt qiellit/Se rrugëtimi
është sa një frymëmarrje”(Poezia: “Yjet na shohin ndryshe”).
S’ka dyshim se madhështia e vargut te
libri “Do vij me hijen e erës” të Ajne Ibërhysaj, dëshmon edhe sensin krijues,
por edhe për filozofinë e vargut urtak dhe gjithsesi dinjitoz, atëherë kur
madhështia dhe arsyeja vargëzuese e bëjnë edhe lexuesin për të lakmuar tek të
gjitha këto veçori e virtyte të autores: “I dashur/Nëse një ditë vi tek ti/Ma puth lotin mbi qerpik/Ma shtrëngo
dorën në faqe/Syrit m’i dhuro filiz pranvere/Miqësohu edhe
ti me borën/E në atë ditë/Kujtimet do vallëzojnë/Me valsin e jetës/Atëherë zjarri do ketë pushuar/Unë do vi me hijen erës/Lehtas do shkel
mbi gjethe fjale/Mos u friko/Nuk
të trazoj as nuk t’i zgjoi ëndrrat/Edhe
yjet në qiell të qetë do i le”(Poezia: “Ti je vals, rebel i
shpirtit...”).
Dhe lumi i jetës ecën me
gjithë gurgullimën, vërshimet dhe përplasjet e veta, e që në vargje, autorja na
preferon se gjitha në rrugëtim edhe nëse ndonjëherë nuk është normal, ai prapëseprapë
është normal, sepse, jeta ecën si lumë. Për këtë, ndoshta, si njëfarë vule e tërë
asaj që njeriut ia bën jetën të lumtur edhe atëherë kur për momentin sikur qelën
e mbyllen dyert e ëndrrave, e që edhe portat bashkojnë urat, reflektojnë
vargjet: “Dimër
në shpirt/Me ëndrra të brishta/Me dete në mes/E me tallaze vale/Të huaj u bëmë/Ikja jote/Dhimbjen ma zgjoi/Eh… ardhja jote/Si gjethe vjeshte më gjeti/Flas me kujtimet/E
sytë m’i zhveshin/Jemi bërë të huaj/U pleqëruam me mall/A ka
mbetur diçka mes nesh!”(Poezia: “U
pleqëruam me mall”).
Por këndimi poetik bëhet edhe më i
fuqishëm dhe shumë domethënës në aspektin e asaj se dashuria ndërton e krijon
çudira, por edhe bën matematikë njerëzore, e cila hapë rrugët e të gjitha
mundësive për tu qetësuar dhe prehur shpirti në atë që e synon. Pra, autorja
kurrë nuk dorëzohet por as edhe nuk rebelohet duke e mbajtur në kontroll arsyen
dhe njerëzoren me të cilën duhet të disponojë secili njeri. Në këtë rast, ajo
edhe qetë edhe përbrenda vetvetes zjarrmishëm vargëzon: “Mëkat që godet
shpirtin/Vret e mbetesh hero/Me dhembjen e ëmbël/Ti vret e godet/Plagën e
vjetër/Ti ngjan me shirat/Përflakë e freskon me fjalë...”, ose: “Ti je
mëkati më i ëmbël/Më mëshiron e ikën/Pastaj qetësisht vjen/Më rrëmben e
më ndezë/Më ngushëllon e bekon/Lehtas më pushton/Më përqafon
e përqafon/Deri sa më ikën inati”(Poezia: “Ti je mëkati im...”).
Kur bie shi e ndiej lotin e
Zeusit...!
Ajne Ibërhysaj, që deri me tash ka
botuar një mori poezish, edhe në këtë libër njeriun e çmon dhe e respekton në të
gjitha aspektet, andaj, edhe me vargjet e saja duket si të jetë e shenjtë, veçmas
kur femra është në pyetje, e cila edhe tek ne mbase edhe në botë, ende nuk e ka
vendin, të themi, plotësisht të shenjtë. Pikërisht për këtë arsye, autorja ja
se si vargëzon për femrën: “Në një milion yje/Ti shkëlqen e fal
mirësinë e dritës/Je mëngjesi i rrëzës së syrit/Je
aroma e përqafimit/Dhuron jetë e jetë kërkon/Krijon degë lumit, etja të
mundon/Zjarr e ke udhën e flakën e
lufton/Grua/Para teje përkulën
edhe engjëjt/Je rrugëtimi i mëkatit të Krishtit/Emër i
shkruar në harkun triumfit/Me ty
fillon shenjtëria e jetës/Grua/Je hyjnia që Zoti ia
dhuroi tokës!”(Poezia: “Grua”).
Zjarrmi të ngjashme shpirti e mendjeje
kanë edhe poezitë, “Ëndrrat t’i trazoj”, “Ti prekë si hark që vret”, “Dashuri, Ti gënjeshtër
e ëmbël”, “Më prano ashtu siç jam”, “Qëndro me veten tënde”, “Ç’elegancë la
fati i syve tu” etj.
Në ciklin e tretë “Të përqafohemi me
diellin”, autorja nuk i ndahet temës e cila poetët por edhe të gjithë njerëzit
në botë, nëpër shekuj e kanë shprehur, ndërtuar, rrënuar mbase edhe ri rrënuar,
atë dashurinë universale, e cila njerëzit i mbanë me shpresa por edhe u japë
fuqi për të bërë të lumtur jetën dhe gjithçka që na rrethon. T’i veçojmë
vargjet kushtuar duarve të nënës: “Tokë e
njomur me lot e fjalë/Bekon dritën e rrezet e diellit/Duart
e nënës si eshkë e ndezur/Çdo zemër njomin me vesën e mëngjesit”, ose vargjet: “Etja shuhet me lotin e fjalës/Dehet me
shijen e pritjes/Ndizet me çmendurin e ikjes/Shtohet me
dhembjen e viteve”.
Është interesant se në këtë libër,
autorja në forma të ndryshme e vë në spikamë çdo detal që lidhet me atdheun, me
kombin, me vendlindjen, me historinë, me krenarinë dhe vuajtjet, gjëra këto që
reflektojnë bagazhin e intelektit, të përgjegjësisë dhe të dashurisë për të
gjitha historitë që i ka mësuar, që i ka përjetuar dhe nuk i harron as ajo, si
për shembull: “Dikur me burra të fjalës/Me
kuvende të shënuara në histori/Sofra
e begatonte syrin/Oda shpërndante dituri” (Poezia: “Kulla”).
Dhe, se sa ka përgjegjësi ndaj vargut
dhe temës që shtjellon, kuptohet, me ndijimin e posaçëm, ajo thotë me një
metaforë shumëdimensionale, se: “Kur bie shi e
ndiej lotin e Zeusit”, duke shtuar se, “Shpirti si qerre druri trokëllinë e i
bartë dhimbjet”!
Në ciklin e katërt, “Kombi im m’i ngrohë dejtë e gjakut”, Ajne Ibërhysaj, ligjëron për shumë vende historike, si:
Gryka e Deçanit, fshati Belle, Lumbardhi, për ashtin Dardan, pastaj për Valbonën,
për Çamërinë, për kombin, e që të gjitha këto e dëshmojnë personalitetin e
spikatur të autores, dhe se atdheu për të sikurse edhe për të gjithë është ashtë
që nuk kalbet, është lapidar që përjetësisht rri vertikalisht si dëshmi e
shekujve dhe për shekujt. Këtë begati krijuese le ta dëshmojmë edhe me vargjet: “Kombi
im/Të kam si shtjellë ajri/Ma mbështjellë e drithëron trupin/Trete errësirën e
shndrite qiellin/Kombi im/Të kam diell/M’i ngrohë dejtë e gjakut/Nga hiri
njomesh e mban bajrakun/Kombi im/Të kam rreze drite/Gjallëron
shpirtin...”(Poezia: “Kombi im...””), ose: “Sytë e tu e blerojnë edhe shiun e pranverës/E mbron çdo pëllëmbë/Me
syrin e dëshmorit/Atdhe/Ti je harta e zemrës/Ti je tmerri i djajve/Sikur
shekujt e koha/T’i bartin dhimbjet/Vendi im tokë e diellit/E djep i humanizmit”(Poezia:
“Vendi im”).
Dhe krejt në fund, autorja shkruan edhe
baladë për poetin, sepse, ai e ka peshën e shpirtit, e ka vlerën e historisë së
kulturës. Ja, çfarë thotë ajo në mes tjerash: “Balada e poetit e ka frymën e
secilit njeri/Syri e ka etjen e vargu i bëhet shigjetë/Çdo shkronjë e brumos me
frymën e gjakut/Guri i bëhet i butë e koka i dhemb nga jastëku/Acari ia lëndon
damarët e zogjtë e shoqërojnë/Nga gjaku i lind poezia e pastaj shpirti i
qan/Dhimbjet i bën peizazh dashurie/Vajin e fëmijëve e qëndis me fjalë
perëndie...”(Poezia: “Balada e poetit”).
Libri “Do vij me hijen e erës” i Ajne
Ibërhysaj, vërtetë është si një almanak i dashurisë, që njeriu me besnikërinë e
shpirtit dhe të mendjes e shpërfaq për jetën, për njeriun dhe për kombin e atdheun,
dhe si i tillë begaton letrat shqiptare. Prandaj, edhe këtë shkrim dua të
përfundoj me këto vargje nga poezia “Balada e poetit”: “Balada e poetit e ka
frymën e secilit njeri/Syri e ka etjen e vargu i bëhet shigjetë/Çdo shkronjë e
brumos me frymën e gjakut/Guri i bëhet i butë e koka i dhemb nga jastëku/Acari
ia lëndon damarët e zogjtë e shoqërojnë/Nga gjaku i lind poezia e pastaj
shpirti i qan/Dhimbjet i bën peizazh dashurie/Vajin e fëmijëve e qëndis me
fjalë perëndie”!