E enjte, 10.10.2024, 06:11 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Plazhi i fukarenjve

E merkure, 29.07.2020, 11:00 AM


Plazhi i fukarenjve

Nga Edison Ypi

Fukarenjtë tanë nuk janë si leckamanët e Londrës, Romës, Milanos, Parisit, që ditën lypin, natën flenë në thes.

Fukarenjtë tanë lahen, krifen, pispillosen, vishen me rroba firmato, lëvizin me makina të shtrenjta, hanë si buaj, pinë si kuaj, gromësijnë si derra, fryjnë barkun, trashin qafën, jetojnë nëpër vila, udhëtojnë “jashtë shtetit”.

Në dallim nga fukarenjtë e botës që dalin sheshit, fukarenjtë tanë fshihen. Fukarenjtë tanë nuk dihet se ku ndodhen, ku mblidhen, ku qajnë hallet.

Por diku ata janë.

Që tu merret erzi, tu çirret maska, tu zbulohet hilja, duhen gjetur ku ndodhen sido që të jenë maskuar.

Vendi ku fukarenjtë dhe fukareshat tona nuk maskohen dot, duan-s’duan dalin cullak, është plazhi.

Plazh ku fshihen fukarenjtë e Tiranës në këto ditë zhegu ndodhet në skajin verior të gjirit të Lalzit, në Shën Pjetër.

Rrugës drejt Shën Pjetrit, ç‘emër i bukur për një plazh fukarenjsh që korentin e vjedhin, ujin s’e paguajnë, s’kanë të hanë as bukë, mungojnë, jo vetëm autobuzat që kushtojnë pak, por edhe mjetet e tjera të transportit për fukarenj; biçikletat, karrocat, furgonat. Atëhere del pyetja; Si venë në Shën Pjetër fukarenjtë e Tiranës ?! Më këmbë ? Mbi biçikleta përmes shtigjeve të fshehta ?

Kur i afrohesh pishave të Gjirit të Lalzit në atë kthesën e gjithnjohur ku po t’ja mbash nga e majta arrin tek fshatrat turistike të parellinjve me hotele të shtrenjta, restorante të kripura, dhe po t’ja therësh nga e djathta drejt Shën Pjetrit vete tek fukarenjtë me lokale të thjeshta, makina modeste, mu aty konstaton një çudi; Ndërkohë që makinat e zakonshme ikin nga e majta drejt vilave të parellinjve, makinat e shtrenjta ikin nga e djathta drejt çadrave modeste të fukarenjve. Do jetë ndonjë mirazh, ndonjë iluzion optik shkaktuar nga vapa, them me vete, dhe vazhdoj për atje ku jam nisur, nga e djathta e fukarenjve.

Me të hyrë tek plazhi i fukarenjve, shtangesh. Nga të dy anët parkingje të stërmëdhenj ku mërzejnë nënë hije me qindra makina nga markat më të shtrenjtat; Mazda, Mitsubishi, Toyota, Benza. Kaq shumë makina të shtrenjta sa në plazhin e fukarenjve të Tiranës nuk i gjen dot në 100 Struga, 50 Ohra, 20 Ulqina, 10 Prishtina, 5 Shkupa.

Pak më tutje, të tjerë parkingje edhe më të mëdhenj, me të tjera qindra e qindra makina të shtrenjta të panumurta.

Mos vallë parellinjtë me fukarenjtë kanë ndërruar vendet, zonat, plazhet, makinat ? Pyes dikend. Jo, aspak. Në plazhin e parellinjve po ato vila të heshtura si kështjella ku natën dalin fantazma, po ato lokale të shtrenjta pothuajse bosh brenda, askush që të luaj me top në rërë, po ato makina të zakonëshme, po ata VIP-a të ngathët e të trashë si rinoceronta, po ato femra të lodhura shtrirë mbi peshqira.

Kaliforni kilometrike plot me fukarenj, çadra dhe peshqira. Duket sikur të gjithë fukarejt e Tiranës kanë zbarkuar aty. Misra të pjekur, sende plazhi si t’i duash, varka me qera për të shëtitur. Diku, pak si mënjanë, një jaht. Pak më tutje edhe një tjetër.

Një restorant i pastër dhe i rregullt, qënka “gjatë gjithë vitit hapur”. Në plazhin e fukarenjve, fukarenjtë ardhkan edhe në dimër.

Një tjetër lokal i ngjajshëm paralajmëron “ju lutemi mos fusni makinat brenda”. Ku brenda ?

Një piktor bohem po vizaton mbi qafën e një Monalize lokale një çelës solfezhi.

Dy djem dhe një vajzë janë përkulur mbi një celular po kërkojnë në Google Earth Fortesën e Skënderbeut që ndodhet te Kepi i Rodonit nja dy kilometra më tutje.

Ti pyesësh fukarenjtë e plazhit të fukarenjve; A je fukara ? duhet të kesh në brez një kobure që të mos hash një të rrahur.

Një zonjë e moshuar elegante vetëm pse kishte dëgjuar 1 herë të vetme fjalën “fukara”, u alivanos. Të mos vdiste e sollën në vete me kompresa të ftohta.

Lokalet e fukarenjve, megjithse modeste krahasuar me ato të parellinjve, kanë gjithçka për të ngrënë dhe për të pirë. Por çmimet janë tepër të larta. Ku i gjejnë fukarenjtë tanë tër' ato pare,

? mbetet enigma e shekullit.

Ta pyesësh ndonjë pronar lokali nëse ato çmi e janë të vërteta apo , a janë të vërteta këto çmime, apo fjala është për ndonjë beaëlidhje të pronarëve për ti bërë parellinjtë të duken fukarenj dhe anasjelltas, përgjigja është befasuese; Fukarenjtë ta thyejnë kokën me pare.

Femrat fukaresha janë më të bukura se femrat parellesha. Me një ndryshim. Fukareshat nuk pranojnë të fotografohen. Parelleshat për tu fotografuar paguajnë.

Ja tre fukaresha me bikini aq mini sa për tua parë të mbathurat si rripa duhet tu largosh të ndënjurat e rrumbullakëta si gjysma mollësh.

-E di me çfarë ngjan ti ? i them njërës.

-Aman ma thuaj, se vdes ta di.

-Me Skraparin.

Qeshin të treja.

-Po pse me Skaraparin, dhe jo me Laçin, të cilin e kam qef më tepër ?!

-Sepse aq shumë male, kodra, hone, gremina, lumenj, përrenj, sa ke ti vetëm Skrapari ka.

-Jam e lumtur që më krahasove me Skraparin, thotë, dhe afrohet më pëshpërit te veshi, ta fal Poliçanin, po deshe edhe Gurin e Miçanit bashkë me Sevranjin dhe Hambullën, veç aman më thuaj si të duket kjo mikesha ime, kjo që është paksa e bëshme.

-Ti je si Mallakastra, i them tjetrës.

-Ua, po pse ? ma pret e bëshmja.

-Sepse trafikun drejt jugut ta kanë marrë Vlora dhe Tepelena nga autostrada.

E mbajtur por pak e thyer në moshë, hidhet e treta;

-A mund të më thoni si j’u dukem unë, ama troç, ë ?

-Ti më dukesh si Dumreja. Me liqene të pashterrshme si në përralla, kodra të buta të magjishme, por pa pyje, se pyjet i preu kurvi nga frika se mos fshiheshin diversantat.

Pasi largohem nga fukareshat e lumtura dhe të bukura secila në mënyrën e vet, pyes një buçko që u shet peshqira me ngjyra fukarenjve me Mazda dhe Benza,

-Si duken punët këndej ? A ka fukarallëk ?

-Ka shumë fukarallëk.

-Pse ?

-Sepse e kam lexuar në gazetë. E kam parë në televizor.

Kalojnë njëra pas tjetrës dy Toyota dhe tre Range Rovera.

Në një Golf 4 dikush ka futur brenda të gjithë katundin; Veten, nënën, babën, nusen, tre fëmijët, për t’i prurë të nxihen në plazhin e fukarenjve. Dua t’a pavdekësoj këtë pamje madhështore me anë të një fotografie. S’kishte qënë e thënë. Më pengoi një mesoburrë që me siguri do ketë qënë spiun. Sa s’ja plasa të qarët. Sipas spiunit, fshatarët që venë në plazh nuk duhet të dalin në gazetë.

Duke u kthyer, mbi një tezgë bosh plot me rrush inekzistent, shënimi; “Rrush tavoline”.

Pak më tutje tre fëmijë po shoqërojnë një lopë drejt lumturisë. Në një vend ku lopën nga Lalzi do ta mbarsi një mzat nga Marikaj, një gigolo, një Richard Gere lokal, i cili për këtë mbarsje me qef reciprok kërkonte nga lopa 10 dollarë.

Një 76 vjeçar me në sup, në krahë dhe në duar, bel, kosore, cfurk, sëpatë, po kthehet nga ara i lodhur dhe i lumtur ku ka vajtur që pa gdhirë për të korrur.

Vetëm fukarenj nuk pashë në plazhin e fukarenjve. Por përderisa e thonë neandertalët e gazetave dhe pitekantropët e televizioneve, fukarenjtë shqiptarë janë të panumurt. Duhen gjetur ku janë fshehur.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora