Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Biçikleta
E merkure, 24.06.2020, 07:52 AM
Biçikleta
Nga
Edison Ypi
Biçikleta
ishte një rraqe metalike pa moshë. Si sot edhe para edhe pas dhjetë vjetësh
mbetej gjithmonë as e re as e vjetër.
Biçikleta
ishte një "imobiliare" e lëvizëshme që trashëgohej, shitej, falej,
këmbehej, vidhej, flinte, zgjohej, plagosej, rënkonte, sëmurej, shërohej, por
kurrë nuk vdiste.
Biçikleta
në shitje kishte aq rrallë sa nuk mbahej mend kur kishte ndodhur.
S`dihej
kush e kur e ku e kishte blerë biçikletën. Biçikleta gjallonte në anonimitet të
thellë si breshka brenda zhguallit.
Biçikleta
ishte sendi më i lakmueshëm për tu vjedhur. Biçikleta vidhej më tepër se
gjithçka. Vjedhja e biçikletës ishte fatkeqësi nga më të mëdhatë që mund të
pllakosnin. Për ta lidhur biçikletën pas ndonjë shtylle për mos ta vjedhur
përdoreshin një amanejarebi me dryna, kavo, litarë, zinxhirë.
Nëse
ndodhte që po atë ditë kur të vidhnin biçikletën të vidhnin edhe antenën apo
diçka tjetër, kupa derdhej, jeta sterrosej.
Një
herë e një kohë biçikleta kishte targë dhe një si tesër. Pse ? Një Zot e di.
Ndoshta kishin kopjuar Kinën ose Rusinë ku biçiketat ishin me miliona.
Shqiptarin
barkzbrazur veshur keq me një biçikletë përdore duke u endur nëpër Tiranë, nuk
doli asnjë Mikelanxhelo ta pavdekësonte në mermer atë kryevepër.
Pse
nga Rusia prejkah vinin turlilloj hekurishtash nuk erdhën kurrë biçikleta ?
askush nuk e dinte.
Biçikleta
e parë më e përhapur quhej "Diamant". Thoshin se e kishin sjellë nga
Gjermania Lindore duke e këmbyer me domate e kastraveca.
Pastaj
sollën Mifa, e ngjajshme me Diamant-in por jo aq e fortë.
Ca
kohë qarkulloi një biçikletë vietmeze. Ishte e dobët. U zhduk shpejt.
Provuan
ta prodhonin "me forcat tona". Dështuan me sukses.
Biçiketat
kineze që i sollën me shumicë në vitet 70-80 kishin të pikturuara ca
gjarpërinj, nuk kishin emër. Quheshin të gjitha "biçikletë kineze".
Biçikletat
ishin dy llojesh;
Me
hekur, të cilës nuk mund t`i hipnin femrat se u dukeshin brekët dhe bëhej hataja.
Pa
hekur, demek tip Vespa, që mund të përdorej pa frikë nga femra e meshkuj edhe
pa brekë.
Mirmbajtja
e biçikletës s`ishte problem. Për mirëmbajtjen e biçikletës zbatohej me sukses
parimi "kam te puna". Nëse duke ndrequr biçikletën "te
puna", ndodhte që andejpari kalonte brigadieri, shefi, drejtori, ata jo
vetëm s`të pengonin, por të shihnin me dashamirësi.
Ndonjëherë
biçikleta ishte shpëtimtare.
I
thanë njërit; Mbete me biçikletë a ditëzi. E ke që e ke një kushuri në Greqi.
Thuaji të sjelli një motocikletë ?
Ua
priti miku; Jo. Kurrë. Tani që lëviz me biçikletë, më vënë nga pas një spiun me
biçikletë, dhe janë të qetë që nuk do arratisem apo nuk do bëj ndonjë herezì
tjetër. Po të marr motoçikletë, unë me motoçikletë, spiuni im me motoçikletë,
do binte në sy. Të më vënë pas mua me motoçikletë një spiun me makinë është
shpenzim që nuk ja vlen, përkujdesje që nuk e meritoj, dhe më degdisin në Spaç.
Sado
rraqe që ishin, shumica e biçikletave kishin një fener elektrik për të ndriçuar
rrugën për tu ruajtur nga trafiku inekzistent. Kotësia e fenerit nuk u vu në
dukje kurrë. Për të kujtuar se Shqipëria ishte "fener ndriçues i
botës", ndonjëherë në mbrëmje polici të thoshte "ndize dritën".
Varkat,
gomonet, komardaret, krahët e Ikarusit, mjete arratisjesh dalë me tërsëllëmë
nga cirkomvolucionet e ndwzura gjatë delireve nokturne me sytë në tavan, me
gjithato pedale, timona, zinxhira, rrotëza, ishin të frymëzuara nga biçikleta.
Ekzistonte
një kilometrazh i vogël sa një kokërr arrë mbërthyer te piruni i biçikletës
pranë aksit të rrotës. Askush nuk e pa kurrë sa kilometra shënonte
kilometrazhi. Pse mjeti ekzistone, por rruga shtëpi-punë-shtëpi e përshkuar
mijëra herë nuk u mat kurrë ?! mbeti mister.
Nga
pjesët e biçikletës më e famshmja dhe më e thashethemnuara ishte "shala".
Më
konfidenciale se me shalën, biçikleta ishte me bythën e atij ose asaj që shalën
e kishte shaluar.
Cilësimi
"shalë" dhe jo "bythë", kjo padrejtësi flagrante ndaj
bythëve në kurriz të shalëve, mbetet pezull sot e kësaj dite.
Megjithatë,
pavarësisht nga cilësimi i padrejtë, në memorjen kolektive shqiptareske, shala
mbeti e paharruar si "rehati mikroborgjeze" e paevitueshme mungesa e
të cilës sillte telashe, mes tjerash sepse heqja e ndenjëses dhe lënia e tubit
do shkaktonte qefin e pavullnetshëm si nga para dhe nga mbrapa të vajzave dhe
të djemve që shalën shalonin.
Zgara
e biçikletës, megjithse pa ndonjë lidhje carnale, ishte gjithaq e rëndësishme
sa edhe shala. Në zgarë mbahej zakonisht ajo që quhej "bukë me vete".
Ndonjëherë mbi zgarë rrinte gruaja. E cila, për shkak të ndonjë grope apo gunge
të rrugës ndonjëherë rrëzohej, dhe burri që ngiste biçikletën, rrëzimin nga
zgarra të gruas, nuk e ndjente, vazhdonte rrugën. Kthehej ta gjente e ta merrte
gruan e rrëzuar nga zgarra e biçikletës si kthehemi të gjejmë ndonjë send që na
ka rënë nga xhepi.
Disqet,
telat, zinxhiri, pedalet, kontrapedali, etj. sado të vjetër e difektozë s`ishin
problem.
Problem
ishin komerdaret dhe kopertonat. Por u bëhej dermani.
Kamerdaret
mbusheshin me pulla mbi pulla si arna mbi arna për shumë vite.
Kopertonat
arnoheshin nga brenda dhe qepeshin me spango, derisa s`kishe çfarë të arnoje se
kopertoni bëhej arnë i tëri.
Pse
aksi i koronës është pak më poshtë se pinjoni ?
Sepse
zinxhiri duhet të tërheqi horizontalisht.
Pse
aksi i timonit është i pjerrët përpara ?
Që
të vazhdojë moda e dhënies së biçikletës "pa duar".
Un`
pyesja, un` përgjigjesha.
Aq
e dashur, e urtë, besnike, ishte rraqa biçikletë, sa edhe në filmat e luftës
imagjinare nacional çlirimtare halabakët atentatorë nëpër rrugica nuk
paraqiteshin kurrë mbi kuaj, apo gomerë, apo makina, vetëm mbi biçikletë.
Biçikleta
në mes të kurrkundit i gjeti, në mes të asgjësë i la. Derisa shqiptarët rraqen
biçikletë e hodhën tutje. U derdhën nëpër ambasada. U ngjitën mbi trageta.