Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Pastruse
E enjte, 11.06.2020, 01:11 AM
Pastruse
Nga
Edison Ypi
Të
jetosh vetëm. Të shkruash pa u paguar. Të ikësh si i hazdisur me naftën tënde
nëpër katunde të largëta për të parë ngjyra marramendëse, nuhatur aromat
dehëse, dëgjuar shushurimat e përrenjve, dhe shtëpinë ta mbash të rregullt, e
pamundur pa një pastruse.
Nja
tre a katër gra të lagjes të cilave u qava hallin, kujtuan se ua lypa. U thashë
se fjala nuk ishte për lypje por për një pastruse. Nuk u tundën.
Njëra
tha: “Merr një pastruse, përdore dhe si grua".
Tjetra
ja priti: “Merr grua, përdore dhe si pastruse".
Ca
bythmëdhaja të tjera që pyeta, secila i bëri reklamë aftësive të spikatura për
pastruse kandidateve të veta; kunata, mbesa, goca tezesh, hallash, dajallarësh,
xhaxhallarësh, kushërira të para e të dyta e të treta, shoqe dhe shoqe të
shoqeve, komshie dhe gjithfar’ stërlëngjesh, për të cilat thanë; Ka mbaruar dy
të mesme, është nga Dibra, nga Mati, nga Skrapari, ka një baba pensionist, nëna
qorre, një vëlla shofer, tjetri vëlla i pa punë, çun xhaje berber, dy motra të
martuara, njëra burrin kollovar, tjetra burrin në burg, etj. Nuk ndalnin që nuk
ndalnin llapaqenet edhepse u thashë kaq herë se në kapitalizëm nepotizmi nuk
funksionon etj. etj.
Telefonova
një gazetë. Dy zonja që ofronin pastrim ishin të zëna. E treta tha; Unë jam një
vajzë e re që mund t’ju pastroj, nëse preferoni, edhe t'ju shtrydh. Besoj se më
kuptoni çfarë dua të them.
Po,
i thashë, të kuptoj, por po kërkoj pastruse, nuk po kërkoj kurvë.
Hoqa
dorë nga gazetat.
J'a
qava hallin një zonje. U zhyt në mendime zonja. Ta kam gjet, tha.
Pas
dy ditësh erdhi me pastrusen.
Nuk
jam dosido un’, tha pastrusja. Kam eksperiencë. Punoj në disa vende. Pastroj
pllaka, vetrata, plasma. Kam kalamaj të rritur. Vetëm një çupë më ka mbetur pa
martuar. Kam ndërtuar shtëpi të re. Kemi mbjellë rrush rreth shtëpisë. Zjejmë
raki.
E
vuri re padurimin tim. Mori frymë thellë; “Kam qënë Shefe Plani ! ”, tha krejt
e zbehtë në fytyrë duke pritur efektet shkatërruese mbi mua të bombës që sapo
ma plasi te këmbët.
O
hajvane, më erdhi t’i ulërij, por bëra si bëra heshta.
Ramë
dakord për pazarin. U ndamë me premtimin se do vinte të nesërmen në orën nëntë.
Nuk
erdhi në nëntë. As në dhjetë. Erdhi në njëmbëdhjetë. Tha se do ta mbaronte
pastrimin në orën 2. Epo mirë, i thashë, ti e di. Shtrëngova nofullat. Ika.
Erdha në 2. Tha se kishte pastruar një dhomë. Se i ishte dashur të zbriste për
të blerë disa lëngje dhe pluhura. Më erdhi t’i ulërija, por prap durova. Iku me
ngut duke më kujtuar se do vinte të nesërmen për ta mbaruar pastrimin e tërë
shtëpisë. Mbeta i tmerruar nga gjithato llafe. Megjithatë jetë është kjo, thash
me vete, sot do ketë pasur ndonjë hall, të presim si do vejë nesër e tutje, dhe
i hodha një sy dhomës. Poshtë tavolinave, nën krevat dhe nëpër qoshe, pluhur
dynjaja. U tërbova. Të nesërmen e prita në oborr. O mashtruese, i thashë, o
hileqare, o llapaqene, na kto pare dhe hiqmu sysh. Nuk i lëvizi qerpiku. Mos
bërtit, tha, dhe iku.
Prej
atëhere, shtëpinë e mbaj të pastër si Partia e kurvit Shqipërinë e diktaturës,
me forcat e mia.