Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Gomari shan Ambasadorin
E hene, 08.06.2020, 11:53 PM
Gomari shan Ambasadorin
Nga
Edison Ypi
Ta
shajë gomari Ambasadorin është turp shtazarak. Por është dhe punë me leverdi.
Se nga gomar që je, bëhesh menjëherë i shquar, i rëndësishëm, i lavdishëm.
Mirpo duhet të plotësosh disa kushte.
Të
jesh aq gomar sa të shash me sukses një ambasador, kushti i parë është të jesh
halabak. Nëse shan një Ambasador dhe nuk je halabak por Fisnik, mos u lodh kot,
je i humbur pa nisur. Fisniku nuk është për sharje ambasadorësh. Fisniku i bie
gjatë. Nga qytetërimi, nga iluminimi, vlerat, artistët, shkrimtarët, filozofët,
poetët. Fisniku thotë; Ambasadori është njeri, dhe nuk mund të ofendohet.
Ambasadori është qytetar, dhe nuk mund të cënohet. Ambasadori është mysafir dhe
nuk mund të refuzohet. Ambasadori është i emëruar dhe nuk mund të ç'emërohet.
Ambasadori është mik, dhe po e shave e ke prerë në Besë. Nëse gjithsesi ndodh
që një Fisnik shan një Ambasador dhe del dikush t'i thotë Fisnikut; "Hej,
qënke çmendur. Me Ambasadorin mund të flasësh, mund të debatosh, mund të
negociosh, por nuk mund ta shash. Kurrën e kurrës. Po shave Ambasadorin, nuk je
njeri, je gomar". Nëse Fisnikut kjo i ndodh, Fisniku bëhet keq, sëmuret,
çmendet, ose vret veten. Ndërsa po të jesh halabak tabloja përmbyset. Çfardo që
të thonë pasi ke sharë një Ambasador, edhe nëse të bëjnë të ditur se je gomar,
qenbirqeni, krimb, larvë, shtazë, qerpiku s'të lëviz, jo vetëm nuk e ke problem
aspak, por përkundrazi, ndjehesh i lartësuar, i nderuar. Gomari, qeni i birit
të qenit, krimbi, larva, shtaza, janë gjallesa pakrahsimisht më të larta ndaj
hiçit që ti halabaku që shan ambasadorin, je.
Nëna
kurvë, gruaja putanë, çupa baxhellë, femrat e fisit të tëra zuska me nam, janë
kushti i dytë i domosdoshëm ta shash një Ambasador pa ta bërë tërr syri.
Tjetër
kusht për të sharë pa teklif dhe pa pasoja një Ambasador është të jesh gjithë
kohës i shqetësuar, i eksituar, i bezdisur, të kesh një taksirat që s'të lë të
përgjumesh por të mban gjithë kohën syçelët. Këtë kusht e plotëson më së miri
Majasilli. Nëse Majasillin e ke, je me fat. Nëse Majasillin nuk e ke, shpike.
Nëse, si gomar që je, nuk e shpik dot, bëj çmos ta kesh. Duke ngrënë çdo ditë
speca djegs, për shembull, ose me mënyra të tjera. Sakën se blen ndonjë krem
kundër majasillit. Po nuk u krruajte mund të arrish të shash deri legenat si
vetja, por kurrsesi një Ambasador.
Që
Ambasadorit t'i punosh qindin, që sharjen e Ambasadorit ta realizosh me
efikasitet të lartë, e mira do ishte para 90-ës të kesh qënë spiun. Nëse fatin
e mirë të kesh qënë spiun, për fat të keq nuk e ke patur, do ishte një mrekulli
nëse je zdërhallur në ndonjë nga qenefet e Partisë së Punës. Instruktor
llapaqen në ndonjë komitet partie, a kryeredaktor në ndonjë gazetë, për
shembull. Ku je regjur me t'futme, t'qitme, rrena, prapaskena, intriga. Vetëm
kështu mund të zëri gjumi i natës nëse je aq gomar sa të shash një Ambasador pa
llogaritur çfarë kafshërie ke bërë.
Diktatori
dhe Diktatura, aq tepër llomotitën dhe lehën, aq baltë hodhën mbi ambasadorët
dhe diplomatët, sa ishte e papërfytyrueshme që pas 30 vjetësh të ketë ende copa
mishi, spurdhjakë, frikacakë, budallenj, gomerë që shajnë ambasadorë.
Gomar
që shan ambasadorë nuk bëhesh. Gomar që shan ambasadorë, je ose s'je. Gomar që
shan ambasadorë është Fat që e ke ose s'e ke. Por vetëm Fati nuk mjafton. Që
titullin e lartë "Gomar që shan Ambasadorë" ta meritosh plotësisht,
duhet të plotësosh edhe të tjera kushte.
Të
kesh disa dhjetra mijëra euro borxh pa asnjë mundësi për ti kthyer, është rast
për tu shfrytëzuar për të qënë i motivuar në të dy kahjet; nga njëra anë për të
larguar sikletin nga borxhi duke sharë Ambasadorin, nga ana tjetër duke harruar
Ambasadorin për të vrarë mendjen si ta lash borxhin.
Koka
e palarë, goja shpellë, dhëmbët çakall, mundësisht ndonjë sëmundje veneriane,
vërtet nuk janë thelbësore, por si garniturë, si meze, për krijimin e atmosferës
së përshtatëshme për të sharë ambasadorë, kanë vlerë të pallogaritëshme.
Sakën
se shan ambasadorët e Lindjes. S'ke punë me ata. Hasanët dhe Hysenët lëri të
zdërhallen nëpër hamame dhe hareme. Të bëjnë qef nëpër bordello. Të pinë shurup
shege dhe të hanë hallvë mbi shiltera. Mos u krruaj pra me ata që na kanë
mbajtur pushtuar me shekuj. Shaj vetëm ambasadorët e Perëndimit që na kanë
falur dy shtete, jo për tu bërë qefi gomerëve që shajnë ambasadorët, por për
tua dhuruar budallenjve që ambasadorë nuk shajnë. Prandaj hiç mos hezito. Shaj
e shaj papushim sa të kesh takat, sa të çahen mushkëritë. Vetëm ambasadorë dhe
ambasadoresha perëndimore. Nga ata që çfaqen si qingja por janë ujqër. Nga ato
që duken si ngjala por janë nëpërka.
Përndryshe
nuk arrihet dot qëllimi i lartë i gomerëve që shajnë ambasadorë për ta kthyer
edhe një herë Shqipërinë në Mesjetë dhe shqiptarët në shpellarë.
Mos
u ndal o gomar së shari ambasadorë. Vazhdo pa u ndalur derisa të lodhet llapa
të varet përjashta të vijë ta shkuli macja. Derisa të dalçin trutë t'i hëngshin
minjtë. Derisa korbat ta çukisin kërrmën. Derisa e llaftarisur nga Shqipëria
shpellare e gomerëve që shajnë ambasadorët, të vi Bota të na rrethojë edhe një
herë me tela me gjëmba.