Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Kam te puna
E hene, 04.05.2020, 10:40 AM
Kam te puna
Nga
Edison Ypi
Kam
te puna gjithçka që lypset për të ndrequr biçikletën, sobën, rubinetën,
këpucët; çelsa, kaçavida, llamarina, çekiça, sholla, lëkura, ngjitëse, gozhda,
thumba.
Kam
te puna materialet dhe veglat që më duhen për të bërë një skaldabanjë; dy tuba
çeliku brenda njëritjetrit mes të cilëve nxehet uji nga poshtë me vajguri. Kur
ndizet skaldabanja gjëmon si tank, ulërin si sirenë. Le të ulurijë si të dojë
kryevepra inxhinierike e higjenës shtëpiake të Shqipërisë diktatoriale. Uji i
ngrohtë zhulin ma heq, morra nuk më lë të zë.
Kam
te puna makineri metalprerëse ardhur nga Kina; torno, frezë, tranxhë,
saldatriçe. I shfrytëzoj si ma do kokrra e qefit gjithato makina. Riparoj, bëj,
madje dhe shpik, gjëra me të ik menia, gjëra që s'më duhen, pa asnjë shkak,
kot, me u gjin Kola n'pun.
Kam
te puna tuba bakri, tuba hekuri, pllaka alumini, vida dhe dado nga më të
ndryshmet për të ndërtuar antena dhe kanoçe për veten dhe për miqtë për të parë
televizione borgjezo revizioniste.
Kam,
jo te puna ime, te puna e një miku në Vlorë në Pashaliman, te nëndetset, zhivë
të kuqe për ta futur brenda tubave të bakrit që ta shoh sa më mirë në televizor
propagandën kapitaliste me të gjitha variacionet e saja djallëzore.
Kam
te puna mundësinë të kqyr dhe të kënaqem me galerinë e surretërve më të
skëterrshëm të rracës njerëzore që i prodhoi diktatura shqiptare; vrasësit e
filmave, intrigantët e dramave, spiunat e romaneve, iriqët e nëntokës, zhabat e
kënetave, nëpërkat e moçaleve, gjarpërinjtë e ferrave.
Kam
te puna mensë ku mund të pi kafe çikoreje, të ha çorbë me yndyrë derri që e
sjellin me bidona, revani kake, ëmbëlsirë balte, por nuk ha as nuk pi asnjë nga
këto.
Kam
te puna një sekretar partie që me ja shtyp me çekiç kokën pas murit, e ka pak.
Kam
te puna një Drejtor që me ja ça fytin me biçak, i bën nder.
Kam
te puna nja katër a pesë llapaqena që hiqen për "çuna të mirë",
fërshëllejnë melodira, flasin për Bitëllsat, bëjnë sikur ndjekin modën, por
janë spiuna.
Kam
te puna mbledhjen e kolektivit ku të njëjtit edepsëzë ngrihen e flasin, për
partinë, vigjilencën, bllokadën, rëndësinë e parimeve, kritikat e drejta,
autokritikat e thella, shpallin tejkalimin e planit, përcaktojnë objektivat,
numurojnë sukseset, paralajmërojnë rreziqet.
Kam
te puna një goc që vetëm pse ësht e bukur dhe mundohet të vishet me shije, i
thonë kurvë.
Kam
te puna ca gra që mbidhen çdo mëngjez rreth furrnellës, thekin bukën, zjejnë
kafe me xhezve, shohin fatin te llumi i filxhanit, tregojnë ëndërrën që panë
mbrëmë, pyesin njëratjetrën çfarë ndjell ajo ëndërr. Ka mes atyre grave edhe
komuniste, edhe spiune, që denoncojnë për çdo gjë, por për llum kafeje dhe
ëndërra - kurrë.
Kam
te puna një mik që më thotë; Edhe në Epokën e Gurit në krye të kopesë zgjidhnin
atë që e hidhte sa më larg shigjetën, vriste sa më tepër egërsira kur dilnin
për gjah, bënte sa më tepër zhgarravina mbi shkëmb brenda shpellës, ndërsa
rrugeçërit e sotëm vënë në krye atë më të paaftin, më të ligun, më zemërziun,
më shpirtqenin.
Kam
te puna një Mike që nuk dëgjon mirë nga veshët së cilës babai i tha; Mos i
opero, nuk po thonë asgjë që t'ja vlejë ta dëgjosh.
Kam
te puna një nofullshtrembër të vrërët që ka qënë qitës i skuadrës së
pushkatimit të cilit nga koha kur pushkatonte i ka mbetur mbi ballë një rreth i
vogël i errët.
Kam
te puna një besimtar musliman që falet dhe mban Ramazan fshehtas. Për planet
pesëvjeçare, garat, objektivat, parakalimet, brohoritjet, s'i rruhet fare.
Kam
te puna ca ndyrësira që besimtarin e urtë e tallin dhe e kërcënojnë se do ta
denoncojnë, por nuk e kanë bërë kurrë.
Kam
te puna një ish-prift që nuk dihet si ja arrin të ruajë një masë respekti te të
gjithë, edhe te komunistat dhe spiunat.
Kam
te puna një goc aq tërheqëse sa është bërë e dashura imagjinare e të gjithëve.
Kam
te puna një halabak që na lexon çdo mëngjez Zërin e Popullit.
Kam
te puna një mik me të cilin flasim fshehtas për filmin që pamë mbrëmë në një
televizion të huaj, për intervistën që dha para një jave një politikan
perëndimor ku përmendi shkarazi Shqipërinë dhe Kosovën.
Kam
te puna një mik me të cilin qeshim me Zërin e Amerikës që me dhjetra vite nuk
tha asgjë që t'ja vlente sepse kishte dhe ka brenda Sigurimin.
Kam
te puna disa legena, që kur të shembet diktatura do bëhen demokrata.