E merkure, 09.10.2024, 02:26 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Kuja profetike

E enjte, 07.05.2020, 02:48 PM


Kuja profetike

Nga Edison Ypi

Si jemi katandisur, s'ka kush na sjell një gotë ujë ! vuri kujën Zonja e Eqerem Bej Vlorës kur u kishin mbetur 15 hyzmeqarë, aq sa Bejlereshës mund ti sillnin jo një gotë por krejt Vjosën.

Kaluan 20 e kusur vjet.

Hyzmeqarët e bejlerëve u bënë ministra dhe nëpunësa.

Bejlerët e hyzmeqarëve përfunduan nëpër burgje dhe pushkatime.

Kuja e Bejlereshës kishte qënë profetike.

Pa bejlerë, pa hyzmeqarë, pa gota, pa ujë, pa asgjë prej gjëje, Shqipëria u bë e tëra shkretëtirë.

"Bejlerët dhe Agallarët" në veshët e shumicës së shqiptarëve të sotëm tingëllon si "djajtë dhe xhindët".

Po cilët ishin, në të vërtetë, bejlerët e Shqipërisë ?

Ishin "barinjtë" më të mirë të Historisë së saj.

Të vetmet infrastruktura urbane për së mbari që i përdorim ende sot, administratë dhe rend publik serioz, i bëri një Bej, që qe edhe Mbret.

I gjithë mendimi iluminist është përpunuar dhe përcjellë prej Bejlerëve.

Pothuaj të gjithë rilindasit shqiptarë ishin Bejlerë.

Poeti më i madh rilindas ishte një Bej.

Eqerem Bej Vlora ishte eruditi dhe atdhetari më i madh i kohës së vet, dhe një nga më të mëdhenjtë e Historisë së Shqipërisë.

Dëshmitë historike më të besueshme për individët dhe situatat më të vështira të periudhës më problematike të Shqipërisë moderne, i ka dhënë pikërisht Eqerem Beu.

Konservativi më i ndritur, i biri i Bejlereshës së kujës profetike, deputet i Partisë së Mbretit, pranonte dhe respektonte gjithçka institucionale, edhe harbutërinë në Parlament.

Eqerem Beu, vendin e tij dhe popullin e tij, i donte dhe i sundonte.

Ta sundosh atë që do, dhe ta duash atë që sundon, për shumicën e shqiptarëve të sotëm, është paradoks, nuk bën sens. Derisa pohimin e mësipërm ta kuptojnë dhe ta pranojnë, shqiptarët do vuajnë.

Shqipëria ka nevojë për barinj të mirë, pra për bejlerë.

Kot lodhen parellinjtë e sotëm t'i konkurrojnë Bejlerët. Nga Eqerem Beu tek gjyshi im që e ka mbushur Shqipërinë me kopilat e tij, janë të pa konkurrueshëm.

Para se ta pushtonte hordhia e komunistave, në raport me popullsinë Shqipëria kishte aq Bejlerë, Agallarë, Zotërinj, fukarenj, hyzmeqarë, sa kishin të gjitha vendet përreth saj.

Pa u rivendosur ky raport, s'bën hajër Shqipëria.

U bëtë të gjithë hyzmeqarë dhe të gjithë bejlerë. I provuat të dyja, dhe përpikmërisht sipas Kujës Profetike të Bejlereshës, nuk i dhatë dot asnjë gotë ujë njëritjetrit.

Pa Bejlerë, ju hedh në erë tritoli, ju grin korrupsioni, ju përpin fukarallëku, ju zhduk krimi në familje. Pa Bejlerë nuk mund të arrini kurrkund. Pa bejlerë do kalbeni. Pa Bejlerë do ngordhni.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora