Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Leku
E diele, 31.05.2020, 05:53 PM
Leku
Nga
Edison Ypi
Leku
ishte një e keqe e madhe e trashëguar nga e kaluara kriminale antipopullore me
të pasur dhe të varfër, shfrytëzim të njeriut nga njeriu.
Leku
refuzohej, përbuzej, urrehej.
Leku
ishte sëmundje ngjitëse të cilës i duhej qëndruar larg.
Thoshin;
Lekun, këtë mënxyrë e kolerë tashpërtash të paevitueshme, do ta durojmë edhe
pak sa të ndërtojmë plotësisht rendin komunist, shoqërinë pa lek. Marksi e
thotë qartë se më mirë pak lek se shumë lek, derisa një ditë kur komunizmin ta
kemi ndërtuar dhe luftën e klasave ta kemi mbaruar, leku nuk do na duhet, të
gjithë do jemi pa asnjë lek. Do ta flakim pra lekun po ashtu si për të
garantuar parehatinë e bythës do flakim të gjitha shpikjet djallëzore të
rehatisë mikroborgjeze, kolltuqet, karriket, stolat, shalën e biçikletës.
Sa
më tepër punë për sa më pak lek, kjo ishte motoja e jetës, për këtë hungurritej
nëpër muhabete, uluritej nëpër mbledhje, duartrokitej nëpër kongrese.
Për
tejkalimin e planit, shpikjet, racionalizimet, dhe për një mijë e një marrina
të tjera, nuk jepeshin "stimuj materialë", pra "ndonjë
lek", por vetëm "stimuj moralë", domethënë asnjë lek.
"Lekët
e popullit", nuk ekzistonin. Ekzistonte vetëm "Leku i popullit",
pra vetëm 1 lek.
"E
bëri për 1 lek", "mbeti pa 1 lek në xhep", "i dhënë pas
lekut", s'kishte asnjë slogan dhe asgjë tjetër të shqiptuar, shkruar,
vizatuar, gdhendur, filmuar, madje as të pëshpëritur, që të bënte fjalë për më
tepër se 1 lek. Gjithçka vërtitej rreth 1 leku. Që mund ta shumzoje, pjestoje,
mblidhje, zbritje, ta ngrije në katror ose në kub, mund ta rrihje, ta merrje me
të mirë, ta përkëdhelje, ta puthje, ta mbyllje me kyç, ta lije të livadhiste,
ta hidhje në rrugë ose ta flakje në erë. Por ishte e kotë. Se Leku 1 se 1
mbetej. Nuk shtohej as nuk paksohej, nuk zvogëlohej as nuk zmadhohej. Sa i
urryer nëpër mbledhje, komitete, plenume, kongrese, aq dhe i dashur në
fshehtësi, Leku, nuk ndryshonte, nuk bëhej kurrë 2, mbetej gjithmonë 1.
Pa
përcaktuar se kush është populli, kush duhet të kursejë, pse duhet të kursejë
dhe çfarë mund të kursehej në shkretëtirën bosh rrethuar me tela me gjëmba,
sloganet propagandistike që lidheshin me 1 lekun fillonin nga veta e parë
urdhërore "ta kursejmë lekun e popullit", për të mbaruar në një
pavetore enigmatike "të kursehet leku i popullit".
Leku
bëhej i ndryshëm nga 1 vetëm në 1 rast. Jo duke u dyfishuar ose shumfishuar,
por duke u zvogëluar, duke u përgjysmuar. Kjo ndodhte kur për ndonjërin që e
pushkatonin, me tre fjalë të vetme të një dendësie marramendëse që ngërthenin
njëkohësisht gjithë tmerret e kohës; krimin, fshehtësinë, frikën, fukarallëkun,
urinë, deri dhe kalibrin e pushkës, pëshpëritej diçka që kapërxente çdo
përfytyrim; "hëngri gjysmën e lekut".
Dukej
sikur leku nuk ishte monedhe apo kartmonedhë, por një person tepër i rrezikshëm,
një serial killer i cili ndiqej këmba këmbës. Jo për tu kapur dhe për t'i dhënë
të hante gjysmën e lekut si thoshte sentenca kriminale, por për tu mbajtur nën
kontroll që të vriste jo më tepër dhe as më pak se duhej.
Gjeje
belanë nëse gjatë kontrollit të gjindeshin 1 lek më pak ose 1 lek më tepër. Në
rastin e parë quhej mungesë, defiçit. Në të dytin, tepricë, sufiçit. Edhe me
mungesën edhe me tepricën e lekut, haje gjymën e lekut.
Në
qëndër të Tiranës dhe qyteteve të tjera ishte "Këndi i sendeve të gjetura".
Një lloj stende e mbuluar me xham dhe e kyçur, që tregonte një listë sendesh të
gjetura, madje edhe vetë sendet, të cilat humbësi mund të vinte t'i merrte në
Polici. Brenda kësaj sajese propagandistike veç sendeve kishte dhe lek.
Fqinjëria send-lek brenda asaj stende nuk të linte të dyshoje se sendi ishte po
aq lek sa edhe leku send, dhe si të tilla, leku për të blerë dhe sendi për tu
përdorur, ishin të dyja njësoj të urryera. Këndi i sendeve të gjetura nuk pati
jetë të gjatë. Ndoshta sepse ku dhe kur askush s'kishte çfarë të humbte dhe
rrjedhimisht askush s'kishte çfarë të gjente, e aq më pak ta dorzonte, e gjitha
rezultonte një gënjeshtër tepër e madhe.
Në
kushtet e pamundësisë për të pasur lekun, po ashtu si kur nuk ke asgjë ke qef
të ëndërrosh, jo rrallë flitej për vëllain e madh të lekut, superlekun,
floririn.
Floriri
u lypsej për të blerë në perëndim, pranga, përgjuesa, mjete torture, armë të
sofistikuara, ilaçe për vete.
Me
lindjen veprohej ndryshe. Me lindjen as flori as lek, këmbim në natyrë. Quhej
"klering". Na mineral, mollë, fiq, dardha, nepmë kamiona, shina,
shapka, biçikleta.
Çfarë
nuk bënin për pak flori. Sipas thashethemeve që i përhapte sigurimi, nëntoka më
e pasur e planetit, nëntoka shqiptare, kishte flori pa hesap. Në Rubik
kontrollonin edhe grimcën e fundit të bakrit. Çërrava si Alaska. Nëpër rrjedha
përrenjsh ngrinin impiante të shoshitjes së zhavorrit për të kapur grimcat e
verdha.
Të
mos kesh lekë dhe të kesh flori, kjo lloj përralle i bënte rreckamanët të
fërgëllonin nga kënaqësia, të hidheshin përpjetë nga lumturia.
Floriri
i thashethemeve të sigurimit ndodhej më së shumti në Mirditë i përzjerë me
mineralin e bakrit.
Pranë
Mirditës në Milot bëhet kontrabandë floriri. Nga Konispoli në Vermosh vinin
fukarenjtë që e hanin gënjeshtrën kush me një unazë të gjyshes e kush me një
byzylyk të hallës për ta këmbyer për 1 lek në Milot. Në Milot i priste policia
që ua merrte byzylykët e floririt e u hidhtë byzylykët e hekurit, prangat, dhe
i rraste në ndonjërin nga burgjet aty rrotull.
Dita
e rrogës, ose si pëshpëritej me frikë "Dita e Shën Lekut", ishte ditë
e një euforie fërgëlluese gjysëm të fshehur. Pasi merrnin rrogëzën, zhulsat u
vërsuleshin "klubeve", ca barakave të qelbëta ku të merrej fryma.
Mungesa
e lekut kishte nxjerrë nga përdorimi bartësin e tij, portofolin. Kartmonedhat e
rreckosura dhe të fëlliqura mbaheshin shuk në xhep. Jo rrallë edhe në gojë.
Një
e dy e "Lekun nuk e ha as qeni" dhe "Qen i lekut". Pra më i
miri ishte qibari qeni që nuk hante as lekun. Pastaj vinte leku të cilin nuk e
hante as qeni. Më i keqi i të këqinjve, më i poshtri i të poshtërve, më i ziu i
të zinjve, ai aq i rrezikshmi sa duhej të hante gjysmën e lekut, qe ai i vetmi
krim i të cilit ishte se donte të punonte dhe sakrifikonte për të pasur ndonjë
lek.