Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Antena
E merkure, 03.06.2020, 12:55 AM
Antena
Nga
Edison Ypi
Mirmbrëma
shoku kurvi, fillojmë transmetimet.
Në
këtë grusht fjalësh të një spikereje televizive përmblidhej i gjithë ferri
propagandistik me filma të pështirë deri në vjellje, punë imagjinare, suksese
inekzistente, heroizma halucinante, të gjitha të ideuara nga kurvi, të
urdhëruara nga kurvi, të survejuara nga kurvi.
Gjithçka
që mund të shihje në televizionin që kurvi vetë e bënte dhe vetë e shihte,
ishin, një traktor që çante arat, një mjelëse që tejkalonte planin, një ushtar
që mbronte atdheun.
Në
këto kushte, meqënse në atë burg si në çdo burg mes të burgosurve dhe
gardianëve ka gjithmonë disa vuajtje të përbashkëta, ethja për të parë
televizionet e huaja u bë gjithpërfshirëse.
Përpjekjet
për të parë fshehtaz televizionet e huaja u bënë kryesisht brenda shtëpisë. Një
rrjetë teli apo një tepsi me vrima varuar në tavan ose fiksuara diku në një
pozicion ku televizori "kapte", patën një farë suksesi për të parë me
vështirësi ndonjë film për së mbari, por nuk qenë zgjidhje. Rrjeta e telit dhe
tepsia me brima nxjerrë në ballkon mbuluar me ndonjë rreckë hedhur mbi të për
të mos u parë nga rruga, as kjo nuk dha rezultat. U muar vesh se valët
televizive perëndimiore refuzonin të hynin në shtëpitë e shqiptarëve të joshura
nga tela dhe tepsia. Plasën barcaletat që vinin në Tiranë pasi ngjizeshin në
Shkodër dhe ambalazhoheshin në Laç. Nga Shkodra ku thoshin "N'shpin teme
asht i nalum me u pa televizioni shqiptar" erdhi haberi se frigoriferit
bosh ose më këpucë brenda për t'i mbajtur të freskëta, po t'i shtoje disa
llampa, shndrrohej në televizor të cilit po t'i vendosje përsipër një Dhi' të
vogël bronxi nga ato që prodhonte "Artistikja Migjeni", bëhej
"me i dhi m'te" dhe problemi ishte i zgjidhur, mund të shihje të
gjitha televizionet e botës. Kur eksperimentet me dhe pa llampa, me dhe pa dhi
mbi të, nuk dhanë asnjë rezultat, u muar vesh se për të parë televizion duhej
antenë e vënë mbi terracë.
Energjitë
kreative të shpenzuara për ndërtimin e veprave të 5 vjeçarëve, ishin hiçasgjë
ndaj punës kolosale kreative për ndërtimin dhe fshehjen e antenës televizive.
Televizioni
i kurvit kërkonte antenë të madhe me tuba të gjatë. Televizionet e huaja
kërkonin antenë të vogël me tuba të shkurtër. Fshehja e të voglës brenda të
madhes, si plotësisht e mundur, shkaktoi një hutim ngazëllyes. Elementët e
shkurtër të antenës së vogël u zgjatën artificialisht me tuba plastike.
Pensionistët dhe spiunat që vigjëlonin nga oborri i pallatit nuk mund të vinin
re hollësira të tilla në distancë.
Sa
më lart të ngrihej antena, aq më mirë. Një djalosh tek Rruga e Durrësit që
quhej Kirov, e ngriti antenën më lart se të gjithë, mbi 10 metra mbi terracë. E
drejtoi si duhet nga perëndimi, e shtrëngoi me bulona, bulonat i sharroi dhe i
shurroi që të ndryshkeshin dhe të mos liroheshin dot nga asnjë spiun dhe asnjë
pensionist. Emri rus i djaloshit trim që babain e kishte oficer, shkaktonte një
mahnitje të këndëshme që provonte se antikonformizmi nuk ishte fenomen klasor,
as shoqëror, e aq më pak politik.
Dikush
tha se aftësia e antenës për të thithur valët shtohej dukshëm nëse brenda
elementëve të saj derdhej zhivë. Nga ndërmarrjet u zhdukën tubat e bakrit dhe
tubat plastike, nga farmacitë u zhdukën termometrat të cilave u merrej zhiva.
Zhiva e termometrave nuk dha efekt. U hap fjala se duhej zhivë e kuqe, zhivë
nëndetësesh që ndodhej në Pasha Liman. I kuq flamuri, i kuq gjaku, e kuqe
ideologjia, e kuqe rruga e partisë, të kuq librat e kurvit, të kuqe citatet e
maos, i kuq horizonti, e kuqe lindja, i kuq "Këndi i Kuq", e kuqe
coha e podiumeve, e kuqe edhe zhiva e antenave, ah jo, kjo ishte e tepërt. U
muar vesh se legjendat për zhiva me ngjyra i përhapte Sigurimi. Të eturit për
të parë filma dhe lajme i pushtoi dëshpërimi.
Sofokli
Karpuzi prodhoi fshehtas në "Uzinën Traktori" stampa të posaçme për
të prerë elementë antene me konfiguracion të posaçëm si bisht dallandysheje.
Shpikja e Sofos i vështirësoi teknikat për fshehjen e antenës, ama përmirësoi
goxha cilësinë e figurës.
Tuç
Zyma ëndërronte një repetitor të fshehur në një kaçubë në majë të Dajtit. Repetitori
i Tuçitë do t'i merrte valët direkt nga italia. Por Tuçi nuk e zgjidhi dot
problemin e ushqimit të repetitorit me energji. Me bateri nuk ishte e mundur.
Tuçi nuk mund të shkonte një herë në muaj në Majë të Dajtit për të ndërruar
bateritë nga frika se e arrestonin në emër të popullit me sebepin se ishte
nisur për tu arratisur nga Martaneshi. Meqënse ushqimin e repetitorit nuk e
zgjidhi dot as me energji diellore, projekti i Tuçit mbeti batall.
Thuhej
se televizori në Laprakë s'kap. Në Kino Studio edhe kap edhe s'kap. Në Sauk
kap. U bënë harta me vendet ku televizori kapte dhe s'kapte. Një numur banorësh
të Tiranës të etur për të parë televizionet e huaja, ndërruan shtëpitë për të
vajtur në vendet ku televizori kapte.
Në
terracën e një pallatit pranë Medresesë dikush instaloi një antenë brenda një
kutie drrase mbyllur me beze të kuqe mbi të cilën ishte shkruar "Rroftë
kurvi".
Antenën
më të sofistikuar, atë me bosht që dilte mbi terracë nga kanali i tymit të
sobës dhe ulej ditën e ngrihej natën si periskop nëndetseje, e ndërtoi i
nënëshkruari që ka parë mijëra filma, por një film shqiptar, kurrë.