Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Dy Anna
E marte, 26.05.2020, 09:53 AM
Dy Anna
Nga
Edison Ypi
Të
lumtë për dorheqjen o Anna Shkrepi. O me Hyun o me Djallin. Nuk mund të
vazhdoje edhe Drejtoreshë e Muzeut të Hyut për të promuovuar Artin, edhe
pjesëmarrëse në demonstrimet e Djallit për përjetësimin e barrakes
propagandistike të krimit.
Ti
Anna Shkrepi, Ti që nuk je një kreaturë dosido por Bijë Pasioni ngjizur me
Frymë Arkitekti dhe Shpirt gjuhëtareje, Ti pra që je një çelik që nuk
ndryshkesh, mur që nuk shembesh, lumë që nuk ndalesh, nuk mund t'ja lejoje
vetes lojën e dyfishtë. Ti nuk mund të kesh Destin të turbullt. Ti nuk mund të
jesh edhe me Lirinë edhe me Diktaturën, edhe me Spaçin edhe me Sigurimin, edhe
me Qiellin edhe me qenefin.
Kur
Anna tjetër, Anna e burgjeve, Anna e internimeve, Anna e gulagëve, Anna
Ahmatova e Rusisë, ka marrë vesh se Ti Anna Shkrepi e Shqipërisë u bëre
Drejtoreshë e Muzeut të Hyut të Letërsisë botërore, nga kënaqësia ka lëvizur në
varr, ka hapur sytë në errësirë, ka ndez një cigare, ka rrufit një kafe,
ndoshta dhe të ka dedikuar disa vargje.
Anna,
Hyut të Muzeut që punoi me dhjetra vite rrethuar nga djaj, kur i thoshin hesht,
fliste. Tani që po ata dreqër i thonë fol, ai hesht. Hyu nuk bën si duan
dreqërit. Hyu bën si di vet.
Korifejtë
e karrakatinës, luajtjen në skenë e kanë konsideruar qëllim në vetvete, stacion
fundor. Aq dinë. Aq ndjejnë. Ata nuk flasin për më tepër. Për qëllimin final të
Artit, që është Njeriu, përsosja e pandalur e Tij.
Le
se ç'thonë. Ata nuk bëjnë nja dy a tre gabime dhe nuk kanë nja tre a katër
mungesa. Ata i bëjnë të tëra gabimet dhe i kanë të gjitha mungesat.
Prandaj,
që e shembën kolerën, jo thjesht bënë një mrekulli, por pas shembjes duhet ta
djegin edhe nja katër a pesë herë të tjera të mos ngrihet lugat.
Anna,
barraka ishte plaga, ata ishin qelbi.
Përveç
vetes së vet dhe lumpenit, llumit injorant, askush nuk i donte, askujt nuk i
binte në men se ekzistonin. Ata vetë ishin kazani me intriga, prapaskena,
thashetheme.
E
dinë por nuk e thonë se ishin të vetmit. Nuk kishin asgjë përballë. Nuk kishin
alternativë. Nuk kishte konkurrencë. Nuk kishte skenë tjetër apo film tjetër.
Nga mëngjezi në mbrëmje nga mbrëmja në mëngjez, dit' e natë e natë e ditë me
vite e vite pa u ndalur asnjë çast, po ata filma të pështirë, po ato çfaqje të
kërrupta, po ata aktorë si robota, po ato batuta të neveritëshme që u mbajtën
ment me detyrim, që u imponuan për shkak të mungesës së alternativës.
Ndryshimi
mes Hyut të Muzeut dhe vampirave të barrakës së zbrazjes së truve nuk ishte dhe
as është kaq apo aq, minimal, maksimal, kolosal, apo abisal. Ishin dy botë, dy
universe totalisht të ndryshme.
Ç'ësht'
e vërteta o Anna Shkrepi, Shqipërisë tënde të kësaj periudhe, asaj me qen e
mace në Fejsbuk dhe ca adoleshente anemike që bëjnë sikur komentojnë Hyun me zë
inekzistent, aq e ngjajshme me Shqipërinë e portaleve, i mungon Shqipëria
reale, Puka, Mirdita, Skrapari, Vjosa, Drini, malet, detet, dallgët, sidomos
dallgët. Por s'ka problem. Nuk është ndonjë hata'. Koha plotëson dhe ndreq
gjithçka. Nuk mund të jenë të gjithë si Hyu që Kryeveprën e vet Gjenerali i
Ushtrisë së Vdekur e shkroi kur qe 24, dhe as si Ajnshtajni i cili Teorinë e
Relativitetit e formuloi kur ishte 25.
Ndoshta
je ngutur dhe për një moment ke kujtuar se te gërmadha propagandistike që u
shemb është bërë Kulturë. Jo Anna Shkrepi jo. Atje brenda nuk u bë asnjë
kulturë, e as Art kurrsesi. Atje brenda u kryen vetëm krime.
Nuk
ishte vend meditimi, ishte mur pushkatimi.
Nuk
ishte teqe, ishte hale.
Nuk
ishte xhami, ishte karamanjollë.
Nuk
ishte tempull, ishte varr.
Gjoja
nami i mirë për të cilin flasin sot qyqarët, nuk ka ekzistuar kurrë. Njerëzit
nuk kishin asnjë ide çfarë broçkullisnin ata. Unë, për shembull, dhe plot të
tjerë si unë, atje brenda nuk qemë kurrë. Aq e vërtetë qe neveria që shqiptarët
kishin për këllirën propagandistike, sa nga Vermoshi në Konispol dhe nga
Divjaka në Devoll, njerëzit thoshin nën zë; "Na janë bërë
"korifejt" e skenës si robt e shtëpisë". Se laj-thaj televizori
ata nxirrte. Dhe deshën-s'deshën, shqiptarët mbajtën ment batutat e neveritëshme
të filmave dhe pjesëve teatrale me komunista syshkaba, spiuna, sabotatorë,
diversanta katila. S'kishin nga t'ja mbanin. S'kishte alternativë. Dhe sot, për
ti rritur namin vetes, zbrazjen e truve dhe mungesën e alternativës po
përdorin, krimin e kahershëm po shfrytëzojnë. Dhe bëjnë sikur s'e dinë se nuk
ka kurrkund në botë karamanjollë, mur pushkatimi, laborator kavjesh, në mes të
kryeqytetit.
Anna
Shkrepi, Shqipëria nuk ka shumë si Ty. U bë ç'u bë, rifitoje lavdinë që të
përket. Mos lejo të modelojë bota Ty. Bëje Botën si veten; Trime dhe
shkrepëtintare. Jo me zigzage. Me sulm. Nxirr shpatën nga milli dhe zbrit
përsëri në arenë, e vrit e prit majtas e djathtas sa të ha dora e sa të arrin
mendja.
Kthehu
Anna. Kthehu te Hyu. Kthehu te Muzeu. Kthehu te Anna tjetër, ktheu te adashja
jote, te Qiejt e Saj, te vullneti i saj i pafundëm. Kthehu ku të duash. Vetëm
tek vendi i krimit mos u kthe kurrën e kurrës. Po u ktheve ku duhet, s'është
çudi andej nga jugu të ngrenë këngë; Dy Anna ka Bota, Anna Shkrepin nga Shqipëria,
Anna Ahmatovën nga Rusia. Po u ktheve ku qe, ballet e bronxëta të shtatoreve të
Naimit, Fishtës, Lasgushit, do mbushem me bulëza djerse nga lumnimi.
Po
nuk u ktheve, ah në këtë kombinacion fatkeq, përgjigjen do ta japi Anna tjetër,
Anna e largët, Anna e vdekur, kur nga varri të gulçojë;
"Jo
nuk jam unë, një tjetër është që heq.
Unë
nuk do të duroja. Sa ka ngjarë,
le
ta mbulojnë qefinët e zes,
Fenerët,
le të sjellin,
Natë".