Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Rroftë Sigurimi
E diele, 14.06.2020, 04:16 PM
Rroftë Sigurimi
Nga
Edison Ypi
Rroftë
syshkaba Sigurimi pa të cilin kurrizi nuk të ha, gjumi nuk të zë, jeta lezet
s'ka.
Rroftë
Sigurimi që po ashtu si Qiriri i Naimit, është i gjallë e është në jetë, është
në dritë të vërtetë.
Rroftë
Sigurimi me flakë që kurrë nuk fiket dhe vaj kandili që kurrë nuk shterret.
Rroftë
Sigurimi që duke na e përmbytur Lirinë me Pal Mlysha dhe Heronj të Heshtur,
Shqipërinë e ka bërë si film shqiptar, një pështirosje të pafundme.
Rroftë
Sigurimi që poetët i bëri spiuna dhe spiunat poetë.
Rroftë
Sigurimi që i ka ndriçuar aq tepër mendjet e shqiptarëve sa cilindo budalla që
zhgarravit dy strofa, e shpallin atypëraty "Artist" me imunitet të
plotë ndaj çdo krimi dhe lavdi të përjetëshme ndaj çdo hajvanllëku.
Rroftë
Sigurimi që kujdestarë të pallateve po emëron spiunat e vjetër të lagjeve.
Rroftë
Sigurimi që na e ka mbushur Parlamentin me spiuna nga ata që s'dinë të
shkruajnë por dinë të llapin.
Rroftë
Sigurimi që ka aq shumë pare sa s'di si t'i shpenzojë, dhe hap gazeta, financon
portale, paguan udhëtime të shtrenjta në vende të largëta për intervista me
vrasësa.
Rroftë
Sigurimi që llapaqenat e banaqeve televizivë i frymëzon për dallavera dhe
tradhëtira nga më të flliqtat.
Rroftë
Sigurimi që në krye të OJQ-ve na ka vënë dhe na ka lënë vetëm spiuna dhe
karaputana që bëjnë vetëm dallavera.
Rroftë
Sigurimi që për me na e zbukuru sa më tepër jetën, armatën e shkrimtarëve,
regjimentet e poetëve, detashmentet e përkthyesve, i ka nxjerrë të gjithë nga
mitra e vet.
Rroftë
Sigurimi që Zërin e Amerikës pasi e mbajti zap me dhjetra vite, po e komandon
dhe sot.
Rroftë
Sigurimi dhe Zëri i tij që bashkë me Zërin e Popullit, Zërin e Amerikës,
Teatrin Popullor, Kinostudion, zhurmuan sa mundën për të mos u dëgjuar
psherëtimat e të uriturve, ulurimat e rrahjeve, kërcitjet e prangave, krismat e
kalashnikovave që vrisnin ikanakët.
Rroftë
Sigurimi që përpos mijërave hallexhinjve nuk la shqiptar të shquar në botë pa i
marrë firmën e bashkëpunimit.
Rroftë
e qoftë lavdiploti Sigurimi. Por më mirë vdektë. Ky vrasës. Ky vampir. Ky turp
kombëtar.