E enjte, 28.03.2024, 02:57 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: I pari ishte Burhan Kalaja

E premte, 03.07.2020, 07:02 PM


I pari ishte Burhan Kalaja

Nga Edison Ypi

Diktaturat jo fort të egra karakterizohen nga mbështetje e pakët popullore dhe numër relativisht i madh individësh të cilët diktaturës i bëjnë rezistencë mediokre.

Diktaturat e përbindshme dhe të ndyra, si ajo e jona, karakterizohen nga mbështetje e gjerë popullore dhe numër i vogël individësh që diktaturës i bënë rezistencë heroike.

Kompliciteti i turpshëm dhe kriminal i shumicës së shqiptarëve në krimin komunist janë arsyeja që rastet e qëndresës heroike, jo thjesht nuk duhen harruar, por duhen evidentuar me ulurimë.

U burgosën, u pushkatuan para derës së shtëpisë, u varën e u flakën nëpër gropa që ende s’dihet ku i kanë kockat, intelektualët më të mirë të shkolluar në Perëndim. U degdisën familjet e tyre nëpër burgje e internime ku u dergjën gjithë jetën. Tek ndodhnin këto lebetira që kur i kujton të zihet fryma, pati trima që protestuan. Por ata përfundonin të gjithë brenda dhe zërat e tyre pothuaj nuk u dëgjuan.

Qysh herët u tha se diktatori ishte një vrasës. Por ishin pëshpërima pas të cilave për diktatorin buçiste jehona popullore; se është me shkollë, i sjellshëm, muhabetçi i këndshëm, madje edhe i bukur.

U bë dhe një kryengritje në Veri. Përveç një jehone të mbytur, kryengritësve nuk u njihet asnjë bëmë. Me gjasa, bëmat dhe gjëmat i sajuan vetë komunistat si shkak për të internuar, burgosur, pushkatuar qindra dhe për t’i kallur tmerrin të tjerëve.

U hodhën në erë Kisha e Xhamia. U torturuan, u burgosën e u pushkatuan hoxhallarë e priftërinj. U internua a u burgos cilido që u zbulua se fshehtas festonte Pashkë a Bajram. Gëk s’bëri njeri, asgjë s’ndodhi.

U mblodhëm fshehtazi nëpër shtëpira, bodrume e papafingo. Klithëm e mallkuam sa mundëm në të gjitha oktavat. U tallëm sa mundëm. Lexuam libra. Këmbyem idera. Të gjitha mbetën pëshpërima.

Bëmë plane për t’u arratisur. Nga deti, liqeri, ajri, toka, nëntoka. Me nëndetëse, raketa, para të cilave do pataksej Arkimedi, Zhyl Verni, NASA. Fjalë mbetën të gjitha.

Pati revolta nëpër burgje. Ishin heronj ata që i ideuan dhe realizuan. Por fare pak shqiptarë dinin çfarë ndodhte nëpër burgje. Pas atyre tmerreve, në vend që të niste britma, thellohej heshtja.

Me dhjetëra vite u zhburrëruan shqiptarët nëpër radha që në 3 të mëngjesit.

Veshur me rrecka, duke ngrënë zgjyra, nxirë në surrat nga sëmundjet dhe uria, u egërsuan edhe më me njëri-tjetrin.

E spiunoi shqiptari shqiptarin me mijëra. Deri më sot asnjë i spiunuar s’i ka hequr të paktën një shpullë atij që e spiunoi.

U krijua Solidarnoshi në Poloni. Përveç një shprese të vagullt, s’pipëtiu miza.

Vrau veten kryeministri. Thjesht një muhabet më tepër.

Vdiq diktatori… pasi kishte bërë pluhur e hi’ gjithçka.

Perestrojka ! Me ato arëza e rrogëza e shpresëza, i zhyti shqiptarët edhe më thellë në varfëri e dëshpërim.

U takuan Regani dhe Gorbaçovi në Maltë. Ç’bëmë ne në atë kohë? Ndreqëm antenat për të parë më mirë, asgjë më tepër.

Erdhi Nënë Tereza dhe… vajti te varri i diktatorit.

Por, përderisa “S’ka natë që s’ka të gdhirë, sado qoftë e gjatë”, do dilte dikush që do ishte i pari që do bënte diçka, dhe pas tij do dilnin të tjerë.

Njeriu që i nguli i pari ciklopit në sy hurin e ndezur, doli.

Ishte Ai që bëri atë gjë pas së cilës shqiptarët vranë frikën, dolën në shesh, folën lirisht, guxuan të hedhin në erë bustet. Ishte Ai që më 22 qershor 1990 goditi me makinë murin e ambasadës italiane. Ishte i paharruari Burhan Kalaja.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora