| E premte, 03.07.2020, 08:02 PM |
I pari ishte Burhan Kalaja
Nga
Edison Ypi
Diktaturat
jo fort të egra karakterizohen nga mbështetje e pakët popullore dhe numër
relativisht i madh individësh të cilët diktaturës i bëjnë rezistencë mediokre.
Diktaturat
e përbindshme dhe të ndyra, si ajo e jona, karakterizohen nga mbështetje e
gjerë popullore dhe numër i vogël individësh që diktaturës i bënë rezistencë
heroike.
Kompliciteti
i turpshëm dhe kriminal i shumicës së shqiptarëve në krimin komunist janë arsyeja
që rastet e qëndresës heroike, jo thjesht nuk duhen harruar, por duhen
evidentuar me ulurimë.
U
burgosën, u pushkatuan para derës së shtëpisë, u varën e u flakën nëpër gropa
që ende s’dihet ku i kanë kockat, intelektualët më të mirë të shkolluar në
Perëndim. U degdisën familjet e tyre nëpër burgje e internime ku u dergjën
gjithë jetën. Tek ndodhnin këto lebetira që kur i kujton të zihet fryma, pati
trima që protestuan. Por ata përfundonin të gjithë brenda dhe zërat e tyre
pothuaj nuk u dëgjuan.
Qysh
herët u tha se diktatori ishte një vrasës. Por ishin pëshpërima pas të cilave
për diktatorin buçiste jehona popullore; se është me shkollë, i sjellshëm,
muhabetçi i këndshëm, madje edhe i bukur.
U
bë dhe një kryengritje në Veri. Përveç një jehone të mbytur, kryengritësve nuk
u njihet asnjë bëmë. Me gjasa, bëmat dhe gjëmat i sajuan vetë komunistat si
shkak për të internuar, burgosur, pushkatuar qindra dhe për t’i kallur tmerrin
të tjerëve.
U
hodhën në erë Kisha e Xhamia. U torturuan, u burgosën e u pushkatuan hoxhallarë
e priftërinj. U internua a u burgos cilido që u zbulua se fshehtas festonte
Pashkë a Bajram. Gëk s’bëri njeri, asgjë s’ndodhi.
U
mblodhëm fshehtazi nëpër shtëpira, bodrume e papafingo. Klithëm e mallkuam sa
mundëm në të gjitha oktavat. U tallëm sa mundëm. Lexuam libra. Këmbyem idera.
Të gjitha mbetën pëshpërima.
Bëmë
plane për t’u arratisur. Nga deti, liqeri, ajri, toka, nëntoka. Me nëndetëse,
raketa, para të cilave do pataksej Arkimedi, Zhyl Verni, NASA. Fjalë mbetën të
gjitha.
Pati
revolta nëpër burgje. Ishin heronj ata që i ideuan dhe realizuan. Por fare pak
shqiptarë dinin çfarë ndodhte nëpër burgje. Pas atyre tmerreve, në vend që të
niste britma, thellohej heshtja.
Me
dhjetëra vite u zhburrëruan shqiptarët nëpër radha që në 3 të mëngjesit.
Veshur
me rrecka, duke ngrënë zgjyra, nxirë në surrat nga sëmundjet dhe uria, u
egërsuan edhe më me njëri-tjetrin.
E
spiunoi shqiptari shqiptarin me mijëra. Deri më sot asnjë i spiunuar s’i ka
hequr të paktën një shpullë atij që e spiunoi.
U
krijua Solidarnoshi në Poloni. Përveç një shprese të vagullt, s’pipëtiu miza.
Vrau
veten kryeministri. Thjesht një muhabet më tepër.
Vdiq
diktatori… pasi kishte bërë pluhur e hi’ gjithçka.
Perestrojka
! Me ato arëza e rrogëza e shpresëza, i zhyti shqiptarët edhe më thellë në
varfëri e dëshpërim.
U
takuan Regani dhe Gorbaçovi në Maltë. Ç’bëmë ne në atë kohë? Ndreqëm antenat
për të parë më mirë, asgjë më tepër.
Erdhi
Nënë Tereza dhe… vajti te varri i diktatorit.
Por,
përderisa “S’ka natë që s’ka të gdhirë, sado qoftë e gjatë”, do dilte dikush që
do ishte i pari që do bënte diçka, dhe pas tij do dilnin të tjerë.
Njeriu
që i nguli i pari ciklopit në sy hurin e ndezur, doli.
Ishte
Ai që bëri atë gjë pas së cilës shqiptarët vranë frikën, dolën në shesh, folën
lirisht, guxuan të hedhin në erë bustet. Ishte Ai që më 22 qershor 1990 goditi
me makinë murin e ambasadës italiane. Ishte i paharruari Burhan Kalaja.