Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Mos ma vrisni qenin
E marte, 30.06.2020, 09:34 PM
Mos ma vrisni qenin
Nga
Edison Ypi
Gjatë
atij behari vajta disa herë pasditeve tek Lasgushi në Pogradec. Shtëpia ndodhej
në kërthizën e Pogradecit të vjetër, atje ku zhvillohet rrëfimi dramatik më i
bukur shkruar në Shqip, "Lumi i Madh" nga Mitrush Kuteli. Kopështi i
vogël në formë ferre dhe kati i parë shkatarraq i asaj shtëpie ishin një
realitet surreal krejtësisht i padeshifrueshëm. Ngjitja në katin e dytë ku
veronte i fundit Rilindas i gjallë nëpër shkallët e drurit që luhateshin
frikshëm sikur nga çasti në çast do shkuleshin e do rrëzoheshin, ishte një
ritual i detyrueshëm si në filmat e horrorit. Këto, bashkë me nja dy kthina
misterioze dhe dhoma lart, ishin një "thriller" aq sugjestiv sa
Alfred Hitchcock-u nuk do kuturiste t'i përshkruante. Shtëpia nga jashtë dukej
si e vizatuar nga eksperta të efekteve speciale të Walt Disney-t në atë mënyrë
që të mos linte asnjë dyshim se ajo shtëpi ndodhej aty e paprekur që nga
Mesjeta. Para asaj shtëpie ëndërrash, para asaj kështjelle përrallash me
princesha të bardha dhe princër të kaltër mund të rrije i ngurosur me vite pa
tu nginjur syri dhe shpirti. Kurrkund nuk mund të gjindet sot një ngrehinë aq
marramendëse që nuk kuptohej nëse ishte prej tullash, prej guri, prej druri,
prej drite, apo prej mjegulle. Më vonë, nga çupa e Lasgushit Maria, mora vesh
se gjatë një vizite të mëparshme, krejt i mpirë para asaj pamjeje Kadare kishte
thënë; Duket si kullat mesjetare të Frankfurtit.
Gjatë
një pasditeje kur vajta për vizitë në atë Tempull, në dhomën lart gjeta dy
çupat e Lasgushit, Marien dhe Ninën, të kudondodhurën Meri Lalaj, dhe Sovranin,
Lasgushin, që rrinte gjithë kohën gjysëm shtrirë me shpinën mbështetur mbi dy
jastëkë, këmbë mbi këmbë, sytë drejt infinitit.
Hyri
Kadare bashkë me një tip tjetër për të cilin atypëraty qarkulloi veshmëvesh
pëshpërima; Është i sapoemëruari "me ulje" nënkryetar i Degës së
Punëve të Brendëshme. Qesha me vete me pëshpërimën; Nga inxhinier në mekanik
unë "me ulje" në Pogradec për shak të vëllait në burg në Spaç,
"me ulje" edhe ky.
Ishte
e para dhe e fundit herë që Kadarenë e kam parë aq të tjetërsuar, i tëri brenda
një ekstaze adhurimi për Zotin e Zotave, Zeusin kryelartë këmbë mbi këmbë me
qenin Cuci pranë. Edhe tjetri që hyri me Kadarenë me një adhurim të
papërmbajtur i tregoi Lasgushit përmbledhjen e Poezive në një botim luksoz që
kishte marrë në Prishtinë, dhe të vetmet fjalë që shqiptoi gjatë gjithë kohës
që zgjati ajo bisedë ishin; J'u duan shumë në Kosovë Zoti Lasgush.
Nuk
u përmend asnjë soc-autor. Nuk u fol për asnjë kongres, komitet, plenum, apo
gjëra të tjera të këtij kallëpi. U fol me respekt për Fishtën, Nolin, Migjenin.
Kadare përmendi Ernest Koliqin për të cilin, mes tjerash, tha se "po duan
ta përdhosin". Lasgushi lëvizi nga vendi. Tha me kërcënim; Kush guxon ta
ndoti Koliqin ?!
Në
një moment tjetër, Kadare e solli fjalën tek Garsia Markes. Tha, mes tjerash,
se Markes, kohët e fundit kishte bërë të ditur një pretendim madhështor të
padëgjuar kurrë më parë nga asnjë autor. Ishte ankuar për pamjaftueshmërinë e
gjuhës së vet. Maria, Nina, Meri, unë, dëgjonim të nemitur.
Pas
një pauze, siç e ka zakon Kadare që nuk e ndërpret kurrë tjetrin por pret
rradhën të flasi, ju drejtua Lasgushit; Zoti Lasgush, thuaji këtij shokut
(nënkryetarit të sapoemëruar të Degës së Brendëshme) ndonjë hall që ke se mund
të ndihmojë.
Nuk
kishim asnjë shpresë dhe nuk mund të bënim asnjë hamëndje se mund të ekzistonte
ndonjë arësye që mund ta bënte Lasgushin të hiqte këmbën mbi këmbë, t'i
largonte sytë nga infiniti, të drejtonte shpinën, aq më pak të hapte gojën e të
fliste për të shprehur ndonjë hall. Por edhe nëse çudia do ndodhte dhe Lasgushi
do fliste, dhe hallin do ta shprehte, çfarë na mori mendja se mund të thoshte
ishte ndonjë problem që ndoshta lidhej me sistemimin e shtëpisë, ndoshta
transferimin në Tiranë të Ninës e cila në atë kohë ishte mësuese në Starovë,
apo diçka tjetër të kësaj natyre. Jo-jo. Lasgushi foli për të folur, por për
asnjë hall të tillë. Pa lëvizur aspak nga vendi, pa e drejtuar fare kurrizin,
pa e kthyer asnjë milimetër kokën, pa i hequr sytë nga infiniti, Zeusi tha;
Thuaji
atij shokut tu thotë policëve të mos ma vrasin qenin.
Rrënqethja
elektrizante që përshkoi shtyllat kurrizore të të pranishmëve bëri të kërrcasin
dhogat e dyshemesë.