E marte, 08.10.2024, 08:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Dolëm, po ç'mblodhëm?

E merkure, 29.07.2020, 07:05 PM


Dolëm, po ç'mblodhëm?

Nga Blerim Rrecaj

Pasi parkojmë e zbresim nga vetura në parkingun e këtij restauranti, në këtë pasdite, ulemi në një tavolinë me shumë karrige, (na duhen dy) e përballë kemi reklamën e mbështetur për drunjsh me emrin: "n'...", vëni një emër këtij vendi, çfarë të dëshironi, n' Mal, n'Det... mbase mund t'ia qëlloni se për kë është duke u bërë fjalë...

E kishim në plan të dilnin diku, por këtu erdhëm pa e planifikuar. Derisa bëheshim gati për t'i lënë të vetmuara muret e banesës me fjalët e djalit të vogël: "A po dalim ma", vije vëllau i vogël me katër akullore. Pasi freskohemi me to, dhe nën lëkurën e tyre prej çokolate, përsëri përbrenda janë të mbushura po me çokolatë, dalim, hipim në veturën katër rrotëshe e katër dyershe me targa të matanëgardhshme dhe vazhdojmë duke dalur e duke u armatosur me maska që rrinë varur edhe aty ku qëndrojnë jo pushkët, po xhaketat vjeshtore a verore. Mos të harrojmë se mjaft shi ra këtë verë, ndonëse sot ngrohtë.

Kah po ia mësyejmë e ku do të përfundojmë, është njëra nga pyetjet që pret përgjigjje. Vetëtimthi me vije dhe jap propozimin për këtu ku u ulëm siç e ceka në fillim, vend ky që sipas përllogaritjeve, janë bërë diku tre vite pa shkelur në të, e që lidhet me një çështje personale që ka lidhshmëri me publiken... Dhe siç e patë u vendosën "tri pika", për të mos vazhduar më tej me këtë shpjegim.

Sidoqoftë ky këtu është e duket një vend mjaft i qetë e me gjelbërim e në njërën anë të tij me tij si kufi pas një muri të gjallë si ushtarë garde, a truproje kryetari, kryeministri a mbreti, ku "gatitu" rrijnë ca shelgje e ca arra të mëdha në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale; e tek-tuk mes tyre ca trupa kumbullash e kajsishë gjatoshe e me mjaft moshë mbi supe me kokrra të zverdhura, të verdha, të kuqe e të kombinuara. Era e lehtë është si mysafire e mirëseardhur. Fëmijët janë pozicionuar në vargun e lodrave skaj drunjëve gjetheshumë e gjethegjelbër, kryesisht në luhatëset rrumbullake me shufra të holla e të forta katrore ngjyrëndezura, kurse ne të mëdhenjtë nën hijet që janë shtrirë në pjesën e kësaj vije territoriale mbuluar me hije. Zhytemi në një bisedë të zakonshme për udhëtimet dhe rëndësinë e tyre në jetën tonë.

Herë duke folur e herë sytë në telefonat tanë. Këtë herë shoh se çka ngjarë me foton që postova nga banesa para se të vinim këtu, selfijen që bëra dje me tupanxhiun dhe dy surlaxhinjtë pasi që kisha dalë për të marrë bukë, në furrën ku kam lënë ata dy thasë me miell 25 kilogramësh që na patën ardh në fillim të valës së parë të pandemisë, (pas merakut të shfaqur se mos po mbetemi pa ta, e po ka farë bllokade afatgjatë) e sjellur te bukëpjekësit me rënien e numrit të të infektuarve sipas institucioneve e autoriteteve shtetërore. Tashmë po përballemi me një "ofensivë" të re covidiane. Ndërkohë që mendja të vërtitet te numri i madh i të infektuarve, një shok nga mërgimi të dërgon në mesengjer një shkrim të dikurshëm me bashkautor mua dhe një shok timin për gjendjen në veriun e Mitrovicës para nja dhjetë a 11 vitesh, por në stinë dimri e me borë. E kjo që sheh seç t'i përzien stinët, por edhe pandeminë globale me çështjet e nxehta e të mprehta nacionale. Pas një hedhje të shpejtë syri, biseda jonë vazhdon aty ku e lamë, te udhëtimet, te dielli, te deti, te pushimet, te sefaja, te...belaja...

Era vazhdon të jetë këndellëse dhe një muzikë e lehtë jo zëngritur si ajo e ahengjeve ku për të biseduar duhet afrim bashkëbiseduesish duke bërtitur. Ndërkohë njëri nga djemtë sjell një tufë gjethesh të gjelbërta arrash që mbulojnë një pjesë të madhe të tavolinës e largohet për t'u kthyer me një pendël shpezi në dorë. Këto gjethe janë për ju thotë, e puplën ma ruani se atë do ta shndrrojë në laps që shkruan. Tri orë para orës policore,(tash për tash orari i saj është 5 e mëngjesit 21 e mbrëmjes), nisemi drejt strehimores sonë, rrugës duke parë njerëz hundë-e-buzë-mbuluar, sikurse ne, që janë duke ecur, duke ngarë veturat a motorët, një zhurmëshumë, e tjetri zhurmëpa-k-ndier, pasi është me energji elektrike.

Këta biçiklistë, mbase për të ma kujtuar biçikletën e vetme të fëmijërisë sime, BMX-in tim, që e vozisja kryesisht nëpër oborr(dhe ca përpjekjeve të pasukseshme për t'u mësuar për ta ngasur atë me një rrotë, i nxitur nga të rinj që më pat rënë t'i shihja korzos së kryeqytetit, por edhe nëpër lagje, a motoristët fitues,në fund të garës, para cakut, në televizor), nëpër rrugë qyteze, e disa herë pata shkuar me të edhe në shkollë, ku rrinin në një klasë që e mbyllte me çelës arsimtari i Bazave të Arsimit Teknik, dhe na i rikthente pasi përfundonim orët e mësimit... Rrugës së kthimit bëj një foto me libër në dorë, derisa jam ulur në karriken e përparme pranë shoferit. Në këtë foto që në prapavijë duket një polic i uniformuar e me kapelë në kokë me shpinën kthyer (ca kalimtarë me maska për fytyrë, varur qafës e duarve) fytyrë kthyer kah ne, e të tjerë profilesh të ndryshme seç më shkon mendja te shprehja "dashamirët e leximit", edhe si një lloj kritike për fjalën "maniakë të..." që po përdoret me të madhe për lloj-lloj veprimtarish. Sidoqoftë vazhdojmë rrugëtimin nëpër këtë kohë pandemie...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora