Kulturë
Kadri Tarelli: Murat Gecaj, përherë mes krijuesve
E merkure, 29.07.2020, 07:53 PM
MURAT
GECAJ.
PËRHERË
MES KRIJUESVE TË LETRAVE SHQIPE
Siç e
njoha unë.
Nga Kadri Tarelli
Ky
shkrim për Prof. Dr. Murat Gecaj, mikun e të gjithë krijuesve të letrave
shqipe, mbase duhet të ishte shkruar kohë më parë, por siç na ndodh shpesh, e
shtyjmë për më vonë, duke u marrë me punët e çastit.
U njohëm në rrethana të këndshme, këtu e
20-vjet më parë, kur unë shkoja shpesh në redaksinë e gazetës “Mësuesi”, atëherë
në ndërtesën e Ministrisë së Arsimit, për të çuar artikujt e mi kushtuar
arsimit dhe shkollës, disa të shtypura më makinë shkrimi e më pas me disketa
(mjete të kohës).
Ishte Viron Kona, atëherë drejtuesi i
gazetës që, pasi merrte shkrimet, na ftonte për kafe. Kështu u takuam disa herë
me Profesor Muratin, bashkë edhe me të tjerë gazetarë, mësues dhe shkrues të
artikujve për arsimin dhe shkollën. Na pëlqeu muhabeti dhe u bëmë miq, duke
pranuar me modesti një shprehje popullore: “Duhet të jesh mik, që të bësh miq”.
Profesori ishte dhe mbeti mik edhe me
shumë të tjerë, me të cilët e kish lidhur jeta dhe puna. Më duhet ta theksoj,
se para se të shkonte për vizitë në Suedi, i ftuar nga shoqatat atdhetare të mërgimtarëve
shqiptar, ishte njohur dhe bërë mik me disa prej tyre, si Sokol Demaku, gazetar,
shkrimtar, poet, drejtues i revistës “Dituria” dhe i Radios dhe Televizionit në
gjuhën shqipe, në qytetin Boras, Sadulla Zendel-Daja, shqiptar nga Gostvari,
nga të parët mërgimtarë shqiptar në Suedi dhe hartues i disa fjalorëve
Shqip-Suedisht dhe Suedisht-Shqip, Hysen Ibrahimi Kryetar i Shoqatës Letrare-Artistike
“Papa Klementi XI. Albani” që vepron në Suedi, Saranda Iseni, sekretare e kësaj
shoqate, juriste dhe gazetare, drejtuese e talentuar e takimeve dhe kuvendeve, Hamit
Gurguri shkrimtar, përkthyes, studiues, Bahtir latifi, shkrimtar dhe poet, Riza
Sheqiri shkrimtar, Bajram Muharremi poet, Emine Hoti “Marigoja” e Norvegjisë,
stiliste, Osman Ahmetgjekaj veprimtar, Idriz Gashi poet, Fetah Bahtiri
studiues, etj, etj. Këta miq i ka pritur dhe shoqëruar në disa takime, kuvende
dhe përurime librash, në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe qytete të tjerë. Kur binte
fjala për Suedinë, ai fliste me admirim për këta shqiptarë të ditur e të
mençur, që veç punës për mbijetesë dhe për të qenë të suksesshëm, përpiqen me të
gjitha mundësitë t’i shërbejnë kulturës dhe çështjes shqiptare.
Ai ishte natyrë e qeshur dhe plot humor,
fjalë ditur dhe shumë punëtor, me kujtesë të fortë dhe i shpejtë, i saktë, i
shkathët në gjetjen e temave, aq sa miku ynë Sejdo Harka, gazetar, shkrimtar e
kritik letrar, shkruan me frymëzim: “Murat
Gecaj nga Tropoja/ Burim pena e mjaltë goja”. Cilësi
që e bënte mik që në takimet e para.
Miqësinë e vazhduam edhe kur u mbyll
gazeta “Mësuesi”, sepse dritaret e shkrimeve nuk u mbyllën. Mbase pak njerëz e
dinë, se sa përpjekje bëri ai burrë, për të mos u mbyllur kjo gazetë, që i
shërbente mësuesve dhe arsimit shqip, aq sa ndërhyri edhe te kryeministri i
kohës. Mbeti i zhgënjyer, pasi i premtuan se nuk do të ndodhte një veprim i
tillë. Koha vërtetoi se mbyllja e gazetës u bë shkallë-shkallë, si fillim
revistë mujore, e më pas heshti apo hupi fare, siç thonë kosovarët. Ishte një
mashtrim i radhës. Nuk e kishte zakon të shante, por ndjehej i mërzitur dhe i
trishtuar, kur kujtonte këtë ndodhi të hidhur. Gazeta u mbyll, por dëshira për
të shkruar nuk u venit, tashmë jo thjesht qindra artikuj nëpër gazeta të
ndryshme dhe portale elektronike, por botime dhe studime, monografi dhe krijime
të mirëfillta letrare, shkencore dhe historike, jo pak por 17 libra
publicistikë dhe studimor. Është një punë e admirueshme, që kërkon dituri
mendimtari, durim skllavi dhe vullnet shkencëtari.
Komenti e zbeh fjalën, aq sa, kurdoherë
që Profesor Murati me shokë organizonin takime festive apo përvjetorë, me
patjetër do të kisha ftesë edhe unë, madje “Më urdhëronin”, se ndryshe i mbetej
qejfi nëse mungoja. Në të tilla takime, në krye ndodhej miku ynë Bardhyl Xhama
(Mësues i Merituar), si më i moshuari ndër ne, i cili na sajdiste me nga një
shishkë të vogël të mbushur me raki të zgjedhur. I mbanin apo si mbanin rreth
50 gram secila, por ne na vinte mirë për këtë përkujdesje të tij. Profesori Murati
bënte apelin dhe kur dikush mungonte, bie fjala: Ibrahim Hajdarmataj, nga Zogaj
i Tropojës, apo Bashkim Saliasi që ishte në punë, nën/drejtor shkolle në
periferi të Tiranës, apo edhe Bajram Gashi, drejtor i shkollës sw bashkuar
Shënavlash Durrës, ne ngrinim dolli për ata, dhe dollinë ua përcillnim me
celular.
Profesori, kështu e thërrisja shkurt, ishte
në krye të sofrës edhe kur bashkë me shokë të tjerë, vinte në Durrës, i ftuar nga
unë, megjithëse shtonte me shaka: “Nuk do
të vij më në Durrës, pasi nuk e ha peshkun! Ju në Durrës vetëm peshk gatuani”.
Ai vërtet nuk hante peshk, kështu që mish porositnim në lokal tjetër. Pas çdo
takimi, ai sapo kthehej në Tiranë, i niste, i ujdiste dhe i postonte shkrimet,
ashtu siç dinte ai: “Drekë letrare, në bregdetin e Durrësit:. Tetor 2015. ‘Ne ishim te miqtë tanë,
Kadri Tarelli e Bajram Gashi”. Mars
2017. “Na bashkoi
miku ynë, Kadri Tarelli” Shkurt 2018.
Këtu më duhet të shtoj edhe një shkrim vlerësimi, kushtuar librit tim:
“Kur lexoj një libër”, etj.
Sa për njohje, dy fjalë për jetën e tij
nëpër vite:
Murat
Gecaj lindi në fshatin Bujan të Tropojës, më 23 të marsit 1940. U shkollua në UT.
Tiranë, por në fillim, pjesërisht në universitetin “Zhdanov” në Shën Petërburg
(Ish Leningrad), për dialektologji. Provoi mësuesinë, por u dashurua me
gazetarinë, duke “bredhur” në disa organe shtypi, deri sa u ngul për disa vjet
me radhë, tek gazeta “Mësuesi”, për të cilën flet me adhurim. Veprimtar i
palodhur e studiues i aftë, që në rini i mirëpritur nëpër forume shkencore.
Referon kumtesë në Kongresin e Drejtshkrimit. (Tiranë 1972). Është autor i disa
zërave për arsimin në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. (Tiranë 1985),
bashkë-autor i veprës “Historia e Arsimit dhe Mendimit Pedagogjik Shqiptar”.
(Tiranë 2002).
Më pas, bazuar në këtë punim, shkroi dhe
botoi librin “Pishtarë të Normales së Shkupit”. (Kumanovë, 2002). Ndërsa
një vit më parë kishte botuar librin “Nëpër udhët e shkollës shqipe”,
Botime me karakter studimor e publicistikë janë librat: “Filologë që nuk
harrohen”. (Tiranë, 2002), “Bedri Dedja: Në kujtesën tonë”. (Përmbledhje
kujtimesh, (Tiranë, 2010). Ky libër u përurua edhe në Durrës.
Në përfundim në përmbledhje të librave të
botuar, nuk e “harronte” atë, që kishte më për zemër, librin jetëshkrimor: “Ëndrrat
e “grisura” të jetës sime”. (Tiranë, 2010). Ky libër u përurua në
mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit.
Në këto dit të trishta, kur profesorin
gojë-ëmbël, nuk e kemi më mes nesh, po sjell në kujtesë një shkrimin tim, të
publikuar në marsin e vitit 2015, me rastin e 75-vjetorit të tij, ku në
kryetitull thosha: “Murat Gecaj! Na prit
edhe në 100-vjetorin tënd”, ku më pas shtoja: “Mbaje fjalën, se kështu bashkë do të jemi përsëri”. Besoj se është
hera e parë që profesori ynë, nuk e mbajti fjalën. Shkoi sapo mbushi të tetëdhjetat.
Por edhe ne nuk e mbajtëm fjalën, nuk u mblodhëm për këtë përvjetor të shënuar. Na bllokoi Virusi dhe karantina, veçse e uruam nga larg me telefon. Na mirëkuptonte.
Me natyrën e tij të gjallë, përherë në
lëvizje, nuk e pranonte fjalën “Pension”. Madje në një intervistë që i kam bërë,
më thotë: - Pensioni është vetëm për
pleqtë, jo për mua, - drejtonte trupin dhe duke qeshur shtonte: - “Kohë kam me bollëk, por s`më mjafton.
S`më zenë këmbët dhe, sa në Kosovë, Maqedoni, Mal të ZI, Itali e Suedi dhe
nëpër qytetet e Shqipërisë. Aq shumë i ngarkuar jam, sa edhe vetë çuditem, ku e
gjej energjinë për t`i përballuar të gjitha. Ndoshta, - përsëri
duke qeshur, - është dëshira që të mbetem
përherë i ri”. Libri: “Kur lexoj një
libër”. Autori.
Nuk
e fshihte gëzimin dhe kënaqësinë kur haste, dëgjonte apo lexonte krijimet tona,
të shokëve, kolegëve dhe miqve të shumtë, sidomos kur bëhet fjalë për kombin dhe
shqiptarët. Nuk mungonte të bënte komente. Ishte natyrë e hapur dhe i thoshte
gjërat drejt për drejt. E vura re bukur mirë, kur bashkë ishim pjesëmarrës në
dy-tre emisione në Radio-Tirana, të ftuar nga drejtuesja Kozeta Hoxha. Si
fillim, për të folur mbi veprimtarinë e mësuesit Elbasanas Sami Domni, i
cili edhe si pensionist, nuk i ndahej muzeut të arsimit në Elbasan. Herën
tjetër, ishte një kuvendim mbi librin e preferuar të profesorit: “Me zemër në vendlindje…”
(Shënime e mbresa, nga Suedia). (Tiranë 2012). Vepër e shkruar pasi vizitoi Suedinë, ku
ishte së bashku me shkrimtarin dhe studiuesin Viron Kona. Këtij libri, unë i
kisha kushtuar një shkrim me titull: “Një tjetër koleg i dashuruar
me “Bukurinë e shpirtit Suesdez”. Profesori ishte mik i vjetër i
radios, andaj drejtuese Kozeta, kohë
më vonë përgatiti dhe transmetoi një emision të posaçëm për jetën e botimet e
tij
Ajo që dua të shtoj është se, Profesori
ynë solli diçka të re në letrat shqipe. Janë disa krijime që e bëjnë të
dallohej mes të tjerëve, për të cilat kushdo do të ndjehej i përkëdhelur nga
fati.
Si fillim e kam fjalën për librin
“Dorela”, më i dashuri për “Heroin” tonë, kushtuar mbesës së tij Dorela, e cila
tashmë është rritur. Një botim disi i veçantë në letërsinë tonë, ku ai me
fjalët e ngrohta, siç dinë të flasin vetëm gjyshërit, sjell përvojën e tij në
marrëdhëniet gjysh-mbesë. Është një libër me vlera njohëse, pedagogjike dhe mësimore,
pasi secili gjysh apo gjyshe, ka ç`të mësojë nga “Babushi” Murat.
Së
dyti, janë dy libra. “Kur
flasin zemrat”, kushtuar krijueseve, vajzave dhe grave shqiptare, këtu dhe në
trojet etnike arbërore e në diasporë. Është një tjetër buqetë me lule
shumëngjyrëshe, që autori i shton librit “Për ju krijuese”, botuar pak kohë më
parë. Do të desha të isha i gabuar, por Profesor Murati, besoj se është i pari me
këto dy krijime, që i solli publikut shqiptar një vepër studimore me vlera të
mirëfillta letrare, artistike, ideore e kritike, kushtuar krijueseve tona,
zemërarta e fjalëzjarrta, si shenjë nderimi dhe mirënjohje për femrën
shqiptare, si motër, grua, nënë dhe veprimtare.
Besoj se mikut tonë, Murat Gecaj, më shumë
se kujtdo, i shkojë përshtat këto fjalë të Mit’hat Frashërit, drejtuar shkrimtareve
dhe gazetarëve, në vitin 1924: “Çdo
shkrimtar është një këshilltar, po gazetari është edhe më tepër akoma: është
një predikonjës”…… “Gazetarit i bie mbi supat barra më e madhe. Roli i tij
është i komplikuar, se duhet të jetë edhe një mjek që shëron sëmundjen, edhe
një meshtar që përkujdeset për shpirtin, edhe një avokat që i mpron të drejtat,
edhe një gjykatës që i ndan gjyqin”. Libri
“Plagët tona. Çë na mungon? Çë duhet të kemi?
Profesor, Dr. Murat Gecaj, fizikisht
prehet në parajsë, por me veprat që na ka lënë do të jetë kurdoherë mes nesh,
mes shkrimtarëve, gazetarëve dhe krijuesve të shumtë, si model dhe udhërrëfyes i
përsosur.
Ai në letrat shqipe, i ngriti vetes edhe
piedestalin edhe monumentin, ndërsa ne me shkrimet tona vetëm e kujtojmë, e përshëndesim,
e përkëdhelim dhe e nderojmë në përjetësi.
Kadri Tarelli
Durrës. Korrik 2020.