Kulturë
Kadri Tarelli: ‘’Ata ishin njerëz’’
E marte, 04.08.2020, 07:04 PM
Kadri Tarelli shkruan:
“ATA
ISHIN NJERËZ”. DRAMË APO TRAGJEDI?
Autor. Shpendi Topollaj
E
shajmë dhe e mallkojmë virusin dhe karantinën, në të cilën u vetë-ngujuam, më
shumë më urdhër nga qeveria sesa me dëshirën tonë. Megjithatë u bindëm,
pavarësisht nazeve dhe mërzitjes së madhe. Secili nga ne e gjeti udhën për ta
kaluar këtë periudhë, me sa më pak vuajtje dhe mundim mendor e shpirtëror.
Mendoj se njerëzit e letrave e patën më të lehtë, pasi puna krijuese kërkon
kohën e vet “Të ngujuar”, mundësisht të pa trazuar. I vetmi shqetësim mbeteshin
zhurmat dhe problemet e vogla të ditës, që shkaktohen jo vetëm nga gratë, por sidomos
nga fëmijët, nipat dhe mbesat, që e bëjnë shtëpinë lëmsh.
Pikërisht
këtë periudhë të zymtë e detyruese, e shfrytëzoi aq mjeshtërisht edhe Shpendi
Topollaj, shkrimtar, tregimtar, kritik letrar, studiues dhe së fundmi e dhe
dramaturg, si gjini letrare e pa rrahur më parë nga ai, duke na sjell brenda një
kohe të shkurtër dramën “E përdala” dhe “Ata ishin njerëz”. Dy dramatizime, e
para nga novela “Kurva” dhe e dyta nga romani “Pushkatimi”, libër i përkthyer në
Italisht dhe rusisht. Çuditërisht, të dy dramat kanë përfundim tragjik; e para
me problemet shoqërore të kohës, ndërsa e dyta me marrëzitë e politikës, si nxitëse
dhe ushqyese kryesore, ku tragjeditë nuk reshtën për gjatë gjithë kohës së
diktaturës.
Ishte
janari i vitit 2014, kur unë pasi mbarova së lexuari romanin “Mashtruesi”, i bëra
një shkrim këtij libri të mrekullueshëm: “MASHTRUESI” i Shpendi Topollajt, le
pas Tartufin, Harpagonin dhe Jagon. Shkrim i publikuar në disa gazeta të kohës.
Nuk jam orakulli Dodonës apo i Delfit, por shkrova në fund: “Çudi! Si ky roman me kaq vlera, i ka
shpëtuar penës së dramaturgëve për ta vënë në skenë? Do t`i bënte nder
gjithkujt. …..Vështirë të arrihet kjo, pa u futur në tempullin e fjalës, në
teatër, apo kinematografi. ….. Të gjithë heronjtë, pozitiv, apo negativ,
simbole të njerëzimit të gdhendura në art, që nga lashtësia e deri sot, të
njohur e të famshëm i ka bërë teatri dhe ekrani. Gjithsesi, kam përshtypjen se
do të rrjedhë edhe mjaft kohë”.
Kështu
Shpendi priti goxha gjatë, që dikush të dramatizonte novelat dhe romanet e tij,
por më kot. Më në fund i hyri vetë kësaj gjinie të bukur dhe mendoj se ia ka
dalë me sukses, aq sa kur mora në dorë dramën ”E përdala”, i thashë: “Po ku ishe më parë, o miku im, që nuk je
marrë edhe me këtë gjini!?”. Shpresoj në krijime të tjera. Më pëlqen të them, se nuk gabova.
Drama
“Ata ishin njerëz”, mirë do të ishte, të mbante të njëjtin titull si romani
“Pushkatimi”, pasi kështu zbehet drama familjare, por edhe tragjedia, jo vetëm
për një njeri, siç ishte Thoma Rafeli, inxhinier ushtarak, por edhe për shumë
figura të tjera të njohura nga publiku shqiptar, që u pushkatuan, si Trifon
Xhagjika, oficer dhe poet fjalëzjarrtë, Fadil Kokomani, gazetar dhe Vngjel
Lezho, edhe ky gazetar, etj, etj.
Ajo
që bie në sy në të gjitha tregimet dhe veprat e Shpendit, është se ngjarjet i vendos
në truallin shqiptar. Ato i merr nga jeta dhe janë aq të vërteta, sa edhe
personazhet në pjesën dërmuese të tyre, mbajnë të njëjtin emër e mbiemër. Një dëshmi
kokëfortë e Shpendit, për t’i qëndruar besnik ngjarjeve dhe kohës, dukë qenë sa
më i vërtetë, ndaj edhe shkrimet veç veshjes dhe kostumit artistik, nuk kanë
teprime dhe fantazi shkrimtari. Kam përshtypjen se kjo formë e të shkruarit, i
bën shkrimet e Autorit, jo vetëm të besueshme, por edhe të pëlqyeshme për
cilindo lexues, tani edhe spektator në sallat e teatrove, pavarësisht shkallës
së arsimimit dhe kulturës që ata zotërojnë. I besoj plotësisht shkrimtarit
Nikolae Jorga, që thotë: “Gjithkush, kur
të mbarojë së lexuari këtë libër, do të ndiejë se ka njohur një Njeri, i cili
shkruan edhe për të”.
Përmbajtja
e dramës-tragjedi, është e thjeshtë në dukje, sidomos për brezin që e jetoi:
Shkatërrimi i familjeve të atyre shqiptarëve që u martuan me vajza jo
shqiptare, pra me gra të huaja. Shkatërrim, jo thjesht ndarje, por edhe dënime,
burgosje, internime, ndëshkime dhe humbje jete, apo më thjesht: Pushkatime. Është
një temë tashmë e rrahur në letërsinë shqiptare, pasi numri i këtyre familjeve
ishte tepër i madh. Aq sa cilido do të bënte pyetjen që ka edhe përgjigjen
brenda: Pse ndodhi?
Ishin
vitet e pas luftës së dytë botërore dhe vendosjes së sistemit komunist në Shqipëri
dhe ne disa vende të Eurpës lindore, me gjasa demokraci popullore socialiste,
por të pushtuara ushtarakisht nga ushtria Sovjetike. Shteti komunist Shqiptar i
porsa krijuar, pasi zhduku tërësisht inteligjencën e kultivuar në shkollat
perëndimore, i duhej urgjentisht të krijonte inteligjencën e re, të mësuar në
shkollat e lindjes, kryesisht në Bashkimin Sovjetik (Perandori Ruse me dymbëdhjetë
republika brenda saj), përfshi edhe vendet e pushtuara të Eurpës Lindore, të
quajtura Republika Socialiste. Zgjidheshin nxënësit më të mirë të shkollave të
mesme, duke pasur edhe biografinë e mirë, të lidhur me partinë shtet, me një
fjalë: “Pa njolla në biografi”.
E
kush nuk do t’i pëlqente dhe dashuronte djemtë tanë të bukur dhe të mençur? Kam
përshtypjen, se në asnjë rast nuk u porositën, që të kenë kujdes nga lidhjet,
apo martesat me vajzat e huaja. Për më tepër, deri nga viti 1960-61, kur
politika ndryshoi qëndrim, të gjithë këto çifte të sapo martuar, shiheshin me
sy të mirë. Një lloj lëshimin apo servilizmi i pakuptimtë i shtetit dhe politikës
shqiptare. Aq e vërtetë kjo, sa edhe dy vëllezërit e Thoma Rafaelit, i kishin
gratë nga vendi ku kishin studiuar.
Drama
filloi kur u prishën marrëdhëniet politike me Kampin Socialist, koha kur
strukturat tona shtetërore u përkujdesën të prisheshin këto familje, me
pretendimin se dëmtonin Shqipërinë. Si fillim me propozim për ndarje dhe largim
të grave të huaja, të dyshuara si agjente të zbulimit të huaj. …..“Unë në emër të Partisë, u kam thirru juve që
keni gratë e huaja, që të mendoheni mirë se ç’do të bëni me to. Interesi ynë,
pra i vendit, është që t’i ndani”. Ky është dialogu i Ministrit të
mbrojtjes me të gjithë ata oficerë që ishin martuar me gra të huaja, duke
shtuar: “Mos harroni pasojat që do të
keni, qoftë ju si komunistë, qofshin edhe të afërmit tuaj”. Në këtë oxhak
vullkani u ndodh çiftit Thoma Rafaeli dhe Maja nga Ukraina, vitete para familje
e lumtur, e më pas përfundim tragjik, pushkatim dhe pa varr, ku njerëzit e
dashur të venë e ta kujtojnë. Ishte një fund gati i parashikuar që në bisedat e
para me të dashurën bukuroshe Maja, kur Rafaeli i thotë: “Te ne thonë, se fatin e ka në dorë vetë njeriu. Por nga një herë ndodh,
që fati yt ecën sipas tekave të dikujt tjetër. Dhe ti je i pafuqishëm ta
ndryshosh”.
Ajo
që bie në sy të çdo lexuesi, është dialogu i shpejtë, i mprehtë, i ngjeshur me mendim
dhe kundërshti të mbështetura në logjikën e të vërtetave. Më pas dënim pa
fakte, duhet thënë dënime me porosi, vetëm me parulla shterp; armik, spiun,
bashkëpunëtor i të huajve, etej, etj. Përballë jeta me vdekjen, një lloj
kuvendimi i tendosur, që të mbërthen dhe s’të le të lëvizësh për gati dy orë,
duke pritur fundin tragjik të padëshiruar.
Është
përfundim i konfliktit të dramës: dashuri+familje dhe sistemit të diktaturës, që
nuk pyet për fatet njerëzore. Pra ndryshe nga format klasike të dramave apo
tragjedive, ku konflikti është në mes personave apo grupeve shoqërore, këtu është
individi i pafuqishëm, përballë ingranazheve të një sistemi të tërë, që vendos
për jetën, ta le, por të bën të vuash, apo ta merr, kur dhe si t’i dojë qejfi. Ja
si shprehet Zhani Ciko: “I kam njohur nga afër personazhet e kësaj
drame dhe them se Shpendi i ka dhënë me vërtetësi të pa shoqe, ashtu sikurse ka
përshkruar pa asnjë tepri edhe kohën e mbrapshtë kur ata jetuan”.
Mjerë
ai njeri që përfshihej dhe përtypej nga nofullat e kësaj makinerie vrastare, e
organizuar përsosmërisht, ku askush nuk guxonte të ndihmonte, apo të thoshte së
paku një fjalë të mirë. Nuk di sa mund të përshtaten këto pak fjalë të të
madhit Dritero Agolli: “Më ndodh sikur
s’jetoj në vendin tim, /Po në një vend të huaj dhe të largët, /Në një qytet me
buba dhe me minj/Mes mureve të rrjepur dhe të lagët”.
Duhet
përshëndetur autori, sepse ka një meritë të veçantë: brenda zymtësisë së
ngjarjeve, mjeshtërisht gjen vend për gërshetimin e ndodhive të çastit apo të
pritshmërive, me vargje të poetit kombëtar Ukrainas Taras Shevenko, vargje të qëmtuar
hollë nga vepra “Kobzari”. …. “Përmbi mua
kush do qajë/heshtur me trishtim?/Kush do m’i vadisë kalinat/ përmbi varrin tim?
Shijoni edhe katër vargje të tjerë: “Ja
ç’gjynahe përmbi tokë/ bëjnë njerëzia;/ vajzën pa faj në botë/ ndajnë nga
shtëpia”.
Nuk
mungojnë edhe vargje të poetëve tanë. Është një kombinim i përkryer i të bukurës, të
magjishmes, hyjnores për jetën dhe dashurinë, përballë të shëmtuarës, të egrës,
vrastares, tragjikes, të cilës nuk i shpëtuan jo vetëm “Armiqtë e klasës”, por
edhe ata që i besuan dhe i shërbyen me përkushtim sistemit dhe adhuruan si
perëndi “Zeusin” tonë. Tema i kërkon si me porosi këto vargje të poetit Trifon
Xhagjika, oficer i gjykuar dhe dënuar bashkë me Thoma Rafaelin: “Nga Olimpi vin’ rrufetë/ Vrasin njerëz të
pafaj/ Hidhet Zeusi përpjetë/ Nga gëzimi qerrataj”.
Në
mugëtirën e shtegut pa rrugëdalje, vetiu lindi pyetjet: kush i kërkonte, kujt i
interesonte dhe përse? Pyetje që mbeten pa përgjigje, në monologun që bën
secili me vete, kur ndjen fundin e kësaj drame-tragjedi, në veçanti ushtarakët,
kohanikët e viktimave.
Më
pëlqejnë falët e kritikut Luan Laze, i cili shprehet: “Sikur dramaturgjia jonë të kishte përherë këtë nivel artistik, dua të
besoj se sallat e teatrove do të ishin gjithmonë plot”.
Urime Shpendi në këtë
gjini të bukur letrare. Na solle një copëz jete të historisë shqiptare, plot
dhimbje.
Presim edhe plot libra
të tjerë po kaq të bukur dhe të arrirë artistikisht!
Kadri Tarelli
Durrës. Korrik 2020.