Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Gomarllëqe shqiptareske
E enjte, 06.08.2020, 07:57 PM
Gomarllëqe shqiptareske
Nga
Edison Ypi
Shqipëria
është vendi me pozicionin më strategjik në botë, vendi që përcakton fatet e
planetit.
Ky
pohim është gomarllëk. Megjithatë shumica e shqiptarëve e thonë dhe e
përsërisin pa u lëvizur qerpiku si diçka me të cilën krenohen, si diçka që po e
the nuk mban asnjë përgjegjësi, po e bërtite nuk të gjen asgjë e keqe.
Shqiptarët
janë njerëzit më inteligjentë, më puntorë dhe më produktivë të rruzullit.
Edhe
ky është një gomarllëk i pashoq. Por, si gjithë gomarllëqet e tjera
shqiptareske, me të drejtë të plotë qytetarie dhe katunarie.
Në
Shqipëri sa më tepër punëra të mëdha të bësh, aq më pak vota të japin. Nuk
është paradoks. Është gomarllëk shqiptaresk.
Të
shohësh cilët janë sot bartësit e konservatorizmit tonë, nga stili inekzistent,
fjalori për ibret, gjuha e drunjtë, pozat e neveritëshme, mburrjet e
gërrditëshme, të merr malli i Zërit të Popullit të viteve '70 e '80, dhe nga
dëshpërimi mbytesh në lot. Mirpo nga ana tjetër, mutërit qesharakë në fjalë,
grehalucët pa absolutisht asnjë ndikim në publik për të cilët Shqipëria nuk
është më e madhe se kafeneja, kompromentuesit e pandalshëm të konservatorizmit,
janë flori për pinjollët e diktaturës, të cilët, tani që kanë pushtetin po
fërkojnë duart nga ndihmesa falas që po marrin nga rraca e çuditëshëme e
kundërshtarëve aleatë. Gjendja e mjerueshme në fjalë me komunista të
pamëshirshëm dhe konservatorë budallenj, kjo kujë e kjo lemeri për fatet e
Kombit, nuk është gomarllëk, është realitet. Por edhe gomarllëk po ta jetë,
s'është ndonjë qamet.
Ndër
gjydyrymët që preokupohen për fatet e Shqipërisë dallohen ca që llomotitin nga
jashtë. Janë ca gomerë që hiqen për gjenialë. Ca që një minutë po ti dëgjosh
bindesh se atje ku ndodhen i ka hedhur Sigurimi. Kurrë si fakt. Gjithmonë si
gomarllëk.
Pa
folur për Leskovikun, Ersekën, Ballshin, Laçin etj. që janë kthyer në arkivola
ose vende për të xhiruar filma me fantazma, duke nisur me Durrësin, e duke
vazhduar me Lushnjen, Fierin etj. nuk sheh këmbë polici. Duket sikur këto
qytete kanë arritur një gradë aq të lartë civilizimi sa policia nuk u duhet se
rendin e ruajnë vetë. Nga këto qytete, nga më frikacaku tek më trimi, nga më
budallai tek më i squti, heshtin si peshq para çdo krimi, dhe në Polici nuk
shkojnë. I ruan vetëdija gjithpërfshirëse se po të flasin edhe 1 fjalë të vetme
i gjen belaja nga mafia. S'ka problem se është i pabesueshëm si haber. Është i
besueshëm si gomarllëk.
Të
rinjtë nuk bëhen drogaxhinj nga edukata e munguar ose e keqe e prindërve por
sepse e tillë është koha moderne.
Ky
pohim që të ngjall zemëratë nuk duhet marrë si diçka tjetër por vetëm si
gomarllëk, përndryshe çmendesh.
Rrjetat
sociale po shërbejnë më së miri si rast i mrekullueshëm që shoqëria ua jep
falas budallenjve për të krijuar një të dytë, të tretë, të katër, të pestë, të
njëqintë, një numur të pafund identitetesh inekzistente por të lakmuara. S'ka
asnjë rëndësi nëse është a s'është i vërtetë ky turp identitar me përmasa
kolosale sa kohë fare thjeshtë mund të merret për gomarllëk.
Ka
në Shqipëri territore ku ndodhen fshatra të panumurt që shtrihen gjatë dhjetra
kilometrave. Në këto nahie mijëra shqiptarë punojnë, mbjellin, korrin,
ndërtojnë shtëpi, kultivojnë vreshta, pinë raki, dehen, dashurohen, martohen,
bëjnë kalamaj, trashëgohen. Por kanë një të keqe; Nuk bëjnë gjurulldira,
sidomos nuk vrasin njëri-tjetrin. E duke mos u vrarë me sho-shoq, nuk prodhojnë
lajm. Duke mos prodhuar lajm nuk dalin në media. Duke mos dalë në media nuk
ekzistojnë. Nuk ekzistojnë në pikëpamje mediatike, por ekzistojnë si gomarllëqe
shqiptareske të autorit të këtyre rradhëve.