E shtune, 27.04.2024, 05:57 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Lulia në bregdetin shqiptar (2)

E shtune, 24.08.2013, 06:05 PM


Lulia në bregdetin shqiptar (2)

Plazhet e jugut dhe amfiteatri i Durrësit

Nga Gani MEHMETAJ

Lulia u kthye në Kodrën e Trimave pasi nuk la vend bregdetar pa gjezdisur. E filloi me  Velipojën dhe, e përfundoi më Butrintin, duke u kthyer sërish nga kishte ardhur. Sa herë shikonte visoret bregdetare, mahnitej sërish sikur t’i shihte për herë të parë.

“Det, o det, sikur ta kishin të tjerët këtë vend përrallor do të çmendeshin nga gëzimi”, me thotë e entuziazmuar, “ndërsa ne nuk ia dimë vlerën, nuk e kuptojmë çfarë përlash kemi në dorë”, më kthehet ajo.  U mahnitë ajo edh nga qytetet e vjetra shqiptare, të cilat prapë më thotë se nuk i ka askush në botë:  Shkodra e Marin Barletit me Kështjellën e Rozafës, Lezha e Skënderbeut, Berati përrallor i Muzakajve me njëmijë dritare që shikojnë nga Osumi, Gjirokastra, qyteti në gur i princeshës Argjiro, apo i shkrimtarit Kadare e Musine Kokalarit, Korça e serenadave dhe e birrës së artë, Kruja e Skënderbeut, Pogradeci i Lasgushit të madh dhe i lundërtarëve ilirë...

E ndërpreva numërimin e qyteteve, sepse mu duk sikur s’do të ndalej.

“Sikur t’i kishin këto vende shtetet fqinje, vazhdon ajo, do të çmendshin nga gëzimi, do t’i reklamonin ditën e natën dhe s’do të linin gurë pa lëvizur që të ftonin edhe të tjerët”.  Shoqja e saj Melka nga Shkupi i pati treguar se si maqedonasit e kanë vetëm një qytet, Ohrin, të cilin dikur ua rrëmbyen shqiptarëve dhe prapë nuk pushojnë se bëri reklamë, madje kanë organizuar disa festivale ndërkombëtare në këtë qytezë buzë liqenit. Shqiptarët mezi e mbajnë Festivalin e Butrintit, një qytet antikë që të le pa mend. Me improvizime e bëjnë edhe Festivalin e Filmit në Durrës, ku nuk kanë kinema të përhershme, më tregon ajo. Ndërkaq, dikur në këtë qytet, pushonte Cezari. Ave Cezar! Më përshëndet më dorën e ngritur mbi kraharor si ushtarët romakë.

Nis e bënë krahasime Lulia me të tjerët. Në Mal të Zi janë dy qytete ilire: Kotori e Budva, të cilat janë bërë të njohura në Evropë me festivale, sepse u bëjnë reklamë dimër e verë. As njëri dhe as tjetri nuk u afrohen qyteteve shqiptare. Durrësi, me thotë ajo e ka amfiteatrin e vjetër, gati sa Amfiteatri i Vespazianit në qytetin kroat të Pulës (ku organizohet festivali më i madh i filmit në Ballkan). Festival mund të organizoj edhe Durrësi në amfiteatër, por këët duhet ta bëjë dikush. Ky qytet ilir ka një varg monumentesh, të cilat pushuesit nomadë të Kosovës nuk i dinë fare, sepse nuk ua ka thënë askush që ekzistojnë. Shumica e bashkëkombësve të Lulisë mendojnë se pos plazhit të Durrësit, s’ka gjë interesante në këtë qytet mbi dymijë vjeçar. Madje s’ka as shenja trafiku se si të futesh në qytetin e vjetër.

Lulia me thotë në mirëbesim se Durrësi vetëm plazhe e det nuk ka: e ndoten plazhin më të madh në Ballkan më ujëra të zeza dhe me ndërtime kaotike. E vranë detin, më tregon ajo e pikëlluar.

Heroinës sonë i është mbushur mendja top se Shqipëria ka më shumë kështjella e qytete të vjetra se sa Serbia, Maqedonia , Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina e Kroacia së bashku. Vetëm se, shtetet sllave dinë të bëjnë reklama, më kthehet e pikëlluar, dinë të ruajnë perlat e veta, dinë ta bëjnë mizën buall. Ndërsa ne, thotë ajo, i fshehim thesaret si në përrallën për Hirushen, ne sillemi si njerka e hirushes ndaj vlerave, apo edhe më keq i shkatërrojmë duke i kollofitur si gomari tërfilin e fatit, pa ua mësuar vlerën.

Prisja që ajo të më fliste për bukuritë e visoreve shqiptare e jo të më mbante fjalime se si duhet t’i mbarështojmë qytetet e trashëgiminë kombëtare. Prisja rrëfime e bëma të lehta verore, kurse ajo më helmatisë më shkujdesjen e pafalshme shqiptare. Këtë ia thash, mirëpo, ajo këtu deshi të dilte, duke ma kujtuar me nxitim. “Nuk me kishte mbetur shumë kohë ti shihja këto qytete, meqë më prisnin obligimet në vendlindje, prandaj mu desh të kaloja qytetet e vjetra si vrapuesi i garave maratonike në vrap, ndërsa zemra më qante pse s’mund të rrija më gjatë në këto qytete e ti shijoja”, më qahet ajo. “Asnjë agjenci turistike shqiptare në Kosovë a në Shqipëri nuk organizon vizita turistike nëpër qytetet mesjetare shqiptare që të mahnisin, nuk organizojnë madje as vizita turistike në Tiranë e Dajt, megjithëse ka shumë të interesuar, kurse organizojnë vizita nëpër qytete të Ballkanit, nëpër Azi të vogël etj. Në vend të prezantojnë vlerat e veta e të nxjerrin ndonjë lekë nga vizitat e tilla disaditore turistike, agjencitë shqiptare prezantojnë qytetet e vlerat e huaja, ua zbrazin xhepat shqiptarëve duke ua këshilluar Podgoricën, Beogradin, Sofinë apo qytetet e Anadollit”.

Prapë iu kthye Korçës. Nuk e ftuan Lulinë në festivalin e birrës, ndërsa i mbeti hatri shumë. E mori vesh me vonesë, ndryshe do të shkonte e paftuar. Ajo është dashamire e kësaj birre, sikurse nuk e heq nga tryeza as kuqalashen. Nuk e kupton pse në restorantet shqiptare ia preferojnë një varg birrash të huaja, ndërsa birrat shqiptare ia sjellin si më pahir vetëm kur ajo këmbëngulë. Shpesh i thonë që s’kanë birra shqiptare! Ndërkaq, ajo ka vendosur sot e në mot që në Shqipëri do të pi vetëm birra shqiptare, do të ketë mbi tryezë vetëm verëra të këtyre krahinave. Le të përpiqen sado tregtarët t’ia imponojnë birrat e pijet e huaja. Ajo nuk vuan nga kompleksi i inferioritetit apo e varfanjakes që përpiqet të duket duke konsumuar pije të huaja, asaj i shijojnë pijet shqiptare.

Ua ka thënë disa herë kamerierëve të mos lodhën duke ia numëruar birrat e huaja apo verërat italiane e greke, sepse me thotë ajo sa ti bie dielli tokës në Shqipëri do të konsumojë vetëm birra e verëra shqiptare. Është e vendosur Lulia, s’ka kush ia ndërron mendjen me asnjë çmim.

Nuk është ajo si qeveritarët e saj që për ca euro nën dorë e privilegjojnë mallin serb në Kosovë, duke e penguar mallin shqiptar. “Zoti i marroftë qeveritarët e mi”, mallkon ajo me mllef. Por edhe për qeveritarët e Tiranës ka dyshime se kanë hile, kur e bllokojnë në kufi mallin e Kosovës, nuk e bëjnë për hakmarrje, sepse mallit grekë e turk nuk i hakmerren asnjëherë. Është futur paraja e huaj, ma thotë e sigurt në vete, duke cituar Gjergj Fishtën: “mos lakmoni paren e huej” . Ka korrupsion gjithandej, përpiqet të me bind.

Pse shkoi Lulia pikërisht në gusht në bregdet? E pyes i interesuar të davarisë ca hamendësime të mia. Sepse në qershor u mbajtën zgjedhjet shqiptare, ndërkaq ajo ua pati frikën shqiptarëve, mund t’i zinin rrugët si cuba, sikurse disa vjet më parë opozitari trupmadh që tash e mori pushtetin. Ajo ua dinte huqet, prandaj nuk ia mori mendja të mësynte bregdetin gjatë gjithë qershorit. Korriku ishte i paqëndrueshëm, herë shi herë diell,  kështu që gushti i doli për së mbari. Vjet e mashtruan si zakonisht nga mediet shqiptare, të cilat parashikonin që gjatë muajit myslimanë të agjërimit s’do të ketë pushues në bregdet. Ajo u gëzua që s’do të ketë tollovi, por u mashtrua sepse nga Shën Gjini deri në Vlorë mezi gjeti apartament, e kishin harruar “kosovarët” ramazanin dhe shullëheshin në kokërr të shpinës, me tregon ajo.

Lulinë e zbythi edhe një gjë tjetër: cubat e rrugës së kombit. Dolën në pikë të ditës apo në orët e hershme të mëngjesit, ndalen automjete, i frikësuan për vdekje udhëtarët, ua morën paratë e gjësendet me vlerë. Si në mesjetë apo si në Perëndimin e egër, më tregon ajo, e indinjuar. Cubat e sfiduan shtetin shqiptar, e dëmtuan rëndë imazhin e sigurisë kombëtare, e rrezikuan industrinë turistike, sepse mijëra shqiptarë të territoreve etnike ndërruan mendje në çastin e fundit, nuk donin të binin pre e cubave të Mirditës apo të Matit.  Mbreti Zog i pati shuar fare cubat e rrugëve para shtatëdhjetë vjetësh, kurse qeveritarët e sotëm me mjetet më moderne nuk mund t’i pengojnë, me tregon ajo rrëfimet e gjyshit të saj i cili e donte mbretin Zog më shumë se të gjithë të tjerët.

Si është e mundur që në shekullin e XXI të bëjnë kërdi cubat nëpër magjistrale? Ka shtet a pushtet në Shqipëri? Kush i cyt këta njerëz që ta dëmtojnë imazhin e industrisë turistike?

Mezi e orientova sërish në qëllimin bisedës: pelegrinazhin në bregdetin shqiptar dhe nëpër qytetet e vjetra. Pasi i kaloi mllefi, më tregoi se si u kënaq me muzikën e mbrëmjes nën pishat e Spillesë, në Dhërmi e në Sarandë .

Lulisë i bëri përshtypje një reportazh në një gazetë shqiptare, emri i së cilës nuk i kujtohej, ku shkruante: “malazeztë janë popull konservativ si të gjithë serbët e Ballkanit”(!). Të shkretët malazezë, bien copa të dëshmojnë se nuk janë serbë, por një përzierje sllave e ilire, sikurse thonë ata, kurse gazetarja pasardhësja e ilirëve i quan serbë. Po ta lexonin nacionalistët malazezë këtë “xhevahir” o ta shanin vendçe sa do t’i skuqeshin edhe thembrat e këmbëve. Reportazhi fliste për bukuritë e qyteteve: Kotori e Budva, ku ajo paska gjetur një kish serbe, sikurse e quante kishën bizantine të shekullit XVII. Se si ia fusin kot gazetarët ndonjëherë, më kthehet me ironi. E lash të zbrazej. Mbase kishte të drejtë, por nuk ia tumira.

Lulia e përfundoi rrëfimin e vet të pelegrinazhit me këngën “Xhamadani via, via”, të cilin e kishte dëgjuar në disa mbrëmje nga Spileje deri në Ksamil.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora