Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Lulia i shkruan presidentit Obama
E enjte, 24.01.2013, 07:59 PM
Lulia i shkruan presidentit Obama
Njëqind vjet i ranë në qafë herë Serbia, herë gjithë Jugosllavia, ndërsa 13 vjet kombi i saj nuk e sheh dritën e diellit nga qeverisja e keqe. “Edhe sikur të doja aq keq nuk do të dija të qeverisja”, me thotë e indinjuar heroina e Kodrës së Trimave.
Nga Gani MEHMETAJ
Lulia ka
rënë në pikë të hallit. Ka mëdyshje të mëdha. Të bëhesh kryeministre, a ta
lejosh vendin të gremiset, kjo është çështja. Është e brengosur me gjendjen në
shtetin e saj fatkeq. Frikësohet për të ardhmen e vet e të bashkatdhetarëve.
“Si po ia mbathin të rinjtë në Perëndim, një ditë s’do të mbes askush në
Kosovë, pos qeveritarëve e ndonjë opozitari me biznese të përbashkëta me
qeveritarë”, me thotë ajo me doza të depresionit jo të zakonshme për natyrën e
saj të optimizmit naiv. “Janë qeveritarët e një pjesë e opozitarëve ata që kanë
punë, kanë biznese e pasuri të paskajshme. Për të tjerët s’mbetet asgjë”, me
tregon e brengosur për hallet e miletit. “Të
huajt nuk investojnë, sepse u kërkojnë reket, aksione nga biznesi e çka
mos tjetër. Më të dëgjuar për këto kushte, investuesit evropian ia mbathin një
orë e më parë, duke u përpjekur të shpëtojnë lekët e veta. Për fitime as u
shkon mendja”, ma sqaron ajo mbarëvajtjen e investimeve të jashtme.
E lodhur
nga kjo gjendje, e tronditur nga varfëria, Lulia ngrysët e gdhihet më një ide
të guximshme në kokë: t’ia shkruaj një letër presidentit Obama. Do t’i tregoj
fije e për pe gjendjen, do ta falënderoj deri në qiell për ndihmën amerikane,
pastaj do t’i thotë vendosni si ta keni për mbarë, shkëlqesi. Mbase, presidenti
Obama, s’do të ketë kohë ta lexoj letrën e Lulisë, prandaj mendon ajo, do t’ia
kthejë ambasadores amerikane e ambasadorëve të Kuintit në Prishtinë, ta shqyrtojnë.
Në këtë letër nuk do t’i denoncoj qeveritarët tonë, as s’do t’i shaj për të
pabërat, kot që i shanë, sepse nuk përmirësohen dot, ma thotë e indinjuar, por
dëshiron t’ua ofrojë një rrugëdalje atyre që vendosin për neve. Ajo nuk ka
atdhe rezervë, prandaj do t’i shkruaj presidentit Obama, t’ia shpëtoj atdheun e
saj nga falimentimi. Dikur amerikanët e shpëtuan nga Serbia, tash le ta
shpëtojnë nga qeveritarët vendës.
Ia sollën
në maje të hundës korrupsioni, krimi i organizuar, vrasjet e pasqaruara, zhvatjet,
kërcënime. “Duhet t’i japim fund kësaj agonie”, me thotë e vendosur. Por është
kundër demonstrimeve në rrugë.
Në letër
do të kërkojë ta emërojnë kryeministre! Ajo e di se dy milion shqiptarë të
Kosovës janë të sigurt se mund ta udhëheqin vendin më mirë, mirëpo s’kanë guxim
të shkruajnë letra në qendra vendimmarrëse. Mu për këtë arsye do t’i shkruaj
ajo.
Me la pa
mend, kur e dëgjova.
-Si mund
ta kërkosh këtë post aq shumë të
lakmuar, -e pyeta jo pa i kapsallitur sytë.
“Asnjë kryeministër nuk është emëruar pa ndihmën e
ambasadorit amerikan e të ambasadorëve të Kuntint. Pa bekimin e tyre s’do t’i
fitonte askush zgjedhjet. Kush e caktoi
kryeministrin e parë? Të dytin a të tretin? Kush e zgjodhi kryeministrin dy mandatorë?
Ambasadori amerikan e ambasadorët e Kuinit. Me votat e qytetarëve kryeministri
dy mandatorë”, me thotë Lulia, “do të rrinte në Drenicën e vet heroike, apo ata
para tij do të shullëheshin në Dukagjinit e trimave me flet. Në vend të
ngrysnin ditët në bezdinë e jetës provinciale, e rregulluan punën më
ndërkombëtar, u dhanë premtime, u betuan se do t’i dëgjojnë si s’ka bërë vaki,
prandaj kënaqën në kryeqytet. Luksit nuk ia dinë kufirin”.
Po nuk e
shkroi letrën një orë e më parë, është e sigurt ajo, e mori lumi shtetin e saj
të pavarur e demokratik në kushtetutë e më ligje që s’i përfillë askush. “Janë
sa për sy e faqe këto shkronja në letër”, më tregon ajo për kushtetutë e për
ligje.
Përpiqem
ta bind se nuk është kaq lehtë, sepse lipsen votat e qytetarëve, lipset ta ketë
një parti të fuqishme. “Pse do të fitonin me zgjedhje këta që janë?” Ma kthen
përgjigjen aty për aty, pa me lënë t’ia tregoj rregullat e demokracisë.
“Edhe
zogjtë e malit e dinë se votat ishin të falsifikuara. Askush s’pret ndryshe as
në votimet e radhës. Por askush nga ambasadorët e nderuar nuk e përmendi këtë
‘episod të pakëndshëm jodemokratik’, më hakërrohet ajo për naivizmin tim
politik.
-Pse i zgjodhën, atëherë, sipas teje, - nuk me
pritej ta mbërtheja.
“Sepse
janë të dëgjueshëm, bashkëpunues, si i thuhet ndryshe gatishmërisë së
politikanit për t’ua bërë qejfin të tjerëve në dëm të qytetarëve të vet”.
-Pse ti
s’do të bëheshe bashkëpunuese?
“Nuk ka
shqiptar nga Merdarja në Morinë, apo nga Tropoja në Konispol që s’do t’i
dëgjonte amerikanët”, ma kthen ajo flakë për flakë. Prandaj, nuk e ka të qartë
pse i zgjodhën pikërisht këta që janë e jo të tjerët. Kjo gjë e habitë heroinën
e Kodrës së Trimave. Ka aq shumë bashkëkombës të saj që s’kanë asnjë njollë në
nderin e tyre, ma thotë ajo më pikëllim, por nuk i morën për të qeverisur
vendin.
Me la pa
mend mprehtësia diplomatike e gocës së Kodrës së Trimave, e cila përsiatë natë
e ditë për çështje kombëtare. Dikur me brejti krimbi i dyshimit.
-Pse ua
kërkon postin e kryeministrit? Të bësh pasuri a pushtet?
E zura
ngushtë. Filloi të belbëzoj si parlamentarët tanë, kur gënjejnë, a zyrtarët kur
i zënë me presh për dore, megjithëse shquhej për oratori që se ka asnjë nga
politikanët tanë. Sipas saj zyrtarët tanë flasin aq keq sa e rrëqethin. Dy
fjali nuk i lidhin bashkë, ndërsa i rren mendja se mund t’i zgjidhin hallet e
atdheut.
Iu kthye
pyetjes sime. Lulia e kërkonte postin e kryeministrit, ma bëri të ditur, që ta
nxjerr vendin e pafat nga balta. Njëqind vjet i ranë në qafë herë Serbia, herë
gjithë Jugosllavia, ndërsa 13 vjet kombi i saj nuk e sheh dritën e diellit nga
qeverisja e keqe. “Edhe sikur të doja aq keq nuk do të dija të qeveris”, me
thotë e indinjuar.
Gati me
bindi, megjithëse nga natyra jam dyshimtar. Mbase ca pasuri do të ve anash për
ditë të zeza? Mbase do ta bëjë një shtëpi më të mirë për prindër, do të blije
një mercedes benz ?!
Nxitoi të
më tregoj se edhe Kreshnikut do t’ia gjej një punë më të sigurt, a ndonjë
biznes të lidhur me qeverinë, sepse fondet në OJQ një ditë mund të shterojnë.
Pararendësit, e saj kryeministra e zhvendosën gjithë fshatin e tyre në
administratën e shtetit, ma thotë ajo, e informuar nga gazetat dhe nga debatet
parlamentare.
Për këtë
arsye dhe për arsye të tjera që i la të nënkuptohen, është e sigurt se
ambasadorja amerikane, më ambasadorët e Kuintit do ta mbështesin.
Do të
bëhet e dëgjueshme si manare. Sepse, duke dëgjuar amerikanët, ajo do të bëhet
njëkohësisht patriote e përflakur. Kush e dëgjon Amerikën e do Kosovën, e do
Shqipërinë me gjithë Çamërinë, ma thotë ajo me patetikë patriotike, ende në
euforinë e 28 Nëntorit.
I do vijat e prera Lulia me fundin e lumtur si në filmat e Holivudit.