Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Të shpallën të jashtëligjshëm “nacionalçlirimtarët” si nazistët!
E premte, 10.08.2012, 06:09 PM
Të shpallën
të jashtëligjshëm “nacionalçlirimtarët” si nazistët!
Nga Gani Mehmetaj
Historia
e re shqiptare duhet të përmbyset. Është shkruar mbrapshtë dhe më shumë shpifje.
Heroizmat dhe betejat janë imagjinuar për të krijuar kapital pushteti dhe shkas
që të ndiqen kundërshtarët politik. Nuk e luftonin “nacionalçlirimtarët” armikun
historik e real, por e bënë armikun brenda kombit për t’ia bërë qejfin Serbisë e
Rusisë, armiqve më të egër të kombit tonë.
Djajtë e
deridjeshëm, koha i nxori engjëj, madje martirë të kombit. Ndërsa engjëjt e
propaganduar nga regjimi më i egër në Evropë, ai i Enver Hoxhës, nuk ishin asgjë
tjetër pos hordhi mizore që bënë masakra të papara kundër bashkëkombësve, duke
ia lehtësuar punën armikut. Më tërbimin
e tyre histerik ata e lanë kombin pa kokë. Zhdukën, burgosën apo torturuan
mizorisht aristokracinë vendëse e nacionalistët. “Nacionalçlirimtarët’ një herë
filluan me aristokracinë e nacionalistët në jug të atdheut për të vazhduar më mizori
kundër aristokracisë, nacionalistëve e klerit katolik të veri të vendit. Nuk bënë
asnjë dallim, përveç faktit që veriu u bëri rezistencë më të madhe, meqë e
shihnin se çfarë i pret nga permutacioni komunist serbo-shqiptar. Ploja e
hakmarrja e “nacionalçlirimtarëve” kundër popullatës shqiptare ishte e
tmerrshme. Kombet e tjera as që i prekën. Për masakrat ndaj shqiptarëve e patën
ndihmën e pakursyer të serbëve e malazezëve.
Hordhitë e
“nacionalçlirimtarëve” në vend të mbronin nga gjenocidi shqiptarët çam në jug të
Shqipërisë, ata ku e ku pushkatuan krerë çam, për t’ua bërë qefin grekëve; në vend
t’u dilnin krah shqiptarëve të Kosovës, në veri të Shqipërisë, ata morën pjesë në
masakrimin e shqiptarëve, ose panë me indiferencë se si pushkatoheshin bashkëkombësit
e tyre nga “nacionalçlirimtarët” serbë e malazezë. Nuk bënë asgjë ta pengonin
djegien e Kosovës e territoret etnike, nuk e ngritën zërin kur dëboheshin nga
trojet e tyre mbi 250 mijë shqiptar. Këta ishin partizanët e “nacionalçlirimtares”
- një hordhi mizore, më e egra që ka njohur historia kombëtare, pas serbëve e
grekëve. Ishin partizanë shqiptarë apo serbë, një gjuhë e kishin: mizorinë,
dinakërinë dhe urrejtjen patologjike ndaj shqiptarizmit. Prandaj shqiptarët pësuan
më së shumti në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore jo nga nazizmi por nga
komunizmi serbo-shqiptar. Në emër të kinse luftimit të nazizmit dhe të “tradhtarëve
të vendit” ata bënë terror, duke e zgjatur sundimin e tyre afër pesëdhjetë vjet,
krijuan breza internacionalistësh, përkatësisht antikombëtarësh në të gjitha
fushat e dijes që e luftonin nacionalizmin më një egërsi të paparë. Pjellë e kësaj
ideologjie janë edhe historianët dhe politikanët që mbrojnë krimet e “nacionalçlirimtarëve”, duke këmbëngulur
t’u jepet vlerësim pozitiv.
Derisa
nazizmi përgjaku Evropën si rrallë ndonjë ideologji tjetër, komunizmi me “nacionalçlirimtarët”
e dëmtuan dhjetë fish më shumë kombin shqiptarë se sa nazizmi dhe fashizmi së bashku.
Derisa nazizmin dhe fashizmin në gjithë Evropën Perëndimore i nxorën jashtë ligjit,
komunizmi vazhdoi të sundoj egërsisht kohë të gjatë në Lindje dhe ndër shqiptarët.
Edhe kur ra nga pushteti diktatura e “nacionalçlirimtarëve”, ideologët dhe
historianët e komunizmit vazhduan ta ngrehin në qiell luftën e tyre për pushtet
dhe betejat kundër pushtuesve gjerman, që kurrë nuk i bënë. Nazizmi u shpall i
jashtëligjshëm, komunizmi duhet të shpallët me ligj patjetër ideologji
kriminale, ndërsa ata që e madhërojnë të trajtohen si ideologët e nazizmit.
Nazizmi
dhe komunizmi të së njëjtës fe janë, pse të mos e kenë të njëjtin fat. Hordhitë
partizane duhet të vlerësohen ashtu sikurse u vlerësuan hordhitë naziste,
mizore, kriminale dhe të tmerrshme për njerëzimin. Ne kemi arsye më të madhe se
sa të gjitha kombet e tjera t’i shpallim antikombëtare hordhitë partizane,
sepse në periudhën e sundimit të tyre u gjymtua kombi dhe u copëtua atdheu i
shqiptarëve.
Është ironi
kur disa nga personalitetet më të famshme të asaj kohe, nga ideologët e “nacionalçlirimtares”
akuzohen për kinse bashkëpunim më nazizmin, ndërsa dihet se të akuzuarit jetuan
në vendet demokratike, ku nazizmi ishte gjykuar. Pra sikur të ishin kolaboracionist
do të dëboheshin apo do të dënoheshin. Përkundrazi patën trajtim të mirë, sepse
ishin të persekutuar nga ideologjia më antishqiptare: komunizmi dhe “nacionalçlirimtarët”.
Është e
habitshme që edhe pas gjashtëdhjetë vjetësh - lufta kriminale e “nacionalçlirimtarëve”
shqiptarë e jugosllavë, vazhdon të trajtohet në të njëjtën mënyrë dhe nga të njëjtët
njerëz, ose nga pinjollët e tyre.
Duke i
ditur këto fakte, duke e ditur se “nacionalçlirimtarët” shqiptar ishin bashkëpunëtorë
e vegël të armikut më të egër të shqiptarëve-serbëve
e rusëve, është e habitshme se si historianët e majtë, Pëllumb Xhufi, Paskal
Milo, e ndonjë tjetër vazhdojnë të këmbëngulin se partizanët ishin çlirimtarë,
kurse nacionalistët tradhtar! Këta historianë dhe ndonjë historian tjetër
vazhdojnë ta trajtojnë Serbinë e Jugosllavinë si aleate të shqiptarëve, një absurd
që s’ta kap mendja e shëndosh. Të duket e pakuptim se si historianët e majtë shumica
e tyre me prejardhje nga jugu (ku partizanët bënë krime të shëmtuara) mbrojnë edhe
më tutje hordhitë partizane, duke ua dhënë epitetet “nacionalçlirimtarë”. Ndikimi
serb tek ta është aq i madh sa nuk u shqitet nga truri edhe pas kaq shumë kohësh,
kur harta ballkanike ka pësuar ndryshime të mëdha.
Skandalizohesh
kur lexon tekstet e këtyre historianëve për klerin katolik. Të duket sikur të ishe
në zenitin e pushtetit të Enver Hoxhës. Të duket jashtë kohe apo anakronik vlerësimi
për luftën e “nacionalçlirimtarëve” nga Paskal Milo. Ai shkruan e debaton në medie,
si të ishte zëdhënës i Komitetit Qendror të PPSH-së. Nxjerr ndonjë copë letre
para ekranit dhe thotë triumfalisht, ja, dokumenti-deklarata se aksh
nacionalisti donte të bashkëpunonte me nazizmin, ndërkaq nuk i përmend një mal
dokumentesh e librash për bashkëpunimin
kriminal në mes të komunistëve të Enver Hoxhës me jugosllavët për zhbërjen e
shqiptarëve. Vërtetë të jenë kaq të verbër? Mbase edhe më tutje për ta, serbët
e rusët janë vëllezër me të cilët luftuan krah për krah për një kauzë të përbashkët
-të zhbijnë shqiptarizmin.
Prej nga
buron urrejtja e këtyre historianëve dhe e frymëzuesit të tyre Enver Hoxha kundër
klerit katolik shqiptar dhe Vatikanit? E ndoqën shembullin e vëllezërve të tyre
serb! Serbët e patën ndërtuar strategjinë e hegjemonisë duke e kriminalizuar
klerin katolik kroat dhe Vatikanin, për kinse bashkëpunim me okupatorin, sepse
kleri e mbështeste shtetin e pavarur kroat. Për të shuar këtë gjakim u vranë më
mijëra nacionalist kroat dhe qindra priftërinj katolik. Të njëjtën gjë e bënë komunistët
shqiptar kundër klerit katolik. Klerikët shqiptar mbështesnin Shqipërinë etnike,
jepnin kushtrimin për aleancën antishqiptare të komunistëve me Jugosllavinë e
Rusinë. Por këtë gjë e paguan me kokë, apo me tortura të tmerrshme. Kleri
katolik ndihmoi nacionalistët shqiptarë të ndërtonin strategjinë e shtetit
shqiptar jashtë ndikimeve serbe e ruse, duke e kthyer sërish nga Perëndimi.