Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Trimat partizanë dhe armiqtë frikacakë
E hene, 16.07.2012, 04:59 PM
Inserte
nga lufta “nacionalçlirimtare”
Trimat partizanë dhe armiqtë frikacakë
Rrëfimi për tre ushtarë gjermanë me një motoçikletë trerrotëshe që i ranë trup e tërthor Ballkanit pa shkrep asnjë plumb.
Nga Gani MEHMETAJ
Kur hynë trupat
naziste në Jugosllavi, u prinin tre ushtarë me një motoçikletë tre rrotëshe. Nga
Maribori i Sllovenisë deri në Gjevgjeli të Maqedonisë nuk hasën asnjë rezistencë.
Motoçikleta gjermane me tre ushtarët e Fuhrerit, u end nëpër gjithë Jugosllavinë
pa i dal kush në rrugë. Dëshmitarët thonë se e njëjta motoçikletë, madje edhe të
njëjtët ushtarë u panë nëpër qytetet e Kosovës. Komunistët jugosllav aso kohe
ishin fshehur në vrimë të miut, sepse të kruheshin me gjermanë, s’ua mbante: nuk
ishin aq budallenj sa mendonin të tjerët. Në Kosovë s’kishte komunistë shqiptar,
më vonë erdhën nga Tirana e Elbasani.
Ushtria
jugosllave u shpartallua nga gjermanët si kështjellë kartuçi pa shkrep asnjë plumb
dhe pa asnjë rezistencë.
Të vetmen
rezistencë ndaj gjermanëve e bënë shqiptarët e Llapit, në kufi me Serbinë, duke
e hutuar pararojën dhe duke e detyruar ushtrinë gjermane të zhvillonte një betejë
të ashpër kundër fshatarëve llapjanë. Vetëm disa orë më vonë u mor vesh se
lufta bëhej gabimisht: llapjanët nga frika mos erdhën serbët të bëjnë masakra në
Llap bënë luftë të ashpër, ndërsa gjermanët menduan se këtu e kishin përqendruar
rezistencën ushtarët jugosllavë, meqë ecën njëmijë kilometra dhe nuk hasën asnjë
kundërvënie. Disi u morën vesh për këtë luftë të gabuar, megjithëse thonë se
delegacioni i llapjanëve e fajësonte ushtrinë gjermane pse hyri në kufi me
Kosovën pa paralajmërim. “Menduam që jeni shki, prandaj ua kthyem pushkët, se, për gjermanë, urdhëroni si në shtëpinë tuaj”,
u paska thënë përfaqësuesi llapjanë që dinte gjermanisht.
Tre
ushtarët proverbial gjermanë, për t’ua kënaqur zemrën shqiptarëve të Kosovës
kishin vënë para mbi njëmijë ushtarë jugosllavë dhe u grahnin si barinjtë lopëve.
Ajo që i habiste katundarët nuk qe disfata jugosllave, sepse gjermanit atëbotë s’i
rezistonte askush, por aftësia e këtyre ushtarëve t’u grahnin gjithë asaj
ushtrie jugosllave pa asnjë vështirësi. Lopçarët vendës s’mund t’u grahnin njëqind
lopëve me tre veta, ndërsa gjermanët e kishin vënë para kopenë e pafund të ushtarëve
jugosllavë dhe i drejtonin si të donin, pa asnjë shmangie nga xhadeja. “Ju lumtë,
po të zot janë”, habiteshin katundarët me aftësitë për t’i grahur kopesë së ushtarëve
jugosllavë.
Tre
ushtarët me “trerrotëshin” pasi
kapitulloi Italia fashiste, hynë në Shqipërinë londineze, duke bredhur si nëpër
Jugosllavi, nga Qafë Prushi deri në Konispol. Dhe prapë nuk hasën në rezistencë,
pos nëse u doli aksidentalisht ndonjë grup cubash t’ua merrnin gomat e kamionëve
për opinga!
Kjo është
kaptina e parë e luftës së trimave partizanë kundër frikacakëve gjerman në Jugosllavi dhe në Shqipëri.
Besoj se gjendja s’ishte ndryshe as në Greqi. Në vazhdim situata ndryshoi. Grupimet
partizane, të cytura dhe të dirigjuara nga instruktorët jugosllavë- serbë,
filluan të nxjerrin kokën nga nëntoka si urithi. Një herë e hoqën qafe njëri-tjetrin,
pra luftë brenda llojit, pastaj filluan të bëjnë atentate kundër bashkëkombësve
të tyre kundërshtarë politik, e tepër rrallë të kruhen më ndonjë nëpunës
gjerman. Nëpër fshatra të Toskërisë vepronin më ndryshe: atje e shkrepnin ndonjë
plumb sa për të cytur mllefin e ushtrisë naziste, sepse qëllimi nuk ishte të luftonin
kundër gjermanëve: miu kundër luanit s’mund të luftonte, por për të nxitur
masakra. Se a vriten dhjetë, njëqind apo njëmijë të pafajshëm, trimave partizanë
aq u bënte. Të vrarit ishin shqiptarë, ndërsa punëdhënësit e tyre serb atë qëllim
kishin, të vriten në mes veti sa më shumë shqiptarë.
Trimat
partizanë edhe në vazhdim u shquan për “tërheqje taktike”.
“Gati na
doli shpirti, duke ikur gjithë kohën. Mbathja ditën, mbathja natën, kurrë nuk
ngulëm këmbë diku”, tregojnë ushtarët e gjorë partizanë shumë vjet më vonë. Trimat
partizanë nuk paraqitën asnjë rrezik për tre ushtarët gjermanë, që thuhet se
vazhdonin të bridhnin gjithandej nëpër Gadishull pa iu trembur syri. Nuk frikësoheshin
as nga trimat partizan të Mugoshes e Miladinit maleve shqiptare.
Historianët
e dinë fare mirë këtë gjë, e dinë edhe ata që u bënë copa të dëshmojnë se
partizanët zhvilluan beteja, lufta, hapen fronte, ofensiva etj. Por betejat u bënë
shumë më vonë: në filmat partizanë, në ditarët e stisur të luftës, në kujtime,
në dokumentarët e porositur, ku komisarët e komandantët rrëfenin bëma që as në
ëndërr s’i kishin pa. Kush do t’u thoshte se gënjejnë?
Trimat
partizanë në Shqipëri, Jugosllavi e Greqi nuk zhvilluan asnjë betejë, që mund
ta shënonte historia, me gjithë simpatinë që gëzojnë “nacionalçlirimtarët” në korpusin
e historianëve shqiptarë andej dhe këndej kufirit. Asnjë përpjekje, asnjë nishan
dhe asnjë rezistencë nuk e bënë gjatë gjithë kohës sa qëndruan trupat naziste në
Ballkan. Historianët përpiqen të na bindin se kishte më mijëra partizanë nëpër
male, por kur binte bora zbrisnin nëpër shtëpitë e tyre, apo u binin në qafë fshatarëve
dhe zhdëpeshin me mish të terur e fasule të ngrohtë. Prapë kur dilte pranvera
dilnin si cubat nëpër male dhe e ndiqnin armikun si dhelpra dashin nga
distanca, duke mos e provokuar asnjëherë.
Merita e
dëbimit të trupave naziste ishte e aleatëve, sa për partizanët shqiptarë,
jugosllavë e grek, gjermanët do të rrinin për jetë e mot nëpër këto vende.
Në fund
te luftës, kur trimat partizanë panë se armiku është duke u tërhequr, atëherë mobilizuan
dhunshëm më mijëra fshatarë dhe iu qepen prapa. Të mobilizuarit në çetat partizane
tregojnë se as në atë gjendje të disfatës naziste, partizanët s’patën forcën
dhe guximin të zhvillonin ndonjë betejë. “U shkonim prapa, më frikë se mos na
ktheheshin dhe na bëjnë fërtele. Por ata vazhdonin tutje. Vetëm kur ne e zvogëlonim
distancën, atëherë gjermanët na ktheheshin me një breshëri artilerie, apo me një
sulm të shpejt sa na bënin pikë e pesë. Na përvëlonin, prandaj nuk e njihte
qeni të zonë. Gjysma e partizanëve nuk ktheheshin më, merrnin arratinë. Dhe
nazistët gjerman sërish vazhdonin rrugëtimin e tyre. Ata nxitonin të shkonin në
vendin e tyre, ne shpresonim t’ua merrnim armët, kur t’i fërfëllonin nga dëshpërimi”,
më ka treguar një i afërm, ish partizan.
“Me
gjermanin kurrë nuk jemi ndeshur ballazi, kurrë nuk kemi zhvilluar ndonjë betejë
një vjet e gjysmë sa isha në Brigadën e tretë. Ndonjëherë u dilnim në pritë furnizimeve,
por ushtarëve të mirëfilltë asnjëherë. I sertë ishte gjermani”, rrëfente trimëritë
e bashkëluftëtarëve të vet, bashkëvendësi tjetër imi.
Po lufta
e trimave partizanë, kundër nazistëve frikacakë që e shohim nëpër filmat
jugosllavë e shqiptarë, si i thuhet? Ishte pjellë e kineastëve gënjeshtarë,
sepse vetëm në filmat e budallenjve një partizanë mund të vrasë dhjetë gjermanë,
apo të shpartallojë ushtrinë gjermane.
Partizanët
kurrë nuk ishin as trima dhe as të fisëm, më tregon tjetri që po ashtu ishte në
ushtrinë e tyre mbi një vjet. Vinin nga fshati të rekrutuar dhunshëm, pa asnjë ideal,
apo iknin nga qyteti, ku s’bënin asnjë punë, pos kishin jetuar në kurriz të familjes.
Partizanët vuanin nga morrat, pisllëku, sëmundjet venerike, ishin të vrazhdë,
fshatarë të pagdhendur, apo qytetarë të pa fisëm e të pa nivel arsimimi, punëtorë
përtac, finok si hajdutë pulash. E pushkatonin njëri-tjetrin për një fjalë goje,
i frikësoheshin komisarëve sikur ne oficerëve të shkive në ish-Jugosllavi, e
spiunonte secili secilin dhe s’dihej kujt i besonin e në ke dyshonin. Nga një ushtri
e tillë laragane pa asnjë ideal, pa asnjë
disiplinë apo fisnikëri ushtarake, s’kishe s’i prisje më shumë.
Masakra e
trimave partizanë (jugosllav e shqiptar) kundër popullatës shqiptare në Kosovë e
Shqipëri dhe në territor etnike shqiptare është kaptinë e veçantë, tepët
tragjike që të harrohet apo t’u falet kriminelëve e nipërve të tyre...
*
... Motoçikleta
tre rroteshe gjermane, që hyri në kufirin e ish-Jugosllavisë (Maribor) me 13
prill 1941, u kthye sërish në Gjermani nëpër të njëjtën rrugë pa asnjë gërvishtje,
kur kapitulloi Gjermania naziste nga presioni i aleatëve. Por mungonin dy
ushtar, të cilët i kishin dërguar në frontin e Lindjes.
Trimat
partizanë e shihnin nga monopatet motoçikletën trerroteshe dhe s’kishin guxim
ta sulmonin as tash kur ishin dy ushtar më pak...