Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Heshtja e frikshme e intelektualëve të Kosovës
E merkure, 26.12.2012, 09:45 PM
Sinjale
Heshtja e frikshme e intelektualëve të Kosovës
Censura bënë hatanë në librat shkollorë: histori, letërsi, gjeografi, muzikë etj. duke e pastruar nga fryma kombëtare, kurse elita intelektuale e krijuese heshtë si të mos ndodhte asgjë.
Nga Gani MEHMETAJ
Pas
shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 në Prishtinë dhe në të gjitha
qytetet e Kosovës, filloi një agresion i furishëm ushtarak, policor dhe
propagandistik i cytur nga Beogradi. Krahas gjendjes së jashtëzakonshme, u
përmbys struktura qeverisëse lokale. Goditjen më të madhe e pësoi sistemi
arsimor. U ndaluan qindra tituj librash. Me urdhër të Beogradit u formuan
Komisione për ndryshimin e teksteve të historisë, të letërsisë, muzikës,
gjeografisë dhe gjithë asaj që ishte superstruktura shpirtërore e kombit
shqiptar. Elita intelektuale, megjithëse në qendër të sulmeve e të arrestimeve,
iu kundërvu me dinjitet këtyre sulmeve. Denoncoi censurën në libra shkollorë.
Historia
na përsëritet. Kohë më parë doli në medie se Komisioni (lexo censura për fshirjen
e kujtesës kombëtare) në fshehtësi përbetimi paska bërë pastrimin e frymës
shqiptare në tekstet shkollore të historisë, gjeografisë, të letërsisë, muzikës
dhe gjithë asaj që quhet shpirti i kombit.
Sa prej këtyre anëtarëve të Komisionit për pastrimin e librave nga fryma
kombëtare ishin edhe në Komisionin e dikurshëm të caktuar nga Beogradi?
Nëse
pranohet një diversioni i tillë antikombëtar, fëmijët tonë do të dalin ca
surrogat pa kujtesë shqiptare dhe pa dinjitet kombëtar. Okupatorin e dikurshëm
do ta quajnë çlirimtarë, armikun- mik. Gjenocidi do të cilësohet zhvendosje e
shqiptarëve. Si në romanet e Oruellt “Ferma e kafshëve dhe “1984” Kështu, kanë
propozuar komisarët për historinë tonë kombëtare.
Kështu ka
kërkuar Ankaraja! Çfarë duhet të heqin e çfarë të lënë në librat shkollor ua
paska dhënë Ambasada Turke, ashtu si Beogradi dikur, kur ua dorëzonte vërejtjet
me shkrim, komisioneve të ndryshme. Sërish po bëhet fshirja e kujtesës
kombëtare, veprimi më antikombëtar në mileniumin e tretë.
Po elita
intelektuale: shkrimtarë, artistë, gazetarët, historianë, mjekë, inxhinierë,
arkitekt, ku janë? Ku mbeten ata që e
bënë shtetin e Kosovës, duke punuar e sakrifikuar disa dhjetëvjetëshe? Si është
e mundur që ata dikur kundërshtonin veprimet e tilla antikombëtare me gjithë
rrezikun e burgosjes e zhdukjes fizike, ndërsa sot në shtetin e pavarur
heshtin? Heshtja e tyre është e
frikshme!
Intelektualët
janë eliminuar tërësisht nga jeta publike, politike dhe artistike. S’ka asnjë
emër për be në krye të institucioneve. Menjëherë pas luftës disa i vranë,
ndërsa vrasësit nuk i gjetën kurrë. Të tjerët i kërcënuan. Prapë kërcënuesit
nuk u zbuluan kurrë. Të tretët i hoqën më lojëra të pista nga institucionet e
jeta publike. Ndërsa pjesa më e madhe e intelektualëve zgjodhën heshtjen.
Arsyet e heshtjes i dinë të gjithë, por nuk i thonë.
Në
mungesë të zërit opozitarë të intelektualëve, shkrimtarëve, gazetarëve dhe
artistëve, censura bënë punën e pistë nëpër libra shkollorë të historisë,
letërsisë, gjeografisë, muzikës etj me direktivë të një shteti tjetër. Dhe
askush nuk kundërshton. Një heshtje domethënëse kjo. Po Komisionet e partive
opozitare, ku janë? Mbase bëjnë kalkulimet e mundshme për koalicion, prandaj
nuk duan t’ia prishin këtij komisioni antikombëtar.
“Po halli
i fëmijëve tanë?”, më pyeti mbrëmë një intelektual i ri, shumë i shqetësuar me
këtë informacion, “do të kalojë nëpër procedura parlamentare kjo censurë, apo
është punë e kryer?”, shtronte mëdyshjet i riu nga Prishtina. Rrudha me supe.
Dhe
vërtet nëse e lëmë në heshtje, fëmijët tanë do të mësojmë histori, letërsi,
muzikë dhe gjeografi surrogato, sipas direktivave të shteteve aziatike e jo si
ishte e kaluara. Kjo gjë duhet të varet nga ne e jo nga një shtet tjetër.
Dikur
shtresën e caktuar të kuazi intelektualëve, si puna e këtij komisioni, bie
fjala, pushtuesi serb i paguante edhe në shëtitë turistike: nga hotelet luksoze
të Beogradit e deri të vilat qeveritare nëpër bregdet. Të njëjtën gjë po e
bëjnë edhe shoqatat turke e firmat me veprimtari të dyshimtë, duke i shpërblyer
me pushime vjetore në Mesdhe. Edhe Komisioni që pastroi librat shkollor nga
përmbajtja kombëtare, sikur nuk ka mbetur keq.
Keq do të
mbeten fëmijët tonë, nëse mësojnë sipas direktivave të te huajve.