Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Lulia në 100-vjetorin e pavarësisë
E marte, 04.12.2012, 07:58 PM
Aventurat
e Lulisë
Lulia në 100-vjetorin e pavarësisë
Nga Gani MEHMETAJ
Lulia u
dogj flakë nga zjarri kuq e zi. Shtatë ditë e shtatë net s’reshtej se festuari
nga Tivari deri në Prevez dhe nga Shkupi deri në Podgoricë, më tregoi ajo, meqë
isha në një udhëtim jashtë vendit dhe s’mora pjesë në këto festime patriotike.
Festohej gjithandej, ndërsa ajo nuk vendoste dot nga t’ia mbante: në
kryeqytetin e shqiptarëve- Shkupin, ku tundej populli nga festimet; apo të
rrinte në Prishtinë, ku paralajmëroheshin mbrëmje deri në agim më këngë e valle
që s’mbaheshin në mend as në kohën kur u shpall pavarësia e Kosovës. Të nisej
magjistrales së sapo çelur dhe të shkrihej me turmën në kryeqytetin e
Shqipërisë-Tiranën, i dukej sikur po i braktisë shoqet e saja në Preshevë e
Ulqin. Të rrinte dhe të shihte si festonin të tjerët, ishte punë që s’bëhej,
ajo s’donte të ishte figurant, përkundrazi, ajo donte të bëhej pjesë e
historisë! Ajo s’do të vonohej për mall të dynjasë. Isa Boletinin e penguan armiqtë, por atë s’do ta
pengonte asnjëri.
Gjithë
natën se zu gjumi: rrotullohej në shtrat, trurin e saj të trazuar e bombardonin
imazhet se si do të dukej hapësira shqiptare ato ditë. I peshonte gjërat, ashtu
sikurse dinte vetëm ajo. Dhe prapë e fillonte nga e para, pa vendosur asgjë.
Ndërkaq, heroina jonë kuq e zi ishte e njohur për vendime të shpejta e të
palëkundura. Sepse, mendonte ajo, po të rrinte në mëdyshje sikurse shoqja e saj
Zana nga Prishtina, apo Sidorela nga Tirana, s’do bënte gjë tjetër, pos do të
ngrysej e gdhihej duke vajtuar fatin e keq, a vulgun që s’na lënë të qetë.
Kështu, s’do të shkelte sërish sikurse Isa Boletini para njëqind vjetësh në
kalldrëmin e Shkupit, s’do të kalonte ballëhapur nëpër Sheshin “Ibrahim Rugova”
me ndonjë mundësi të lëndonte thembrat në gropat e trotuarit ende të pashtruar
të Sheshit të kryeqytetit të dardanëve. Madje s’do të merrte udhë nëpër
magjistralen e kombit që ta shijonte peizazhin e mrekullueshëm shqiptar. Do
t’ia mbërthente sytë televizorit duke i shikuar të tjerët se si kënaqeshin në
gjithë hapësirën shqiptare, e në Diasporë nga Londra në Nju-Jork. Të shikosh në
televizor dhe të shikosh më sytë tuaj gjithë ato bukuri nuk ishte e njëjta gjë,
përpiqej të më bindte ajo.
Në të
gdhirë ajo e vendosi.
“Shkupin
nuk e lë pa e shëtitur kryq e tërthorë, sikur edhe bota të përmbysej”, ma
pranoi ajo vendimin e prerë. Gati sa s’u shkri nga kënaqësia. S’do t’ia falte
vetës për jetë e mot sikur mos të tundej një ditë e një natë në euforinë e
përgjithshme. Qau me lot kur i shihte gjithë ata shqiptarë që ishin mbledhur në
sallën e madhe dhe dëgjonin këngë e llafe, por që e bënin të ngrihej pezull nga
euforia patriotike: u bashkuan gjitha territoret etnike për një mbrëmje, u
shpall Shkupi sërish kryeqytet i Shqipërisë, ashtu sikurse ishte para njëqind
vjetësh, u bë nami. Qyteti shqiptar atë mbrëmje dhe ditën në vijim frymonte
vetëm shqip nëpër të gjitha rrugët e rrugicat, trotuaret e në Sheshin
Skënderbeu.
Kurrë si
kishte shkuar mendja Lulisë që kishte aq shumë shqiptarë në qytetin buzë
Vardarit dhe Kalasë së vjetër ilire. Kurrë nuk kishte menduar që bashkëkombësit
e saj deri dje të përgjumur në misticizmin absurd ishin aq të flakët për kombin
dhe për bashkimin kombëtar.
“Ata po
digjeshin”, me tha pas ca ditësh, “ata ishin më patriotë se gjithë të tjerët”.
Ajo turpërohej që i kishte vlerësuar gabim para disa kohësh. Po qe nevoja do
t’u kërkonte falje. Vetëm ta mbajnë këtë dashuri për kombin e për flamurin, të
mos përziejnë flamuj të tjerë, me tha ajo në mirëbesim. Mirë bënë që dolën nga
Tetova provinciale dhe e rikthyen Shkupin, sepse Tetovën s’ua merr askush. Dhe
për këtë ishte e sigurt që ata më s’do të lajthisnin. Kombin s’do ta këmbenin
më asgjë, as sot, as në mot, filloi ajo të më deklamonte fjali patriotike. Por
pastaj me tregoi edhe vërejtjet e shkupjanëve. “Na patet braktis si zogjtë e
qyqes”, i tha me mllef sërish Melka, kur Lulisë i shpëtoi habia me patriotizmin
kuq e zi të shkupjanëve. “Na latë në mëshirën e qeveritarëve e të beduinëve,
thua se ne jemi zorrë qorre dhe s’hyjmë në punë për asgjë”, vazhdonte Melka e
lënduar nga harresa jonë. “Mirë që ua kujtuat, sepse na u mbush mendja top se
mos keni bërë marrëveshje të fshehtë më sllavët”, vazhdoi ajo, ndërsa Lulia për
t’ia ndërprerë mllefin, sepse kishte droje që ajo do ta prishte atmosferën e
festës, ia nisi këngës ‘Xhamadani vija, vija”. Mikja e saj shkupjane e harroi
mllefin dhe u shkri në festimet me turmën.
Nuk donte
të bisedonte për politikanë e politikën, madje as për burrështetasit që morën
pjesë në festimet e Shkupit, sepse druante se do ta akuzonin për të tillë apo
për të atillë. Sidomos nuk donte të gërricej me tironsen Sodorela që s’linte ke
pa e sharë, sepse menjëherë do t’i thoshte “ju kosovarët jeni përcaktuar për
një njeri dhe s’ka kush ua heq nga koka”.
Prandaj
ajo më foli vetëm për gëzimin e paskajshëm gjatë festimeve në Shkup. Mos u
harroftë kjo festë...