Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Jemi dele a shqiponja?
E premte, 15.02.2013, 08:05 PM
Lulia në Luginën e Preshevës
Jemi dele a shqiponja?
Kishte diçka nga fryma revolucionare, paksa frikësuese në mllefin e saj kundër qeveritarëve të paskrupuj e opozitarëve të mefshtë, sikurse u thotë ajo, por kishte kushtrim stërgjyshor për problemet e Kosovës lindore, apo Luginën e Preshevës.
Nga Gani MEHMETAJ
Nuk e
kuptonte pështjellimin e krijuar në Kosovë e gjithandej territoreve shqiptare,
nuk e dinte as si të sillet ndaj
zhvillimeve të reja, të cilat e shkelnin njëra tjetrën si reja- renë, ndërsa
Lulia i ndjek e hutuar këto pështjellime, pa e kapur thelbin e problemit. “Jemi
në ëndërr apo zgjuar? Tallen me ne apo e kanë më gjithë mend? Duhet t’i lëmë të
flasin në emër tonë edhe më, apo duhet t’u dalim ndesh?”, shtron pyetje, por
nuk jep përgjigje heroina e Kodrës së Trimave.
Simboli
ynë kombëtar është shqiponja, ma kujton ajo më mburrje totemin tonë, por
sillemi si delet, ma përplas në fytyrë mllefin e akumuluar. Armiqtë shekullor i
bartëm mbi supe më shumë se kushdo tjetër, sepse arsyetuam, s’patëm aleatë,
s’patëm fuqi t’u kundërvihemi, por qeverisjes së keqe, kush na pengon t’i dalim
në rrugë? Pse i durojmë? Me hakërrohet e skuqur në fytyrë si të ishte para
foltores së Kuvendit të Kosovës, ku për këto gjëra nuk flitet fare, më shumë
debatohet me zjarrmi partiake: ma bëre me hile, ta pata me të pabesë, duke mos
u përmendur fare se kombi i traumatizuar është molepsur nga qeverisja e keqe.
Kishte
diçka nga fryma revolucionare, paksa frikësuese në mllefin e saj kundër
qeveritarëve të paskrupuj e opozitarëve të mefshtë, sikurse u thotë ajo, por
kishte kushtrim stërgjyshor për problemet e Kosovës lindore, apo Luginën e
Preshevës sikurse i thonë me terminologjinë ushtarake, sepse territoret tona
gjithë herë ishin territore strategjike, ma sqaronte ajo konceptin e politikës
afatgjate. Më la të hutuar. Mendoja se ajo është paqësore dhe, do të
këmbëngulte në dialogun demokratik edhe kur s’ka asnjë shenj në horizont për
demokraci e mirëkuptim.
Për të
mos me lënë gojëhapur si të shikoja fantazmën, ajo fillon ti numëroj të zezat
që e kanë kapluar shtetin e saj të pavarur e demokratik, të gatshëm të hyjnë në
mënyrë klandestine në NATO e BE, po i lejuan, megjithëse do ta bënin rrëmujë
Evropën ashtu si e bënë Kosovën, është e sigurt ajo si një e një që bëjnë dy.
Evropianët këmbëngulën në këta qeveritarë- ua pafshin “hajrin”- sepse ne vetëm
sherrin po ua shohim, me thotë ajo me një lloj hakmarrje. Ne nuk i duam, por
askush s’na pyeti. Dështimit i thonë sukses, lapërdharit, shenjtor, frikacakut,
hero, hajdutit, qeveritar, të padijshmit, gjeni e kështu me radhë, skicon ajo të
parët e institucioneve të shtetit të pavarur e demokratik. Fryma shkretane,
sipas saj, i ka ngulfatur institucionet. S’ka zhvillim ekonomik, s’ka të ardhme
për të rinjtë, mungon drejtësia, varfëria
kulturore është bërë buka jonë e përditshme, që o Zot, mos na e fal më
të tillë çfarë është, mu bë se lutej ajo si para shenjtorëve. Kur i shikon politikanët tonë, të qeshur e të
lumtur, po të mos e dinte realitetin ajo, do të mashtrohej keqas, do t’i
shkonte mendja se Kosova është kopsht më lule, ashtu sikurse deklaronte dikur
diktatori shqiptar, frymëzues i këtyre qeveritarëve.
Dhe sikur
nuk mjaftonte kjo gjendje për faqe të zezë, më tregon ajo me tone të zymta,
këto ditë të bukura shkurti me diell, pjesë të atdheut të saj vuajnë nga këmba
e okupatorit serb, kurse ajo s’ka fuqi t’i ndalë zullumqarët dhe as t’u dal në
ndihmë bashkëkombësve në hall. Vuajnë bashkëkombësit e saj jashtë kufirit,
vuajnë edhe bashkëkombësit për bukën e gojës brenda kufijve; sa s’plasi nga
inati ajo, sepse klasa politike ka grumbulluar pasuri e thesare si diktatorët e
shteteve islamike, prej nga e kanë frymëzimin. Të zënë me këtë pasuri atyre as
që u bie ndër mend për preshevarët të cilët përpëliten nën hijen e tankeve të
Serbisë,. Në vend t’i ndihmojnë, qeveritarët tanë, ku e ku i fyejnë për kinse
burracakëri, i nënçmojnë për gjoja paaftësi, ndërsa vet qeveritarët e Lulisë
rrinë këmbë e kryq me Daçiçin, të birin e Milosheviçit, duke ua bërë me dije
preshevarëve se duhet të dorëzohen para dhunës serbe, ta pranojnë okupimin dhe,
të rrinë urtë e butë si delet, në torishtë, mënyrë që të mos ua prishin
miqësinë më vëllezërit serb.
Nga
mllefi i akumuluar, Lulinë sikur e ka bjerrë frika nga ish-diasporistët që e
morën pushtetin në atdheun e saj të pavarur e demokratik.
Heroina e
Llapit druan mos po i ndodh Luginës së Preshevës sikurse Sanxhakut më Pazarin e
Ri para disa vjetësh. Protestuan popullata e Sanxhakut kundër okupimit serb,
paralajmëruan madje edhe kryengritje për t’u çliruar, por ne atëbotë ndenjëm
duarkryq, i shpërfillem, megjithëse ishin gjaku ynë paksa i përzier apo i
trazuar. Në mungesën tonë të pafalshme, ja ku doli diplomacia turke, duke i
garantuar Serbisë se do t’i paqësoj. Se çka u tha, se çka u bëri të parëve të
“kryengritjes” nuk u mor vesh, por atyre nuk iu dëgjua zëri më. Nuk pati asnjë
përmirësim të gjendjes së tyre sociale, kombëtare apo ndonjë përmirësim të te
drejtave të njeriut, përkundrazi terrori u bë më i egër se kurrë më parë,
mirëpo u qetuan. Nuk merret kush më me hallet e “sanxhaklinjve”, nuk qanë kush
për fatkeqësinë që i gllabëroi: mbetën nën Serbinë, ndërsa diplomatët e
Anadollit thanë se i paqësuan për jetë e mot. Mbeten jetimë ashtu sikurse ishin
jetimë.
Prandaj
druan Lulia se nëse Prishtina e Tirana heqin dorë nga Lugina e Preshevës,
atëherë do të shkombëtarizohet ashtu sikurse u shkombëtarizua apo është në
proces shkombëtarizimi Sanxhaku. Dhe prapë do të mësyjnë t’i paqësojnë
diplomatët turk, duke marr pastaj pikë më rëndësi nga Beogradi për biznese.
Është
fatbardhësi me tha Lulia që ndjenja shqiptare në të tri komunat e Kosovës
lindore është më e fuqishme se sa në Prishtinë dhe në Tiranë, është përparësi
se pjesa më e madhe e politikanëve të atjeshëm janë të përgjegjshëm (jo si këta
tanët), prandaj e mbanë shpresa se ata
nuk do të dorëzohen. Natyrisht ka hyrë hileja e përpjekjeve për shkombëtarizim
si në Sanxhak me ca xhami e me ca hoxhallarë të shitur. Shkollat shqipe janë
duke u bërë gjithnjë e më të ngushta nga shtimi i nxënësve, ndërsa xhamitë
gjithnjë e më të shumta. Shpërngulja e tyre drejtë Kosovës, tek-tuk edhe drejt
Turqisë është e dukshme, por Lulia është më optimiste në besimin se ata do të
jenë më të ndërgjegjshëm se sa në Sanxhak apo në Maqedoni.
Isha,
pash e bashkëjetova me hallet e tyre, me tha ajo e përmalluar me vetminë e
bashkëkombësve të saj në Preshevë. E frymëzoi edhe mbështetja e demonstruesve
në Prishtinë, por ajo mendon se preshevarët me dy komunat e tjera duhet të
mbështeten jo vetëm kur ua rrënojnë ca përmendore, por gjatë gjithë kohës,
sepse ata janë në siklet e në luftë ët vazhdueshëm me Serbinë, ndërsa nga
qeveritarët e Kosovës s’presin asgjë, pos andralla.