Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Portreti politik - Sali Berisha (2)
E premte, 05.07.2013, 08:15 PM
Portreti
politik - Sali Berisha (2)
Bashkëqeverisja me LSI-në i dëshpëroi idealistët
Nga Gani MEHMETAJ
Largimin
e Salih Berishës nga skena politike do ta ndjej gjatë Partia Demokratike, por
edhe e djathta shqiptare në përgjithësi. Berisha dhe PD-ja u bënë strumbullar
të një përcaktimi politik, e mbajtën mbi supe tërë luftën kundër komunizmit më
të egër në Evropë dhe kundër ri paraqitjes së komunizmit pas kaosit të
përgjakshëm të grusht shtetit të vitit 1997. Forcat që u konsoliduan nga
komunizmi e morën sërish timonin e shtetit, duke ia imponuar një luftë të pistë
të djathtës së brishtë. Në këtë luftë me mjete të lejuara e të palejuara, e
majta përcaktoi rregullat, udhëhoqi propagandën, krijoi dosje për
personalitetet, stisi afera, sepse kishte prapa strukturat e fshehta e ato
ushtarake të deklasuara vjet më parë, kishte mediet elektronike e të shkruara.
Natyrisht duke iu kundërvënë kësaj propagande të pistë, nuk u ruajt niveli i
komunikimit më opinionin, u ashpërsua gjuha, nuk u përfillen ca rregulla
kalorësiake të cilat i kishin hije të djathtës. E majta shquhej për gjuhë rrugësh,
e shpifje që s’ t’i kapte mendja, por ky ishte terreni i tyre. E djathta nuk
duhej t’u përshtatej këtyre rregullave. Duhej të ruhej pastërtia e komunikimit,
sidomos lideri duhej të komunikonte në nivel tjetër. Por nuk e ruajti nivelin e
komunikimit...
Para se
të humbiste votat me 23 qershor, ndikimi politik i PD-së u zvogëlua jo vetëm në
zgjedhjet e fundit, por edhe katër vjet më parë, kur Doktori, u detyrua që në
mungesë të shumicës parlamentare të bëjë koalicion me LSI-në, ndërsa kjo
aleancë pati pasoja fatale për të djathtën shqiptare, meqë ishte një aleancë e
panatyrshme, dëshpëruese për idealistët e djathtë, e bërë vetëm sa për të
sajuar pushtetin. Ta marrësh në gji Ilir Metën, njeriun i cili disa vjet më
parë e luftonte egërsisht PD-në e të djathtën shqiptare, ishte risk i madh pa
asnjë dobi. Ta pranosh për aleat prodhuesin e aferave korruptive, e çorodit të
djathtën, i dëshpëron idealistët, i frenon intelektualët, ndikon të mos
shikohet me simpatinë e dikurshme partia e parë antikomuniste në Shqipëri, duke
e shndërruar idealin e Dhjetorit në pragmatizmin politik-menaxhues. Ndërkaq,
Berisha me PD-në dëshmuan disa herë se nuk u mungonte pragmatizmi. Por
pragmatizmi politik ndëshkohet nga idealizmi i zgjedhësve, ata nuk e arsyetojnë
këtë fizkulturë politike, tek ata e djathta është djathtë, e majta kurrë s’mund
të bëhet aleate e tyre. Kjo duhet të kihet parasysh në të ardhmen domosdo.
Politika ka moral dhe ca rregulla morale, ndryshe do ta humbasësh respektin e
votuesve. Dhe PD-ja u ndëshkua, sepse e humbi elektoratin idealist. Do t’i
duhet kohë ta kthejë.
Koha për rigrupim të forcave
Duke mos
i njohur raportet brenda partiake, duke mos dëshiruar të spekulojë, është
vështirë ta përcaktoj a ishte Berisha peng i PD-së dhe i disa presioneve
ndërkombëtare, apo PD-ja u bë peng i Berishës. Mbase mund të jenë të dyjat,
mbase ishte faktori ndërkombëtar ai që ia përcaktoi edhe PD-së edhe Berishës
disa kufizime veprimi, e sidomos mosveprimi.
Hapja e
dosjeve dhe dënimi i të kaluarës së Shërbimit Sekret, mbetën çështje
fondamentale të cilat nuk u zgjidhen nga e djathta shqiptare. Madje Shqipëria
mbeti shteti i vetëm ish- socialist që e ka barrë të kaluarën, e cila po i
hakmerret edhe në të ardhmen. E majta, që po e merr pushtetin as që do t’ia di
për këto probleme, të kaluarën s’ka si e dënon, sepse është më qafë e më kokë
brenda saj, të ardhmen do ta ketë vështirë ta ndërtojë, sepse i rëndon e
kaluara. Kështu, simbioza e vëllezërve siamezë do t’i bëhet pengesë edhe po
deshi të bëjë punë të paqme.
Sidoqoftë,
e ardhmja e Partisë Demokratike dhe e të djathtës shqiptare është kaptina më e
rëndësishme e politikës shqiptare, vetëm të mos bëhet kaptina më e dhimbshme.
Do të ishte fatkeqësi e madhe për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Partia
Demokratike në pushtet e tregoi vetën herë në pikën më të ndritshme, që do ta
shënojë historia, herë me gabimet që po ashtu do t’i regjistroj historia.
Partia Demokratike në opozitë, pa Berishën, duhet të tregohet konstruktive, jo
bllokuese për interesa kombëtare, opozitare që do t’i rri me çomange mbi kokë
pushtetarëve, në mënyrë që t’ua ngushtoj hapësirën e keq qeverisjes, t’ua
zvogëloj mundësinë e korrupsionit e të prapaskenave të pista. Natyrisht do t’ua
kujtoj pushtetarëve vazhdimisht premtimet për parajsën mbi tokë që ua
përsëritën gjatë gjithë fushatës votuesve. Duhet t’ua hapin sytë popullatës se
nuk janë dele që milen e nuk ushqehen, t’u premtohet e të mos përfillen fare
pastaj premtimet.
Të plotësohet boshllëku i njëshit
Janë disa
mendime për gjasat e PD-së pas largimit të Berishës. E para, karizma politike
dhe vendosmëria e liderit ka ndikuar që më autoritetin apo edhe autoritarizmin
e tij të mbajë koherencën e brendshme, të fashisë përçarjet e kreut të partisë
më fërkimet për interesat pushteti, ekonomike e interesa meskine. E dyta,
thuhet nëpër disa qarqe sikur
mbizotërimi i frymës së Berishës i ka ngulfatur energjinë pozitive, i ka
dekurajuar nismat e pavarura të elitës së PD-së. E treta, mungesa e ideve të
grupit a individëve shpesh herë është fshehur prapa hijes së liderit të
pakontestueshëm. E katërta, nëse është bërthama vendimmarrëse, që do të
përcaktonte të ardhmen e partisë dhe zgjedhjen e liderit, atëherë PD-ja nuk do
ta ndjente fare turbulencën e ndryshimeve. E pesta, ka mendime të cilat
vlerësojnë se pjesë të strukturave të brendshme do të shpërbëhen, sepse tashmë
nuk shohin realizimin e interesave të tyre brenda kësaj partia apo nga
privilegjet që i afroi kjo parti derisa ishte në pushtet, kështu që do të
kërkojë fatin gjetiu. Se a do t’ia këpusë këmbët e veprimtarisë partiake
tërheqja e elitës biznesore, apo do ta lehtësojë nga pengu i terrorit të parave
të derdhura në parti, mbetet të shihet. Më mirë është të mos bëhen peng i
askujt se sa më kamje, por në obligime.
Fryma e
liderit, e njëshi, është i pazëvendësueshëm, derisa të gjendet njëshi tjetër.
Është kjo karakteristik jo vetëm në
Shqipëri, jo vetëm për Ballkanin, por edhe për gjithë Evropën Perëndimore.
Vdekja e De Golit u ndje gjatë në Francë, rënia e Margaret Theçerit e dobësoi
konservatorizmin anglez, ikja e Kolit e defaktorizoi Partinë Demokristiane
derisa erdhi Angela Merkel. Por ishte Helmut Koli ai që e përzgjodhi Merkelin.
Dhe shihet se nuk gaboi.
Në Kosovë
katërçipërisht u pa se njëshi është i pazëvendësueshëm. Me vdekjen e liderit të
pakontestueshëm, Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike nga partia më e madhe
shqiptare në Ballkan, u bë partia e dytë e skenës politikë të Kosovës, për të
vazhduar tatëpjetën e dobësuar dhe e krahinarizuar. Ajo ende nuk u këndell,
vuan nga rivalitetet brenda partisë, nga mungesa e identitetit politik, e
ndjenë mungesën e liderit karizmatik edhe gjashtë vjet pas vdekjes së Rugovës.
Urojmë që
Partia Demokratike Shqiptare të mos vuaj aq gjatë për identitet e për lider, të
mos bëjë hope të mëdha në të djathtë apo në të majtë, sepse pastaj do ta humbas
frymën e fillimit si parti antikomuniste.
Dhe së
fundi në fushatën e ardhshme shpresojmë qe PD-ja nuk do ta ketë hijen
kërcënuese të islamikut Erdogan me premtimet për xhami, sepse shqiptarët kanë
shumë nevoja për shkolla e jo për xhami, kanë nevojë për aleatë perëndimor e jo
për përvoja kaotike lindore. Por ky fakt
nuk i jep asnjë të drejtë të majtës t’i afrohet me servilizëm Greqisë.
Shqipërisë i duhet përvoja e Bashkimit Evropian e jo modeli i shtetit të
dështuar grek që mbahet me paterica nga Evropa.