Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Koha për Skënderbe të dytë!
E merkure, 17.04.2013, 05:00 PM
Koha për
Skënderbe të dytë!
Nga Gani Mehmetaj
Pse të
mos bëhet projekti “Gjergj Kastrioti” joshja e elektoratit në vend të ca
joshjeve të tjera që s’përkojnë shumë me kombin? Pse të mos kultivohet fryma që
kjo është gjëja parësore për shqiptarët?
Kinematografia
shqiptare ka fare pak spektakle historike në fondin e vet. Ngurrimet vazhdojnë edhe më tutje në të
dy krahët e kinematografisë, duke i ikur trajtimit të këtyre temave e
personaliteteve historike. Janë shumë shkaqe pse epopetë e lavdishme të së
kaluarës nuk janë trajtuar në shiritin filmik, por nuk mund të thuhet se i
arsyetojmë institucionet e krijuesit pse u morën aq shumë me tema të ditës,
shpesh herë triviale, sidomos pse u trajtua aq shumë Lufta e Dytë Botërore nga
këndi ideologjik, duke e himnizuar luftën civile, ndërsa i lanë anash periudhat
më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Në të kaluarën ideologjia
mbizotëronte mbi kombin dhe mbi artin, sot nuk është kjo situatë, por nuk ka
përçapje në avancimin e kinematografisë për ta pasuruar me spektakle historike.
Madje, nuk ka fare përpjekje as të nisim ndonjë projekt kinematografik për
epopenë më të lavdishme kombëtare-epokën e Skënderbeut. Nuk mund të mburremi as
me periudhat e tjera historike, sepse nuk i kemi fare në filmin artistik, madje
as dokumentar, megjithëse kemi aq shumë brumë frymëzimi, aq shumë ngjarje që
duhet t’ua paraqesim shikuesve shqiptar e të huaj. Gjergj Kastrioti, Pirroja,
Teuta e Agroni, mbretërit ilirë, dardanët e lavdishëm, lufta kundër depërtimit
të hordhive sllave në Ballkan etj. Të gjitha këto çështje i kemi lënë të
patrajtuara në film madje edhe në televizion.
Nga
periudha antike nuk e kemi asnjë film, ndërsa kombet e tjera, sidomos kombet e
mëdha, kanë qindra filma për këtë kohë
dhe personalitetet historike që e shënuan epokën. Nga mesjeta e hershme, e cila
është fare pak e ndriçuar edhe në histori, letërsi, dramë, muzikë e krijimtari
përgjithësisht, nuk e kemi asnjë film, ndërkaq dihet fare mirë që ishte shumë
dramatike për kombin tonë, pati tronditje të mëdha. Të tjerët do të bënin
mrekullia në artin kinematografik me historinë tonë dramatike , ndërsa ne i
heshtim me këmbëngulje.
Periudhën më të lavdishme të historisë shqiptare, kohën
e rezistencës e të luftës së shqiptareve kundër perandorisë turke, përkatësisht
për personalitetin më të madh shqiptar, që është palca kurrizore e kombit:
Gjergj Kastriotin-Skënderbeun e kemi një film të vetëm, të xhiruar me 1952 në
bashkëprodhim më sovjetikët. Dhe ai film i cili për kohën kur u bë, për mënyrën
se si u realizua, por edhe për mesazhin që bartë edhe më tutje është njëri ndër
filmat më të mirë të kinematografisë. Mund t’i bëhen vërejtje të kësaj apo asaj
natyre, mund të dëshironim të bëhet ndryshe, por është filmi më përfaqësues, më
i dinjitetshmi dhe më mobilizuesi kombëtarisht, ndërsa në mungesë të filmave të
tjerë të kësaj epopeje është filmi më i shikuar shqiptar besoj i të gjitha
kohëve.
Megjithatë
kanë kaluar 60 e ca vjet nga realizimi i këtij filmi spektakël. Institucionet
shqiptare nuk provuan të bëjnë një film tjetër me këtë temë dhe me për
këtë personalitet, mbase ca më ndryshe,
apo mbi ato korniza dramaturgjike. Është vështirë ta arrijmë nivelin e filmit
”Skënderbeu”, të menaxhojmë me gjithë atë mori figurantësh, situatash,
veprimesh e gjerësinë e shtrirjes spektakulare, por që kemi pasur mundësi të bëjmë
edhe ndonjë film tjetër, pak më modest, kjo s’ka fije dyshimi. Askush nuk dha
ndonjë përgjigje pas vitit 1952, pse nuk u bë asnjë film në Tiranë, ku u
realizuan pjesa dërmuese e filmave shqiptar, askush nuk e tha ndonjë arsye pse
nuk u bë në Prishtinë një gjë e tillë, ku dëshira dhe nevoja mobilizuese ishte
më e madhe, por mundësitë ishin shumë më të vogla.
Njëra
ndër arsyet e ngurrimit të institucioneve e të të kineastëve, mbase është fakti
se, do të përballeshin me një varg problemesh, të cilat nuk janë të
patejkalueshme, apo të papërballueshme. Kostoja e lartë e realizimit: mijëra
figurantë, dhjetëra aktorë të roleve të
para a dytësore, kostumografi e shtrenjtë e bërë enkas për këtë film,
skenografi monumentale, efekte piroteknike të pazakonshme me ekspertë të huaj,
teknikë e shtrenjtë e xhirimit, teknologji e shtrenjtë e pas prodhimit, lekë
shtesë për marketing, ishin disa nga pengesat e para. Arsye tjetër e ngurrimit
të krijuesve është, mbase druajnë të përballen me një temë sa të fuqishme aq
edhe të ndjeshme e të vështirë për realizim. Dikush mund të thotë që ekipet e
këtilla nuk i kemi, sepse duhet një regjisor apo disa regjisorë të mirë me disa
ndihmës- regjisor po ashtu kreativ; pastaj ekipi i kineastëve që do të merrnin pjesë në segmentet e tjera të
realizimit. Por ekipet e këtilla duhet t’i krijojmë, duke i kërkuar brenda
arealit tonë shqiptar, dhe duke ua dhënë mundësinë të sprovohen, ta sfidojnë
vetën e të tjerët. Nuk do t’i kemi as në të ardhmen regjisorë e kineastë, po
nuk ua dhamë mundësinë. Pse ngurrojmë?
Është
dashur të bëjmë përgatitje dhe të provojmë të realizojnë një film apo disa
filma të kësaj natyre, qoftë me forcat tona, me bashkimin e kapitalit privat e
të institucioneve, qoftë në bashkëprodhim më të tjerët, sepse dihet që spektaklet
historike janë të shtrenjta, kërkojnë përqendrim të madh të ekipeve krijuese,
lipset të kenë përvojë të lakmueshme në film, të kenë imagjinatë e energji
krijuese.
Janë dy
mënyra në të cilat mund të bëhet filmi artistik-spektakli historik për personalitetin
më të madh shqiptar-Gjergj Kastriotin. E para, të bëhen përpjekje që filmi të bëhet nga fabrika
më e famshme e ëndrrave në botë-Holivudi. Në një emision televiziv pata
propozuar disa regjisorë të mëdhenj duke filluar nga Frensi Ford Kopola, Stiven
Spilberg, Ridli Skoti, Mel Gibson, i cili mund të interpretonte edhe rolin
kryesor etj. Angazhimi i emrave të kumbueshëm të filmit në botë, do të ishte më
shumë rëndësi, sepse me siglen e Holivudit, me emrat me nam, do ta shikonin
qindra miliona shikues. Filmi do të kushtonte disa qindra milion dollarë.
Mënyra e
dytë, ose paralelisht me të parën, është realizmi i filmit me krijuesit
shqiptarë, por në bashkëprodhim më të tjerët, ku do të inkuadrohej energjia
krijuese, kapitali shqiptar dhe ai i huaj me të gjithë segmentet e tjera të
cilat do ta ndihmonin filmin. Me disa dhjetëra milion euro, me kursime të
konsiderueshme dhe përkushtim të madh, do të bëhej një film i mirë, natyrisht
jo i përmasave të Holivudit.
Me filma
të këtij lloji do t’ua zgjonim ndjenjën e krenarisë kombëtare, aq shumë të
nëpërkëmbur nga të tjerët dhe nga vetja kohën e fundit, do t’ua kultivonim
ndjenjat e fjetura disave, duke ua heqim mjegullën e propagandës së frikshme
antikombëtare kundër Skënderbeu dhe personaliteteve të tjera historike,
propagandë që është më agresive sa asnjë herë më parë. Kur t’ua shpalosh në
ekran të madh tërë madhështinë e këtij personaliteti dhe kur t’ua paraqesësh
lavdinë e fitoreve e të luftës së suksesshme, atëherë mund të çirren në kupë të qiellit mercenarët
antishqiptar, por pak do t’u bëjë punë.
Qe nga
rinia sa herë i kaloja kufijtë e vendit, të huajt me thoshin se duhet të jem
krenar që jam nip i Skënderbeut, i Nënës Tereze dhe i shkrimtarit Ismail
Kadare. Dhe unë mburresha me të tretë. Besoj se të gjithë mburremi me ta, por
për personalitetet historike kemi bërë fare pak në artin kinematografik. Madje,
edhe në artet e tjera. A duhet ta vazhdojmë deri në pakufi shpërfilljen e
pafalshme?
Ta
shikosh filmin Skënderbeu, edhe versionin e vjetër e ndjenë vetën krenar pse je
shqiptar. Ta shikosh filmin e ri që do
të duhej ta punonim sa më shpejt, do të ndjeheshe edhe më shumë krenar. Të
tjerët i shpikin heronjtë që s’i kanë, ne i kemi dhe nuk u ngrehim lapidarë kinematografik.
Natyrisht po ta realizonte këtë film fabrika e Holivudit, do të ishte krenari
edhe më e madhe, sepse do t’i ktheje
atje ku i takojnë përmasat e heroit tonë. Të bësh një film të dytë për Gjergj
Kastriotin-Skënderbeun është projekti më madhor me të cilin do të mburrej
cilido shqiptar, po aq sa është projekti madhor për ekonominë e komunikimin
rruga e kombi-Ibrahim Rugova. Të kërkosh bashkimin kombëtar është diçka e
natyrshme dhe sublime, por ta kërkosh këtë gjë pa e bërë një monument vizual
për shtyllën e bashkimit kombëtar-Skënderbeun, është diçka gjysmake, që
s’funksionon si duhet. Të jesh nismëtar e realizues i këtij projekti qoftë si
udhëheqës institucioni apo burrë shteti, do të thotë, të mbetesh në histori në
pamjen më të ndritshme.
Prandaj
është mirë të mendojnë institucionet shtetërore në Shqipëri, sepse në Kosovë
institucionet e shteti janë tepër konfuze e të papërgatitura për çdo gjë,
sidomos s’kanë ide se si do ta bënin një film spektakël për Skënderbeun me
përmasat që i takojnë. Natyrisht krijuesve në Kosovë u digjet zemra, por këtë
gjakim nuk e kanë pushtetarët.
Kostoja e
përmasat e spektaklit nuk duhet të na dekurajojnë, meqë ka mundësi të
inkuadrohen shumë institucione dhe disa shtete, krahas bizneseve private, qoftë
në formë të aksioneve, qoftë me kontribute vullnetare për të mirën e kombit.
Pse të mos bëhet projekti “Skënderbeu” joshja e elektoratit për vota në vend të ca joshjeve të tjera që s’përkojnë shumë me kombin.