Editorial » Mehmetaj
Komunikatë e drejtorit të Kosovafilmit, Gani Mehmetaj
E premte, 05.04.2013, 07:55 PM
Kosovafilm, 5 prill, 2013
1. Dua
t’u informoj se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës
për Shërbimin Civil të Kosovës, gjykoi në të mirën time. Kishte fakte të
bollshme që dëshmonin se i tërë procesi kundër drejtorit të Kosovafilmit kishte
një mal shpifjesh e falsifikimesh, të cilat i hodhi poshtë. Dua ta falënderoj
publikisht këtë instancë të drejtësisë që gjykoi e vlerësoi me korrektësi
profesionale e ndershmëri.
Po ashtu,
dua të falënderoj Gjykatën Themelore të Prishtinës e gjykatësin që e zbatoi me
vendosmëri e shpejt vendimin e
KPMSHK-së, duke i detyruar zyrtarët e Ministrisë së Kulturës të më kthejnë në
punë brena 24 orësh, meqë herën e kaluar këta zyrtarë më pengun me dhunë të
kthehem në zyrën time.
Kur më
pushuan nga puna, pata deklaruar publikisht, në një komunikatë se, pres që
instancat e drejtësisë të gjykojnë rastin tim, ndërsa zyrtarët e Ministrisë së
Kulturës nxitonin të fuqizonin shpifjet e tyre kundër punës sime. Drejtësia
fitoi. Unë jam i lumtur për këtë, sepse ishte satisfaksion moral për mua e
punën time. Uroj që drejtësia të fitoj mbi të gjitha shpifjet e kurdisjet edhe
në të ardhmen, duke i mbrojtur ata që kanë nevojë për mbrojtje nga arbitrarizmi
e arroganca burokratike. Ndërkaq janë
qindra të këtillë. Uroj që në të ardhmen t’u pritet hovi burokrateve arrogantë
e arbitrar.
2. Me
shpifje e falsifikime u përpoqën të më pushojnë nga puna, me shpifje e
falsifikime u përpoqën ta mashtrojnë opinionin e institucionet e drejtësisë,
kinse ka parregullsi e shkelje në punën time profesionale.
Projektin
Kukumi, rreth të cilit zyrtarët e MKRS-së bënë zhurmë të çmendur, e ka
kontrolluar me 2004 dhe me 2005 Auditori i përgjithshëm. Nuk ka gjetur asnjë
parregullsi. Para tij e ka kontrolluar auditori i brendshëm Bislim Gashi dhe
Kimete Gashi, nuk kanë gjetur asnjë parregullsi. Përkundrazi të dytë më kanë
deklaruar publikisht se menaxheri ynë i projektit është shembull i
ndershmërisë.
Pas tetët
vjetësh auditori i brendshëm, e mohon vetën, e hap sërish projektin, kinse do
ta kontrolloj. A dmth kjo se ai nuk e besoi auditorin e përgjithshëm? Apo nuk e
besoi punën e vet? Ai ma ka pranuar më herët se nga presioni i ish-ministrit e
administratës së tij e ka kontrolluar edhe gjashtë herë të tjera. Nga frika e
presioni i kujt e mohoi vetën tash? Kur ka gënjyer e kur e ka thënë të vërtetën
auditori i brendshëm: gjashtë herë më parë, kur ka thënë se s’ka asnjë
parregullsi apo tash. Për këto shpifje e falsifikime do ta padisë këtë zyrtar,
por edhe të tjerët nëse e dokumentoj se kanë gisht në shpifje. Pres të më
dorëzohet raporti i auditorit.
3. Në
filmin “Kukumi”, filmin shqiptar më të suksesshëm të të gjitha kohërave në
arenën ndërkombëtare, unë kam qenë producent, ndërkaq, drejtori financiar i
Kosovafilmit e ka udhëhequr në aspektin financiar. S’kisha qasje në
xhirollogarinë e Kosovafilmit, nuk kam tërhequr as nuk kam futur asnjë cent,
sepse e kishim ekspertin më të mirë të kësaj lamie jo vetëm në Kosovë, por edhe
në ish-Jugosllavi.
Ja ku
janë dosjet e këtij projekti, me këtë dosje ka punuar auditori i përgjithshëm.
Pra nuk është e vërtet se nuk janë dokumentet. Auditori i brendshëm dhe
sekretari i përhershëm e kanë vërejtur fare mirë se në asnjë faqe të raportit
financiar nuk figuron emri im, megjithatë çirreshin në televizion në kupë të
qiellit, se me mua u dashka të merret policia. Kjo ishte shpifje që duhet
denoncuar në gjyq.
Zyrtarët
e MKRS-së mbase prapë do të vazhdojnë më shpifje, megjithëse deri me tash
pësuan debakël, por i përmbahen më këmbëngulje parimit serb: gënje sa më shumë,
mbase diçka do të mbetet. Por s’do të mbetet asgjë, sepse s’ka asnjë shmangie,
është shpifje e zyrtarëve të MKRS-së, është kurdisje e tyre.
Filmi
Kukumi do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si filmi më i suksesshëm që e ka
prezantuar Kosovafilmin dhe Kosovën më shumë se të gjitha institucionet e
kulturës së bashku. Unë mburrem që isha producent i këtij filmi, mburrem që e
bëmë një film të mirë. Më vjen keq që producentët e regjisorët e tjerë më vonë
nuk patën sukses, por është për keqardhje pse disa qarqe përpiqen ta njollosin
suksesin e këtij filmi e punën tonë, përmes shpikjes së aferave.