Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Jemi shtet laik a islamik?
E merkure, 08.05.2013, 08:00 PM
Jemi
shtet laik a islamik?
Kursi pro lindor që po e shpërfytyron shtetin tonë të ri, është kthesë e frikshme me pasoja afatgjate.-Ç’kuptoi E. Ihsanologu me deklaratën e tij në Kuvendin e Kosovës se, arsyeja e mosnjohjes se shtetit tonë nga shtetet islamike është hezitimi i tyre për përkatësinë tonë religjioze?!
Nga Gani MEHMETAJ
Arsyeja
pse Kosovën nuk e kanë njohur shumica e shteteve islamike është hezitimi i tyre
për përkatësinë tonë religjioze, thotë Sekretari i Organizatës së Bashkimit
Islamik, Ekmeledin Ihsanologu para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Këtë
deklaratë ai e hodhi në dhjetëvjetëshin e dytë të shekullit XXI, në kohën kur
s’ka vend evropian që nuk e ka ndarë shtetin nga feja, s’ka qeveri evropiane që
merr guximin ta theksoj përkatësinë e vet fetare, përkundrazi fenë e ka dëbuar
nga organet shtetërore, e ka tërhequr nga rruga, duke e futur atje ku e ka
vendin: nëpër kisha e sinagoga. Shtetet e qytetëruara evropiane, kush më herët
e kush më vonë, qe nga Revolucioni Borgjez Francez e kanë theksuar se feja
është çështje private e qytetarëve. Privacia është e shenjt. E kanë sanksionuar
me ligj që asnjëri grup s’mund t’ia imponoj grupit tjetër përkatësinë
religjioze, apo t’i diskriminoj mbi baza fetare.
Miku ynë
islamik, Ihsanologu, na e tha troç se, meqë kishin dyshime jemi a s’jemi
myslimanë, shumica e shteteve islamike nuk e paskan njohur Kosovën! Ndërkaq ne
s’lamë dëshirë pa u plotësuar islamikëve, s’lamë traditë tonën fetare e traditë
laike pa e shkelur që t’ua bëjmë qejfin beduinëve të shkretëtirës. Dhe prapë ai
e thotë se kanë hezitime...
Myslimanizmi
ynë autokton, sikurse thoshte presidenti Rugova, derisa nuk erdhën militantët
islamikë, dallonte shumë nga myslimanizmi oriental: ishte më liberal, më
tolerantë, më humanë, më bashkëpunues me fetë e tjera. Myslimanizmi autokton
edhe sot është më tolerantë, por këtë strukturë e ka shprishur apo ngulfatur
militarizimi i fesë. Dikur kombi mbizotëronte mbi fenë, sot islamizmi e lufton
egërsisht kombin. Popullata qe inkorporuar mirë në qytetërimin perëndimor, të
cilit i takonim. Kursi properëndimor i presidentit Rugova më mbështetjen e
fuqishme të SHBA-ve dhe Evropës Perëndimore, na i hapi dyert e botës
demokratike. Perëndimi i krishterë na shpëtoi nga zhdukja. Shpëtimtarët tonë
perëndimor kur i grishem, erdhën në ndihmë; u premtuam se si nipër të Nenës
Terezë, s’do ta harrojmë kurrë ndihmën e Papa Gjon Palit të Dytë, ata na
besuan; u thamë se do ta bëjmë shtetin tonë model për vendet e Gadishullit, ata
priten e shpresuan. Pritja e tyre nuk u realizua. Miqtë tonë perëndimor po e
thonë haptazi se po i zhgënjejmë keqas. Madje edhe kursin properëndimor kemi
filluar të ndryshojmë, sa kanë
Deklarata
e sekretarit të OBI-së, e thënë para
parlamentarëve tonë shkel dinjitetin tonë kombëtar, sepse shqiptarët janë edhe
të krishterë: katolikë, protestantë e ortodoksë.
Deklarata
e sekretarit islamik nuk është e vërtet, sepse arsyeja e mosnjohjes nga shtetet
islamike nuk qe, pse nuk ishim sa duhet islamikë, por pse nuk ishim të gjithë
të krishterë. Organizata islamike do të na njihte pavarësinë më të parën po të
ishim të gjithë të krishterë, ashtu sikurse bëri me shtetet e reja të
krishtera- Kroacinë, Slloveninë, Serbinë, Maqedoninë. Madje, po të ishim të
gjithë të krishterë do të fillonte faza e dytë: investimet islamike në shtetin
tonë, apo do të shkonin ekspertët tanë në shtetet arabe që t’i mësonin vendësit
sistemin e ujitjes apo se si të mbëltojnë lule në shkreti, ashtu sikurse bëjnë
ekspertët sllovenë, kroatë e serbë nëpër shtetet arabe. Ata janë më të
privilegjuar se sa ne nga organizata e shteteve islamike. Turqia investoi në
Serbi e Maqedoni dhjetëfish më shumë se sa në Kosovë. Katari e shtetet e Gjirit
Persik investojnë shumë në Kroaci e Slloveni. Te ne shtetet islamike nuk
investuan asgjë, pos në xhami e shoqata të dyshimta, ndërsa na e imponuan
vullnetin në të gjitha aspektet.
Shtetet
islamike marrëdhëniet më të mira i kanë më Serbinë (shtet ortodoks), Kroacinë
(shtet katolik), Maqedoninë (ku feja ortodokse imponohet me agresivitet) etj.
Pra, të gjitha këto shtete të krishtera, Organizata e Bashkimit Islamik i ka
njohur pa asnjë hezitim.
Deklarata
diskriminuese e sekretarit Ihsanologu që ua përplasi deputetëve në Kuvendin e
Kosovës, ndërsa asnjëri prej kuvendarëve nuk e kundërshtoi, prek themelet e
shtetit. E para, shteti i Kosovës është shtet i shqiptarëve e jo i pulsimeve
shkretinore. E dyta, është shtet laik e jo islamik. E treta, gjeografikisht
është shtet i arealit evropian e jo aziatik apo afrikanë. Ndërkaq, disa nga
këta deputetë që heshtën janë bërë zëdhënës të rrymave më të skajshme islamike.
Orienti ka prirje t’i korruptoj në shkallë të gjerë njerëzit me paratë që i
shpërndanë gjithandej dhe me privilegjet që po ua bënë jo vetëm deputetëve, por
edhe medieve, gazetarëve, zyrtarëve të ndryshëm, mjekëve etj. A reagoi ndokush
kundër deklaratës së këtij zyrtari të lartë islamik? Nuk e lexova në asnjë
gazetë të Kosovës, apo në televizione. Thua te jenë pajtuar? Nuk ma merr
mendja, por islamikët duket e kanë gjetur ilaçin e heshtjes. Pjesa tjetër e
njerëzve janë mësuar të heshtim edhe kur i fyejnë e denigrojnë, edhe kur i
lavdërojmë më të rrallë, si fëmija jetimë. Nuk ishin jetimë, përkundrazi e
patën mbështetjen e gjithë botës demokratike, por po vetmohen me veprimet
korruptive.
Orienti
kurrë s’mund ta plotësoj boshllëkun e Oksidentit. Këtë fakt duhet ta kemi vath
në vesh. Përkatësia jonë fetare dikur ishte mallkim përballë Perëndimit, tash
po bëhet mallkim para shteteve islamike.