Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Gazetari përtace
E hene, 20.05.2013, 05:19 PM
Gazetari përtace dhe gazetaria e instrumentalizuar
Gazetarët në Kosovë në vend të hapin dhjetë dyer për ta pasuruar shkrimin e tyre problemor, në pjesën më të madhe përtojnë të hapin një veb faqe që do t’u merrte pesë minuta kohë!
Nga Gani MEHMETAJ
Gazetaria
në Kosovë është në pozitën e njëjtë më atë të shoqërisë. Përpëlitjet e
tranzicionit, i cili po zgjatet tërkuzë pa ia parë fundin, kapitalizmi i egër,
që duhet ta kalojmë si fëmijët kollin e fruthin, dhe sistemi i pa konsoliduar,
ku secili grupim më i fuqishëm mund të veproj si t’ia thotë mendja pa iu druajtur
ligjit, kanë ndikuar që gazetaria të jetë në një pozitë më delikate se sa
segmentet e tjera të shoqërisë. Gazetaria do të duhej t’u printe fenomeneve,
por nuk e bënë një gjë të këtillë, sepse është e mbarsur me presionet negative;
gazetarët do të duhej të luftonin dukuritë e shëmtuara: krimin e organizuar,
korrupsionin, prirjet kaotike të shoqërisë sonë, por është e pamundur ta bartin
këtë barrë, meqë janë në thumb të kreut të veprimeve devijante; mediet do të
duhej të jenë të pavarura nga ndikimi i partive politike apo nga qeveria,
ndërsa nuk janë autonome, sepse financohen nga partitë politike, nga grupet e
interesit apo madje edhe nga pushteti- me reklama, më shpalljen e konkurseve
apo me format e tjera të financimit të tërthortë.
Janë edhe
disa forma të tjera më pak të dukshme, të cilat ndikojnë që gazetarët dhe
gazetaria të mos e kryejnë misionin e tyre, kështu që, kur e nisin paraqitjen e
ndonjë problemi në opinionin, është e çuditshme se si e trajtojnë, është edhe
më e çuditshme pse e lënë në gjysmë, pa e ndjekur ngjarjen deri në fundin e
vet. Gazetarëve tonë, në pjesën më të madhe u mjafton ta nxjerrin në opinion
“të pabërën” , ta rrahin disa ditë në faqet e gazetës, apo të emisioneve
televizive dhe, më kaq e mbyllin. Na ka rastisur të lexojmë apo të shikojmë sa
e sa herë se si e mbërthejnë mediet tona ndonjë grup apo individë të cilin e
kanë vënë në shënjestër, duke e ngarkuar me aq shumë akuza, saqë ke përshtypjen
se ai kurrë më s’do të
Të ne
sikur nuk e njohin gazetarinë hulumtuese apo të shkojnë -gjurmëve të lajmit Nuk
marrin mundin ta hulumtojnë në mënyrë të pavarur nga prokuroria a policia, për
të shkuar gjurmëve të fillimit dhe për ta zbardhur: ishte fajtor apo jo ai
grup, bëri atë që ia veshën apo ishte i pafajshëm. Më fjalë të tjera i ranë në
qafë kot sa për ta turpëruar publikisht, apo shpëtoi, sepse pati mbështetjen e
të fuqishmeve. Kështu, opinioni nuk e ka të qartë gati asnjë rast të kësaj
natyre. Ndërkaq, jo rrallë bëhen lojëra politike e lojëra të tjera kundër
lirisë së individit dhe kundër dinjitetit e integritetit të tij fizik.
Gazetaria nuk i trajton këto çështje, sepse nuk ia ka vënë në pjatë
askush! Gazetaria hulumtuese nuk
ekziston në Kosovë, sepse është e vështirë, e kushtueshme dhe e rrezikshme.
Redaksitë nuk e duan, nuk e mbështesin, nuk e kultivojnë, prandaj gazetarët nuk
i hyjnë fare hulumtimit që s’ia vlerëson as nuk ia boton askush.
Të ne
veprojnë disa lloje të gazetarisë: qeveritare, partiake, të grupeve të
interesit, gazetaria e biznesit, pastaj gazetaria e mediet që janë në mbrojtje
të ambicieve politike e biznesore të individëve me pretendime politike.
Natyrisht asnjëra prej medieve nuk vepron vetëm në kuadër të një lloji, por
format e punës janë të përziera.
Gazetaria
në Kosovë, në pjesën më të madhe është
gazetari përtace. Nëpër redaksi tekstet kryesisht i sajojnë nga kumtesat
e ndryshme- qeveritare e joqeveritare, nga deklarata të përgatitura me shkrim,
me intervista të gatshme në pyetje e në përgjigje. Kështu e kanë trajnuar
gazetarin e ri. Ndryshe nuk ka vend në medie. Deklaratat e subjekteve në
konflikt nxirren në opinion në stilin-
filani tha këtë e ketë, ndërsa kundërshtari iu përgjigj: nuk është e
vërtet!. Thua të jetë kaq e thjeshtë ky konfrontim i tyre? Gazetat e
thjeshtësojnë kur duan. Rrallë apo fare nuk verifikohen deklaratat apo
“dokumentacioni” diskreditues, i dërguar nëpër redaksi për baltosje të
kundërshtarit. Ka rastisur që gazetarët
të botojnë një thes shpifjesh të sajuara nga një institucion shteti pa e
dokumentuar me asnjë fakt.
“A u
solli dëshmi institucioni për këto akuza”, i pyet i akuzuari. “Nuk ka nevojë
institucioni të sjell argumente, ai është institucion”, përgjigjet gazetari,
ndërsa gazeta e tij pretendon se është opozitare!
Redaksive
u mjafton teksti i sajuar nga copat e deklaratave, ndërsa kur ai tekst
pretendon diçka më shumë se sa regjistrimi zyrtar, atëherë del një sajesë
frankeshtajne si ajo që e bëri Dr. Xhekilit në filmin “Frankeshtajni” ku
monstra e tij tmerroi botën nga qepja e keqe.
Gazetarët
në Kosovë në vend të hapin dhjetë dyer për ta pasuruar shkrimin e tyre
problemor, në pjesën më të madhe përtojnë të hapin një veb faqe që do t’u
merrte pesë minuta kohë! Në vend të konsultojnë disa burime informimi, apo disa
subjekte njëkohësisht, gazetarët jo rrallë nuk e përfillin subjektin tjetër,
apo e mbërthejnë me pyetje policore. Në vend të konfrontojnë subjektet në
konflikt, ata e plasojnë kryekëput burimin zyrtar, pa kërkuar fare përgjegjësi
nga zyrtarët të cilët japin deklarata të gënjeshtërta. Në përzgjedhjen e
njëanshme mediet, në vend të konfrontojnë individë a subjekte për të zbardhur
të vërtetën, ia hedhin topin njërit subjekt, ndërsa e lidhin duarsh subjektin
tjetër që të mos ketë mundësi të mbrohet.
Meqë me
ka rastisur këto vjet të kem punë drejtpërdrejtë më të gjitha këto lloje e
qasje të gazetarisë po e jap një shembull konkret.
Nga
pozita e të parit të institucionit të cilin e udhëhiqja dhashë këtë deklaratë:
“Dua të plotësoj shkrimet e disa gazetave, sepse ka një pasaktësi, kur thuhet:
nuk dihet fati i 300.000 eurove! Shpifja sistematike e zyrtarëve të MKRS-së
sikur ka filluar të zë rrënjë edhe nëpër gazeta.
Me një
përjashtim të vetëm, shumica e medieve të shkruara e elektronike nuk e citojnë
fare këtë deklaratë. Disa gazeta e medie elektronike në vend të sqarimit të
munguar, e vënë titullin- shpifje: “Ende nuk dihet fati i 300.000 eurove!”.
Kështu lexuesi jo vetëm është i painformuar për ngjarjen në tërësi, por është i
keqinformuar apo i mashtruar. Kjo është gazetaria e instrumentalizuar që
manipulon duke hequr deklaratat e kundërshtarit dhe duke vënë në spikamë
spekulimet.
Gazetaria
tjetër, gazetaria përtace në vend të hulumtoj, pra i duheshin vetëm pesë minuta
ta gjente faktin në veb faqe të Qeverisë, i mjaftoi të botoj deklaratën në
stilin ai po thotë, ndërsa për “baraspeshë” e plotëson me burimin tjetër:
kundërshtari e hedh poshtë këtë deklaratë.
Gazetarinë
e instrumentalizuar e kanë paralizuar të paraqes tekste hulumtuese e të baraspeshuara.
Synimi kryesor nuk duhet tw jetw skandali, a rritja e tirazhit me gjëra të
paqena, por zbardhja e problemit, zgjidhja e tij. Jo rrallë kjo lloj gazetarie
shumë e pranishme ndër ne, krijon atmosferë paralizuese. Ndërkaq, pjesë e kësaj
gazetarie është gazetaria defetiste, e cila jo vetëm nuk e mobilizon opinionin
të jetë opozitë e vendimeve të padrejta qeveritare, por duke e kultivuar
ndjenjën se, të gjithë po vjedhin, madje edhe atëherë kur vjedhja nuk është në
pikëvështrim, e paralizojnë opinionin të gjykoj drejtë apo ta luftoj vjedhjen e
krimin e organizuar. Me vet faktin që e kultivojnë ndjenjën se nuk ka
personalitete të ndershme, nuk ka institucione të ndershme dhe nuk ka parti
qytetare të pakorruptuar, ata sikur i japin hapësirë e mundësi pikërisht
grupimeve të krimit të organizuar, organeve qeveritare dhe institucioneve të
tjera të veprojnë në mënyrë arbitrare apo kurruptive. Nga shkrimet e gazetave, asnjëherë nuk e merr
vesh të vërtetën, pavarësisht faktit që i zgjasin shkrimet me vazhdime si
teleseritë bezdisëse latinoamerikane e turke. Mediet nuk sqarojnë problemet,
por i ngatërrojnë ato. Duke u përpjekur
të fusin ndonjë fjali manipulative, duke i dhënë hapësirë njërit, ndërsa ia
cenojnë thelbin e deklaratës tjetrit, apo ia vënë në gojë një fjali parazite,
një pjesë jo e vogël e medieve bëjnë luftë klanore, ose përpiqen të paraqiten
faktor, ndërsa do të duhej të ishin pasqyrë e prezantimit dhe sqarimit të
problemeve. Duke ndjekur parimin e skandaleve të shpikura ata nuk i shkojnë
problemit deri në fund, nuk bëjnë gazetari hulumtuese, sa përpiqen të bëjnë
gazetari manipulative.
Jo rrallë
në këtë gazetari të manipuluar a përtace, servile apo defetiste, hidhen në
opinion edhe gjëra në formën, kinse u përvodh një lajm nga brenda institucionit,
ndërsa në fakt është institucioni i shtetit ai që ua ka hedhur lajmin medieve
për të diskredituar individin që nuk është i torishtës së tyre. Kjo formë e
mashtrimit të opinionit kohën e fundit është bërë dukuri, ndërsa gazetat me
vetëdashje bien pre e këtij mashtrimi, vazhdojnë më mashtrimin tjetër, kinse fal aftësisë së tyre
e zbuluan skandalin brenda institucionit qeveritar.