E marte, 03.12.2024, 02:23 AM (GMT)

Speciale

Drama kosovare e përjetuar nga poeti malazias

E hene, 30.03.2009, 08:13 PM


Akademik Jevrem Bërkoviq
Akademik Jevrem Bërkoviq
EKSKLUZIVE

Kujtesë mbi “Këngët e Ali Binakut” të Zogoviqit

Drama kosovare e përjetuar nga poeti malazias

Moot: Populli malazias e ka pasur fatin të kishte vjershëtarin e madh, që nga Njegoshi e deri më sot më të madhin, Radovan Zogoviqin, ardhacakun dukagjinas, kosovarin sipas fëmijërisë dhe rritjes, i cili si malazias ardhacak, ndjeu qenien dhe shpirtin e tokës dukagjinase dhe rrënjët shqiptare të ngulitura thellë në atë tokë kosovare.

Nga Akademik Jevrem Bërkoviq

Ekzistojnë popuj, shkarjet historike të të cilëve, herë-herë edhe fytyrën e zezë popullore i shërojnë, i përmirësojnë dhe i lajnë vjershëtarët e tyre të mëdhenj. Dhe ekzistojnë popuj krimet e të cilëve, apo njollat e përgjakshme historike, i përlavdërojnë dhe i zmadhojnë vjershëtarët e tyre parësorë, e lërë më ata dytësorë e tretësorë. Populli malazias e ka pasur fatin të kishte vjershëtarin e madh, që nga Njegoshi e deri më sot më të madhin, Radovan Zogoviqin, ardhacakun dukagjinas, kosovarin sipas fëmijërisë dhe rritjes, i cili si malazias ardhacak, ndjeu qenien dhe shpirtin e tokës dukagjinase dhe rrënjët shqiptare të ngulitura thellë në atë tokë kosovare. Radovan Zogoviqi si askush tjetër e ndjeu, e përjetoi dhe e jetoi dramën shqiptare kosovare, të shkaktuar nga ardhja e kolonëve dhe vendosja e tyre në Kosovë e Dukagjin! Njeriu dhe vjershëtari Radovan Zogoviq e përjetoi dramën kosovare edhe si dramë të vërtetë malaziase. Nga ardhacaku, koloni, u shndërrua në dëshmitar i cili i pari, edhe si vjershëtar, edhe si njeri, edhe si komunist, edhe si malazias dëshmoi ç’janë ata që në Kosovë sollën ardhacakët dhe i popullzuan në tokën shqiptare denbabaden, dhe vetë Ardhacakët, ç’kanë bërë nga qenia, etnosi, etnosi, i popullit shqiptar në Kosovë, ç’kanë bërë nga prona e tyre, meteha, zotërimet, bagëtia, fara dhe trashëgimia. Malaziasi Radovan Zogoviq si vjershëtar malazias është mishëruar me Ali Binakun e moshuar, simbolin i shqiptarisë kosovare dhe në emër të tij dhe të vetin foli, mund të thuhet, në eposin e parë modern të poezisë malaziase Ardhësit – këngët e Ali Binakut. Kjo vepër grandioze poetike është shkruar, siç thotë vetë vjershëtari “në vitin 1937, si protestë ezopiane kundër politikës serbomadhe, të diskriminimit, shtypjes, shpronësimit dhe shfarosjes së shqiptarëve në Dukagjin dhe Kosovë”.

Në vend të Ali Binakut të moshuar vjershëtari Radovan Zogoviq i ka mallkuar ata që kanë ardhur dhe që varret dukagjinase në zhardhokë i kanë shndërruar: ka ndodhur që, kur zhardhoku është bërë për t’u nxjerrë, nga toka është shkulur zhardhoku i rritur në kafkën njerëzore! Malaziasi Radovan Zogoviq, vjershëtar i madh dhe njeri i drejtë, në vend të Ali Binakut të moshuar, i cili numëron rruzaret e tij të heshtura, ka mallkuar: / Të mallkoj gjithë ç’ke deri farën e gjinisë sate!
Pse, pse në pullaz ma vrave të shenjtin shpend, lejlekun?/
ALI  BINAKU, shtyllë etike – Njeri, masiv njerëzor – i therur në mes të tokës kosovare,
i ngushëllon bashkëkombësit e tij dhe thotë: / Mos qaj Ibish, nxënës-peng te ardhësi
Kur e zeza bi mbi njeriun –/ Shtrëngoji dhëmbët e mos qaj;/ He burr’ Ibish, mbaj mend se kush je dhe i kujt je!/
Poeti Radovan Zogoviq në vend të Ali Binakut të urtë thotë: / Nganjëherë është më burrërore dhe më e urtë/ Rrugët të lëvrohen, se sa arat dukagjinase./ Mark Milani në Medun shënoi/ Le të dihet kush jemi dhe të kujt jemi.
Rënkim, klithmë, ulërimë deri në të nemitur dukagjinase, të Ali Binakut të moshuar, në natën dukagjinase, rënkim i vjershëtarit Radovan Zogoviq për të vetët dhe për shqiptarët, të cilët janë të tij ashtu sikur edhe të Ali Binakut. Ai rënkim i dërmon malet dhe fushoren, Grykën e Rugovës dhe rezervat e mëdha të Malit të Sharrit:

Nëpër hullitë e këtyre arave, rrudhave të këtyre ballëve
kanë kaluar Shemsi-pashët, Savë Batarët, Todor-bashët tanë,
sejmenët, krillashët, xhandarët, qysqijashët, dajaktarët,
kamatnikët e mitnikët, belaqarët, noterët…
kanë qenë tre mbretër, të cilët kishin ardhur për të mos shkuar,
të cilët tërhiqnin topat në shtatë kufij e shtatë rrugë
dhe na godisnin me zjarrë, e na godisnin me acar për të na ngrirë,
dhe na shkundnin si pemën, e na qethnin si delen.
Tre mbretër, të cilët kishin ardhur për të mos shkuar,
Dhe shkuan, u thyen si vegshat.
Andaj, Ibish mos qaj, andaj mos belbëzo po trimërohu,
Mbaj mend cili je dhe i kujt je!

Radovan Zogoviq, sipas dëshirës së tij të prerë para vdekjes, është varrosur në ato varreza të vogla të Deçanit. Edhe i vdekur është kthyer në Kosovë, mes pasardhësve të Ali Binakut! Varrezat e poetëve janë shenjëtare që u takojnë të gjithëve. Radovan Zogoviq i takoi Kosovës shqiptare sa edhe Malit të Zi. Le të bëhen varri i tij dhe vëllamërimi im dhe i Podrimës, ato lidhëse që kurrë nuk do të shpabesen, që me kohë do të rriten nga dashuria e njëshme në atë popullore! Poeti i Ali Binakut një ditë, e ajo ditë tashmë është këtu, do ta ketë rrugën me emrin e tij në Pejë, në Gjakovë ose në Prishtinë!

Përktheu në shqip: Shyqri Nimani



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora