E premte, 29.03.2024, 03:46 PM (GMT)

Speciale

Shefqet Dibrani: Feja në shërbim të kombit

E enjte, 12.03.2009, 10:00 PM


Shefqet Dibrani
Shefqet Dibrani
FEJA NË SHËRBIM TË KOMBIT

Shkruan Shefqet Dibrani

Shkrimi që po i afrohet lexuesit është shkruar në vitin 1992. Nuk është rezultat i zhvillimeve të fundit. Atëherë nuk është lejuar të botohet te revista “Fjala” në Prishtinë kur kryeredaktor i saj ishte dr. Milazim Krasniqi, atëherë sekretar  Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, politikan e zëdhënës në LDK që e drejtonte dr. Ibrahim Rugova.
Një pjesë e shkurtuare këtij shkrimi  vite më pas është botuar te revista “Veprimi” nr. 3 (me sa di gjatë vitit 1993), që doli për pak numra në Preshevë.
Pas përfundimit të Luftës në Kosovë, po ky shkrim iu ka ofruar gazetave dhe mediumeve të shumta në Kosovë por me sa di askund nuk është botuar. Gjatë vitit 2002, është botuar në faqen e internetit te “ALBEUROPA”, kurse tashti përveç ndonjë freskimi me aktualitetin, shkrimi nuk ka nevojë të pëson ndryshime edhe pas 17 vitesh që është shkruar.

Autori     

ROLI DHE RËNDËSIA E FESË NË SHOQËRI TË HAPUR

Feja në shërbim të kombit:

Vitet 1990-1991, shënojnë kohën e ndryshimeve në Evropën Lindore, ku do të qesin në pah pasojat e sistemit komunist që kishin lënë vragë nëpër këto vende, si në zhvillimin ekonomik po ashtu në atë industrial, kulturor dhe religjioz. Përkundër faktit se në të gjitha vendet e Lindjes,  politika e centralizuar komuniste ishte kundër fesë, prapëseprapë ato vende nuk e shkëputën kontinuitetin e besimit në tempujt e tyre shpirtërore, të cilat në kushte të vështira kishin marrë edhe fatin e kombit në duart e tyre. Tashmë në pjesën kryesore të këtyre vendeve Kisha ishte bërë simbol i rezistencës dhe rrugë e vetme për ta shporrur nga vendi komunizmin.
Kjo gjendje në Shqipëri ndryshonte. Atje feja ishte ndaluar me ligj. Ishin përdhosur institucionet e shenjta, klerikët ishin katandisur nëpër burgje. Kontinuiteti i mësimit fetar e kishte humbur ritmin e tij. Tashmë atje gjeneratat hynin në dekadën e tretë pa ushtrimin dhe ndikimin e fesë, si religjion, si kulturë.
Tani më ishin zgjuar ambiciet e kishës ortodokse greke dhe qëllimet e saj politike për të invaduar në Jugun e Shqipërisë, po ashtu kishte filluar një invazion i paparë i vendeve islamike, kurse evropianët rrinin indiferent ngase ata gjithmonë kanë qenë alergjik  ndaj fesë islame. Interesat politike të cilat ishin kamufluar nën petkun religjioz paraqisnin shenjat e para mjaftë të rrezikshme për të ardhmen e vendit, ndonëse edhe vet intelektualët shqiptarë i frynin me të madhe zjarrit të ndasive religjioze duke u bërë hallka të së keqes në këtë përmbytje të madhe.
Për t’u marr seriozisht me trajtimin e kësaj teme duhet pasur guxim dhe kuraje sepse një shtresë e caktuar as nuk do të të kuptoj karshi interesave të tyre të ngushta. Megjithatë kjo temë nuk duhet të mbetet tabu, prandaj trajtimin e kësaj dukurie po e lëmë më shumë në formë të një ideje se sa si trajtim i mirëfilltë shkencor, ku do të përpiqem me shpaluar sheshazi edhe rrezikun që i kanoset Jugut të Shqipërisë nga ndikimi dhe tendenca e Kishës Ortodokse greke dhe të invazionit Islamik që pretendonte të mbuloj Shqipërinë, duke dhënë edhe udhëzime elementare, për një preventivë të mundshme për t’i balancuar tendencat e lindjes dhe perëndimit në këtë plan.
Nuk arrita të mësoj kurrë pse nuk u debatua më seriozisht, si hapa preventivë në kohën kur ende s'kishin invaduar Kisha Ortodokse greke dhe Organizata Fanatike nga Lindja e Afërt nëpër gjithë Shqipërinë e dal nga regjimi obskurantist. Shikuar në retrospektivë, ngjarjet që ndodhën më vonë, në Shqipëri dhe qëllimet e politikes Orientale Islamike pas luftës në Kosovë, që e kanë përmbytur atë vend, tashti pas kaq e kaq vitesh më japin të drejt të them se pikëpamjet e shtruara në atë kohë paskan qenë absolutikisht të sakta, ndërsa tagrin e pasojave po e paguan Kosova e sotme, po më shumë këtë tagër do ta paguajnë brezat që do të vijnë.

Edukata fetare e fëmijës:

Çdo fëmijë i vogël, fjalën e parë që mund ta dëgjoj nga Nëna e tij është Krishti apo Muhamedi, kjo ndodhë te fëmija i porsalindur i cili ende thithë qumështin e nënës. Pse ndodhë pikërisht kështu? Sepse lutjet në shenjtin e tij Zotin, gjendjen shpirtërore të nënave  në situata të caktuara, në mënyrë permanente, me një imagjinatë a fantazmë të pa përshkruar e mëkon besimi te Zoti. Nënat, bekimin më të madh fëmiut ia bëjnë duke fragmentarizuar pjesë të caktuar nga librat e shenjtë Bibla apo Kurani. Fëmiu që rritet instinktivisht i nxitur nga prindërit, fillon të marrë pjesë në ritet fetare. Këto ndodhin në çdo shtëpi dhe njëherit çdo fëmijë e brumosin me porosit morale të fesë që i përkasin prindërit. Pa pyetur "përse", fëmiu futet në krishterizëm apo islamizëm, dalëngadalë, instinktivisht pa bërë zë e pranon fenë e prindërve, (vallë kush ka bërë zë apo ka menduar përse pranuam këtë apo atë fe). Dhe është krejt normale se fëmiu i posa lindur pranon fenë e mesit ku ai lind, pra në cilën zonë fetare lind ai. Dhe pa mbushur formularët e anëtarësimit e përqafon fenë e ati rrethi, më konkretisht fenë e familjes. Pra zgjedhja e fesë nuk është rezultat i një zgjedhje të vullnetshme, por është një imponim spontan, madje i dhunshëm nga prindërit. 
Bindjet fetare u ngjajnë shumë bindjeve morale dhe zakoneve. Askush nuk di t'i përgjigjet pyetjes përse ka pranuar dhe praktikuar një zakon. Andaj edhe fyerjet dhe abuzimet tjera që bëjnë ndaj feve duhet t'i shmangim nga fjalori bastard i mësuar dekada me radhë.
Shoqëria jonë ka hyrë edhe ajo, më së fundi në epokën e pluralizmit politik. Në këtë kohë nuk kemi të bëjmë me besimin në kultin e individit, që predikoi Zotin, dhe sipas kësaj duhej ta kemi vetëm një mendim, vetëm një rrugë, vetëm një parti, vetëm një organizatë, vetëm një gazetë, vetëm një roman, vetëm një libër, vetëm një dramë, vetëm një fjalë që së bashku bëjnë vetëm një tragjedi... Pra deshëm apo nuk deshëm në shoqërinë tonë u shfaq pluralizmi i mendimeve që nënkupton, mendimin, që me udhë të ndryshme të arrihet liria! E, ç'kuptojmë me pluralizmin fetar, përveç udhë të besimeve për të arritur në Parajsë. Pluralizmin fetar e kemi pasur që moti, ngase hapësira shqiptare i përket tri besimeve të mëdha të cilët kanë ndikimin e tyre në regjione të caktuara të vendit.
Kur jemi në pluralizëm, jo vetëm politik por në pluralizëm të shprehjes së lirë të mendimeve dhe bindjeve fetare, duhet të shfrytëzojmë të gjithë faktorët e rëndësishëm për ecjen përpara të shoqërisë sonë, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë moralo-kulturor, duke shfrytëzuar në maksimum edhe pluralizmin tonë fetar në shërbim të perspektivës, duke ushqyer shpirtërisht njeriun tonë me porositë themelore të librave të shenjtë, të cilët bazë fundamentale të edukatës kanë dashurinë për njëri-tjetrin, mëshirën për nevojtarin, bujarinë, tolerancën, vëllazërimin etj. Tokat shqiptare janë të ndara në disa zona fetare. Kjo ndarje fetare e shqiptarëve nuk duhet të kuptohet si rrezik në aspektin retrospektiv, por duhet të kihet parasysh në aspektin perspektiv.
Mund të thuhet se pesha specifike e fesë, në procesin e riformimit të shpirtit të njeriut është e madhe, dhe një mospërfillje e saj shkakton probleme specifike morale e pse jo edhe politike. Tek shqiptarët gjithnjë kanë ekzistuar dy tendenca. Një tendencë intelektuale për njësimin e fesë dhe për shqiptarizimin sa më të mundshëm të feve ekzistuese dhe tendenca tjetër antiintelektuale për të pjell  sa më shumë fe dhe sa më tepër përmes fesë të denigrohet kultura kombëtare. Mospërfillja e pushtetit të madh shpirtëror nga ana e komunistëve ishte e një botëkuptimi sektar, që nuk respekton ndjenjat e bindjet e njeriut. Është ky një episod shumë sinjifikativ që duhet të trajtojë pushtetin shpirtëror të institucioneve fetare.
Një tendencë dhe një rrezik permanent i përmasave të mëdha për edukimin shpirtëror të shqiptarëve sidomos atyre në Shqipëri, u pa me invadimin e klerikëve të ndryshëm të cilët pushtuan pëllëmbë për pëllëmbë tokën e atij vendi, kurse në Kosovë kjo dukuri u çfaq  vetëm pas përfundimit të Luftës, me invazionin marramendës të Vendeve Arabe të cilat nëpër fshatra të tëra kushtëzonin meremetimet dhe ndreqjet e shtëpive me ngritjen e një tempulli fetar. Pra, në të dy rastet, në Shqipëri pas rënies së diktaturës komuniste dhe në Kosovë pas shporrjes së sllavëve kanë vërshuar nga anët e anëve klerik dhe organizata të ndryshme të cilat shkojnë dhe propagandojnë fenë e tyre, duke pasur duar të lira të bëjnë dhe realizojnë qëllimet e tyre. Kjo s'do të kishte gjë të keqe në kushte të tjera, mirëpo, në kushtet e tanishme, në të cilat gjenden institucionet shtetërore dhe fetare të Shqipërisë si dhe institucionet shtetërore të Kosovës, ata njerëz që predikojnë ato fe, do të spekulojnë duke ditur interesat materiale dhe interesat e tjera jetike.
Klerikët e Kosovës dhe të diasporës, të cilët i shpëtuan kthetrës së ateizmit bolshevik e në mënyrë të pandërprerë e kanë ushtruar profesionin e tyre, dhe të cilët kanë ndikim të madh tek besimtarët, zotërojnë mjete të shumta materiale, duhet të punojnë për aspektin shqiptar të feve, për rritjen e profesionalitetit dhe autoritetit të klerikëve shqiptarë. Ata duhet të drejtojnë vetë institucionet fetare, e jo të lejojnë të vinë nga ana e anës klerik të huaj dhe të predikojnë çfarë iu përshtatet për të realizuar interesat e tyre.
Po ashtu edhe intelektuali shqiptar, i cili për fe ka shqiptarizmin, sot ka detyra të mëdha. Së pari, që në asnjë mënyrë të mos jenë indiferentë ndaj feve, sidomos ndaj klerikëve si kolegë dhe bashkëpunëtorë në projekte të ndryshme shkencore. Pozita më e mirë e çdo intelektuali, do të ishte që për hir të interesave kombëtare me respektin e tij, t'u përkasë të tri feve të sotme që ushtrohen në trojet tona. Me shpresë se kjo do te zbuste sadopak efektin ndarës e përçarës, të cilin e shkaktoi për një periudhë gjysmëshekullore rryma ateiste e bolshevizmit stalinian, duke i shkaktuar dëm të madh shpirtit fisnik të njeriut tonë. Prandaj, klerikët dhe intelektualët shqiptar kanë shumë detyra atdhetare në këto kohë.

Toleranca e feve:

Analiza e marrëdhënieve të feve, sidomos në truallin shqiptar, tregon se ky popull në asnjë rast, në asnjë periudhë historike, edhe pse nën sundime të ndryshme dhe përkundër përpjekjeve, nuk pati përçarje, grindje apo luftëra fetare ndërmjet veti, çka është shumë normale edhe për shtetet më moderne demokratike të cilat për bazë fetare kanë krishterimin p.sh. Irlanda e Veriut dhe Anglia. Në asnjë rast predikuesit e feve, të të tri besimeve nuk patën këmbëngulje kategorike, për të mbisunduar mbi fenë tjetër dhe proklamuar se vetëm ajo fe që ushtron vet, ka të drejtën e ekzistencës. Sot gjendja ndryshon, madje ka shenja të dukshme të radikalizmit fetar nga fondamentalistëst apo integralistët e feve qëndrojnë tamam në këto pozita mostolerance, megjithëse historia e feve, sikurse edhe historia e feve shqiptare është e mbushur përplot me shembuj të një tolerance të madhe.
Edhe pushtuesit më të rreptë me besimin islamik (sulltanët ndërmjet tyre) janë treguar tolerantë ndaj fesë së popujve të okupuar, sikurse edhe shqiptarët në periudha të ndryshme historike që u treguan mjaft tolerantë e solidar siç është rasti me çifutet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po sot këtë tolerancë e gjejmë të kultivuar kryesisht te krishterizmi evropian dhe ai amerikan të cilët edhe në këto rrethana kanë lejuar në Kosovë të ndërtohen gjithë ata tempuj të fesë islame, po më shumë kjo tolerancë do të vërehet me ushtrimin e kësaj feje pa asnjë pengesë nëpër vendet evro-amerikane, duke dëshmuar se toleranca fetare e këtyre vendeve ka pushtuar shpirtrat e miliona njerëzve të cilët për fe kanë islamizmin. Kjo tendencë në rritje sigurisht që i ka penguar dhe i pengon Organizatat fanatike që janë për një radikalizëm dhe për një mos tolerancë në mes feve.
Kulturën e një tolerance fetare në kohërat e shkuara e gjejmë edhe në vendet arabe të cilat edhe pse ligjet i kanë të bazuara në të drejtën islame, në vendet e tyre kanë lejuar ngritjen e kishave, të cilat kanë ushtruar fenë e krishtere në mënyrë autonome. Sidomos, kur u pushtua Spanja, predikuesit e besimit islamik (shek. IX), në Universitetin e Kordovës, lejonin të jepej aty mësim, njëkohësisht, nga mysliman, të krishterë dhe çifutë! "Noli, duke qenë vetë klerik i krishterë, në shkrimin e tij <Lëvizja panislamike në Misir> i thur lavde qytetërimit islamik arab dhe, në mënyrë të veçantë, tolerancës së madhe që ky qytetërim pat treguar (në shekujt e kaluar) ndaj besimtarëve tjerë".
Por, e ashtuquajtura luftë klasore, që u praktikua në gjithë kampin e socializmit, tregoi një arrogancë të paparë ndaj fesë, sidomos pushteti i Enver Hoxhës në Shqipëri, i cili si justifikim teorik pat mohimin e çdo lirie të besimit dhe të mendimit, si pretekst për të shtypur çdo lloj kulti tjetër, përveç atij të "prijësit"; pastaj ndëshkimet fizike, shartimi, gjegjësisht prekja e ideve në veprat e rilindësve kur ishte fjala për predikim fetar, prishja e institucioneve fetare e gjer tek likuidimet e atyre klerikëve, që guxuan të merren me predikimin e vlerave më pozitive të fesë, çuan në një denigrim të madh, në një shkatërrim gati të plotë të shpirtit të njeriut. Vrazhdësia e sjelljeve të klasës në pushtet dëmtoi shumë shpirtin njerëzor, duke u sjell ashpër, rreptësinë në dënimin e tjetrit; prirjen për t'u zemëruar me mikun, indiferencën ndaj të leckosurit që kërkon lëmoshë, gatishmërinë për t'u grindur, sharë, ngacmimin ofendues të femrës, shtyrjen me bërryla të të fortit ndaj të  dobëtit, tallja në rrugë etj. Kjo vrazhdësi u gjeneralizua, u bë terren ushqyes për klasën në pushtet, e cila nuk ngurroi të bëjë procese të montuara dhe ti linçoj njerëzit dhe klerikët me burgime të përjetshme.

Qëndrimi parimor ndaj fesë:

Me këtë rast nuk  duhet nxehur gjakrat, por kjo është  një shenjë e tmerrshme që është bërë ndaj njerëzve e shpirtit njerëzor: se sa e tmerrshme dhe tragjike do të ishte përsëritja e tyre, siç i kemi dëgjuar indikacionet e këtyre ditëve në Kosovë. Tani më shihet nevoja e madhe dhe mjaftë urgjente për një punë sistematike, frontale, në drejtim të shëndoshjes së shpirtrave, nga ana e të gjithë atyre që, drejtpërdrejti apo tërthorazi kanë të bëjnë me shpirtin e njeriut, me edukimin e njeriut me drejtimin e shtetit.
Nga qëndrimet parimore të intelektualëve ndaj fesë duhet të burojnë edhe qëndrimet e besimtarëve, edhe atyre më fanatikëve. Në rast se forcat demokratike e në rend të parë ato fetare arrijnë të përparojnë shpirtin vizionar të njeriut, megjithëse jo të idealizuar, por në thelbin e tij paqësor, joviolent, të butë, zemërbardhë, solidar në fatkeqësi, shkurt, formimin e një njeriu, që do të kishte për model figura nga librat e shenjtë, kjo do të ishte një fitore e madhe për shoqërinë tonë. Kjo, mendoj, nuk është aspak një utopi, as edhe një qëllim tepër i largët, që do të kërkonte shumë e shumë brezni. Pas një periudhe kohore 15 eventualisht 20 vjetësh, do të kemi njeriun shqiptar që do të përshkohet nga një shpirt i butë, i dashur e humanitar. Sikurse që do të kemi besimtarë të mirë, të cilët siç respektojnë shenjtorët e fesë së vet, respektojnë shenjtorët e fesë tjetër, po ashtu do të respektojnë festat, kultet, ritet e në veçanti kulturën dhe traditën kombëtare. Në të kundërtën do t’i korrim rezultatet e së keqes, mos tolerancës të cilën do ta përjetojmë edhe ne vet, po më shumë brezat që do të vijnë.
Në këtë mënyrë një shërbim i madh mendoj do t'i bëhej shqiptarizmit të fesë, duke nxjerr në pah shenjtorët që kombi ynë u ka dhënë feve. Po sikur në këtë drejtim të angazhohen klerikët, shkrimtarët, psikologët, pedagogët, sociologët, mjekët, me një fjalë njerëzit e mbërrimë, e të përpunonin një program shkencor, kompleks, për një zhvillim të shëndetshëm fizik e shpirtëror të shkollarëve. A thua pas një periudhe të shkurtër kohore këta shkollarë nuk do të ndryshojnë nga ata të sotmit? A thua shpirtin e tyre nuk do ta mbushte gëzimi e optimizmi për shqiptarizimin e fesë, në vend të injorancës e të denigrimit. Kështu për të shkuar tek ideali atdhetar përmes fesë na duhet shpenzuar energji të shumta intelektuale, na duhet punë e përpjekje të sinqerta. Pra, pse të jemi pesimistë e skeptikë ndaj perspektivës. E gjithë kjo na duhet edhe për të mos arritur, që të huajt të instrumentalizojnë fenë. Klerikët tanë duke thithur jo vetëm dije shkencore, por më shumë se çdo gjë duke thithur edukatë, duke thithur mirësi, zemërbardhësi, e pse jo, edhe trimëri e patriotizëm, në mënyrë që klerikëve të huaj të mos u japin në duar asnjë koniunkturë dhe asnjë faktor tjetër për të ndikuar negativisht në jetën e kombit tonë. Kjo që u tha deri më tani, do të jetë një përdorim i ndershëm i fesë, dhe shembull i mirë, si burim frymëzimi për veprime paqësore, për veprime të urta, njerëzore, për veprime pajtimi e dashurie ndaj njëri-tjetrit.
Gjendja e krijuar në Shqipërinë komuniste, ku diktatura përmbyti të gjitha institucionet fetare, ishte shansi më i mirë i pretendimeve greke për të invaduar në këtë vend pas shkatërrimit të komunizmit. Po me këtë avaz kanë vërshuar Organizata Islamike nga Vendet Arabe. Tashmë Shqipërisë i mungonin kuadrot e veta profesionale, ishte bërë  një shkëputje e kontinuitetit të ushtrimit dhe edukimit laik, gjë që siguroi kushte të favorshme për pretendimet ultra-nacionaliste greke dhe atyre fundamentaliste islamike. Tashmë nëpër Shqipëri kleri grek shëtitej pa pengesa dhe atë nën maskën vëllazërore për të restauruar kishat e me këtë  duke agjituar propagandë nacionaliste, ku as shtetet më demokratike në botë  këto gjëra nuk i tolerojnë. Duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike, kisha greke tashmë filloi të helenizoj pjesë të caktuara të trojeve shqiptare, filloi t'ua ndryshon emrat dhe kombin. Dhe siç thuhet në këto kushte shqiptari i sfilitur nga diktatura e kuqe, brenda dite ishte në gjendje të ndryshon shtat herë fenë. Bredhjet e klerit grek nëpër Shqipëri, përkrahja që iu dha Kryeklerikut edhe nga intelektual të njohur në vend, e deri te pritja madhështore që iu bë nga intelektual e klerik shqiptarë në Amerikë qet në pah defekte tejet tragjike me përmasa shqetësuese. Po këtij revani ia mësynë shoqata të ndryshme islamike të cilat në emër të ndihmës "vëllazërore" ishin në gjendje që në secilin fshat të ndërtonin nga një xhami. Pra as grekët e as arabët në Shqipëri nuk erdhën me qëllime fisnike, por me prapavija të tejdukshme politike. Logjika greke ka punuar me vetëdije të plotë se për ta mbajtur të robëruar Çamërinë e Selanikun, duhet pasur pretendime në Korçë, Gjirokastër e pse jo edhe në Elbasan. Kjo logjikë ka vepruar në mënyrë perfide sa që ka arritur sot të jetë altoparlantë e politikës shtetërore dhe diplomatike të Greqisë ku për fat të keq kësaj daulleje po i mëshon kleri dhe mjerisht një pjesë e intelektualëve shqiptarë.
Në Kosovë kjo gjendje ndryshonte për arsye të funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve fetare edhe gjatë periudhës së komunizmit. Edhe këtu shihen disa lëvizje apo më mirë t'i quaj disa prirje për t'iu rikthyer religjionit, tashmë në ekstremin tjetër, pra atij fundamentalisto-islamik. Është për t'u çuditur kur dëgjon se sot me dhjetëra intelektual shqiptarë, mësues e profesor, inxhinier e nëpunës administrate, të cilët deri dje ishin funksionar politik të Lidhjes Komuniste e më këtë ateist të përbetuar, tashmë iu kthyen papritmas xhamive dhe axherimit, shembull tipik i një fushate panislamike në kohën kur ndërrojnë erërat politike. Po kështu vepruan edhe nostalgjikët e ateizmit enverian, që pat marrë përmasa të mëdha në Kosovë, tash edhe ata iu kthyen befas besimit dhe orientit, të cilët na dalin më klerik se vet kleri, vetëm se duke i zëvendësuar teoritë edhe ashtu të shtrembëruara të marksizëm-leninizmit. E gjithë kjo hipotezë tani pas Luftës së Kosovës është duke u vënë në skenë dhe qëllimet panorientale kanë marrë përmasa shqetësuese. 
Padyshim se arma më e ftohtë për ta asimiluar një popull është feja. Kjo formë mund të quhet mbytje me pambuk. Ndonëse asimilimi fetar kërkon kohë të gjatë, sllavët këtë e përdornin  duke e kombinuar me dhunë permanente se gjoja këtë e bëjnë në mbrojtje të krishterizmit, për të cilin besim do të flijohen, për ta penguar invadimin islam drejt Evropës.
Me këtë metodë, më shumë se të gjithë të tjerët kanë pësuar shqiptarët. Në kohën kur u shkatërrua perandoria romake dhe me fillimin e ndikimit të Bizantit, mjet të vetmin për ta pushtuar një vend ishte feja. Invadimet e shumta dhe mjaft të shpeshta në periudha të ndryshme të cilat shoqëroheshin me luftëra të pandërprera bëri që shqiptarët të lodhen e drobiten. Sllavët në tokat shqiptare synim pushtimi kishin institucionet fetare duke i adaptuar si kisha të tyre, me ç'rast bëhej edhe terror mbi popullatën vendore dhe të pambrojtur të cilën e përbënin shqiptarët. Për t'i shpëtuar kësaj shfarosje, një numër i madh i popullsisë u kthye në ritin bizant të cilin e udhëhiqnin kryesisht sllavët, duke i pranuar të gjitha ritet e ortodoksizmit.
Në këtë kohë fillon sundimi i egër serb ku ekzistonte një dallim etnik midis shtresave të ulëta  popullore të përbërë kryesisht nga shqiptarët dhe klasës sunduese feudale në shumicë serbe e përzier me pak element shqiptarë.  Në rrethanat e sundimit politik e fetar të kishës serbe, kjo popullsi shqiptare, si element politikisht e shoqërisht e shtypur, i ishte nënshtruar një procesi sllavizimi dhe duke qenë ortodokse, për shkak të mbizotërimit politik e fetar serb, mbante një antroponimi që e kishte humbur karakterin e dalluar etnik shqiptar dhe i përkiste në shumicë antroponimisë së sferës ortodokse serbe e bizantine, ose ishte e përzier shqiptaro-sllave, krahas asaj pjese të popullsisë shqiptare të besimit katolik që mbante antroponimi të pastër shqipe.
Popullsia shqiptare e cila ruante me fanatizëm krishterizmin sipas ritit romak, për t'u dalluar nga pjesa tjetër e popullsisë shqiptare tashmë që kishin pranuar ritin ortodoks me sa duket i quante “shkie”. Kjo shprehje edhe sot e kësaj dite ruhet ndër shqiptarët dhe me fjalën “Shka, shkja, shkie” etj nënkuptohej ai që nuk i zbaton ritet fetare të familjes, përkatësisht i dal nga rendi dhe rregullat familjare. Mendoj se për t’u shpjeguar kjo fjalë për bazë duhet marrë kuptimi dhe domethënia e saj se sa teoritë e deritanishme. Megjithatë kjo le të mbetet çështje e profesionistëve dhe atyre që i qëmtojnë më saktë gjërat shkencore që bien në fushën e emërtimeve dhe prejardhjes së atyre fjalëve.
Tashmë shqiptarët e kthyer në këtë rit, predikimet e tyre i dëgjonin në gjuhën sllave, po ashtu edhe festat filluan të mbahen sipas kalendarit Bizant që e predikonin sllavët, kështu që u krijuan parakushtet e një ndarje të re të popullsisë të cilës dalëngadalë filloi t'i imponohet edhe gjuha sllave. Për më shumë kjo ndodhi për shkak të rregullimit të dokumentacionit, bekimeve, kongulimeve e riteve të tjera që ishin të përditshme dhe bëheshin vetëm në gjuhën sllave. Tashmë, ky etnikum shqiptar që dalëngadalë u asimilua në shkie e jo sllav, dallohej nga pjesa tjetër e popullsisë shqiptare dhe e atyre ardhacakëve sllav. Është e rëndësishme të rikujtohet se popullsia vendëse kurrë nuk e quajti këtë etnikum serb, sepse nuk ishin. Elementi shqiptar tashmë u emërtua me një emër tjetër duke e quajtur shkja. Me këtë emër dallohej menjëherë se ai është shqiptarë i cili ka pranuar ritin Bizant dhe se për gjuhë ka gjuhën sllave. Politika sllave kishte pretendime të mëdha me një politikë afatgjate, por nuk ia arrinte qëllimit të përvetësonte shumë shqiptarë e kështu detyrohej shpeshherë të sillte elementin serb për ta shtuar numrin e popullsisë me këtë rit për të ripërtërirë shpirtin e ortodoksizmit të cilin  zakonisht e vendoste mbikëqyrës të institucioneve fetare të cilat ua kishin grabitur më parë me  dhunë shqiptarëve e duke i pasuruar me toka pjellore dhe kapital të çmuar. Elementi ardhës serb, i cili në Kosovë udhëhiqte vetëm institucionet fetare, kishat dhe manastiret, që punonte tokat e kishave ishte i pakt në numër, fare i pakt. Ky element dalëngadalë filloi t'i humb tiparet  e veta kombëtare që me shpejtësi iu përshtatën atyre të shqiptarëve, kuptohet sidomos të atyre të ritit ortodoks. Për studiuesit nuk është e vështirë të përcakton ngjashmëritë e shqiptarëve të dy riteve atij islam dhe ortodoks. Kurse te elementi ardhës serb ndryshimet janë të mëdha me ato të serbëve që jetojnë në brendësi të sllavëve.
Duke e parë një rrezik të humbjes përgjithmonë të pushtetit shpirtëror mbi institucionet kishtare të shqiptarëve, kisha ortodokse serbe filloi të bënë invadimin e popullsisë serbe në këto treva sidomos gjatë mesjetës së hershme dhe asaj të vonë ku gjurmët janë të dalluara dhe dokumentacioni është ruajtur deri në ditët tona, megjithatë në asnjë periudhë kohore nuk arritën ti kalojnë në epërsi shqiptarët.
Shqiptarët i ruajtën kishat e tyre brez pas brezi, jo si institucione sllave por si institucione të veta shpirtërore. Edhe pse sundimi otoman zgjati shumë, edhe pse popullsia shqiptare (pjesa më e madhe), kaloi në islamizëm, prapëseprapë kulti i kujdesjes ndaj kishave dhe manastireve, gjenezën e ka në shpirtin e vet fanatik për të mos hequr dorë kurrë nga diçka që ishte e vetja. Asimilime të popullsisë shqiptare ka pasur edhe më vonë, tash jo duke ua imponuar fenë, por vetëm gjuhën sllave, kështu ndodhi me shqiptarët në trevën e Sanxhakut te Pazari i Ri, pastaj në Gorë të Prizrenit apo në trevën e Strugës me të ashtuquajturit Tyrbesh. Është fatkeqësi për shkencën shqiptare që nuk i ka studiuar hollësisht këto raste për të argumentuar botërisht se çfarë pushtuesi kanë pasur deri dje dhe çfarë kanë ata në Maqedoni dhe Kosovë Lindore edhe tashti. Shpresoj se së paku tash e tutje dikush do të merret me këto analiza dhe studime. Asimilime më të dhimbshme ka pësuar popullsia shqiptare në Çamëri, megjithatë nuk janë shkatërruar të gjitha gjurmët dalluese. Për këtë tragjedi ndikim të drejtpërdrejt ushtroi kisha ortodokse greke dhe injoranca totale e pushtetit komunist në atdheun amë. Metoda të dhunës dhe diskriminimit në forma të shumta i ka ushtruar edhe Perandoria Otomane e cila po me të njëjtat metoda ka ushtruar dhunë e terror mbi shqiptarët e besimit të krishterë për t’u konvertuar në islam dhe si pasoj e kësaj dhune dhe terrori do të kemi elementin “laramanet” dhe “kriptokrishterizmin” i cili u detyrua të ndryshoj emrat dhe mbiemrat kurse në mënyrë të fshehur kanë ruajtur doket dhe zakonet, po më shumë fenë e tyre që e kanë trashëguar nga gjysh stërgjyshërit e largët.

Luftërat dhe feja:

Bota është e ndarë në dy zona të mëdha të interesit. Në mes këtyre dy zonave ekziston edhe një rrip ortodoks që shtrihet nga Kremlini e deri në Athinë, i cili e ndanë botën e besimeve të kundërta kurse vet ushtron dhunë e terror permanent në emër të besimit të tyre. Nuk më ka rënë të lexoj nga ndonjë studiues i cili do të shpjegonte më mirë si ka mbetur rripi ortodoks në mes këtyre besimeve të mëdha, dhe si ka mbetur tek ta kult fetar dhuna dhe krimi mbi të gjithë besimtarët e fesë jo ortodokse. Prandaj dihet se këto interesa më shumë se çdo gjë tjetër i dallon besimi i tyre fetar që ndahet në krishterizëm dhe islamizëm. Nga ky parim i ndarjes edhe luftërat më të mëdha në botë janë lufta të karakterit fetar. Konfliktet e përhershme në Lindjen e Afërt dhe sidomos luftërat e herëpashershme në Ballkan janë treguesi më i mirë i kësaj që pohojmë. Këto janë më shumë luftëra fetare se sa nacionale, pavarësisht nga dekori dhe petku që ua mveshin. Luftëra fetare jo rrallë bëhen edhe nëpër ato zona ku ushtron ndikim vetëm njëri religjion. Kjo ndodh, sepse edhe njëra edhe tjetra fe i ka ndarjet dhe nënndarjet brenda për brenda religjionit të vet. Gjithmonë luftërat kanë qëllim të realizojnë ushtrimin e fesë në regjione të caktuara. Luftërat në këto vende do të marrin kahe tjetër po sikur të ishin regjione krejtësisht të krishtera, apo islamike, pavarësisht cilit ndikim i takojnë, katolik, protestant, evangjelist apo shit e sunit tek besimi islam.

Ushtrimi i fesë në diasporë:

Një çështje tjetër për t’u analizuar është edhe ushtrimi i fesë në diasporë, ku Komuniteti shqiptarë në Evropën Perëndimore është i madh, dhe ka tendenca për t'u rritur ende. Në këto kushte të kaosit ekzistues, shqiptarët  me vete morën fëmijët, plaçkat, mentalitetin e së bashku me to edhe religjionin. Tash në Evropë me një fanatizëm të theksuar ushtrohet dhe kultivohet feja islame. Ekziston Komiteti Islamik Shqiptar, i cili me një eufori do të hap xhami nëpër gati çdo qytet a qytezë të perëndimit, sa të shkon mendja se shqiptarët na qenkan kujdestarët themelor të kësaj feje në gjithë botën oksidentale. Kësaj fushate që po i vjen erë fundamentalizëm islamik me kujdes të shtuar i kanë fryrë edhe shtypi i përditshëm. Nëse ia lëshon syrin këtyre gazetave në njërën nga ditët e festave islame, nuk e beson se nuk je diku thellë në zonat orientale. Madje, është tepër brengosës rasti kur takon në mes të Evropës aty-këtu vajza shqiptare madje nën moshën 20 vjeçare me kostume dhe veshje orientale, ndërsa gratë më të moshuara të mveshura me uniformat e një besimi radikalist që është i njohur si Wehabista. Të rralla janë ato qytete që nuk kanë xhaminë e vet, absurdi arrin deri aty, kur dëgjon se shqiptarët e këtij besimi kanë grumbulluar miliona franga për të ndërtuar edhe xhamit e tyre?! Nëse jua llogarisim qiranë e përgjithshme  në një shtet Evropian siç është ta zëmë Zvicra, (ku unë prej vitesh jetoj) do të kemi një shumë marramendëse me të cilën do t’i mbanim tre katër universitete me famë botërore.
Një rol me rëndësi në këtë dhjetëvjetësh ka mundur ta luan Misioni Katolik Shqiptarë por ai përveç disa meshave që i mban, nuk e di se çfarë bënë për shqiptarët, kur në të njëjtën kohë kishat e popujve tjerë (serbë, kroat, maqedon, grek etj.), udhëheqin gjithë arsenalin e propagandës së shteteve të tyre përmes kishës. Më shumë se çdo gjë në botën perëndimore dhe në Amerikë, “Misioni Katolik Shqiptar”, duhet ta kryen misionin e shenjtë në dobi të çështjes kombëtare.
Në fillim pas rënies së komunizmit në Shqipëri qe thënë se është manipuluar me numrin e vërtet të popullsisë shqiptare me besim islam, me qëllim që Shqipëria t'i bashkëngjitet Lindjes. Është tragjike se si intelektuali ynë ra aq poshtë sa që nuk ishte në gjendje t'i kapi gjërat me kohë. Deri sa popullsia e Shqipërisë për 30 vjet nuk ushtroi fenë (hiç ndonjë të vjetër) të gjitha gjeneratat e reja u lindën, u rritën  dhe u shkolluan pa ndikimin e fesë. Në këtë periudhë, në Shqipëri duhej formuar një grup i shkencëtarëve për t'ia dhënë kahen përqindjes së popullsisë me besim të krishterë. Kjo do të bëhej pa dhembje, tronditje e trauma shpirtërore. Shqipëria Evropiane është atëherë kur edhe kultura shpirtërore e Evropës flenë në Shqipëri. Nëse kishim vepruar sipas logjikës së etnobotanistit rus Timarzajev, gjatë kësaj kohe ka qen e mundur dhe mjaft lehtë që më se 85% e popullsisë shqiptare të bëhej e krishtere. Pastaj në Kosovë të gjithë komunistët, marksist-leninistët dhe stalinistët duke i përfshi edhe ateistët do të mund të besonin  jo më në Marx-Engels-Lenin-Stalin të krishterë por në Jezu Krishtin po ashtu i krishterë. Kështu do të ishte mirë të ndodhte edhe tek shqiptarët në Maqedoni dhe Mal të Zi. Është tepër e çuditshme dhe mjaft qesharake kur dëgjon se pijanecët brenda nate na u bënë laik dhe fanatik të theksuar, duke lëshuar mjekra dhe duke predikuar radikalizëm e mostolorancë.
Ky problem duhej të trajtohej shkencërisht dhe të përcaktohej më qartë fati i popullit tonë, si pjesë e Kontinentit të Vjetër që quhet Europë. Kjo duhej të bëhej jo për ne por për t'i shpëtuar gjeneratat e ardhshme. Kush garanton se pjesa e emigruar e shqiptarëve nëpër botën e krishterë, pas dy-tri gjeneratash nuk do të asimilohen tërësisht e më këtë edhe shpirtërisht do tu përshtatet rrethanave të reja, pavarësisht nga ajo që Komiteti Islamik fetare sot përpiqen të ndikojnë në këtë çështje.
Të gjitha luftërat e bëra në tokat shqiptare janë luftëra nacionale. Të gjitha padrejtësitë që janë bërë kundër shqiptarëve kanë rezultat besimin fetar. Edhe sa kohë do të bëhen shqiptarët beden i luftërave të pandërprera dhe a kanë mundësi t'i përballojnë edhe më tej padrejtësitë historike. Kjo që shtrova nuk është një utopi për të bërë sensacion, por e konsideroj mjaft të vlefshme për momentin. Tash pas kaq e kaq  vitesh unë nuk ndihem i nderuar pse ia paskam qëlluar në atë kohë unë edhe tashti ndihem mjaft i hidhëruar pse shtresa intelektuale nuk lejoi të debatohej atëherë kur gjërat do të zhvilloheshin në drejtimin e duhur dhe në të mirën e Kombit tonë të përvuajtur. 
    
Zvicër, 1992.
Adresa:
shefqet.dibrani@bluewin.ch

*Një version i shkurtuar është botuar në revistën “Veprimi, nr. 3   Preshevë 1996. Kurse në vitin 2002 në ALBEUROP: http://it.groups.yahoo.com/group/albeuropa/message/11185



(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora