E enjte, 28.03.2024, 05:21 PM (GMT)

Speciale

Ilir Çumani: Revista Integrim, një “strehëz” e ngrohtë, një “Prind” i dashur dhe “avokate” e fortë për jetimët në Shqipëri

E hene, 02.03.2009, 08:40 PM


Ilir Çumani, Botues i Revistës  “Integrim” me shkrimtarin dhe Poetin e madh Dritëro Agolli
Ilir Çumani, Botues i Revistës “Integrim” me shkrimtarin dhe Poetin e madh Dritëro Agolli
Revista Integrim është botim i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.
Është e vetmja revistë sociale, informative e kulturore me ngjyra, që trajton problematika të ndryshme sociale dhe bënë publike veprimtarinë e këtij Instituti me jetimët. Botohet me 100 faqe dhe shpërndahet falas në tregun shqiptar.

   
Një tjetër pemë e re
 
Nga
Dritëro AGOLLI
“Nder i Kombit”, Akademik, Poet, Shkrimtar

Shtypi shqiptar sot është një kopësht me shumë pemë. Këto pemë i kanë mbjellë kopshtarë partish, shoqatash, individësh e me radhë.
Në këtë pyll njerëzit e ndjejnë veten më freskët dhe më mirë sesa në një pllajë me dy – tri gorica.
Dhe freskinë që vjen nga ky pyll do ta pasurojë edhe  një pemë tjetër me emrin “Integrim”, tribunë e jetimëve shqiptarë, të cilët, ç’është e vërteta, nuk janë jetimë, përderisa jeton nëna jonë dhe e tyre Shqipëria.
Edhe tribuna e tyre “Integrim”, do të punojë dhe luftojë, që jetimët të mos e ndjejnë veten jetimë, por luftëtarë për të mos patur jetimë…

Adelina MAMAQI
Adelina Mamaqi
“Foshnja” që hedh hapin e parë…
 
Nga Adelina MAMAQI
Shkrimtare për fëmijë

Lexuesve shqiptarë, ju është bërë një dhuratë e re; revista “Integrim”, Organ i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.
Kjo revistë nuk vjen te ne si një mjet pasqyrimi e propagande partiake. Në ansamblin e shtypit shqiptar, ajo do të vibrojë si një zë i ri që buron nga zemra të mbushura me dashuri për jetën, për botën, për njerëzit.
Është zëri i atyre krijesave njerëzore që u rritën  e po rriten  të etur për kujdes, ngrohtësi e dashuri, të cilën dinë ta japin  me një humanizëm të thellë.
Është një botë e madhe, e veçantë, polihedrike të cilën kemi nevojë ta njohim e ta ndihmojmë për t’u bërë edhe ne vetë më të mirë, më njerëzorë; për t’u fisnikëruar.
Le ta dëgjojmë këtë zë të ri! Le t’i hapim dyert e zemrave dhe të shtëpive tona! Le ta përshëndesim dhe t’i urojmë mirëserdhjen dhe suksese foshnjëzës që sapo hodhi hapin e parë; revistës “Integrim”.
 

Ilir Çumani, Botues i Revistës  “Integrim” me shkrimtarin dhe Akademikun Bedri Dedja
Ilir Çumani, Botues i Revistës “Integrim” me shkrimtarin dhe Akademikun Bedri Dedja
Himn mendjes krijuese
 
Nga Prof.Dr.
Bedri DEDJA
Akademik, Shkrimtar për fëmijë, Studiues në fushën e Psikologjisë

Kur u takova ditët e fundit me Ilir Çumanin, drejtorin e përgjithshëm të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, duke kundruar sytë e tij të qeshur dhe entuziastë, për një çast m’u  duk vetja se ndodhesha para një zbuluesi të ri, që çan në rrugë të reja. Instituti që ai drejton dhe vetë Iliri, për mua, që tani janë një zbulim i ri në rrugën e ardhshme të  intelektit dhe moralit tonë kombëtar, një element krejt i ri  i psikologjisë shoqërore të njerëzve tanë.
Unë e përfytyroj Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptar, jo vetëm si fondacion dhe institucion bamirësie për të kualifikuar pa shpërblim personat jetimë, për t’i mbrojtur ata me ndihmën e shtetit, për t’i integruar sa më mirë në shoqërinë shqiptare dhe për t’i mbrojtur nga cenet e plagët e sotme sociale, që këtë shtresë të brezit të ri mund ta vrasin edhe më rëndë.
Jo. Kam besim që ky institut do të bëhet më shumë, dhe patjetër do të bëhet. Kjo duket qartë edhe nga programi i tij, i cili i ngjet një plani të madh objektivash, synimesh dhe prespektivash.
Në këtë mes, thelbësorja për mua është që më ndihmën e sa më shumë personaliteteve të shquara të vendit tonë, njerëzve pasionantë, që nuk kursejnë asgjë për jetimët, për këtë shtresë që duhet të na ngjajë me qerpikët e syve të shoqërisë, - Instituti të kthehet shkallë – shkallë edhe në qendër shkencore, kërkimore për objektivin që ka.
E detyrat në këtë fushë janë të shumta:
a) – jo vetëm trajtimi psikologjik e social i jetimëve, po edhe diagnostikimi i aftësive dhe prirjeve të tyre për jetën, edukimi i talenteve, që janë aq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit,
b) – krijimi i departamentit specifik mjekësor,
c)- veç revistës “Integrim”, edhe krijimi i bibliotekës së literaturës psikologjike e pedagogjike, që i kushtohet këtij problemi, po për të cilin është e interesuar e gjithë shoqëria jonë.
Përshëndes   iniciativën e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë për 20 Majin, si “Ditën Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve!”
Ky është një flamur tjetër midis flamurëve të festave tona.

Mimoza Ahmeti
Mimoza Ahmeti
“Integrimi” është morali dhe dinjiteti i një shoqërie

Nga Mimoza AHMETI
Poete, Publiciste, Piktore

Fëmijët pa mbështetje familjare si dhe ata të braktisur, janë ajo pjesë e komunitetit që përballen në mënyrën më të ashpër dhe sistematike me fatin e mjedisit.
Për ta lehtësuar këtë përballje, një revistë, sado e thjeshtë në dukje, është një element reflektimi për problemet, edukimin dhe mbrojtjen e kësaj shtrese që zë vend të përfillshëm si madhësi.
Përvojat individuale të fëmijëve të mbetur pa familje dhe atyre të braktisur, janë jo vetëm të dhimbshme, por njëkohësisht mjaft zbuluese dhe denigruese për realitetin. Ato e depërtojnë dhe e masin deri në fund atë. Për individin që e heq, do të ishte një pasuri e vërtetë njohjeje por njëkohësisht edhe vetmi e dhimbjeje.
Lehtësimi i këtij raporti është jo vetëm çështje e dhimbsurisë, por edhe çështje morale për familjet dhe institucionet e shoqërisë, të cilat kanë si tregues të shkallës së lirisë së tyre, ndër të tjera, pikërisht edhe faktin se në çfarë gjendje i kanë krijesat e tyre të pambrojtura.
Prandaj mund të themi se në një shoqëri, ajo që bëhet për jetimët shfaqet si çështje e dinjitetit dhe e shëndetit të saj. Sigurisht, në përpjekjen shqiptare për të dalë nga tranzicioni dhe në atë për integrim evropian, vëmendja ndaj kësaj shtrese vjen në rritje nëse përpiqemi sado pak. Ndryshimi i marëdhënieve ekonomike jep mundësi për burime financiare e organizative të reja ndaj këtij kontigjenti, ndërkohë që në mënyrë paradoksale fenomenet e prostitucionit, dhunës etj, përzihen me këtë shtresë. Sidoqoftë, lufta për humanizëm, si pjesë e demokracisë, nuk ka sesi të mos zgjerojë prespektivën e këtij grupi dhe të mos hapë dritare të reja në këtë horizont të vështirë. Prandaj e përshëndes këtë revistë, e cila sado pak po përpiqet të ndihmojë këtë front që është tërësisht skenë e dukshme e masës së vleravë njerëzore.

Evanthi CIKO
Evanthi Ciko
Një dimension njerëzor

Nga Evanthi CIKO
Ish-Drejtore e Shtëpisë së Fëmijës, Tiranë, “Mësuese e Merituar”

Një telefonatë e vonë në mbrëmje përmes zërit të ngrohtë të Ilirit, më kthehu mbrapa në vite dhe më gjallëroi shpresat njëherësh.
“Drejtoreshë, do të çelim revistën tonë…”
Ç’farë gëzimi dhe punë e mençur! E rrethuar çdo mëngjes nga tituj të shumtë gazetash, siç është krahas anës informative të domsdoshme, por jo radhë dhe spekulative i mbushur plot realiteti ynë, më kot shpresoja mos në ndonjë cep do më kapte syri ndonjë titull a rresht për problemet e familjes sonë të madhe. Shumë pak apo aspak. Përveçse ndonjë përvjetor apo vizitë simbolike bamirësie, asnjë artikull problemor, asnjë shembull përgjithësues apo protestë gazetareske për ndonjë situatë të vështirë. Kontaktet e mia të pandërprera me ‘fëmijët”, tani burra apo gra të integruar në jetën e përditshme, më mbajnë përherë të lidhur me ecurinë e tyre në jetë, me sukseset, vështirësitë dhe zhvillimet e të gjitha llojeve. Përsëri, këshilla, sugjerime, bisedime si me fëmijët e mi të përhershëm por, ç’bëhet me të tjerët, ata qindra pjesëtarë që ndërsa u mungon familja e vogël, janë bij të ligjshëm të familjes së madhe. Duhen ekspozuar problemet, rrugët e çarjes së jetës, u duhet dhënë kurajo e shpesh drejtim për hapat që do të hedhin. Ku më mirë se në rubrikat e bashkëbisedimit në revistën e tyre? Ajo me siguri do të shpërndajë zërin e nënës, këshillat e mësueses, orientimin e të drejtës ligjore, rruga që duhet zgjedhur për të korrigjuar gabimet, etj.
Me siguri stafit të përkushtuar të iniciatorëve, do t’i shtohen
bashkëpunëtorët kompetentë nga fushat e pedagogji-psikologjisë, drejtësisë, administrimit të shoqërisë, organizmat joqeveritarë që kanë objekt fëmijët tanë, etj.
Në një kompjuter, me siguri do të jenë të rregjistruar pjesëtarët e familjes tonë të madhe, adresat dhe të dhëna të tjera informuese për sejcilin prej tyre, si dhe të rinjtë e tjerë që shtohen. Këshillat e “nënës” përmes një letërkëmbi të ngrohtë, me siguri do të zënë një rubrikë të përherëshme, orientuese dhe mbështetëse për raste të veçanta, apo të tjerë që meritojnë të përgjithësohen.
“Fëmijët e mbarë të familjes tonë”, tani familjarë shembullorë e profesionistë të dalluar, me siguri do të kenë në revistë portretet e tyre, ashtu si me siguri do të ketë vend dhe tradita e mirë e shtëpive tona në të kaluarën, edukatorët dhe drejtuesit e shquar, etj, etj.
Duke propaganduar veprimtari të ndryshme që shpesh zhvillohen, por pak njihen dhe u bëhet jehonë, do të rritet kontributi i shoqërisë dhe i organizatave tona, lidhjet mes individësh apo specialistësh të fushës.
Pra, inisiativa e mrekullueshme që ka ndërmarrë Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe personalisht drejtuesi i këtij instituti Ilir Çumani  për botimin e kësaj reviste, do të ketë një rezonancë dhe fushë tepër të gjerë veprimi. Gazetarisë shqiptare do t’i shtohet pesha njerëzore; ajo do të theksojë atë dimension që sa më shumë ta kultivojë, aq më tepër do ta lartësojë në sytë dhe mëndjen e lexuesve të shumtë që do të ketë.
Një këshillë të vogël dhe të vetme:
Mos u tërhiqni para çdo vështirësie që s’do të mungojë t’ju dalë; jepini jetë dhe mbajeni të gjallë këtë “foshnje” të bukur të shtypit shqiptar që ju i dhatë emrin domethënës “Integrim”. Unë mezi po pres të kem në dorë numrin e parë dhe në vazhdim t’ju lexoj. Zoti do t’ju bekojë. Dhe ne të gjithë do t’ju ndihmojmë. Pra, punë të mbarë revistës “Integrim”!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora