E premte, 26.04.2024, 09:30 PM (GMT+1)

Speciale

Ditari i Besa Salihut (I)

E diele, 22.02.2009, 06:57 PM


Besa Salihu
Besa Salihu
Ditar i Besa Salihut?

Redaktor:  Qibrie DEMIRI
Recenzent:  Bardh FRANGU
Lektor: Avni ALIU
Përgatitja teknike:  FERpress, Njazi HAJDARI
Boton: ROZAFA-FERIZAJ
U shtyp në shtypshkronjën  “Dinograf” Ferizaj

E diel, 21.03.1999

Po filloj të shkruaj që sot. Kam ndjenjën se lulet në këtë pranverë do të ujiten me gjak. Sipas rrethanave do të jetë edhe shumë më keq. Gjithçka është në pritje. Të gjithë e ndiejnë se ajri është i rëndë. Një re e zezë udhëton nëpër qiell, si një tren që e bart ankthin nga një vend në tjetrin.
Më mbysin parandjenjat e këqija. Çdo natë  i lutem Zotit të na ndihmojë të dalim nga të këqijat që na rrethojnë dhe të na sjellë shporta me buzëqeshje.

E mërkurë, 24 mars 1999

Sot është një ditë e shënueshme. Filluan sulmet e NATO-s, shpëtimtares sonë, e cila do të na ndihmojë që të arrijmë sa më parë në lirinë e dëshiruar. Në ora trembëdhjetë u dëgjua sirena, gjegjësisht alarmi i parë, i cili përveç sulmit nga ajri paralajmëroi edhe një sulm të tmerrshëm në tokë.
Sot mësova në gjeografi për Britaninë e Madhe. Edhe lexova shumë. Vëmendja më mungonte nganjëherë. Në mbrëmje pata shumë frikë. Bombat e para ranë në Kosovë. Nuk guxova të flija vetëm. Më dukej se dikush kishte hyrë në dhomë dhe donte të më mbyste. Kishte shikim të tmerrshëm.
Çdo të bëhet me ne? Asgjë nuk është e sigurt. Realiteti është i tmerrshëm.

E enjte, 25 mars 1999

Sot është dita e dytë e ankthit. Nëna ka shkuar në punë. Në qytet kanë filluar çrregullimet. Në lagjen tonë ende s’ka ndodhur gjë e keqe, por pasiguria vazhdon të rritet.
Sot mësova për Francën dhe Irlandën. E mbarova librin “Kortezh i lagur”. Librat më ndihmojnë shumë. Përndryshe do të isha çmendur.
Thonjtë i kam grimcuar deri në mish. Jam tejet nervoze, sidomos natën. Por, megjithatë, edhe vetë lëshimi i Kosovës më tmerron.

E martë, 29 mars 1999

Kaluan edhe disa  ditë të tjera, të cilat ishin gati plotësisht të njëjta.
Të gjithë flasin vetëm e vetëm për luftën. Kuptimi i kohës, kuptimi i jetës është zhdukur. Çdokush frikësohet, pasi nuk e di të ardhmen. Televizori dhe radioja janë bërë ushqim… janë bërë çdo gjë.
Askush nuk punon, askush nuk lexon. Jeta është bërë monotone.
Edhe pse e ndjej veten si në një burg magjik, unë nuk mund t’ia lejoj vetes një gjendje të tillë.
Bombardimet janë në qendër të vëmendjes. Nganjëherë dëshiroj të futem nën dhe, mjafton që të mos e jetoj këtë kohë të pa kohë. Kushedi a frikësohen insektet, kushedi a frikësohen zogjtë?
Ndoshta pranvera ka dëshirë të struket në ndonjë vrimë e të mos dëgjojë asgjë, asgjë, asgjë.
Edhe retë janë të frikësuara, sepse vazhdimisht derdhin lot.
Pse të ndodhë vallë në këtë fundshekull? A thua vallë serbët mendojnë se egërsia e tyre do të triumfojë mbi të drejtat tona?
Kjo nuk mund të ndodhë kurrsesi, sepse do të ngrinin krye edhe lulet, edhe zogjtë, edhe fëmijët… E drejta është në anën tonë dhe ne do të fitojmë!
Ëndrra numër një: Nga qielli zbriti një engjëll dhe me baltë e krijoi një zog me krahë të gjelbër, të cilit i mungonte njëri sy.
Zogu fluturoi dhe kur u kthye në shpinë kishte edhe një buburrec të vogël me një shkop magjik në duar. Magjistari e krijoi një kopsht të vogël, ku cicëruan bilbilat e vallëzuan trëndafilat. Lumturia e tyre me ngjyra u përhap tejpërtej planetit dhe i gëzoi të gjithë.

E mërkurë, 31 mars 1999

Kjo ditë, që është dita e fundit e muajit mars dhe dita kur u bë një javë nga dita hyjnore e NATO-s, është pak më ndryshe se të tjerat.
Nën qiellin e mrrolur shqetësimi përhapej kudo, kudo…
Që në mëngjes njerëzit filluan të shpërnguleshin për në Pleshinë, shumë, shumë të frikësuar edhe nga minimi i dy shtëpive në rrugën e Pleshinës.
Derisa po hanim drekë, kazerma u bombardua me shumë bomba. Tymi dhe flaka ngriheshin deri në qiell. Ishin shpërthime aq të fuqishme, sa u dridh edhe shtëpia, u hapën edhe dritaret.
Por tashmë ishim mësuar me krisma dhe nuk pamë ndonjë rrezik.
Pas drekës, ishim duke dëgjuar lajmet në CNN, kur kazerma u bombardua sërish. Nga krisma e madhe u duk sikur u ça toka. Menjëherë pas kësaj krisme filluan të iknin edhe njerëzit nga lagjja ime. Prej tyre morëm vesh se disa serbë të maskuar po digjnin shtëpi. Ata ikën shpejt, por me vete morën edhe sigurinë tonë. Ec e rri pastaj!
Dolëm, por ku të shkonim? Atje, për ku janë drejtuar të gjithë. Kështu i përgjigjeshin të gjithë kësaj pyetjeje.
Gruri dukej sikur kërkonte mëshirë e mbrojtje nga gjithë ata njerëz, të cilët edhe pse e shkelnin, nuk e bënin këtë me qëllim.
Nga të katër anët, si një mjegull përbindëshe, hija e vdekjes.
Kolona e njerëzve, e përcjellë nga krismat e automatikëve të serbëve, që në pamundësi për t’iu kundërvënë sulmeve të NATO-s, shtinin kundër nesh, po arrinte në fshatin Pleshinë.
Njerëz të lodhur, të sëmurë, e fëmijë të vegjël, të cilët me një shprehje tmerri në fytyrë e kujtonin lojën e lënë përgjysmë.
Binte shi dhe neve na dukej sikur qielli po qante për të gjithë ne, e sidomos për ato krijesa të vockla…
Edhe pse të gjithë mbanin në vete kujtime nga egërsia e ujqve, prapëseprapë shpresonin se do të vinte një ditë, kur të këqijat do të merrnin fund dhe liria do të vinte patjetër, se nuk bën ndryshe.
Qielli përflakej nga zjarri i shtëpive të djegura dhe nga ai i kazermës së shkatërruar, ndërsa tymi së bashku me retë krijonte një pikturë tragjike.
Duke udhëtuar nëpër ca rrugë të këqija, arritëm në fshatin malor, ku njerëzit kishin dalë nëpër dyer dhe na shikonin me trishtim.
Në fillim u vendosëm në shkollën e fshatit, pastaj gjetëm një shtëpi të një ish fqinji jonë.
Rryma u ndal më ora 19:30 dhe ne fjetëm të lodhur e të rraskapitur, si trupërisht, ashtu edhe shpirtërisht. Kështu përfundoi edhe muaji mars.
Ëndrra numër dy: Një lule u shndërrua në një vajzë gjigante, e cila e mori atdheun tim dhe e vendosi në një vend të bukur mbi re, kurse gjarpërinjtë e helmuar i la poshtë, në një humnerë të tmerrshme, ku ata i shpaguan të gjitha të këqijat që ua kishin bërë zogjve.
Kjo ëndërr e bukur u ndërpre nga shpërthimi i një granate, që shpërtheu në oborrin e shtëpisë, ku ishim vendosur ne.

E premte, 2 prill 1999

Shtëpia ku jemi vendosur që prej tri ditësh është dykatëshe, me bodrum.
Në bodrum janë vendosur dy familje, kurse në katin e parë jemi ne, tri familje. Në katin e tretë nuk jeton askush, sepse është shumë lartë.
Kati i dytë i ka dy dhoma dhe një banjë.
Bën shumë ftohtë e qielli vazhdon të qajë. Për kë vajton kështu?
Nëse shikon lajme, tërë ditën do të dëgjosh lajme të njëjta, që përsëriten.
Për të fjetur është shumë ngushtë dhe kjo është një gjë shumë normale kur në një dhomë të vogël flenë gjithë ata njerëz.
Këtu nuk ke as çfarë të punosh. Punët e  vogla kryhen shumë shpejt dhe pastaj shiko televizor dhe trego përralla pa pikën e kuptimit.
Dje ishte dita e gënjeshtrave, por nuk ishte vendi dhe koha për ta festuar.
Edhe me ushqim nuk i kemi punët aq mirë. Hamë gati vetëm fasule dhe sallamë. Nuk kemi as kafe, as lëngje, as pemë, me përjashtim të çajit, që unë edhe ashtu nuk e pi dhe qumështit që e kemi aq me pakicë, sa nuk mjafton as për më të vegjlit. Njerëzit, në shtëpinë e të cilëve jemi, na ofruan disa ushqime, por ne nuk i pranuam, pasi që nuk kanë shumë as për vete.
Fqinjët e tyre na vizitojnë shpesh dhe i komentojnë të gjitha gjërat me bujë, aq sa nganjëherë më vije të thërras me zë shumë të lartë dhe t’ua mbylli gojën të gjithëve. Nga një copë e granatës është plagosur në shpinë një i moshuar dhe kjo i ka zëvendësuar të gjitha bisedat e tjera.
Ndoshta nuk bën të thuhet, sepse këta na kanë pritur mirë, por të them të drejtën, po nervozohem tepër. Nervoza më shtohet edhe më shumë nga gjithë këta njerëz, me të cilët jetoj momentalisht, sepse ata ndryshojnë tepër nga unë dhe familja ime e ngushtë. Edhe për këtë duhet të hesht dhe të mos flas me zë, por që t’i shkruaj ndjenjat e mia nuk ka të drejtë të më ndalojë askush.
Disa nga fqinjët tanë nuk e kanë pranuar kurrsesi një qëndrim të mëtejshëm dhe sot në mëngjes e kanë lëshuar Kosovën.
Megjithëse nga të katër anët flitet për një shpërngulje masive, shtylla mbrojtëse e shtëpisë nuk po e merr ndonjë vendim të prerë. Si duket mendojnë se së shpejti çdo gjë do të rregullohet. Por unë e ndjej se fundi i luftës është larg, jo i vërtetë, përrallor.
Natën e ndjej veten shumë keq. Qaj ngadalë dhe me qetësi, por shpirti im nuk mund të qetësohet. Ai qan vazhdimisht nga pamundësia që të bëjë ndonjë gjë tjetër. Edhe ëndrrat duket se nuk guxojnë të afrohen shumë tek unë.
Tamam kur e hapin derën e trurit tim, ndonjë krismë e tmerrshme i detyron të largohen me vrap. Është një pakicë shumë e vogël ëndrrash që mund t’i qëndroj çdo pengese.

Besa Salihu ne rumanisht
E shtunë, 3 prill 1999

Duket se asgjë nuk po ndryshon në rrjedhat e kohës. Monotonia e ditëve thyhet vetëm nga ndonjë ngjarje shumë e vogël, si për shembull ndonjë grindje për gjëra pa rëndësi, ndonjë drekë më e mirë dhe ndonjë kafe e nxehtë.
Këtu mungojnë gjërat më elementare për një jetë pak a shumë të qetë dhe të mirë. Mungesa e parë: uji i nxehtë për t’ u pastruar, e kjo shkakton që pastërtia të mos jetë ne nivelin e duhur.
Mungesa e dytë: Nuk guxojmë të dalim në oborr nga frika e ndonjë granate, edhe pse unë dal dhe shkoj edhe deri te lumi.
Shpesh qëndroj edhe në ballkon. Mali që është afër ma falë pak ajër të pastër dhe bashkë me të edhe këngën e një zogu, i cili këndon vetëm një kohë të shkurtër, si të ketë frikë nga diçka, edhe më shumë se unë.
Doja t’ i thoja zogut ik e mos u kthe, por pas pak kohe zëri i tij i ëmbël dëgjohej prapë, duke depërtuar si një shigjetë mespërmes qetësisë tragjike.
Ndoshta me këngën e tij më thoshte: Nuk do të ik prej këtu, përderisa ka fëmijë që vuajnë e vriten. Kam lindur këtu dhe do të vdes këtu, po ashtu duke kënduar.
Atëherë ndonjë lot vërsulej nga sytë dhe pikonte nëpër faqe, si shenjë ngushëllimi për mua dhe për zogun.
Mungesa e tretë, të cilën e ndjej më së shumti është libri. Me vete nuk pata mundësi të merrja e këtu nuk ka asnjë, për besë.
E ndjej shumë mungesën e tyre.
Mirë ka thënë dikush:
             Librat janë ushqim për mendjen - urinë
             dhe ilaç për shpirt - mërzinë.
Prandaj, duke mos i pasur librat, mendja dhe shpirti im janë të uritur dhe të mërzitur deri në qiell.
Unë dua të eci përpara. Nuk mund ta kuptoj si mund të jetohet ashtu siç jetojnë gati gjysma e femrave, që vetëm bëjnë punët e shtëpisë dhe pastaj kur të vdesin, harrohen fare.
Përveç një gjëje të tillë, unë dua të kem edhe diçka tjetër që të mund t’i kushtohem e tëra. Dua të jetoj më gjatë, edhe pas vdekjes sime.            
Prandaj duke i humbur këto ditë pa bërë asgjë të vlefshme, ndjehem e këputur dhe mendja ime duket si brenda një kafazi të akullt, ku nuk mund të bëjë asgjë për të arritur drejt një kulture dhe diturie më të lartë.
Uroj që kjo gjendje rrethimi brenda katër mureve të një dhome shumë të vogël të përfundojë  sa më shpejt!



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora