E premte, 29.03.2024, 03:05 PM (GMT)

Speciale

Alfred Papuçiu: Shqiptarët nga Zara dhe nga trevat e tjera të Kroacisë

E marte, 24.02.2009, 11:33 PM


Alfred Papuçiu dhe Franco Marusich
Alfred Papuçiu dhe Franco Marusich
Shqiptarët nga Zara dhe nga trevat e tjera të Kroacisë

Nga Alfred Papuçiu

Të ndjekësh rrugën tënde në diasporë, duke e mbajtur gjithmonë zemrën të hapur për tjetrin, për fqinjin, shokun, mikun, motrën, vëllain,  përfaqëson pa dyshim një sfidë të madhe. Ti je i ndërgjegjshëm se duke folur për diasporën, për bashkëkombasit kudo që janë në Evropë, në Amerikë, Australi, Amerikë Latine e gjetiu, bën një shërbim sado pak për mbajtjen gjallë të frymës kombëtare, të prejardhjes së qindra mijra shqiptarëve që kanë marrë rrugën qoftë edhe përkohësisht jashtë tokës mëmë, por që një ditë ose ata ose fëmijët e tyre, do të mundin të dijnë se janë shqiptarë dhe se vijnë nga Ballkani, nga Shqipëria apo Kosova, nga Maqedonia, Greqia, apo Kroacia, Rusia apo Egjipti, nga Arabia Saudite apo Argjentina, nga…
Bëmë një digresion për t’u kthyer tek tema kryesore e këtij shkrimi. Kësaj radhe, të dashur lexues, dua të flas për një shqiptar të brezit të tretë, që e ka për nder që e ka prejardhjen nga Shqipëria, nga Dukagjini. Ai flokëthinjur 65 vjeçar, flet me thjeshtësi, pa u mburrur se gjithçka që ka grumbulluar për familjen e tij të madhe, përbën një histori të vërtetë e të dhimshme, të shqiptarëve që menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut u detyruan të lënë vatrat e tyre, për t’i shpëtuar invazionit të huaj. Ai e pranon kur i them thënien e një filozofi të shquar i cili ka theksuar jo pa qëllim se ngjarjet më të mëdha nuk janë orët tona më të zhurmshme por ato më të heshtura. Por kur i them se historia e familjes së tij duhet hedhur në letër, ai më thekson se e ka menduar një gjë të tillë, por ajo s’ka ndonjë gjë të veçantë, është tepër e zakonshme, si edhe përpiqet t’i shmanget duke theksuar se pasioni për profesionin e tij, arkitekt, e ka afruar me artin, me dëshirën për të bukurën, për historinë e shqiptarëve, por nuk i ka lënë kohë më tepër…
Një miku im mjek më tha një ditë: „Ndoshta nganjëherë jemi shumë pranë njerëzve të mëdhenj, por nuk e kuptojmë filozofinë e tyre“. Këtë ndjeva kur e takova së fundi Frankon, shqiptarin me prejardhjen nga Dukagjini, erudit dhe njohës i thellë i historisë së popullit prej nga e ka prejardhjen, prej „Arbanasi“ të Zarës. U njoha me të krejt rastësisht para 12 vitesh, diku në një vend të Evropës. E ruajtëm miqësinë tonë. Më ftoi disa herë në shtëpinë e tij, diku në një fshat të Francës. Një shtëpi e ndërtuar mbi bazat e një ish ferme, ku edhe tavolinën e tij të punës, mobiljet dhe pajisje të tjera të ndërtesës tre katëshe, i ka skalitur me duart e tij të arta. Ai pret atje miq e dashamirës të shumtë, shpesh herë rreth një gote rakije rrushi nga Shqipëria që ja sjellin miqtë, ose edhe me një gotë verë të mirë e të vjetër që ai e njeh si degustator e prodhues i saj. I tillë është dhe në jetë, gjithmonë me atë buzëqeshjen e tij karakteristike, me respektin që gëzon tek kolegët, tek miqtë e shumtë. Edhe unë kam fatin e mirë të jem një prej tyre, që herë herë i marr ndonjë mendim edhe për artin, historinë e popullit tonë, letërsinë, si edhe arkitekturën. Me njohuritë e tij të thella, shpesh më ka folur për historinë e Ballkanit, për prejardhjen e familjes së tij, por nuk ka dashur që ajo të bëhej publike, pasi e quante diçka të zakonshme. Më së fundi ja mbusha mendjen dhe një pasdite më rrëfeu për orë të tëra këto rreshta në dhomën e tij të punës, ku ndodhet një bibliotekë e pasur. Aty gjen edhe fjalorin frëngjisht-shqip të profesorit tim të nderuar të frëngjishtes, Vedat Kokona, të botuar nga „Toena“, një fjalorth italisht-shqip dhe shqip-italisht, botime për „arbanasit“ e Kroacisë, për Zarën, për historinë e shqiptarëve, të Ballkanit, të Shqipërisë, si edhe relike nga Zara, ku shqiptarët kanë fshatin e tyre me emrin „Arbanasi“, kishën, korin e tyre dhe ku rrugët mbajnë emrat e paraardhësve të Frankos. Ai është këmbëngulës për të arritur diçka, pasi thotë jam si malësorët shqiptarë, pak kokëfort, por dua që gjithçka të jetë e përsosur...Diku, në shënimet e tij ka shkruar në frëngjisht: „Mon père était de langue maternelle albanaise“ (Babai im gjuhën amtare e kishte shqipen)…
Pikërisht nisur nga këto shënime, fillova punën time hulumtuese, gjeta shumë të dhëna historike për Marukët e lashtë dhe së fundi e shtyva mikun tim, duke u drejtuar shumë pyetje, duke i marrë orë të çmuara të punës së tij admiruese si arkikekt që kërkohet kudo, të më flasë për shqiptarët që kanë vendin e tyre të nderuar në bregun Dalmat. Duke u përqëndruar, me zërin e tij kumbues, me pamjen e tij krenare, filloi të më tregojë:
„Familja jonë, sipas burimeve familjare, por edhe sipas kërkimeve që janë bërë nga një historian i lagjes sonë, është me origjinë nga krahina e Sködar(Shkodrës), me sa duket në malet pranë Dukagjinit. Në fakt, meqënëse një familje me emrin Dukagjini (që bën pjesë në grupin tonë familjar- u quajt më vonë Duka-,) dhe fakti se emrat e peshqve të detit në Zara ishin me origjinë sllave, ka prirje të provojë origjinën malësore të familjeve tona nga Dukagjini
„Në fillim, emri ynë me sa duket ishte „MAR-UKU ». Emrat e familjeve të ndryshme u ndryshuan nën Austro-Hungarinë, me qëllim që t’u jepej atyre një tingëllim sllav, meqënëse në atë kohë favorizohej sllavizimi. Elementët italianë konsideroheshin si prishës të rendit, ose edhe si « risorgimento » që predikonte pavarësinë eitalianëve që ishin pjesërisht nën ndikimin e perandorisë austriake.
Kur e pyeta Frankon se kur ka filluar largimi i famljes së tij nga Dukagjini, ai duke u menduar thellë, më theksoi : « Migrimi i grupeve të ndryshme familjare u realizua me anën e dy rrugëve të ndryshme : një nëpërmjet Barit (Itali) ku një prej paraardhësve të mij u martua me një italiane ; tjetra gjatë bregdetit dalmat : data e mbritjes së tyre në Zara (tani quhet Zadar) për një pjesë të tyre është në vitin 1726, dhe për një pjesë tjetër në 1733. Paraardhësit e mij ikën nga Shqipëria në atë kohë, pasi kishin luftuar kundër otomanëve që pushtuan tokat tona. Në shekulllim e 16-të, shumica e shqiptarëve ishin Kristianë, me Kishën Katolike Romane që sundonte në Veri, dhe me Kishën ortodokse në Jug. Në fillim, vetëm një numër i vogël qytetesh u kthyen nga  feja Islamike, për të mbajtur pozitën e tyre ekonomike dhe privilegjet e tyre nga pushtuesit otomanë. Ndërsa në mëse 100 vjet, megjithë presionet ekonomike dhe pengesat e shumta, pjesa e shqiptarëve që ishin kristianë e ruajtën fenë e tyre. Kur otomanët filluan islamizimin e vendit, ne u larguam nga Dukagjini… ».Në 1726, 21 familje shqiptare ikën nga vatrat e tyre dhe u vendosën një kilometër në jug të Zarës. « Arbanasit » u vendosën rreth Zarës ku kishte përparësi Kisha Romane dhe kjo bëri që ata të vendoseshin nën mbrojtjen e « Republikës Veneciane të Dalmacisë ». Ata u ndihmuan të ndërtonin shtëpi dhe të kishin stane për bagëtitë e tyre, dhe në rastin e Zemunikut, disa kilometra larg Zarës, ju dhanë livadhe për kullotje, si dhe u pastruan tokat nga gëmushat…Në regjistrin e 15 gushtit 1726 përmenden mbiemrat e disa familjeve shqiptare që u vendosën në Zara, ndër të tjera : Luca d’Andrea Gezghenovich, Nicolo di Luca Marghievich, Prem Vuka Marghicevich, Giesh Prend Marghicevich, Giech Pepa Marghicevich, Prenz Prema Marghicevich, Petar Vuka Gianova, Niko Matessich, Luka Prend, Lesh Pero Marghicevich, Luka Lucich, etj. Tek « Zara Cristiana », Monsinjor Bianki i Zarës thekson mbritjen e « Arbanasi » pranë Zarës. Ai shkruan se në 1726, të udhëhequr nga dy vëllezërit me mbiemrin PETANI, erdhën 24 familje shqiptare. Profesori Vjekoslav Klaic, shkruan për « Arbanasit » në librin e tij « Opis zemalja u kojim stanuju Hrvati (Raport mbi vendbanimet e banuara nga kroatët), i botuar në 1881. Aty ai thekson se ishin 1354 Arbanasi, rezidentë nga Skutari (Shkodra) që u vendosën aty.

Franco Marusich
Franco Marusich
Në 1733, shtatë vjet pas migrimit të parë, grupi i dytë i « Arbanasi » lanë tokat e tyre amtare dhe kaluan në Gjirin e Kotorit, disa nga toka dhe disa nga deti, mbritën në Hercegovinë, ku qëndruan përkohësisht dhe pastaj hypën anijeve për në Zara dhe u vendosën në vendin e quajtur Zemunik, që ja u dha qeveria veneciane. Raportet e 11 marsit 1735 dëshmojnë se ishin rreth 28 familje dhe rreth 199 vetë. Disa nga emrat e tyre janë : Stjepo Gjuri, Leka Marko, Paolo Marussich, Mar Mazia, Paolo Prendi, Prento Stani, Jovan Vuci, Andrea Toma, Rado Ruço, Marko Pertu, Prento Markov, Stiepo Luco, etj.
Në vitin 1756, qeveria e Venetikut bëri një regjistrim të tokës për familjet « Arbanasi ». Regjistri kishte si qëllim të nxirrte numrin e vendndodhjeve dhe të njerëzve që ishin në çdo familje. Në librin « Erber » ndodhen disa nga këto mbiemra : Duka, Petani, Marsan, Marsiga, Kovacevic, Marsig, Sestan, Bargela, Gjoka, Kalmeta, Markuz, Marusic, Nikagi, Skopelja, Vuk, etj. A janë këto mbiemra nga migrimi i parë apo i dytë? Këtë nuk është e lehtë ta spjegosh, por sipas Don Mijo Curkovic, janë dy teori:
- e para, që thekson se mbiemrat e familjeve të para u zëvëndësuan nga mbiemrat e familjeve “Arbanasi” që erdhën pak më vonë. Gjithashtu, ekziston edhe mendimi se familjet fillestare lëvizën prej andej;
- teoria e dytë është pak më komplekse dhe bazohet në faktin se emrat e fundit u ndryshuan mbi bazën e nofkave, mbiemri mbi të cilin personi ishte krishtëruar, dhe ndoshta dhe në bazë të mbiemrit të babait apo gjyshit të tij. Për shembull, në një dokument që daton në gusht 1726, theksohet se kryetari  i popullimit të  “Arbanasi” ishte Luki Andric. Në regjistrin e pare ishte shënuar emri i Luca d’Andrea Ghesghenovich, i cili duhet të jetë i njëjti Luki Andric. Ai vetë e ndroi mbiemrin e tij dhe mori një tjetër, duke përdorur mbiemrin kristian të të jatit.

Pra sipas përfundimit të Mijo Curkovic, në studimin e tij “Povijest Arbanasa kod Zadra”, 1922, mund të pranohet teoria se nga mbiemrat e familjeve nga regjistrat e pare dhe më vonë, në të vërtetë del se nuk janë familje të ndryshme. Në realitet janë mbiemra të familjeve shqiptare që i ndryshuan mbiemrat e tyre, duke marrë mbiemrat e tyre të vërtetë, ose të baballarve dhe gjyshërve të tyre kristianë.
Në një dokument të 15 gushtit 1726, për « arbanasit », ndër të tjera thuhet : « Migrimi i parë i bë për shkak të persekutimit fetar dhe dhunës nga ana e otomanëve ; është e shkruar se familjet shqiptare ranë dakord të largohen nga barbarizmi otoman, duke lënë tokat e tyre dhe çdo pasuri të tyre, duke u strehuar dhe marrë në mbrojtje nga Republika ». Në një dokument tjetër të 30 dhjetorit 1726 theksohet lidhur me migrimin e dytë të shqiptarëve : « këto familje u detyruan të ikin nga tokat e tyre, për shkak të persekutimit të shkaktuar nga ana e dy pashallarëve otomanë nga Bar (port që është quajtur edhe Antivari). Vetë turqit kanë njohur se persekutimi nga ana e Akmet Pashës ka qënë i gabuar dhe se kjo i detyroi « Arbanasit » të lëvizin nga tokat e tyre amtare. Sipas legjendës, një nga rrugët që përdornin otomanët për të persekutuar shqiptarët ishte rrëmbimi i grave të reja të krishtere. Si hakmarrje ndaj këtij veprimi çnderues, shqiptarët sulmonin natën otomanët ku ndodheshin, digjnin fshatrat e tyre dhe largoheshin nga vatrat e tyre, për t’i shpëtuar një persekutimi të ri nga ana e pushtuesve
Sipas tregimit të Frankos, “Republika e Venetikut në atë kohë na kishte dhënë toka (një hektar për çdo njeri, pasi vendndodhja ishte e shkretë) pranë fshatit Zemunik, por shumë shpejt një pjesë u transferua në gadishull, atje ku është vendosur qyteti Zara. Në fillim, lagja jonë e kishte emrin e « Borgo Erizzo » (emër i përfaqësuesit të Venetikut). Pas Luftës së Dytë Botërore, ky emër u shndrua në « ARBANASI ». Në brigjet e Dalmacisë erdhën dhe popullata të tjera : « marlaki ». Ata ishin barinj që mbanin pushkën në krah dhe kullosnin bagëti. Një nga taktikat e luftës së otomanëve për të shuar revoltën e popullit, ka qënë dërgimi i kavalerisë së lehtë. Dhe pastaj kur ndodhnin përleshje me vendasit dhe vrasje, ata thoshin se nuk ishin ata që i kishin dërguar…”
Franko më flet edhe për një botim shkruar nga një kroat i vjetër, me titull : « Povijest Arbanasa kod Zadra » (Historia e shqiptarëve pranë Zadarit). Libri është i shkruar në gjuhën kroate, por mendohet të përkthehet edhe në anglisht së shpejti. Sipas autorit të librit, shumë pak njerëz e dijnë se një vendndodhje e vogël shqiptarësh u krijua, para tre shekujsh, në jug të Zadarit në Dalmaci. Kjo vendndodhje quhej në fillim « Borgo Erizzo », pastaj mori emrin « Arbanasi ». Sot kjo vendndodhje përfshihet në qytetin e Zadarit, në Kroaci. Shumë banorë të Zadarit sot, pa asnjë dyshim janë me origjinë nga migrimi i parë dhe i dytë e Arbanasajve. Në shkrimet për Zadarin e sotëm theksohet se ai është një qytet kozmopolit. “Nga kohët e para popullsia ishte ilire, romake dhe slave. Në Mesjetë u vendos aty një komunitet i vogël çifutësh dhe grekë, kurse para pushtimit ottoman aty ishin vendosur komunitete të Arbanasve dhe serbe…Aty mund të dëgjosh edhe sot gjuhën Zaratine dhe dialektin Shqip të gjuhës italiane apo shqipe, si edhe në traditën e këngëve popullore në kishat katolike dhe në ceremonitë e ortodoksëve…”
Shkrime historike dëshmojnë se “Arbanasit” i përkisnin Arshidiogjezës së Barit (Bar, ku është i vendosur tanimë Mali i Zi, gjatë bregdetit të Adriatikut), pranë kufirit me Shqipërinë. Legjendat lokale thonë se ata kanë ardhur nga dy fshatra të ndryshëm : nga Briska dhe nga Sesta.
Sipas tregimit të Frankos, nga mesi i vitit 1850, pushtuesit e huaj austriakë donin të mbanin qytetin dhe në të njëjtën kohë kërkonin të merrnin nderin e grave. « Arbanasit » i dërguan gratë dhe fëmijët në mal, në « Musapstan » (Stani i Musapit) dhe qëlluan mbi pushtuesit…Këtë ndeshje të ashpër e ndali vetëm kryepeshkopi i Zarës, i cili ndërhyri midis dy palëve që të ndalej gjakderdhja.  « Arbanasit » kanë pasur gjithmonë frymën e solidaritetit, të ndihmës për njeri tjetrin. Ata ishin të bashkuar përballë të huajve. Shpesh martoheshin në rrethin e tyre, natyrisht jo me kushërinj të afërt…
« Sipas burimeve familjare, vazhdon “arbanasi” Franko , në fillim, në Zara mbritën tre vëllezër. Një nga këta vëllezër ishte gjyshi im nga babai (1867-1938). Unë i njoh shumë pak jetën dhe zakonet e familjes, për periudhën midis mbritjes së tre vëllezërve dhe historinë e gjyshit tim. Përveç faktit që e quajtën degëzën e familjes sime « PERE-JAKY » (baba Jaku), për t’i dalluar, duke parë se kishte shumë Marussiçë. Në kohën e sllavizimit, sipas familjeve, ata ishin ose filo-kroatë (Sokolossi), ose filo-italianë (Bersaglieri). Gjyshi im ishte filo-italian, dhe bile bëri dhuratë një tokë për të ndërtuar një shkollë italiane në lagje. Ai merrej me të vëllanë me shitjen e bagëtisë me shumicë, pastaj me një punishte ku regjen lëkurët dhe me një dyqan shitje mishi. Ai kishte fituar namin se ishte i sjellshëm në lagjen e tij, sidomos ndaj njerëzve që kishin nevojë për ndihmë. Ai shpëtoi jetën e një tezeje të cilën e kishin vënë përmbri një muri për ta vrarë… »
Pasi e shoqja e Frankos, me flokët e thinjura nga vitet, por me një pamje fisnike, na serviri një kafe dhe çokollata të vogla (« truffes »), para të cilave nuk mund të përmbaheshe, megjithë këshillat e mjekes, Franko vazhdoi tregimin e tij : « Im atë ka qënë një sportist i nivelit të lartë, sidomos në kanotazh (vozitje), në shkallë ndërkombëtare, por gjithashtu si nën-kampion ushtarak italian i hedhjes së shtizës. Ai ishte themeluesi i seksionit socialist klandestin në Zara, në kohën e fashizmit… »
«  Me një grup miqsh vozitësish si ai, ata përshkruan bregdetin dalmat me një anije me rrema, një aventurë e madhe prej nga u shkrua libri « Remi sull’Adriatiko » (Rremat mbi Adriatik). Fatkeqësisht, unë nuk pata fatin ta lexoj këtë libër, pasi ekzemplarin që e kishte babai ja mori hua dikush që nuk e ktheu më kurrë… Babai, pak kohë pasi u martua, në 1939, emigroi në Etiopi, pa asnjë para në xhep. Shumë pak kohë më vonë, ai krijoi një ndërmarrje të prodhimit të likerit me një bashkëpronar italian. Pas fillimit të luftës, atë e morën si aviator dhe pas kapitullimit të Italisë u burgos dhe u dërgua në një kamp të burgosurish në Kenia. Pas Luftës së Dytë Botërore, ai u kthye në Zara, ku u bë drejtor i një kooperative ushqimesh. Por regjimi komunist nuk i përshtatej mënyrës së tij të jetesës, dhe me rastin e një zbutje të regjimit, arriti të emigrojë në Itali, ku u bë tregtar. Ndërkohë, ai ishte divorcuar dhe u rimartua përsëri dhe pati dy fëmijë të tjerë. Tërheqja pas aventurës e çoi në Venezuela, ku ushtroi zanate të ndryshme : bashkëpronar i një ndërmarrjeje të punëve publike, pronar i një bari deri sa doli në pension. Sëmundja e rëndë e së shoqes e detyroi të kthehej në Zara, sepse dhe ajo e kishte origjinën nga ky vend. Ajo donte të vdiste atje, si edhe im atë « albanasi ». Unë jam i vetmi djalë nga martesa e parë e babait. Nëna ime është italiane, me origjinë nga Faenza. Ajo rron akoma… »
« Duke qënë se kam lindur në Zara tek « Arbanasi », vazhdon Franko tregimin e tij, trashëgova shtëpinë e tim eti, ku mendoj të kaloj pleqërinë time, me gruan, me të cilën kam tre fëmijë, një djalë dhe dy vajza. Pas mbarimit të shkollës së mesme në Itali, unë përfundova studimet për arkitekturë në Gjenevë, ku mora dhe diplomën, më 1969. Duke qënë si arkitekt i pavarur, kam pasur mundësi të punoj në Amerikë (Porto Riko), në Afrikë, si edhe në Evropë : Zvicër, Portugali, Itali, Angli dhe Francë. Djali im (1966) është valltar-koreograf, si edhe regjizor për dritat në teatër dhe ka dy djem ; vajza ime e madhe (1969) është beqare dhe organizuese e kongreseve ; kurse vajza e vogël (1975) ka studjuar për arkitekturë të mjediseve të brendshme në Gjenevë, por shumë shpejt ju dedikua skulpturës dhe pikturës së enëve prej porcelani . Ajo është e martuar dhe ka një vajzë 7 muajshe ». Dëshira e tij është që një ditë të vizitojë trevat e të parëve të tij në Dukagjin , si dhe të më fton të vizitoj shtëpinë e tij në Zara dhe trevat e shqiptarëve atje dhe në brigjet e Dalmacisë ku ata punojnë me nder e japin ndihmesë në prosperitetin e asaj zone të bukur turistike.
Kur e dëgjoja Frankon, tek fliste shkurtimisht për familjen e tij, ndjeja respekt të veçantë për këtë njeri të thjeshtë që nuk donte të vinte në dukje madhështinë dhe rravat e jetës së njerëzve të familjes së tij, me emër jo vetëm në « Arbanasi » të brigjeve të Dalmacisë, por edhe në Itali, Zvicër, Amerikë e gjetiu. Mbaja shënime, bëja pyetje por nuk e di nëse munda t’u jap me hollësi në këto faqe të pakta atë histori të madhe të « Arbanasi ». Pas një bisede tjetër të gjatë me të, do përpiqem t’u jap shkurtimisht, të më falin lexuesit, disa çaste shumë domethënëse të « arbanasi », të familjes MAR-UKU (Marussich).
Sipas Frankos, në Zemunikun e ulët dhe Zemunikun e lartë, rajone në Kroaci, jo shumë larg Zadarit, banorët vendas thonë se « ne jemi kushërinj ». Ata kanë ardhur nga Veriu i Shqipërisë. Arkitekti me origjinë shqiptare më tregon se një ditë kur ishte duke restauruar shtëpinë e tij në Zara, kishte kërkuar një kamion për të transportuar disa pajisje. Shoferi ishte nga Marussichët… ». Vendbanimi i « Arbanasve » i vendosur nga Republika e Venetikut në 1727, në Zemunik, 14 km larg Zarës është po ashtu tepër domethënës. Një dokument i 12 shkurtit 1728, thekson emrat e shqiptarëve të vendosur aty : Gjeçi d’Andrea, Pietro di Marko, Giovanni di Vucchia, Giovanni Prençi, Nicolo Giovi, Giovanni di Giovo. Sot në Zemunik ka familje me mbiemrin : Paleka, Sestan (Shestani i sotëm), Prenda dhe Curkovic. Ndoshta dhe një pjesë e « arbanasëve » janë asimiluar me kalimin e kohës, pasi nuk kanë mundur të zhvillojnë gjuhën e tyre amtare…Megjithatë, ata që kanë vdekur në Zemunik, kanë bërë rrëfime dhe kungime para se të vdesin tek priftërinj « arbanasë » dhe janë bërë ritet fetare tek kisha  e tyre « Zonja Jonë Loreta ».
Gjithashtu dokumentat dëshmojnë edhe për praninë e « Arbanasve » në fshatin Plloce, 5 km larg Zarës. Aty jetojnë në fshatin Malpaga (Dracevac) si dhe në fshatrat rrotull, të cilët u bënë dhe pronarë të tokave të papunuara dhe me djersën e tyre ja shndruan faqen zonave ku banojnë. Sipas dëshmive të shkruara, në çdo brez « Arbanasët » kanë folur gjuhën shqipe. Dhe sipas Don Mijo Curkovic, në librin e tij të botuar në 1922, « edhe sot, familja Curkovic flet shumë bukur dhe në mënyrë korrekte, gjuhën që flitet në Shqipëri ». Ata janë njohur se kanë pasur karakter të ashpër, por kanë qënë dhe mbeten « njerëz të mirë dhe me zemër fisnike ». Cdonjeri në fshat thotë se shkon me fqinjët sikur janë nga një familje…
Në brigjet e Dalmacisë, në Zara ndodhet dhe « San Maria di Loreto » një vendndodhje shumë e bukur, buzë detit. Franko thotë se venecianët në shekujt e kaluar shkonin aty për të marrë ujë të pijshëm për anijet e tyre. Është interesant se uji i pijshëm aty është në një burim që ndodhet shumë më ulët se niveli i detit. Ai kujton gjithashtu se 85 për qind e Zadarit në vitin 1943 u pushtua nga të huajt. Sllavët « qoftëlargë », jo vetë populli sllav, kishin përhapur se qyteti ishte zonë strategjike. Në fakt aty ishin vetëm dy fabrika likeri të dëgjuar në botë që quhet « Maraskino » e prodhuar nga « arbanasit » duar artë. Qyteti i vjetër « Arbanasi », është më i vjetër se Roma. Aty janë gjetur eshtra të njerëzve që kanë egzistuar 3 mijë vjet para lindjes së Krishtit. Popullsia në fillim quhej « liburnë », që ishin ilirë në Zara. . Ata merreshin atëhere më tepër me kullotjen e bagëtive, por edhe për jetën e përditshme kishin edhe zanate të tjera. Ishin njerëz krenarë, fisnikë, të bukur dhe me karakter, si gjithë shqiptarët e mirë e të ndershëm, kudo që janë në botë. Nuk e njihnin as drogën, as kriminalitetin, as prostitucionin, që në kohët moderne disa të paudhë, sëbashku me ata që s’ja duan të mirën shqiptarëve, përpiqen t’i fusin disa të rinj të papjekur në rrugën e mbrapshtë të fitimit të të hollave pa djersë, pa mund… »Arbanasit » kanë bërë restaurime dhe janë nderuar për punën e tyre nga kushdo. Përmendet me mirënjohje Sergio Papuçi, për restaurimin e « Vetratës së Duomo di Arezzo », Giovanni Marussich për restaurimin e « Maestra di Santa Trinita » dhe emra të tjerë të shquar shqiptarësh, për të cilët do flasim njëherë tjetër…Në Apenine tek « Luogo di Romagne » ndodhet « Bivacco Marussich » që është një vendndodhje në mal ku alpinistë e turistë ndalen, bisedojnë, pushojnë dhe pastaj marrin rrugën për më tej, në lartësira të tjera. Në jug të Dalmacisë ndodhet një fshat me emrin « Marussich ». Interesant është se edhe në Peloponez të Greqisë ndodhet një fis me mbiemrin « Maroussi » që thuhet se janë shqiptarë…
Nga familja e të jatit, arkitekti Franko ka pasur një vëlla dhe katër motra të gjithë kanë vdekur. Por ai ka njerëz të afërm në Itali, dy arkitektë, një arsimtare, punonjës bankash, profesorë Universiteti në Kroaci e deri në Amerikë. Një i afërm i Frankos, Giovani Marussich, edhe ai « arbanasi », jeton akoma, dhe profesionin fillestar e ka pasur marangoz. Sipas tij fjala marangoz, vjen nga « marangon » - nga gjuha veneciane. « Unë kam punuar me një turk, thekson Franko, dhe ai më thoshte se ishte « marangoz ». Dikur kam folur me një diplomat italian në Gjenevë, për fjalët që huazohen midis gjuhëve. Ai më thoshte se fjala « maranga » vjen nga Venetiku, një sëpatë e posaçme që përdorej në marinë për të prerë. « Marangon »- është zanatçiu që përdor marangën ».Franko mendon se këtej e ka prejardhjen edhe fjala në shqip marangoz…
Banorët e „Arbanasit“ flasin sot më pak shqip, megjithatë ruajnë fjalë të parardhësve të tyre. Fjalët „bregdeti“, „pirun“, „marangon“, „kaiço“ (varkë e vogël), „stan“, „jam i angër“ (Kam uri) etj., përdoren gjërësisht në mjediset me shqiptarë në Zara. Një port i vogël në Zara quhet « Bregdet » dhe atje banonin « arbanasit ».  Pot ë shohësh fjalorin e folur nga « Arbanasit » të Dr. Kruno Krstic gjen një ngjashmëri të çuditshme të fjalëve që fliten edhe sot në shqip atje. Për shembull tek fjala « bregdet » thuhet : « era po fryn pe bregdetit » ; « faculet » që thuhet në Shkodër, « arbanasit » thonë : « e ko mbluo krenin me faculet » ; « fjal » : « me dhan fjalën » ; « fol : « un po të flas si mik mikut » ; « flok » : « kur s i kren flokët » ; « grabit » : « vajzat kan vot në pus me grabit » ; « kap » : « shkon me kap zogj në vishç » ; « këput » : « mos ma këput udhën », « këcye » : « këcen si liepuri » ; « kopësht » : kopshti n’o mas shpie » ; « mbyll » : « mbylli syt në daçësh më flet » ; « mujt » : « sot nuk munj me punua » ; « punua » : « i ati i ti punon në gjutet » ; « rush » : ko rush për me angër e për me bo ven » ; « vogël » : « mere voglin me vete », « Zadër » : « Arbénesh jan sot nji vend me Zadër »Shpesh mblidhen sëbashku dhe këndojnë në kor këngët e tyre në kishën shqiptare. „Arbanasii“ janë katolikë dhe praktikues të fesë së tyre.
Në 1729, « Arbanasit » i kërkuan autoriteteve të ndërtonin një digë me shpenzimet e tyre, për të krijuar një gji që do të mbronte punishtet e tyre nga dëmtimet që mund të vinin nga përmbytjet. Nga ana tjetër, ata kërkuan të ndërtonin një port për të mundur që të kishin mundësi të peshkonin. Autoritetet e pranuan këtë kërkesë dhe ajo u bë e ligjshme (dokumenti i 10 prillit 1729). Në 1735, si rezultat i vdekjes së disa pronarëve të tokave dhe lëvizjes së popullsisë në pjesë të ndryshme të Dalmacisë, shumë toka të punueshme mbetën pa zot. E njëjta gjë ndodhi edhe në 1739. Disa « Arbanasi » i drejtuan një kerkesë autoriteteve që tokat që ishin pa zot t’u ndaheshin atyre. Guvernatori mori një vendim duke ja u dhënë vetëm një pjesë të tokave atyre. Disa nga « Arbanasit » u zëmëruan me këtë vendim dhe ikën në Zemunik. Ndërsa në 1749, disa nga « Arbanasit » punonin në Zara si muratorë. Ata ishin njerëz punëtorë dhe të ndershëm. Siç e kemi përmendur më sipër, « Arbanasit » ishin të fesë katolike romane.  Kur « Arbanasit » e parë mbritën aty, kishat e Shën Donat në Zara dhe ajo e Shën Ivanit, pranë tregut, ju dhanë atyre si vende për të ushtruar kultin e tyre. Pra Arbanasit në fillim nuk kishin kishën e tyre. Megjithatë, nën drejtimin dhe vizionin e Arqipeshkut Zmajevic, në 1734 filloi ndërtimi i një kishe për « Arbanasit ». Ajo pra u quajt « Zonja Jonë Loreta » dhe përfundoi pas tre vjet pune nga ana e vetë muratorëve dhe mjeshtrave shqiptarë. Të gjitha ritet fetare, si martesat dhe ceremonitë e vdekjeve janë bërë atje.
Le të kthehemi tek historia e Giovani Marussich. Ai është „arbanasi“ i dëgjuar në gjithë botën, pasi bën restaurimin e mbështetesve prej druri, të tabllove të piktorëve të mëdhenj, në Itali, në Amerikë e kudo në botë. Ai ka marrë pjesë në restaurimin e tabllove të piktorit të madh italian Cimabue. Ai ka restauruar tabllonë e Xhiotos.
Franko erudit, por tepër i rezervuar për të folur për familjen e tij, nuk më flet për të birin, Yann Marussich, „arbanasin“ që është kërcimtar i njohur në botë. Unë, në aq vend sa do të më lejojë lexuesi , do të jap një përmbledhje tepër të shkurtër të rrugës së këtij artisti të madh. Qysh nga 1989 ai ka realizuar më se 20 arritje (Performance) të shkëlqyera dhe koreografi. Nga 1993 deri në vitin 2000, ai ka qënë drejtor i „Teatrit të Uzinës“ në Gjenevë. Sot ai merret sidomos me kërcimet vetiake dhe body-art. Spektakli i tij “Ble Provisoire” (Bluja e përkohshme) është paraqitur në shumë festivale në Zvicër dhe jashtë shtetit dhe ka qënë i ftuar nderi në edicionin 2003 në “Montpellier Danse” të Francës. “Bluja e përkohshme” është një vepër vizuale që merret me trupin për t’i dhënë bukurinë e tij fillestare: një ballë për ballë i mrekullueshëm ku spektatori merr përvojën intime të lëkurës dhe përbërjes së tij. Le t’ja lëmë fjalën për këtë vepër unikale, ekspertes së artit, Aleksandra Bodelo, e cila shprehet ndër të tjera për “Blunë e përkohshme”: “Yann Marussich, i cili që nga 1996 ka zgjedhur suprimimin e plotë të vallzimit në veprat e tij, sjell me këtë konstatim si vektor unikal i kësaj “Bluje të përkohshme”. Nuk ka kthesa, as efekte stili. Shprehja është e qartë: kemi të bëjmë me tregimin e trupit në atë që ai ka më të “thjeshtë”, të përbashkët me të gjithë trupat e njerëzve, edhe më sekret…Kjo vepër duhet pare më tepër në dimensionin e saj plastik dhe visual, larg çdo pathosi”.Në fund të vitit të kaluar, Yann ka marrë pjesë me artin e tij në “Muzeun e Artit Modern dhe Bashkëkohor të Trentos dhe Roveretos”. Në Milano nga 19-21 shtator 2003 në Festivalin e Artit u paraqit me dinjitet me “première-performance”( performance ose arritja e parë). Në Qendrën Kulturore Zvicerane të Parisit, që është anëtare e Forumit të Instituteve të Huaja Kulturore, u cilësua nga shtypi i Parisit si « eksploratori i të gjitha zhanreve, koreografi dhe valltari Yan Marussich bën performance, vallzim, art plastik dhe body-art që zgjat 3 deri 5 orë, por që do të deshim të vazhdojë akoma… »

Krijimi i fundit i Yann është vendosja trupore Autoportret në një fole thneglash.

A ka kujtim më të bukur për mua kur shoh se “arbanasi” me prejardhje nga Zara e Kroacisë ka arritur shkallët më të larta të artit në Gjenevë, paçka se ai nuk flet shqip, paçka se jetën e tij, fëmijërinë e tij e ka kaluar në Zvicër ku jeton me gjithë familjen… Megjithatë, ai nuk e harron prejardhjen e tij, ashtu si ai shqiptari që ka marrë nënshtetësinë zvicerane, por që njëkohësisht ka edhe pasaportën e vendit ku ka lindur, Shqipërisë, pra gëzon dyshtetësinë dhe është mirënjohës ndaj vendit që e ka pranuar, por edhe krenar që fëmijët e tij do ta dijnë se nga kanë ardhur. Ai ruan, si edhe disa miq të tij pemën gjenealogjike të familjes, si edhe Franko nga Zara, apo shqiptarë të tjerë në Sunio, Stamboll, Nju Xhersi, Florida, Largo, Toronto, Gjenevë, Paris, Nju Jork, Stokolm, Bazel, e kudo në botë… Ashtu, siç thotë ai miku im i urtë: afroju bashkëatdhetarëve të mirë, punëtorë, edhe atyre që e kanë në venat e tyre gjakun shqiptar, atyre që janë pasardhës të Nënë Terezës, të Isa Boletinit, të Rilindasve tanë, të…; atyre që e gëzojnë jetën, që pijnë nga një gotë raki, edhe pse janë larg Atdheut, por largoju “qoftëlargëve”, atyre që kanë frikë nga hija e tyre, atyre që nuk njohin miqësi e shoqëri, që vetëm lëshojnë anatema ndaj bashkëatdhetarëve, mos kij frikë nga i ftohti i dimrit, ji më i fortë se vuajtjet, shqetësimet, brengat, bujar si një pemë mbushur me mollë, ik diku pa kërkuar diçka, prano vetëm atë që të jep e ofron jeta e përditshme. Tek njerëzit e kombeve të ndryshëm që kanë të njëjtin karakter si ne mesdhetarët, ballkanasit, shqiptarët kudo që janë në Kosovë, Maqedoni e në botë…

Marrë nga libri « Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara » (Toena), dy gjuhësh shqip dhe frëngjisht



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora