E enjte, 25.04.2024, 03:12 PM (GMT+1)

Speciale

Ditari i Besa Salihut (III)

E enjte, 05.03.2009, 08:55 PM


Besa Salihu
Besa Salihu

E martë, 20 prill 1999

Sa mirë është kur nuk frikësohesh!
Nuk kam më frikë. Madje as nga njeriu i tmerrshëm. Bisedoj me të dhe gjatë bisedës edhe buzëqesh. Thika e përgjakur është zhdukur.
Vetja nuk më duket as milingonë e as gjigante. Më duket normale, një njeri që mundohet edhe në rrethana të këqija për të arritur diçka dhe të ecën së bashku më kohën.
Prej se jemi kthyer nga Pleshina kam lexuar katër veprat që më kishin mbetur nga Shekspiri: “Rikardi III”, “Jul Qezari”, “Mbreti Lir” dhe “Othello”, Dramat: “Teatri plak”, “Tri drama”, si dhe romanin “Kohë e ligë”.
Do të kisha lexuar më shumë, por i kursej librat, sepse pastaj nuk kam ku t’i gjej.
Kam filluar të mësoj për perënditë greke dhe historinë e popullit shqiptar.
Gjithashtu mësoj edhe biologji, edhe gjeografi dhe po shkruaj disa tregime.
Natyra ka lulëzuar shumë dhe është e bukur, por duket disi si e zbehtë dhe melankolike. Njerëzit i kanë telashet e tyre dhe nuk po kanë kohë të kujdesen për të.
Ëndrra numër katër: Isha në krye të një ushtrie, e cila po shkonte në luftë.
Papritmas na dolën përpara një ushtri e tërë përbindëshash, të cilët na u vërsulën me shpata të helmuara. Luftuam e luftuam për një kohë të gjatë si trimat, por pastaj, duke qenë shumë, shumë të vegjël, përbindëshat bënë kërdinë mbi ne.
Pikërisht në çastin, kur tehu i një shpate po më ngulej në gjoks, u zgjova e mbuluar me ca djersë të ftohta. Po agonte një diell i bukur pranvere.

E enjte, 22 prill 1999

Nuk kam dëshirë të flas vetëm e vetëm për luftë. Sot po shkruaj pak edhe për familjen time dhe pastaj edhe për prirjet e mia dhe veten në përgjithësi.
Familja ime është gjashtë anëtarësh. Babai është jurist edhe nëna gjithashtu.
Jemi katër fëmijë. Shqipja, 20 vjeçare, Besniku, 17 vjeçar, unë, 13 vjeçare dhe Kaltërina, 12 vjeçare.
Unë kam prirje të shumta.
Së pari natyrisht është të shkruarit, por këtë nuk mund ta radhisim me të tjerat, është diçka tjetër.
Të shkruarit më sjell një kënaqësi të veçantë dhe nganjëherë jam krenare që kam mundësi t’i shpreh mendimet e mia, të shpreh gjithçka jeton brenda shpirtit tim. Kur shkruaj më largohen të gjitha, pikëllimi më zhduket, më ringjallet guximi. Ende nuk e kam përvetësuar kulturën e të shkruarit, por shpresoj se duke bërë një punë të palodhur, do të arrij të shkruaj diçka me vlerë.
Së dyti, leximi me përkushtim i veprave të ndryshme biografike e historike, por më pëlqejnë më shumë ato shkencore e me aventura dhe mbajtja e shënimeve gjatë leximit.
Prirja e tretë, një kureshtje e madhe për shkencat e ndryshme e sidomos matematikën.
Së katërti, qëndron historia dhe mitologjia.
Më pëlqejnë të gjitha lëndët e tjera shkollore, por matematika qëndron mbi të gjitha.
Jam e mbyllur në vetvete. E dua të bukurën dhe jam shumë e ndjeshme, ëndërruese dhe me imagjinatë të ndezur.

E premte, 23 prill 1999

Kur një gjë përsëritet për herë të dytë, nuk duket edhe aq tragjike. Por unë prapëseprapë po them: çfarë tmerri!
Se me të vërtetë sot ishte një tmerr pak më ndryshe, një ikje që ndryshoi nga ikja e parë. Aty nga ora  dhjetë e mëngjesit, katër ushtarë kanë ardhur në lagje. Posa i kanë parë, njerëzit kanë filluar të ikin.
Ata i kanë urdhëruar të ndalen, por nuk janë ndalur dhe atëherë ushtarët i kanë përdorur armët. Me këtë rast janë plagosur dy njerëz: një i moshuar dhe një djalë. Krismat u dëgjuan si një ogur i zi dhe atëherë kemi ikur.
Jemi nisur përsëri për Pleshinë, por morëm vesh se as atje nuk ishte më e sigurt dhe atëherë u vendosëm në një shtëpi midis arave, e cila nuk kishte as dyer, as dritare. Binte një shi i madh dhe balta ishte e shumtë.
Në atë shtëpi ishte shumë ftohtë dhe fare lehtë njeriu mund të ftohej. Por edhe kësaj here, nuk u sëmur askush. Aty nuk qëndruam shumë dhe në ora trembëdhjetë ishim në shtëpi. Ishim shumë të uritur, pasi nuk kishim hëngër as mëngjes.
Nga kjo shëtitje nëpër shi dhe baltë na mbeti si kujtim një kodër me rroba tërë baltë!                          

E diel, 25 prill 1999

Posa isha zgjuar dhe po e rregulloja dhomën.
Me shpejtësi rrufeje e vesha një pallto dhe dola pas të tjerëve. Ushtarët plaçkitës ishin afruar shumë dhe pasi i kishin detyruar me të rrahura disa burra të lagjes të ecnin përpara, ishin nisur duke hyrë më radhë nëpër shtëpi për të shikuar se mos ka ndonjë njeri.
Por në atë kohë ne ishim më larg, në rrugë dhe ata na kanë parë fare mirë, madje kanë thënë se po të duan të na bëjnë gjë, e kanë këtë në dorë, por kinse nuk kishin ardhur me atë mendje.
Duke ecur për të shkuar në një vend pak më të thellë, na kanë parë edhe ushtarët e kundërajrorit (i vendosur në rrugë dhe shpesh na shurdhon me gjuajtjet e tij kundër aeroplanëve), por ata u mjaftuan vetëm me një shikim prej ujku.
Pasi qëndruam dy orë në një shtëpi, u kthyem prapë.
Xhaxhanë tim e kishin rrahur me kondak pushke në kokë, por nuk e kishin lënduar shumë.
Në mbrëmje e patëm një festë të vogël, e cila nuk mbahet mend prej kohësh: një ëmbëlsirë dhe një lëng kivi.                

E mërkurë, 28 prill 1999

Në çdo ikje ka njerëz më pak e sot nuk ishin as pesëmbëdhjetë.
Këto ikje të përditshme, edhe pse duken si ikje fëmijësh, të shtyjnë të mendosh pak më seriozisht për luftën.
Këtu nuk bën të qëndrojmë më dhe është mirë të vendosemi diku tjetër, sa nuk ka ndodhur ndonjë gjë edhe më e keqe. Për këtë e kemi gjetur një shtëpi pak më thellë në qytet.
Këto ditë është shumë nxehtë dhe po ndjehem mirë kur po fshihemi në natyrë, midis gjelbërimit dhe cicërimave. Po më duket si një mike dhe mbrojtëse e sigurt.
Kur e shoh veten të rrethuar nga gjelbërimi i pranverës, vetja më duket si një pikë e vogël, e vogël, që mezi shihet nga të tjerët.
Ah! Sikur të vinte Liza dhe të ma jepte ca nga bari i saj që rritë e zvogëlon dhe unë të bëhesha sa një buburrec e të jetoja në gjethet e mbushura me vesë ose mes petaleve të luleve. Do të jetoja si një mbretëreshë e lumtur midis ngjyrave e askush nuk do të mund të më detyronte të ikja.

E premte, 30 prill 1999

Në lagje nuk ka mbetur asnjë shtëpi, së cilës nuk i janë plaçkitur gjërat më kryesore, e në radhë të parë antena satelitore me televizor.
E njerëz ka shumë pak.
Në shtëpinë pak më thellë në qytet sot janë vendosur: njëri xhaxha me gruan dhe pesë fëmijët e tij, dy fëmijët e xhaxhait tjetër, dy motrat e mia dhe vëllai im. Këtu kemi mbetur unë me prindërit e mi, xhaxhai me gruan dhe xhaxhai tjetër, vetëm. Janë edhe disa të moshuar tjerë, të cilët i kanë lënë vetëm, por në përgjithësi jemi shumë, shumë pak.
Unë pata dëshirë të qëndroja dhe qëndrova, por nuk pritet të qëndroj gjatë tërë kohës.
Edhe pse mua më është mbushur mendja se do të shpëtojmë edhe pa ikur, ne do të kishim lëshuar me kohë Kosovën, sikur të mos dëgjonim rrëfimet e njerëzve për ato që kanë përjetuar në kufi.
Atdheu im në këtë fundshekull po i ngrys ditët në çadra.
Lagjja ime është e mbështjellë nga një qetësi e kobshme. Këtë qetësi e prishin vetëm hapat e ushtarëve me maska. Natën nuk duket asnjë dritë. Shtëpitë duken të përgjumura. Çdo gjë ka frikë dhe nuk bën zë, por prapëseprapë jeta i rrokullis valët e saj prej guri.
Deri kur vallë populli im do të ketë vuajtje, që mund të hiqen aq lehtë, vuajtje të atilla që edhe yjet do të donin të shuheshin për të mos i parë dhe të futeshin thellë në lym?
Ky muaj përfundoi, por fare ndryshe nga marsi. Derisa në fund të marsit, natyra u mbush me njerëz, tani është krejt e zbrazët.
Ëndrra numër pesë: Në dritare lulëzoi shpejt e shpejt një lule e prej saj i zgjatën kokat  100 gjarpërinj.
Nga goja e tyre dilnin ca xixa që më binin në fytyrë. Fytyra ime u nxi e u skuq, e unë, përkundër vullnetit tim, e shtrëngoja qafën. Kur isha duke mbetur pa frymë, më doli gjumi. Qetësia e kobshme desh ma ndali të rrahurit e zemrës.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora