E premte, 19.04.2024, 11:32 PM (GMT+1)

Speciale

Ditari i Besa Salihut (II)

E marte, 03.03.2009, 09:56 PM


Besa Salihu
Besa Salihu
E diel, 4 prill 1999

Nganjëherë më duket vetja shumë, shumë e madhe sa të gjithë më shohin shumë lehtë dhe kështu më vërsulen për të më dhuruar dhembje dhe vuajtje.
Por nganjëherë nuk mund të marrë as frymë, më duket vetja si një milingonë që rastësisht ka rënë në një shishe dhe kot mundohet të dalë prej andej, sepse këmba i rrëshqet në qelqin e lëmuar të shishes.
Shpesh gjatë natës nuk më merr gjumi. Nën peshën e një ajri të rëndë, pak si kërcënues, pres që të ndodhë ndonjë mrekulli, të vijë ndonjë pjatë fluturuese e të më çojë në kozmos, larg ankthit.
Pikërisht tani është koha kur më së shumti më nevojitet ndihma e të tjerëve, liria, siguria, buzëqeshja dhe depërtimi pa frikë i shikimit në të ardhmen, por këto gjëra tash për tash janë të tepërta, sepse të gjithë i ka preokupuar e tashmja e pasigurt dhe nuk kanë nge të merren me askënd në veçanti.
Nganjëherë ndjehem e vetmuar, por kë mund ta fajësoj në këto kohë të këqija? Jo, nuk ka kohë të këqija, por ka njerëz të këqij.
Sot njerëzit kanë filluar të lëshojnë Pleshinën dalëngadalë dhe të kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Edhe njerëzit që banonin nën ne kanë shkuar. Po ashtu edhe nëna, motra ime, xhaxhai me gruan e me dy djemtë e tij. Nesër do të kthehemi të gjithë.
Si u ndal rryma dhe filloi të errësohej, ne zbritëm në bodrum. Aty ishte lagështi dhe dëgjohej një zhurmë e lehtë, që e shkaktonin disa krimba të vegjël.
U shtrimë si ca sardele të konservuara. Të gjithë fjetën dhe u qetësuan të sigurt se krismat nuk do të dëgjoheshin në mënyrë aq të tmerrshme.
Qëndrova edhe ca kohë zgjuar dhe kur truri im i lodhur nga gjëra të kota po mbyllte portat për të fjetur, dëgjova si nëpër mjegull ca krisma të mbytura, që sonte nuk ishin në gjendje të prisnin gjumin.
Ishte nata e fundit dhe krismat e fundit që po dëgjoja në këtë fshat malor.
Ëndrra numër tre: Një Princeshë e kuqe erdhi të më falte lumturi. Iu vërsulën qindra ujq dhe e copëtuan. I tërë vendi u bë i kuq e pikoi lot gjaku çdo ditë e çdo natë.
Kur u zgjova nga gjumi mora frymë thellë. Mushkëritë m’ u mbushën me një ajër të lagësht.


E hënë, 5 prill 1999

Sot është e hënë. E të hënën fillon java e re. Këtë e dinë të gjithë. Por unë di edhe diçka tjetër që e bën këtë të hëne më të bukur dhe më të ëmbël.
Sot ne po kthehemi në shtëpi dhe kjo ka rëndësi. Dielli i buzëqeshte me dashamirësi natyrës, kur ne po e pastronim shtëpinë, ku kishim qëndruar dhe si u bëmë gati, dolëm.
Aq shumë më kishte marrë malli për shtëpinë time, sa i përshëndeta me padurim këta të fshatit. Disa u kthyen në këmbë e disa me veturë.
Shtëpia m’u duk shumë e bukur e kopshti, bashkë me lulet e para të pranverës, na priti duke festuar. Që sot do të fillojmë ta punojmë kopshtin, në mënyrë që ai të mos ndjehet i vetmuar dhe i braktisur.
Librat i përqafova me radhë, ashtu siç i përqafon dallëndyshja të vegjlit e saj, pasi i ka braktisur për një kohë të gjatë. I gjeta në të njëjtën gjendje siç i kisha lënë. M’u duk se edhe ato u gëzuan, sepse ishin mësuar të ishin çdo orë afër meje. U gëzova me një gëzim të sinqertë, që më rëndoi në zemër, duke më bërë që ta ndjej veten të penduar. E pyeta veten me të rreptë: Si guxon të gëzohesh, kur mijëra fëmijë në këtë çast vriten ose qajnë për të afërmit e tyre të vrarë?
Një zë, pak më i butë, iu përgjigj të parit: Në mes të një pikëllimi të pakufishëm, çdokush ka të drejtë të shijojë ndonjë pikë ëmbëlsie!
Derisa i gëzohemi kthimit, na duhet të mendojmë edhe për anëtarët e familjes së nënës, për të cilët nuk dimë asgjë dhe nuk kemi si të dimë.
Kur njeriu nuk di gjë më shumë, veçse çfarë ndodh në një rreth shumë të ngushtë, nuk ka se si të gëzohet. Gëzimi bëhet i zbehtë.
Pranvera, edhe në këtë kohë të keqe, i ka shtrirë lirisht krahët e saj të gjelbër nëpër male e gjetiu. Ajo varet edhe në degët e pemëve që dalëngadalë po vishen me lule. Duket sikur thotë: Edhe në m’i vrafshi lulet, edhe në m’i helmofshi zogjtë, kur të më vijë koha, unë do të sundoj natyrën, e veshur me një fustan të bukur buzëqeshjeje!
Në çastet kur kam kohë të mendoj, po përmallohem për shkollën. Jemi ndarë aq papritmas, sa nuk kam mundur t’i them as lamtumirë.
Tani ajo ka mbetur e vetme e ndoshta ka edhe frikë. Nuk e ka afër asnjë fëmijë, që me praninë e tij ta ngushëllojë sadopak.
Kam dëshirë të madhe të shkoj në shkollë, edhe pse e ndjej se kjo do të ndodhë më vonë, pas disa e disa muajve!

E shtunë, 10 prill 1999

Ndoshta dikujt i duket se duke qenë në një gjendje të tillë izolimi dhe frike, jeta është monotone dhe me monotoninë e saj tragjike të çmend dalëngadalë. E kjo është plotësisht e vërtetë, edhe pse me mua nuk po ndodh kjo. Njeriu duhet t’i përshtatet ambientit dhe kushteve në të cilat jeton.
Duke iu bindur kësaj rregulle, unë mund të them lirisht se ditën e kaloj mirë mirë, madje edhe në mënyrë të vlefshme.
Deri në ora njëmbëdhjetë ndihmoj në punët e shtëpisë. Pastaj deri më ora gjashtë jam në shoqërinë e librave, vetëm me ndonjë ndërprerje të vogël, siç është ngrënia e drekës.
Duke lexuar dhe mësuar mendja ime qëndron pak larg nga realiteti, madje nganjëherë humbi aq shumë në një botë tjetër, sa edhe kur më ndërprenë ndonjë krismë, mendoj se edhe kjo ndodhi në roman. Është një gjë shumë e mirë që librat e kanë një fuqi të tillë magjike që të ushqen mendjen.
Fle herët, sepse është më mirë të jesh në gjumë se sa të rrish zgjuar në errësirë, nën shtypjen e përhershme të pasigurisë.
Por nuk po ndodh kështu edhe me të tjerët. Janë shumë të frikësuar dhe tremben edhe nga zhurma më e vogël. Rrinë gjithnjë gati për të ikur, madje edhe flenë veshur, me çanta afër kokës.
Kjo mua më duket një gjë e gabuar, sepse njeriu nuk duhet të ketë frikë nga vdekja, se ajo do të vijë patjetër.
Por ec e thuaju!
Të thonë me inat: Ti nuk di asgjë nga vdekja, madje as nga lufta!
Mua aq më bën, por nëse shpëtojmë gjallë dhe vije liria, atdheut nuk i duhen njerëz të çmendur nga frika e luftës.
Njeriu duhet të jetë gjithmonë dhe në çdo rrethanë gjakftohtë dhe ta përmbajë veten.


E diel,  18 prill 1999  ?

Kjo është java e katërt e izolimit tonë dhe ne nuk kemi asnjë marrëdhënie me njerëzit që ndodhen jashtë rrethit tonë të ngushtë.
Plus: Ende asgjë nuk dimë për familjen e nënës. Sa herë dëgjojmë për ndonjë të vrarë mendja jonë shkon menjëherë tek ata. Nëna sidomos mërzitet më shumë dhe shpeshherë qan. Se kur nuk ke rrugëdalje tjetër, madje mund të qash.
Si në lagje, qytet, ashtu edhe në Kosovë njerëzit vazhdimisht po pakësohen, kurse të këqijat, të rritura në përpjesëtime tragjike, po rëndojnë mbi njerëzit e mbetur, me tërë fuqinë e tyre të ferrit. Në të gjitha anët e atdheut bëhen masakra të tmerrshme e varrezat masive shtohen dukshëm. Nganjëherë të duket se je duke jetuar në ferrin e Dantes.
Unë, duke dashur ta ruaj mendjen të freskët, nuk dëgjoj lajme gati fare dhe e shikoj realitetin si një ëndërr të keqe, që së shpejti do të përfundojë.
Sepse njeriu duhet të ruhet nga e keqja aq sa ka mundësi dhe të rrijë larg saj derisa nuk e kanë detyruar me forcë të hyjë në vallen e përgjithshme tmerruese. Se nëse fati tragjik do të na përpijë edhe ne në valët e tij, pse të përjetohet dy herë?
NATO po bën shkatërrime të shumta dhe në kazermë janë hedhur edhe plot bomba të tjera.
Ndoshta çlirimi është në rrugë e sipër, por është edhe pak larg, sepse nuk ka guxim të vijë kur lufta është në kulmin e saj!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora