E merkure, 24.04.2024, 04:48 AM (GMT+1)

Speciale

Vitore Stefa Leka: Në dallgët e jetës (I)

E diele, 29.03.2009, 09:36 PM


Vitore Stefa Leka
Vitore Stefa Leka - Qytetare Nderi e Beratit
Në dallgët e jetës
/Kujtime/

Nga Vitore Stefa Leka

Fillimi i një ankthi

Jetoja në Durrës. Për arsye të ndryshme, plazhin e frekuentoja rrallë. Shtëpinë e kam paralel me shkollën “Kristaq Boshnjaku”. Plazhet si të Currilave, si plazhin e madh, si dhe Porto Romanon, i kisha në të njëjtën largësi. Për aq herë sa kisha mundësi të shkoja, preferoja plazhin e Currilave. Kodra na ndante nga ky plazh dhe aty ndjehesha shumë më mirë.
Im shoq, Stefanaqi (Naqi), si shofer autobuzi, s’kishte asnjëherë pushim, sidomos sezonin e verës. Ajo e dielë e shkretë pushimi kalonte me larje e shplarje, kështu që ikte më të shumtën me punë, që nuk mbaronin kurrë, se sa me shplodhje.
Vera e vitit 1990 bëri shumë e nxehtë. Pasditen e një të diele, meqë më kishte ardhur dhe vajza nga Tirana, ku ishte e martuar, vendosëm ta kalonim te Currilat, që me të vërtetë është një mjedis shumë romantik dhe i qetë. Deti nuk është si te plazhi i madh, as edhe rëra, po sidoqoftë ka të bukurën e saj dhe nga kodra kur zbrisnim shikonim akoma gjurmët e Durrësit të mbytur. Aty pothuaj e bënin plazhin dhe familjarë të tjerë, fqinjë të mi. Fëmijët u perzien me moshatarët e tyre duke u kënaqur në sterkalat e detit, që i hidhnin njëri tjetrit dhe zbavitje të tjera.
Ishte ora gjashtë e pasdites dhe dielli vazhdonte të përvëlonte. Im bir, Mikelinoja, më i vogli, mori një nga ato karriget plastike të lokalit dhe u fut me të në det. U ul mbrapsh në të, me fytyrë nga ne. Ishte dhjetë vjeç, por i ruante akoma ato shprehjet fëminore. Ishte i shëndoshë dhe i gjatë më shumë se sa duhej për moshën që kishte, por jo i deformuar. Në klasë akoma i thërrisnin "top tëlyni", me nofkën siç i thërriste një plakë, që jetonte vetëm dhe ky e ndihmonte gjithmonë për të blerë bukë apo gjëra të ndryshme. Shikoja atë dhe diellin në perëndim, që në ngjyrën e kuqeremtë që kish marrë, krijonte një vizion aq mahnitës në kontrastin e ngjyrave përreth, kur në çast një e thirrur e fortë nga im bir më shkundi nga meditimi :
-O Iskuuuu!
Dhe e përpiu deti me gjithë karrige. S’po iu besoja syve, aq shpejt ndodhi. Ai nuk ishte shumë larg nga bregu. Në çast u hodhën me not, djali tjetër bashkë me disa shokë, që po losnin futboll në rërë. Nuk pata kohë as të ulërija dhe as të lëvizja, po kisha ngelur aty si e ngrirë bashkë me vajzën time Madin, e cila u hodh menjëherë në det. Xhati, një komshiu ynë, bashkë me djalin, Iskun, arritën ta nxjerrin Mikelinon nga uji. Mezi i hoqën këmbët nga karrigia dhe po dilnin bashkë me të në krahë.
Ai s’kish arritur të pijë ujë po ishte dyllë i verdhë dhe shikonte rreth e qark si i trembur. Xhatit i kullonte gjaku nga këmba, që ia kish gërvishtur këmba e karriges, kurse Isku ishte gërvishtur në krahë. E mblodha mendjen përnjëherë dhe u thashë të vazhdonin lojën dhe kureshtarët që u mblodhën i largova me kujdes duke i falenderuar. Po ruaja një qetësi, por zemra sa s’po më çahej. Syve të trembur të tim biri, që më shikonin gjithë pikëpyetje iu përgjigja me një të puthur duke i thënë gjoja me indiferentizëm: “Pa hë! Tani na thuaj ç’të ndodhi?”
Ashtu, duke parë përreth, më tha me zë si të mekur: “Nuk e di mami!...Isha ulur mbrapsh në karrige dhe s’e di si u zhytën përnjëherë këmbët e prapsme të saj…Atje poshtë më dolën gjithë ato lule shumëngjyrëshe! U mundova t’i heq këmbët nga karrigia po ato s'dilnin.”
Qëndruam dhe pak sa t’i kalonte trembja dhe tronditja dhe u kthyem në shtëpi. Si Madi dhe Isku shtiheshin sikur s’kish ndodhur gjë, por të dy ishin shumë të tronditur.
Nga ora shtatë tim biri iu ngrit temperatura dhe kishte dhembje kockash. Përballë shtëpisë sime kisha një mjek gjinekollog, me të cilin kishim marrdhënie shumë të mira dhe sapo e lajmëruam, erdhi menjëherë. E vizitoi dhe tha: “ Ftohje s’ka! Nuk dëgjoj gjë, po i japim një takipirinë.”
Pas dy orësh djali u qetësua. Ajo natë kaloi kështu. Të nesërmen, në orën gjashtë pasdite i filluan ca të dridhura dhe përsëri iu ngrit temperatura. Kishte dhe dhimbje kockash. Kësaj here takipirina bëri efektin vetëm për dy - tre orë dhe gjithë ajo natë si dhe për dy javë rresht, temperatura, fillonte në gjashte pasdite dhe deri nga ora tetë të mëgjesit. Temperatura rrinte dyzet gradë dhe gjatë ditës i ulej deri në tridhjetë e shtatë e dy. Një mjeke e njohur e familjes, specialiste për fëmijë, Mira Kauri, që pas kurës me penicelinë e streptomicinë, i filloi klorofenikolin, por që nuk dha asnjë rezultat, e shtroi në spital dhe aty filloi "kalvari i një historie tjeter" i jetës sime.
Nuk mëe mjaftuan ato që kisha kaluar në jetë: fëmijë pa fëmijëri dhe e re pa rini, po dhe kjo e pakapërcyeshmja më duhej... Kjo dhimbje dhe tronditje ishte e pa krahasuar dhe përshkruar. Nuk dija më kur ishte natë apo ditë çdo gjë kishte humbur ngjyrën dhe kuptimin e saj. As shtëpitë, as rrugët, asgjë, s’më kishte më kuptim, përveç atij fëmije, që dergjej aty në krevat me gjithë ato flebo nëpër damarët e duareve. Shumë analiza iu bënë dhe asnjë diagnozë e përcaktuar. S'lashë hoxhë e plakë pa shkuar dhe pa i çuar kanatjeren e tij. Të gjitha këto, sipas këshillave, që më jepnin disa plaka, fqinjat e mia, të cilat më shihnin të raskapitur dhe të shpërfytyruar, por gjendja e djalit vazhdonte e njëjtë.
Prej spitalit të Durrësit e çuan në një spital në Tiranë, ku djali tjetër, Isku, që sa kish mbaruar shkollën e fiskulturës, priste të merrte pjesë në konkursin e provave për në institutin e fiskulturës. Si ai dhe im shoq sapo mbaronin, njëri punën dhe tjetri përgatitjet, që bënte në shkollë për konkursin, vinin menjëherë në Tiranë. Po kështu Madi dhe djali i madh, Artani. Në Tiranë gjendja e djalit u rëndua shumë. Më vinte ta mbysja atë mjekun Bebetin, që as e kuronte e as më spjegonte gjë nga gjithë ato analiza dhe gjak, që i merrnin. E nxorra “defiçit” atë lagjen te spitali i fëmijëve, nga uthulla që blija për kompresa. Një herë kur durimi kish arritur kulmin, i hyra në dhomë mjekut dhe çfarë nuk i thashë përmes lotëve dhe nervave të shkatërruara. Fliste shpirti i plasur …
Djali në këtë kohë nuk ngrihej më, as ulur në krevat nuk rrinte dot, veç më shihte me ata sy dhe faqet e skuqura nga temperatura dhe thoshte me atë zerin e tij të shuar: "Mami kur do ngrihem?! Çfarë kam kështu?”
Nuk e di nëse mjeku u tremb nga fjalët e mia ( nuk besoj të jetë kjo, se ata kishin dhe gurin dhe arrën në dorë ), mbase iu dhimba, por ai më ftoi të ulem në një karrige dhe më tha: “ Dëgjo, moj shoqe! Ne këtu në këtë spital po i bëjmë të gjitha provat. (Për mua këto ishin “eksperimente”, që ata po bënin mbi trupin e njomë të tim biri, derisa i morën me një shiringë të madhe copë në mëlçi, mjelogramën apo dhe në palcë të kurizit). Mjeku
vazhdoi: “ Po e lemë pa kuruar, që të shohim çfarë do të dalë, se po ta fillojmë ta mbysim prapë me antibiotikë, vetëm se mbulojmë sëmundjen.”
Më vonë, kur e kam takuar këtë mjek këtu në Trieste, pasi kishte ardhur për specializim, i kërkova dhe një lloj falje për atë sjelljen time, por në periudhën që po flas, as që më bënin sytë dritë dhe nuk e kuptoja dot, si mund të lihej pa u kuruar një fëmijë, që "kurohej" me uthull, me lëkura patatesh te thembrat e këmbëve dhe që e mbante shpirtin me flebo, se për të ngrënë as që bëhej fjalë. Po dhe aty në Tiranë, nuk lashë hoxhë edhe plaka pa shkuar. E keqja çfarë s’të bëkërka të besosh!...
Në këtë periudhë të tmerrshme njëmujore, aty në spital të pediatrisë në Tiranë, ka shumë ngjarje për t’i kujtuar e hedhur në letër dhe një nga ato, që nuk e harroj kurrë, është ajo sesi po e përjetonte djali madh Artani këtë kohë.
Shkoi te Mali me Gropa, andej nga Dajti. Unë kisha gjithë ditën që po e prisja. Nga që s'kisha ç’ bëja zihesha siç i thonë fjalës me mizat dhe fëmijët i doja të gjithë aty së bashku me tim shoq. Po të kalonte ora kur vinte treni nga Durresi do grindesha kot. S’di si ta përshkruaj se si isha shpërfytyruar… Pra dhe atë ditë po e prisja, se dhe Mikelinoja kur shikonte Arin (Artanin) gjente forca për t’i dhënë ndonjë buzëqeshje nga shakatë apo fjalët që i thoshte ai. Atë ditë Artani i kishte premtuar, se do t’i sillte sallam. Po ku gjendej sallami, që i kishte humbur vula si shumë gjërave të tjera?! Po afrohej ajo ora e tmerrshme e temperaturës dhe mua më filluan si zakonisht të dridhurat, se kishte nja një javë, që para se t’i fillonte temperatura, djalin e kapnin ca të dridhura sa dhe mua, që e pushtoja fort në krahet e mi më tundte me gjithë krevat. Isha gjithë nerva për djalin e madh, që po vonohej, kur shoh orën. Ishte gjashtë e pesë. Filloi të më rrihte zemra. As të dridhura e as ajo temperaturë, që sfidonte termometrin nga tridhjetë e shtatë e dy përnjëherë në dyzet e dy pa dy ! Ju fala Zotit aty te dritarja spitalit dhe lutjet më dilnin nga thellësia e shpirtit, shoqëruar me lotë. Mundohesha që djali mos më shikonte kur dëgjoj zërin e tij të mekur: “ Ma, mos qaj, une e di që ti po qan. Ja e sheh?! S’po dridhem më dhe temperatura s’po më hipën. Më mbytën lotët më shumë dhe më vinte të ulërija me të madhe. (Edhe tani qd po shkruaj dhe para syve më dalin ato skena, lotët po më bijen vetë mbi tasjerë.)
Në një çast u hap dera me forcë. Mjeku Bebeti, nga ajo ditë që i shkova në zyrë nuk na ndalonte më të hynim e të dilnim si donim në dhomën e djalit. Infermiere, mjekë apo portierë, të gjithë, na njihnin dhe mundoheshin të na ndihmonin. Po të them të drejtën, mua ajo shprehja e fytyrës së tyre, ku shprehej një keqardhje, më dërmonte edhe më shumë.
Pashë tim bir, të madhin, Artanin, me një shokun e tij me një shishe në dorë si dhe me një copë të madhe salami. Sa pa hapur gojën unë, ai bërtiti si fëmijë duke iu drejtuar shokut, që e shoqëronte: "Taqo e sheh?! Nuk ka temperaturë. Po qesh, mor, po qesh!” dhe u sul tek i vëllai
Të them të drejtën mu drodh shpirti, mendova dhe pse
se kishte kurrë zakon, mos kishte pirë nga mërzia e të vëllait dhe po vinte në këtë gjendje këtu, kur ai u kthye nga ne dhe tha me një zë që s'ia njoha:
- Dilni shpejt të gjithë përjashta!
Iu bindëm në mënyre instiktive. Jashtë, ai shoku i tij, drejtor i një ndërmarrje të asaj kohe, më tregoi, se kishin qënë me Artanin, të shoqëruar nga xhpsi i tij i ndërmarrjes, te një plakë "fallxhore" tek Mali me Gropa, ku ajo i kishte thënë midis të tjerave: “ Sonte
vëllai yt nuk do ketë temperaturë!” dhe i kish dhënë disa gjëra që ai po ia bënte tani.
Sa ishte djali mirë, kurrë s’iu kasha besuar këtyre gjërave dhe jo të vija e t’i gjëmoja e t’i kërkoja vetë. Po kisha afro një muaj e gjysëm, që veç doktorëve,ku s’ kisha shkuar, sapo më thoshin për ndonjë njeri “çudibërës”. Si Hoxha i Kavajës, si dhe ai i Maminasit, çuditërisht më thanë të njëjtat gjëra. Më kërkuan vetëm një kanatjere nga trupi i djalit dhe moshën. Pastaj, pasi lexonin te një libër i madh, të dy më kane thënë: “Djali do bëhet shumë mirë. Do kalojë një rrugë të largët dhe do kapërxejë një det.”
I shaja me vehte edhe pse kisha aq siklet, kur më përmendnin detin. E kujt i shkonte ndërmend atëhere, se do kaloja vërtet detin? Ato, që i dha plaka Artanit, çuditërisht e lanë nja tre ditë vetëm me temperaturën febrile tridhjetë e shtatë gradë e dy vija, që të dobëson dhe të grryen ngadalë.
Një natë tjetër, Artani solli dhe Gazin, një mjek popullor me emër në atë kohë, që i vuri ca rruaza të zeza. Në këtë gjendje të kësaj temperature febrile e transferuan te spitali i fëmijëve, në pavjoni e artrit rematoitit, po pa qenë të sigurtë për diagnozën. Mjek ishte doktoreshë Drita Fejzo, një mjeke shumë e mirë, ishte specializuar në Francë, poë tepër strikte. Nuk të jepte një kurajo apo të hynte në psikologjinë tënde. Ajo, përveç meje, ndaloi të hynin pjestarët e tjerë të familjes, po dhe këtu ia gjeta anën me infermieret duke u dhënë lekë nën dorë. Isha shkundur fare edhe orën e dorës, që e kisha kujtim nga reliket e vjetra të familjes, e vetmja dhuratë martese nga im, e shita për një copë bukëe. Po kush i llogariste të gjitha këto!
Bashkë me tim shoq, (Stefanaqin) Naqin, po mendonim të shisnim shtëpinë, vetëm të më nisnin djalin jashtë shtetit për t’u diagnostikuar. Edhe te spitalin e fëmijëve temperature filloi lojën e saj. Mjekimi ishte kortizoni me efekte anësore të fuqishme(sinakten apo placinyl)( që i skanadalizoi mjekët këtu në Itali, kur iu tregoja çfarë i kanë bërë dhe me se e kanë kuruar këtë fëmijë).
Dhe me mjeken Dritën si me doktor Bebetin u grinda duke i kërkuar
ta çonin jashtë shtetit (ç’pretendime, hë?!), gjë që e bëri mjeken të ngrinte një vetull përpjetë. Iu thashë: “Me që s’jeni në gjendje t’i vini një diagnozë, çojini
gjakun për analizë të paktën jashtë shtetit, etj. etj.” Isha bërë gjysëm mjeke dhe e dija permendësh kartelën e tij me gjithë analizat, që ia kisha kopjuar me ndihmë e një infermiere, që kur erdha këtu në Itali, më hynë shumë në punë.
Atëhere me ato analiza të "vjedhura" në dorë vajta e gjeta në mes të pyllit dhe takova doktor Arqilenë, një mjek popullor, që ishte bërë aq i njohur në Shqipëri. Ai më këshilloi rrënjë fiku të egër dhe një nga barnat, që mjekët i jepni djalit dhe më ndaloi kategorikisht atë plakenylin dhe synaktenin, që ata i jepnin.
Me që i rrija te koka djalit natë e ditë, fillova t’i jepja ato barna, që më tha doktor Arqilea. Nuk di kujt t’ia kushtoj përmirësimin e tij provizor doktor Arqilesë apo një
mrekullie, që ndodhi nga Zoti i madh dhe që bëri aq bujë në spital, po që unë s’dua ta shkruaj këtu. Di vetëm që çuditërishtë një mëngjes djali u ngrit, kërkoi të hante dhe ta çoja në shtëpi. Kjo, jo vetëm mua, po dhe mjekët dhe mjeken, që e kuronte e la pa mend. Këtë, ma tha më vonë një infermiere, që e kam takuar këtu në Trieste, refugjate dhe ajo.
Të gjithë po thoshin dhe po mendonin nga ky "përmirësim i menjëhershëm " atë që s’ma shkruan dot dora dhe s’dua t’ia kujtoj vetes, kur ndodh, që përmirësohet një njeri që i kanë hequr shpresat...Nejse... Im birë, këmbënguli aq shumë, sa ma nxorrën nga spitali. Qëndrova nja tre ditë te motra, që e ka shtëpinë aty afër tek spitali i fëmijëve në Tirnaë, për çdo të papritur, por fal Zotit ai filloi të bënte dhe nja dy hapa nëpër shtëpi. Kryesorja ishte temperatura e tmerrshme, e cila nuk po shfaqej më ! Pas disa ditësh që isha kthyer në Durrës, fillova të hyjë disi në rrjedhën e jetës dhe mësova gjithë ato gjëra, që kishin ndodhur.
Hyrja e familjes Popaj në ambasadën italiane në dhjetor të 1985 më ishte ngulitur në mendje dhe truri im filloi të mendojë, sesi të hyja dhe unë me djalin e vogël për ta shtruar dhe vizituar njëherë në Itali, sepse nuk i besoja shumë këtij "përmirësimi" të papritur. Më ishte bërë refleks të rrija me leckën me ujë dhe uthull në dorë nëpër shtëpi.
Diçka po ndodhte në atë kohë, që unë s’po e merrja vesh. Artani, djali i madh, se nga më zhdukej dhe kur vinte seç pëshpëriste në një qoshe të divanit me Iskun, i cili ato ditë kishte konkursin për në Institutin e Fiskulturës. Sa iu afrohesha e kthenin bisedën për gjera të tjera. As që më shkonte mendja për “planet e tyre”, por mendoja, se mos dinin ndonje gjë për vëllain e tyre të vogël dhe ma fshihnin mua.
Një herë i përgjova, kundër edukatës që me kishte dhene nena ime Artani i bërtiti dhe i tha Iskut:
-Hajde, se do pendohesh! Mbushe mendjen, jo kampion shtize dhe disku siç je, si dhe anëtar i ekipit kombëtar, po dhe Ajet Toska të jesh, me atë biografi, që ke ti, s'të nxjerr njeri të drejtën e studimit, po mos humb kohën kot! Hajde me mua!
Përgjigjet e Iskut s’i dëgjoja mirë, po nga mënyra si u ndanë mora vesh, se ia kishte prishur për diçka. Më vonë Artanin e pashë që po përkëdhelte të vëllanë e vogël dhe i thoshte:
-Ty do të bëjë Tani yt bos! Ke për të parë! Shumë shpejt do të të marrrë Tani me vete!
Atë ditë sa ishte dhënë lajmi i asaj makinës së parë, që the portën dhe hyri në Ambasadën italiane. Ishte gjendje e turbullt gjithandej. Çfarë s'dëgjoje, po unë i dëgjoja, sikur të flisnin për një botë tjetër, aq e shkëputur dhe e hutuar isha akoma, nga gjithë ato që kisha jetuar ato muaj.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora