E premte, 19.04.2024, 05:03 AM (GMT+1)

Speciale

Kristo Frashëri: Skënderbeu dhe absurditetet lapidare të Oliver Schmitt

E hene, 23.03.2009, 11:14 PM


Gjergj Kastrioti - Skenderbeu (Pikture nga Sabir Krasniqi)
Skënderbeu dhe absurditetet lapidare të Oliver Schmitt

Nga Kristo Frashëri

Parathënie

Njëqind e ca vjet më parë, Kryeministri demokrat frëng, Georges Clemenceau, i cili e udhëhoqi Francën në fitoren e Luftës së Parë Botërore, ka dhënë këtë parabolë dialektike për demokracinë: kur demokracinë e shoh pranë diktaturës më duket e bukur; kur demokracinë e shoh vetëm për vetëm nuk më duket aq e bukur. Kjo për arsye se demokracia përveç të mirave ka edhe të metat e saj, të cilat dalin në shesh kur nuk e krahasojmë me diktaturën. Një nga të mirat e vyera që ajo sjell është liria - liria në të gjitha drejtimet e saj. Por edhe kalimi i menjëhershëm nga errësira e diktaturës në dritën e demokracisë përkohësisht të vret sytë. Është njësoj, thotë Platoni, si një njeri i mësuar të jetojë në bodrum të errët, por kur del menjëherë jashtë në dritën e diellit i vriten sytë. Për këtë arsye, duhet të ndjekim rrugën që na ka dhënë vetë natyra. Në mëngjes nata nuk kalon përnjëherësh, as dita nuk vjen përnjëherësh. Midis tyre qëndron agimi, kur errësira tërhiqet dalëngadalë edhe drita shfaqet dalëngadalë. Kështu ndodh edhe në mbrëmje, me muzgun, kur drita tërhiqet dalëngadalë dhe errësira vjen dalëngadalë. Agimi dhe muzgu të dyja janë periudha tranzicioni, të cilat i japin mundësi njeriut të përshtatet dalëngadalë, në agim me dritën, në muzg me errësirën.

Te ne, kur kaluam nga diktatura në demokraci nuk ndodhi kështu. Më 1991, pushtetarët tanë nuk e patën parasysh këtë veçori që ka edhe tranzicioni politik. Ndryshe nga vendet e tjera lindore, ku diktatura komuniste nuk ishte aq e egër dhe vargonjtë e lirisë nuk ishin aq të rreptë, te ne u kalua brenda ditës nga diktatura e egër komuniste në lirinë e plotë demokratike. Si pasojë e këtij kalimi të menjëhershëm, dielli i lirisë shkaktoi te mjaft njerëz çoroditje, të ngjashme me hallakatjen që ndodh te qeni i pamësuar kur lëshohet nga zinxhiri. Në bazë të lirisë së plotë, kushdo fitoi përveç të tjerave, të drejtën të fyejë, të përdhosë pa u ndëshkuar. Këtë të drejtë e fitoi edhe shpifësi, edhe gënjeshtari, edhe servili, edhe mashtruesi, edhe paranojaku. Ndëshkohet vetëm ai që fyen dhe përdhos shtetarët kur janë gjallë dhe ende në pushtet. Në bazë të lirisë së pakufizuar, ai që fyen ose përdhos flamurin, kombin, atdheun nuk preket. Madje, kur dikush fyen, përdhos, shpërfytyron heronjtë e vdekur, ai duartrokitet. Pikërisht kjo është ana e shëmtuar e demokracisë - jo e demokracisë së pastër, por e demokracisë sonë, e cila nuk erdhi si agimi i ditës shkallë-shkallë, por përnjëherësh.

Kam parasysh trajtesën e historianit zviceran, Oliver Schmitt, me titull "Skënderbeu", përkthyer shqip nga Ardian Klosi, botuar në Tiranë më 2008. Edhe pse trajtesa e shpërfytyron Heroin tonë Kombëtar, edhe pse nëpërmjet përdhosjes së Heroit fyhet kombi shqiptar, ajo gjeti pa vështirësi jo vetëm mjetet financiare për përkthimin dhe botimin në shqip, por edhe gatishmërinë e faqeve të shtypit dhe të ekraneve televizive për propagandimin e saj. Për fat të keq, kjo gatishmëri nuk po tregohet për botimin e serisë së vëllimeve me burime dokumentare mbi Heroin tonë Kombëtar, madje nuk po tregohet interesim për përkthimin dhe botimin të paktën në një gjuhë ndërkombëtare të monografisë me titull "Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra", Tiranë 2002. Si duket, demokracia jonë nganjëherë qenka e prirur më tepër për fyerje sesa për krenari kombëtare.

Në bazë të lirisë së pakufizuar të fjalës, demokracia jonë edhe pse çalamane, shyqyr zotit që i ka dhënë të drejtë historianit të mbrojë figurat e ndritura të kombit tonë nga fyerjet, përdhosjet, shpërfytyrimet e atyre që kanë zgjedhur si mënyrë jetese të fyejnë, të përdhosin, të shpërfytyrojnë ku të mundin në shtyp, në radio, në televizion, vlerat e ndritura të historisë së Shqipërisë, madje dhe identitetin tonë kombëtar.

Si qytetar bashkohem me ato zëra që protestuan kundër fyerjeve, përdhosjeve, shpërfytyrimeve në dëm të figurës së Skënderbeut nga historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, dhe nga duartrokitësit e tij shqiptarë, të cilët mezi presin të hedhin baltë kundër çdo vlere pozitive të kombit të tyre, - komb i cili pas shekujsh tallazesh, shtypjesh, mjerimesh arriti më në fund të gëzojë lirinë e ëndërruar. Si historian e ndiej për detyrë, meqenëse vetë Skënderbeu nuk ka mundësi të flasë, të parashtroj, me sa kam mundësi, argumentet historike, të cilat hedhin poshtë hamendësimet, shpifjet, shtrembërimet që ata kanë përdorur për ta shpërfytyruar Heroin tonë Kombëtar.

Ky është qëllimi i këtij shkrimi. Kërkoj falje nëse nuk ia kam arritur qëllimit. Nëse vihen re mungesa e pasaktësi, le t‘i plotësojnë historianët e tjerë.

Një vepër mbi Skënderbeun e shpërfytyruar 

Në nëntorin e kaluar (2008) u promovua në Tiranë një monografi prej 573 faqesh me titull "Skënderbeu", hartuar nga historiani i ri zviceran, Oliver Jens Schmitt, i punësuar në institutin e historisë së Evropës Juglindore, në Vjenë, përkthyer shqip nga Ardian Klosi. Historiani zviceran ka botuar kohët e fundit edhe një tjetër trajtesë mbi historinë e Shqipërisë. Edhe kjo trajtesë, botuar në Tiranë më 2007, e cila mban titullin "Arbëria Venedike. 1392-1479", prej 668 faqesh, ishte përkthyer në shqip gjithashtu nga A. Klosi. Ndërsa punimi "Arbëria venedike" nuk pati jehonë në publikun tonë, monografia mbi Skënderbeun u prit, për arsye që do të thuhen më tej, me reagime më pak pozitive dhe më shumë negative në faqet e shtypit shqiptar.

Punimi mbi Skënderbeun u shtohet qindra monografive studimore dhe mijëra artikujve shkencorë kushtuar Heroit Kombëtar të shqiptarëve, të botuara në gjuhë të huaja (ndonjëra prej tyre përkthyer edhe në shqip) gjatë qindra viteve që pasuan vdekjen e tij. Ndryshe nga botimet e deritanishme të autorëve të huaj mbi Skënderbeun, kjo vepër e re pati privilegjin që të botohet më parë në përkthimin shqip, kurse në origjinalin gjermanisht nuk e dimë as se kur do të botohet, as se si do të pritet nga opinioni i jashtëm. Siç e pohon vetë autori, merita e botimit më parë shqip se në origjinalin gjermanisht u takon përpjekjeve të përkthyesit, Ardian Klosit. Shpenzimet e botimit janë përballuar nga qeveria "Fondi i bashkëpunimit zviceran - agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim".

Pas vitit 1990 kanë parë dritën e botimit në përkthimin shqip edhe punime të tjera nga autorë të huaj kushtuar Skënderbeut. Përmbajtja e tyre nuk ka shkaktuar reagime në opinionin publik shqiptar. Kjo për arsye se autorët e tyre kanë ecur pak a shumë në trasenë e shtruar nga historiografia botërore dhe shqiptare e deritanishme. Secili prej tyre ka vënë në dukje, kush më shumë e kush më pak, vlerën historike të Skënderbeut - si një Hero Kombëtar që udhëhoqi në interes të atdheut të vet një luftë çlirimtare kundër invazorëve osmanë; si një strateg gjenial ushtarak që korri me një ushtri të vogël fitore pas fitoresh kundër armatave superiore osmane; si një burrë shteti i cili dora-dorës me luftën çlirimtare krijoi për të parën herë një shtet shqiptar të përqendruar; si një dorë e fortë, i cili për interesat e shtetit të centralizuar nuk u lëkund përballë prirjeve separatiste të feudalëve shqiptarë, si një kapiten i shquar, i cili me luftën që zhvilloi për lirinë e atdheut të vet mbrojti në të njëjtën kohë edhe qytetërimin evropian nga invazioni osman; si një personalitet me përmasa evropiane, i cili me veprimtarinë e tij tërhoqi simpatinë dhe admirimin e elitës humaniste të kontinentit; si një figurë historike, lufta e të cilit u çmua jo pas vdekjes, por që në ditët kur ai qe gjallë.

Përkundrazi, historiani zviceran shkëputet në çdo drejtim nga traseja që ka trajtuar deri sot historiografia shqiptare dhe botërore mbi figurën e Skënderbeut duke na dhënë një Skënderbe krejt të ndryshëm. Portretin historik krejt të ndryshëm të Heroit shqiptar historiani zviceran e ka përmbledhur në formë sinteze në shpinë të kopertinës së punimit të tij. Sinteza e tij, në të cilën janë përmbledhur pikat themelore të portretit historik të Heroit, është aq e qartë sa lexuesi shqiptar është tronditur që pa e ndier nevojën ta lexojë librin nga fillimi deri në fund. Sipas sintezës së O. Schmitt-it, "jeta e Skënderbeut nuk ishte një marshim triumfal, por një luftë e vazhdueshme për mbijetesë, e mbushur me disfata, me situata në dukje pa rrugëdalje, por shpesh edhe me kthesa të papritura të fatit". Pa vullnetin e Skënderbeut, vazhdon ai, ata që i vajtën pas do t‘u ishin nënshtruar herët osmanëve. "Mirëpo ishte pikërisht vullneti i Kastriotit për fitore ai që tek e fundit i tërhoqi malësorët drejt rrënimit". (Vini re: Sipas O. Schmitt-it, fshatarët u rrënuan pasi i paskan vajtur pas Skënderbeut jo se ai luftonte për liri, por se synonte lavdinë e vet). Sipas autorit, Murati II dhe Mehmeti II iu turrën Shqipërisë me një ashpërsi të panjohur më parë jo për të pushtuar vendin, por për të dënuar si "dezertor" Skënderbeun, i cili u kishte shërbyer si "oficer", të dy sulltanëve turq. Kështu, nënvizon O. Schmitt, "jeta dhe kryengritja e Skënderbeut u bë dhe tragjedia e trevës së tij të prejardhjes, e cila si asnjë rajon tjetër i Ballkanit u shkretua e u shpartallua nga osmanët". Pasi na njofton se Skënderbeu e kishte filluar luftën për të marrë hakun e vrasjes së të atit nga sulltani, autori shton se "është gati emblematike se si Skënderbeu, kundërshtar i dy sulltanëve të mëdhenj të Turqisë, i shpallur nga Papët atleti i Krishtit, i mbiquajtur në kohën e vet Aleksandër-i-Ri - u ndodh i vetëm në fund të jetës mbi rrënojat e veprës së tij". Autori nënvizon në sintezën e vet se, me vdekjen e Skënderbeut "përreth tij ishte ulur në varr një botë e tërë: papët e Romës dhe sovranët evropianë, të cilët i kishin premtuar dhe dërguar ndihmë, por edhe fqinjët e tij të krishterë në Ballkanin sllav dhe grek, veç kësaj fisnikë të tjerë të Arbërisë, sidomos shpura që atij i vajti pas".

Më tej O. Schmitt shton si mbyllje: "Vetëm se bota (evropiane - K.F.) pas vdekjes së tij nuk deshi të dinte për këtë fat tragjik, ajo dëshiroi një hero ngadhënjimtar në luftën për mbijetesë kundër Perandorisë Osmane. Kështu vazhdoi të jetojë Kastrioti i madh si hero vezullues në kujtesën e të krishterëve në Ballkan dhe në Perëndim, ndërkohë që u harrua se ai në të vërtetë ishte figura tragjike e një periudhe kur po ndryshoheshin kohët".

Këto formulime "lapidare" dhe tezat e tjera me të cilat historiani zviceran e ka mbushur trajtesën e tij, prezantojnë para syve tanë jo një Skënderbe hero, por një Skënderbe për t‘u mëshiruar. Shkurtimisht do të themi se sipas tezave të tij, Skënderbeu nuk paska korrur asnjëherë fitore, por ka pësuar vazhdimisht disfata pas disfatash - pikëpamje kjo e padëgjuar ndonjëherë deri sot. Kthesat e papritura që paska pasur Skënderbeu gjatë luftës së tij O. Schmitt mendon se, i takojnë fatit, ndryshe nga sa ka pohuar vetë Heroi më 1460 se ato i përkasin virtytit, domethënë, këmbënguljes së shqiptarëve për liri. Shqiptarët i vajtën pas Skënderbeut, thotë Schmitt, jo për hir të interesave të tyre dhe të vendit, por për të ndihmuar Kastriotin që të hakmerrej ndaj sulltanëve për vrasjen e të atit - shpjegim ky që tregon se autori nuk e njeh strukturën shoqërore që kishte Shqipëria në shek. XV. O Schmitt e ngarkon me përgjegjësi Skënderbeun se i çoi malësorët shqiptarë drejt rrënimit. Ai nuk sheh se me këtë shpjegim i trajton malësorët shqiptarë, të cilët e kanë mbushur historinë e tyre para dhe pas Skënderbeut me lufta kundër sulltanëve, sikur të ishin bagëti që shkojnë verbërisht pas dashit ogiç. "Ashpërsinë e panjohur më parë" me të cilën sulltanët e goditën për njëçerekshekulli Shqipërinë O. Schmitt e shpjegon me urrejtjen që Murati II dhe Mehmeti II kishin ndaj Skënderbeut si "oficer" i tyre dezertor, - faktor ky që lë pa shpjeguar ashpërsinë me të cilën sovranët osmanë goditën Shqipërinë si para ashtu dhe pas Skënderbeut kur nuk kishin përballë tyre ndonjë "dezertor" si Skënderbeu. Tri nga "absurditetet" lapidare të mëtejshme të historianit zviceran meritojnë që tani një analizë, qoftë edhe të shkurtër.

E para, sipas O. Schmitt-it, Skënderbeu në të vërtetë nuk ishte Hero, siç e vlerëson historiografia shqiptare dhe botërore, por një komit malesh, të cilin Evropa e bëri Hero nga nevoja që kishte për një hero ngadhënjimtar. Megjithatë, shton ai, Skënderbeu mbeti si një "hero vezullues" dhe jo hero i vërtetë. Pra, sipas historianit zviceran, Skënderbeu është një "Hero" i rremë, i fabrikuar nga punishtja politike evropiane.

E dyta, ka lidhje me shkretimet që pësoi Shqipëria gjatë epopesë njëçerekshekullore. Ai thotë se përgjegjës për shkretimet dhe shpopullimet që pësoi treva shqiptare gjatë luftës njëçerekshekullore të shek. XV ishte vetë Skënderbeu. Nga kjo del se, sipas O. Schmitt-it, po të mos e kishte ndërmarrë Skënderbeu epopenë, Shqipëria nuk do të ishte rrënuar. O. Schmitt nuk e kupton se me këtë kritikë ai tërthorazi akuzon jo vetëm Skënderbeun, por të gjithë heronjtë e shquar evropianë, përfshirë dhe Janosh Huniadin, të cilët, sipas tij, duhet të jenë përgjegjës për dëmet e mëdha që pësuan vendet e tyre gjatë luftërave mbrojtëse kundër osmanëve. O. Schmitt-i, nëse është historian, duhet ta ketë kuptuar se Skënderbeu zhvilloi një luftë mbrojtëse dhe jo pushtuese, njësoj si Janosh Huniadi dhe Jan Sobjeski. Ai gjithashtu ka harruar se historia nuk njeh luftëra mbrojtëse, sidomos kur ato janë luftëra për mbijetesë, pa sakrifica njerëzore dhe pa dëme materiale. Veç kësaj, akuza që i bën O. Schmitt-i Skënderbeut sikur ai është përgjegjës për rrënimet e vendit është e padrejtë edhe nga pikëpamja faktologjike, sepse rrënimin e vendit nuk e shkaktoi Skënderbeu, por sulltanët osmanë, të cilët historiani zviceran nuk i ngarkon me përgjegjësi. Nëse do të vinim në peshë sakrificat që kërkon lufta për mbijetesë, atëherë O. Schmitt duhej të dënonte jo Adolf Hitlerin, por Winston Churchillin, pasi ky qenka përgjegjës për dëmet e pallogaritshme njerëzore e materiale që pësoi Britania e Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Logjika e Schmitt-it na kujton akuzat e shefit të propagandës naziste, Joseph Goebbels, i cili e ngarkonte me përgjegjësi Churchill-in për shkrumbëzimin e Anglisë nga aviacioni gjerman. Me këtë logjikë ligjërohet gjithashtu edhe politika e kolaboracionistëve të Luftës II Botërore, të cilët e justifikonin bashkëpunimin e tyre me okupatorët nazifashistë me argumentin se donin të shpëtonin vendin nga rrënimet e luftës.

E treta. Sipas pikëpamjes së O. Schmitt-it, Skënderbeu do t‘i kishte shërbyer më mirë popullit të vet po të mos e kishte braktisur sulltanin, pra po të mos e kishte ndërmarrë luftën çlirimtare kundër tij. Këtë pikëpamje ai e përforcon edhe kur shkruan se Skënderbeu "ishte figura tragjike e një periudhe kur po ndryshoheshin kohët". Pra, sipas tij, faktori tragjik që e pengoi Shqipërinë t‘i përshtatej ndryshimeve të kohës ishte Skënderbeu dhe jo pushtimi osman. Me fjalë të tjera, po të mos kishte dalë në skenë Skënderbeu, Shqipëria do të zhvillohej në rrugën që ndërmori Evropa Perëndimore.

Hëpërhë, të tri këtyre absurditeteve po u përgjigjemi me fjalët e Krishtit: "O Zot, mos ia vër veshin, se ai vetë nuk di çfarë thotë!" Ai pretendon se me këto teza, të cilat na i servir si gjoja rezultate të hulumtimeve të tij arkivore, ka sjellë një kontribut të madh në ndriçimin e figurës së vërtetë të Skënderbeut.

Me këtë rast, jemi të detyruar të pohojmë se teza e tretë - se Skënderbeu do t‘i kishte shërbyer më mirë popullit të vet po të mos e kishte braktisur sulltanin - nuk është tezë e panjohur, pra nuk është tezë e re, siç pretendon O. Schmitt-i. Ajo është tezë e huazuar nga historianë të mëparshëm, e thënë nga të tjerë, emrat e të cilëve ai ose nuk i di, ose bën sikur nuk i di. Fillimisht këtë tezë e kanë fabrikuar prej kohësh kronistët osmanë të oborrit të sulltanit, të cilët, me ndonjë përjashtim, O. Schmitt nuk i përmend. Vetëkuptohet se kronistët osmanë synonin ta denigronin armikun që po turpëronte madhështinë e perandorisë së tyre. Këtë tezë e ka mbrojtur dhe ndonjë historian evropian. Mjafton të lexojmë Fan Nolin për të mësuar se kjo tezë nuk është e re. Në disertacionin e tij mbi Skënderbeun botuar në anglisht mbi gjashtëdhjetë vjet më parë (George Castrioti Scanderbeg, by Bishop Fan Stylian Noli, Ph.D. New York, 1947) - vepër të cilën O. Schmitt e ka renditur në Pasqyrën e Bibliografisë së veprës së tij, pra nënkuptohet se duhet ta ketë lexuar punimin, Fan Noli në kapitullin që flet për historianët e ndryshëm që janë marrë gjatë shekujve me veprën e Skënderbeut, përmend (në faqen 92) edhe historianin anglez të shek. XVIII, Eduard Gibbon. Noli citon veprën e E. Gibbon-it, me titull "History of the Decline and Fall of the Roman Empire" (Historia e muzgut dhe e rënies së Perandorisë Romake), hartuar më 1776-1778 dhe botuar pas vdekjes së tij, në Londër, më 1990, me shënimet e nevojshme nga J. B. Bury. Sikurse shkruan F. Noli, E. Gibbon, një kritik i rreptë i Skënderbeut, në vëllimin VII, kapitulli LXVIII, dyshon për fitoret e Heroit. Madje, Gibboni thotë se Skënderbeu vdiq në Lezhë si refugjat, i braktisur nga shokët e vet, afërsisht ashtu siç thotë edhe O. Schmitt. Historiani anglez e përbuz Skënderbeun si hero, meqenëse, sipas tij, e filloi karrierën si "tradhtar" e "dezertor" ndaj sulltan Muratit II, në oborrin e të cilit ishte rritur dhe pastaj zhvilloi një luftë të rreptë kundër tij. Këtë akuzë, shkruan Noli, e përsëritën gjatë shekullit XIX edhe historianë të tjerë. Në punime të historianëve të tjerë nuk mungojnë as akuza se Skënderbeu paska luftuar kundër turqve për t‘u hakmarrë për vrasjen e të atit ose për helmimin e tre vëllezërve të tij nga sulltani. Këto vegime romanceske morën fund, shkruan Noli, derisa 100 vjet pas Gibbon-it, historiani çek, K. Jireçek, i hodhi poshtë ato me argumente shkencore. Gibboni ka pohuar gjithashtu se Skënderbeu do t‘i kishte shërbyer më tepër atdheut po të mos e kishte tradhtuar sulltanin. Siç shihet, këtu O. Schmitt-i ka kopjuar pikë për pikë E. Gibbon-in, pra nuk na thotë asgjë gjë të re. Siç thonë pleqtë: "Ku ishe? Asgjëkundi! Ç‘na solle? Asgjësendi!"

Megjithatë, reflekset që na përcjell pohimi i historianit zviceran ndryshojnë nga ato që na shkakton historiani anglez. Nuk është e vështirë të kuptohet se me këtë tezë O. Schmitt e përforcon atë që u tha, legalizimin e politikës kolaboracioniste jo vetëm të pashallarëve të dikurshëm shqiptarë ndaj sulltanit, por edhe të kolaboracionistëve të okupatorëve hitlerianë të kohëve të reja.

Më në fund, O. Schmitt-i e quan "emblematike" vetminë që pati Skënderbeu në momentet e fundit të jetës së tij. Pastaj "vetminë" ai nuk e shpjegon si historian me faktorë të brendshëm (shterimin e forcave njerëzore dhe materiale që shkaktoi lufta e gjatë), as me faktorë të jashtëm (me kontradiktat midis shteteve evropiane, të cilat çuan ndër të tjera edhe në dështimin më 1464 të projektit të Papës Pius-i II për fushatën antiosmane, por operon si letrar, duke thënë se vetmia erdhi si pasojë e mosfunksionimit të mëtejshëm të motivit të hakmarrjes personale për vrasjen e të atit, i cili kishte frymëzuar Skënderbeun në luftën kundër Perandorisë Osmane. Kur Schmitt shpjegon disfatat e njëpasnjëshme dhe vetminë që Skënderbeu pati në fund të jetës me mosfunksionimin e mëtejshëm të motivit të hakmarrjes prindërore dëshmon se ai nuk është historian. Historianët e dinë se një luftë njëçerekshekullore e një populli deri në rraskapitje të plotë nuk mundet kurrsesi të shpjegohet, siç vepron O. Schmitt-i, pa zbuluar rrënjët e saj të thella politike, shoqërore, ekonomike, kulturore, ideologjike. Motivet personale të një princi apo perandori nuk hyjnë në këtë mes. Ato nuk i takojnë historisë, por letërsisë, e cila megjithatë edhe ajo i gëlltit në masën e duhur.

O. Schmitt-i dëshmon se nuk është historian edhe kur nuk është në gjendje të shpjegojë dramaticitetin që pati në fundin e saj epopeja skënderbegiane. Ai nuk është historian as kur thotë se Skënderbeu kur vdiq "mori me vete në varr papët dhe sovranët, të cilët i kishin premtuar dhe dërguar ndihmë", për arsye se edhe ky fakt nuk është i vërtetë. E vërteta është se me vdekjen e Skënderbeut as papët e Romës, as sovranët e Evropës nuk shkuan në varr, por jetuan shëndoshë e mirë.

Midis çështjeve të shumta të prekura nga O. Schmitt-i, të cilat janë gjithashtu absurditete që nuk e nderojnë historianin, hëpërhë do të prekim tezën e rreshtuar në fund të sintezës së tij që përmban shpina e kopertinës së monografisë. Aty thuhet se papët e Romës dhe Evropa e krishterë, edhe pse nuk i dhanë Skënderbeut ndihmat që i premtuan dhe, për më tepër, e braktisën - pas vdekjes, shkruan historiani zviceran, Evropa e vlerësoi Skënderbeun jo për meritat e tij (siç!), por për nevojën që kishte për një "hero ngadhënjimtar në luftën për mbijetesë kundër Perandorisë Osmane". Sigurisht që këtu historiani shkruan përçart. Ai harron se disa rreshta më lart, në fillim të sintezës së tij të përmendur, flet për një Skënderbe që ka pësuar gjatë jetës së tij disfata pas disfatash, kurse këtu na del nëpërmjet vlerësimit të Evropës si një hero ngadhënjimtar.

Pasi mbaron së lexuari trajtesën e historianit zviceran bindesh se me metodën e punës që ai ka ndjekur - me zgjedhjen selektive të burimeve dokumentare, me leximin mbrapsht të disa njoftimeve mesjetare mjegullore, me mospërfilljen e rezultateve të arritura nga historiografia skënderbegiane dhe me disa interpretime që ai i nxjerr nga xhepi i vet - ai përpiqet, ndonëse pa sukses ta zhveshë Skënderbeun nga vërtetësia historike dhe të na japë me përdhunë jo një hero, por një komit malesh. Për më tepër, me metodën e punës që përdor historiani zviceran, ai përpiqet që vizionin që kemi ne sot për Skënderbeun si Hero kombëtar, ta shpërfytyrojë edhe në një drejtim tjetër - ta paraqesë personalitetin e Skënderbeut, gjoja në emër të shkencës, si një mit. Pastaj, përsëri në emër të shkencës moderne, e cila, siç pretendon ai, nuk pajtohet me mitet, kërkon ta shfronësojë Skënderbeun nga vendi që ka zënë si Hero Kombëtar në historinë e Shqipërisë dhe si kampion i lirisë në historinë evropiane, mbase edhe ta fshijë nga faqja e historisë shqiptare.

Nuk ka dyshim se Skënderbeu, i cili doli fitimtar përballë furisë perandorake osmane dhe përballë intrigave të Republikës së Venedikut, nuk ka arsye përse të lëvizë nga vendi që ka zënë në historinë e Shqipërisë dhe të Evropës përballë absurditeteve të një historiani që, siç do të shihet, abuzon në mënyrë mjerane me burimet historike dokumentare. Për absurditetet që përmban monografia e historianit zviceran do të shqyrtohen më tej, pasi të flitet më parë për jehonën e trajtesës së O. Schmitt-it në opinionin shqiptar.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora