E shtune, 20.04.2024, 06:54 AM (GMT+1)

Speciale

Isa Mulaj: S’ka zhvillim të qëndrueshëm pa standardizimin e terminologjisë së ekonomisë në gjuhën shqipe

E diele, 22.03.2009, 07:11 PM


S’ka zhvillim të qëndrueshëm pa standardizimin e terminologjisë së ekonomisë në gjuhën shqipe

Nga Isa Mulaj*

Nëse dikush, qoftë shqiptar apo i huaj, mendon se me zëvendësimin e tërësishëm të terminologjisë së ekonomisë në gjuhën shqipe me një gjuhë tjetër arrihet ndonjë përparim, atëherë këtë duhet ta bëjmë sot. Janë dy probleme serioze që na pengojnë ta bëjmë një gjë të tillë. Së pari, është vështirë të argumentohet pse dhe si do të bëhej ky zëvendësim ose kalim. Së dyti, ithtarët e zëvendësimit nuk janë të gatshëm të punojnë në këtë drejtim; ata më tepër preferojnë një gjendje të çrregulluar as andej e as këndej ose mish-mash.
Përkundër se gjuha shqipe ka qenë dhe është nën ndikimin e shprehjeve të gjuhëve tjera, ajo megjithatë ka arritur ta ruaj mëvetësinë në disiplinat shkencore, duke përfshirë ekonominë. Terminologjia e ekonomisë në gjuhën shqipe është e zhvilluar në masë të konsiderueshme, mirëpo, hulumtimet shkencore dhe akademike gjatë kohës janë shumë të kufizuara, duke lënë kështu një zbrazëti në përdorimin e saj më të gjerë dhe njësuar në segmente përkatëse. Ndikimi më i madh në këtë terminologji si në shumicën e gjuhëve të botës padyshim ka ardhur nga gjuha angleze që përkon me zhvillimin e kapitalizmit, ekonomisë si shkencë e veçantë shoqërore, zbulimet e reja shkencore, (neo)kolonializmit. Së fundi, globalizimi ekonomik sjellë fjalë të reja, përkthimi i dobët i të cilave shpesh nuk ndryshon nga fjalët burimore. Pavarësisht pranisë së termave dhe fjalëve të mëhershme me origjinë nga gjuhët tjera, duket se mbajtja e tyre në përdorim është më e leverdishme se kalimi nga huazimet e një gjuhe me ndikim në tjetrën sipas „nevojës” ose „trendit” nga rrymat joprofesioniste që nuk ka sjellë ndonjë përmirësim por me tepër e ka vështirësuar kuptimin e gjerë të terminologjisë nga shumica e atyre që gjuhë amtare e kanë shqipen. 
Me përjashtim të disa fjalorëve, qofshin ata shqip-shqip apo nga gjuhët tjera në shqip rreth terminologjisë së ekonomisë dhe disiplinave të saj, është vështirë të gjindet ndonjë studim ose botim i mirëfilltë që e shtjellon problematikën dhe gjendjen e saj. Aq më tepër është shtuar lënia e saj pasdore me fillimin e ndryshimeve të mëdha politike dhe ekonomike në hapësirat shqiptare gjatë viteve ’90-ta e deri më sot, ose siç njihet ndryshe, kalimi (transicioni) nga sistemi politik monist dhe ekonomia socialiste, në sistemin politik pluralist dhe të ekonomisë së tregut. Një ndër faktorët kyç që ka ndikuar në mosinteresimin në rritje për t’iu qasur shtjellimit të kësaj problematike është pushtimi shumëdimensional gjatë kohës së transicionit me fenomene ekonomike dhe globalizimi.
Studimet për shtetet tjera të transicionit siç është ai i autorëve Byung-Yeon dhe Pirttilä (2006) konstatojnë se reformat ekonomike kanë gjasa të zbatohen më me sukses dhe të jepin rezultate më të mira, nëse gëzojnë mbështetjen e shtresës së gjerë të popullsisë. Shumica e ekonomistëve janë të pajtimit se suksesi i politikave dhe reformave ekonomike të bazuara në Konsensusin e Uashingtonit varet shumë nga rrethanat dhe kushtet specifike të vendeve në të cilat zbatohet (Hausmann, Rodrik dhe Velasco, 2005). Meqenëse në Kosovë dhe Shqipëri zbatohen reformat që janë pjesë e pakos së Konsensusit të Uashingtonit, atëherë është e një rëndësie të veçantë të merren parasysh në formë pyetjeje konstatimet e dy studimeve të përmendura: e para, sa gëzojnë politikat dhe reformat ekonomike mbështetjen e shumicës së popullsisë; dhe e dyta, sa merren për bazë kushtet specifike të Kosovës që reformat të kenë sukses?
Gjithnjë e më tepër jemi dëshmitarë të premtimeve që bëhen nga institucionet dhe Qeveria nëpërmjet strategjive, planeve dhe politikave ekonomike ambicioze që kanë mbetur pa u zbatuar si duhet, e në të shumtën e rasteve kanë përfunduar në sirtarë vetëm si dokumente prej letre. Nuk është rastësi pse publiku shpesh herë nga pakënaqësitë i ka quajtur ato  „fjalë”, „premtime të zmadhuara”, „gënjeshtra”, „mashtrime”, etj. Problemi këtu është se hartimi i reformave dhe i strategjive për zhvillim ekonomik bëhet me tepër për t’u arsyetuar se kinse po bëjmë diçka, duke i anashkaluar „kushtet specifike” prej nga rrjedh problemi i mungesës së përkrahjes nga „shtresat e gjëra të popullsisë”. Me kushte specifike në mes tjerash nënkuptohet gjuha dhe terminologjia me të cilën ekspertët dhe ekonomistët shkruajnë strategji, bëjnë plane, përgatisin raporte dhe komunikojnë me publikun. Ajo terminologji është duke u degjeneruar me të madhe, ndoshta me qëllim që të mos kuptohet nga shumica. Fatkeqësisht, degjenerimin më të madh e bëjnë disa akademikë edhe ekspertë më të njohur të Kosovës, duke menduar se me këtë ndërtojnë kredibilitet në mesin e njerëzve që nuk e njohin anglishten. Me barbarizmat e pazyrtarizuar që i përdorin qëllimshëm, akademikët mundohen të kamuflohen si njerëz të mençur që dikush të mendoj se fjalori i tyre qenka aq i përparuar sa që është vështirë të kuptohet. Ata që e dijnë anglishten i kuptojnë shumë mirë dhe me të drejtë i quajnë këta akademikë dhe profesorë me shprehjen komike si „gjenetikisht të modifikuar”.   
Fjalorin e disa akademikëve dhe profesorëve me barbarizma e hasim kudo nëpër mas mediet e Kosovës. Kështu për shembull, akademik Nexhat Daci pa kurrfarë nevoje e përdor fjalën suportim në vend të disa fjalëve më të mira dhe më të kuptueshme siç janë përkrahje, mbështetje, ndihmë, etj. Fjalën suportim nuk e përmban as fjalori i fjalëve të huaja në gjuhën shqipe. E njëjta gjë vlen edhe për profesorin Riza Smaka kur qëllimshëm e përdor fjalën establishim për të cilën ka disa fjalë më të mira në shqip si p.sh. krijim, themelim, sendërtim, etj, etj. Profesori tjetër universitar, Hajredin Kuçi, duket se e ka bërë „me tybe” që në prononcimet zyrtare për media të mos e përdor fjalën përvojë por eksperiencë. Ka edhe tërbime tjera me barbarizma që nuk ia vlen të shqyrtohen. Ndoshta numri më i madh i tyre është në lëmin e ekonomisë. Tabela në vijim paraqet vetëm një mostër të fjalëve që pa kurrfarë nevoje futen në dokumente, strategji, plane, raporte dhe tekste universitare për ekonomi.   

Tabela 1: Fjalët më të përdorura në shqip që janë huazuar nga anglishtja dhe/ose gjuhë tjera

Fjala e duhur shqip

Fjala e huazuar në përdorim

Fjala burimore e  huazuar

Burime/Pasuri njerëzore

Resurse humane

Human resources

Dërgesat monetare të emigrantëve

Remitanca

Remittances

Ekonomikë

Ekonomiks

Economics

Këshilli drejtues

Bordi i menaxhmentit

Management board

Kushtet e dhënies së kontratës/punësimit

Termat e referencës

Terms of reference

Konkurrim

Aplikim

Apply/Application

Lakorja

Kurba

Curve

Para e gatshme/Arka

Kesh

Cash

Pasuri/Mjete

Asete

Assets

Rendiment/Rezultat

Performancë/Autput

Performance/Output

Shoqatë Afariste

Asociacion i Biznesit

Business Association

Vendosje/Përndarje

Alokim

Allocation

Veprimtari

Aktivitet

Activity

Në shumicën e punimeve që përgatiten nga autorët e Shqipërisë, do ta vëreni se sektori i institucionit në të cilin autori është i punësuar ose i shoqëruar shënohet, si departamenti i ekonomiksit. Deri dje departamentit i kemi thënë katedër. Mandej, nëse sot ekonomikës po i themi ekonomiks, atëherë përse statistikës nuk i themi statistiks?
Nxënësit janë mësuar shumë mirë për vite të tëra dhe e kanë kuptuar fjalën lakore. Kur ata behën studentë, në librat më të rëndësishme të fakultetit ekonomik siç janë mikro dhe makroekonomia që janë përkthyer në Shqipëri (botime të njohura ndërkombëtare), do ta vërejnë fjalën kurbë. Studenti fillimisht hutohet duke menduar se çka qenka kjo kurba derisa të lexoj lëndën dhe të kuptoj së bëhet fjalë për lakoren. 
Ekspertët dhe profesorët e ekonomisë në Shqipëri dhe Kosovë shkojnë aq larg sa që shprehjet që kuptohen shumë lehtë edhe nga fëmijët i zëvendësojnë me anglizma. Pse në vend të parasë së gatshme është futur keshi, askush nuk është në gjendje ta arsyetoj. Autorët nga Shqipëria janë më „origjinal” kur në punimet e tyre në gjuhën shqipe e shkruajnë cash-i. Në kontabilitet, keshit deri dje i kemi thënë arka.   
Një barbarizëm tjetër që është duke bërë kërdi në terminologjinë e ekonomisë në gjuhën shqipe është shprehja aset/e. Ekonomistët normal e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë shprehje angleze nëse përdoret si e vetmuar. Një kuptim për assets është pasuria e ndërmarrjes. Mirëpo, kur e njëjta shprehje përdoret në afarizmin bankar dhe kontabilitet si assets and liabilities, atëherë e ka kuptimin kërkesat dhe obligimet ose aktiva dhe pasiva. Nuk ka kurrfarë arsye që fixed assets ta përkthejmë si asetet fikse kur në shqip ekziston prej kohësh shprehja mjete themelore, mjete bazë, mjete kryesore.
Edhe për barbarizmat tjerë ekzistojnë shprehjet përkatëse të standardizuara në shqip, mirëpo, papërgjegjësia e akademikëve, profesorëve  dhe studiuesve duan që me një udhë t’i kryejnë dy, tri apo më shumë punë – zhdukjen e disa shprehjeve në shqip me nga një fjalë të huaj. Qëllimi përfundimtar është të krijohet një çrregullim për shoqërinë ku, terminologjia e përdorur nuk kuptohet nga shumica, dokumentet e strategjive dhe reformave për zhvillim ekonomik bëhen më pak të realizueshme në terren si pasojë e vështirësisë së komunikimit ndërmjet hartuesve të dokumenteve të shkruara dhe subjekteve që i kushtohen ato dokumente. Subjektet ose shumica shpesh herë përdorin një terminologji të shkurtë dhe të thjeshtë për hartuesit dhe bartësit e atyre strategjive duke i cilësuar ata si „mashtrues”, „rrenca”, „hajna”, etj. Këto shprehje i kuptojmë të gjithë, i madh dhe i vogël, për shkak se nuk janë zëvendësuar me barbarizma. Tani radhën e kanë akademikët dhe profesorët e ekonomisë t’i heqin nga veprat e tyre gjithë atë „thesar” të panevojshëm.       

1. Degjenerimi i terminologjisë së ekonomisë në gjuhën shqipe

Socializmi i centralizuar në Shqipëri ka ndikuar në një lloj pastërtie të terminologjisë ekonomike në gjuhën shqipe si rezultat i izolimit. Po kështu kishte ndikuar edhe socializmi vetëqeverisës në Kosovë pas decentralizimit të sistemit politik dhe ekonomik. Titoja ka qenë një diktator karrierist të cilin nuk e ka brengosur statusi i shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ai bile ka realizuar projekte të shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova në marrëveshje me qeverinë Turke. Mirëpo, ai gjithmonë ua ka pasur frikën serbëve nga grusht-shteti, prandaj avancimi i statusit të Kosovës së bashku me gjuhën kishte pikërisht për qëllim mbrojtjen e karrierës së tij politike, e kjo do të thotë ngritje dhe fuqizim i kombeve tjera si kundërpeshë ndaj hegjemonisë serbe për nënshtrimin e ish-Jugosllavisë.
Ka pasur bashkëpunim ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës gjatë asaj kohe në lëmin e gjuhësisë por shumë pak në terminologjinë e ekonomisë. Të metat e socializmit centralist dhe vetëqeverisës në terminologjinë e ekonomisë në gjuhën shqipe ishin: i) aftësia e kufizuar për t’i përcjellë, futur dhe standardizuar termat e ri që kanë dalë nga trendët e ekonomisë botërore (Shqipëria); dhe ii) në Kosovë dhe viset tjera të ish-Jugosllavisë të banuara me shqiptarë, e meta ishte si në rastin e Shqipërisë, plus, ndikimet e gjuhës Serbo-Kroate si gjuha kryesore e ish-Jugosllavisë.

1.1 Terminologjia e ekonomisë gjatë transicionit

Të metat gjatë socializmit në pranimin e termave të domosdoshëm bashkëkohorë si rezultat i zhvillimit dhe përparimit të shkencës ekonomike në nivel botëror, u eliminuan me „pushtimin” e shpejtë dhe të gjithanshëm pas hapjes shumë të madhe dhe të menjëhershme të Shqipërisë dhe Kosovës ndaj botës. Kësaj i kontribuoj më së shumti numri i madh i studiuesve shqiptarë të ekonomisë nëpër botë dhe ardhja e shumë organizatave të huaja, ku mbizotëroj ndikimi i gjuhës angleze. Megjithatë, këtu doli një problem i madh i hyrjes masive dhe të pakontrolluar të barbarizmave në gjuhën shqipe. Në mesin e faktorëve kryesor që ky fenomen ende të jetë problem, janë: i) përkthimet bukëvale dhe të pastandardizuara, e në të shumtën e rasteve të dobëta, nga joprofesionistët; ii) rritja e gatishmërisë nga studiuesit shqiptarë për të studiuar dhe shkruar punime rreth ekonomisë në gjuhët e huaja (sidomos angleze); iii) përparësia në punësim dhe paga më të larta për ata që flasin dhe shkruajnë anglisht – shpesh herë kusht i domosdoshëm; iv) roli i medieve dhe kanaleve informale të komunikimit dhe studimit, etj.

Gjendja e tanishme e terminologjisë së ekonomisë në kontekst të asaj të mëparshme, në njërën anë ka sjellë disa përparësi dhe përfitime, ndërsa në anën tjetër edhe disa të dobësi dhe humbje. Padyshim se mundësia më e madhe e thithjes së termave të ri bashkëkohorë  të domosdoshëm janë përfitime. Hyrja masive e termave të huaj përmes përkthimeve të pa sqaruara dhe shqipëruara si duhet ose problemi i standardizimit, është dobësi dhe humbje. Po që se këto dy aspekte merren si tërësi, atëherë mund të konstatohet se gjendja e tanishme e terminologjisë së ekonomisë në gjuhën shqipe krahasuar me atë të mëparshme është më e mirë në sasi por më e keqe në cilësi.  Si e tillë, terminologjia e sotme bëhet më e pakapshme për shumicën e njerëzve, me çka hasen vështirësi në realizimin e projekteve sipas planeve dhe zbatimin e reformave.

1.2 Problemet e terminologjisë së tanishme

Mungesa e studimeve, simpoziumeve shkencore, konferencave, punimeve dhe interesimit për kërkime mund të konsiderohen si problemi më madhor pse sot kemi një terminologji të ngatërruar dhe të pastandardizuar në shkencën e ekonomisë në gjuhën shqipe. Duke mos pasur mekanizma të duhur të kontrollit, nuk është çudi pse kemi një cilësi jo të duhur në arsimin e lartë të shoqëruar me korrupsion, plagjiaturë (kopjim), paga të vogla për  mësimdhënësit dhe rrjedhimisht përkushtim më të vogël në punën shkencore. I tërë ky zinxhir ka ndikuar në degëzimin e problemeve tjera siç janë, anashkalimi i qëllimshëm i termave të standardizuar në shqip, rënia e interesimit për lexim shkencor (me përjashtim të studentëve, pedagogëve dhe studiuesve), dhe ndërlidhja e dobët e gjuhësisë me ekonominë dhe rrjedhat e saj. Rezultati i kësaj është duke u shfaqur në mungesën e aftësive të duhura dhe të integruara për realizimin e projekteve dhe qeverisjen më efikase ekonomike. Ekonomistët që nuk e njohin gjuhën angleze apo kanë vetëm njohuri elementare për të, në shikim të parë hamenden se çfarë kuptimi mund të kenë fjalët e shënuara në kolonën e parë të tabelës së mëposhtme të cilat janë duke bërë „bum” si në gjuhën e folur, ashtu edhe në të shkruar shqipe. Këtyre ekonomistëve do t’iu duhet të shërbehen me fjalorët anglisht-shqip për ta gjetur domethënien e barbarizmave që botimi më i ri dhe më voluminoz i fjalorit të fjalëve të huaja në gjuhën shqipe nuk i njeh si barbarizma. 

Tabela 2: Fjalët e huazuara që nuk figurojnë në fjalorët e gjuhës shqipe si barbarizma

Termi i huazuar

Kuptimi në shqip dhe përdorimi i standardizuar

Burimi i huazimit në anglisht

  Brain drain/gain

Shterja/përfitimi i trurit ose kthimi i mençurisë

Brain drain/gain

  Bordi i menaxhmentit

Këshilli drejtues

Management board

  Staf

Personel/Kuadër njerëzor

Staff/ing

Staf miting

Mbledhja/kuvendi e/i personelit

Staff meeting

Piku

Kulminacioni/maksimumi/pika më e lartë

Peak

Ekuitet

Pjesëmarrje në aksione/kapitalin aksionar

Equity

Ueb sajt

Faqe interneti

Web site

Dikush do të se edhe fjala „personel” dhe „kuadër” janë me bazë nga ndonjë gjuhë e huaj dhe kanë të drejtë. Në të njëjtën kohë, ata nuk kanë të drejtë nëse mendojnë se në gjuhën shqipe vazhdimisht duhet të futen fjalë të reja, bile me shqiptim krejtësisht të njëjtë si në gjuhën e huaj që i bënë ato të pakuptimta, dhe të anashkalohen ato me të cilat janë mësuar për një kohë shumë të gjatë. E kemi provuar këtë strategji të „përshtatjes” edhe ndaj barbarizmave serb edhe në të kaluarën e afërt me fjalët „zadruga”, „prekolica”, „k(r)ompir” dhe erdhëm në përfundim se nuk paskan qenë zgjidhje, pa marrë parasysh se disa shqipfolës mendonin se ish-Jugosllavia do të ishte e amshueshme, prandaj bënin „punën e tyre” me barbarizma në funksion të mbrojtjes së asaj krijese artificiale. Shtrohet pyetja se a kemi mësuar diçka nga ajo përvojë. Përgjigjja është Jo. Aq shumë janë duke eksploduar barbarizmat e panevojshëm sa që ato i hasim edhe në titujt e librave rreth ekonomisë në gjuhën shqipe. Shih tabelën që vijon.

Tabela 3: Titujt e disa e librave të botuara

 

Titulli i botimit

Gjendja

Autori, vendi, shtëpia botuese dhe viti i botimit

Titulli më i përshtatshëm

Menaxhimi i resurseve humane

Tekst universitar

Ymer Havolli, Riinvest, Prishtinë, 2003

Qeverisja e burimeve/pasurive njerëzore

Menaxhimi i resurseve humane

Tekst universitar

Enver Kutllovci, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2004

Qeverisja e burimeve/pasurive njerëzore

Makroekonomia aplikative

Tekst universitar

Musa Limani, Universiteti Universum, Prishtinë, 2008

Makroekonomia e zbatuar

E drejta biznesore ndërkombëtare

Tekst universitar

Riza Smaka, Universiteti Mbretëror Iliria (UMI), Prishtinë, 2006

E drejta afariste ndërkombëtare

Matematikë për biznes dhe ekonomiks

Tekst për universitet privat

Faton M. Berisha dhe Muharrem Q. Berisha, UMI, Prishtinë, 2006

Matematika për afarizëm dhe ekonomikë

Shtegtimi i Unionit Europian

Botim i universitetit privat

Shpresa Shehu – Kursani, UMI, Prishtinë, 2007

Rrugëtimi i Bashkësisë Evropiane

Management: Menaxhmenti kreativ dhe lidershipi

Tekst universitar

Berim Ramosaj, Vatra, Prishtinë, 2006

Qeverisja (bënë edhe Menaxhmenti por jo Management): Qeverisja kreative dhe udhëheqja/drejtimi

Çudit fakti se si shumë autorë komunist që i ka krijuar socializmi vetëqeverisës dhe ndoshta i ka detyruar të shkruajnë shqip sa më mirë që është e mundur për shkak të hegjemonisë serbe që Titoja dhe kombet të ish-Jugosllavisë ia kishte frikën, tani kanë shpërthyer me barbarizma të gjuhës angleze. Nuk ka kurrfarë dyshimi se Titoja i ka detyruar këta ksenomanë të bëhen shqiptar me „qykë t’zorit”, deshën e s’deshën. Por tash nuk ka fuqi që i ndalë nga dëshira dhe praktika për t’u bërë çdokushi i huaj që iu vie në mendje.
Nga vështrimi sipërfaqësor i këtyre autorëve dhe atyre që kanë studiuar ekonominë në gjuhën angleze, mund të konstatohet se autorët me njohuri më të kufizuara të gjuhës angleze kanë gjasa më të mëdha që në veprat e tyre të përdorin më shumë barbarizma. Ndonëse kjo hipotezë duhet të vërtetohet me vështrime dhe hulumtime shtesë, nga Konferenca e Takimit të Tretë të Institutit Alb-Shkenca. Në hapjen e Konferencës tri ditore, u theksua rëndësia e një projekti për „brain gain”, nismë kjo e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Gjatë pauzës, në bashkëbisedime me pjesëmarrësit e Konferencës komentohej me tepër arsyeja e përdorimit të termit „brain gain” e më pak rëndësia e tij si projekt i Qeverisë së Shqipërisë dhe UNDP-së. Në mbrëmje, pas ditës së parë të Konferencës, një bashkëbanues në Konviktin te Prokuroria po më tregonte përshtypjet e tij nga sesioni e shkencave të natyrës. Atij i kishte bërë përshtypje se si moderatori i sesionit që jeton dhe studion në SHBA, përdorte gjuhë pak më origjinale shqipe se pjesëmarrësit që vinin nga trojet shqiptare. Unë po i përgjigjem duke i treguar se situatë e ngjashme ishte edhe në sesionin e shkencave ekonomike ku isha prezent. Edhe pse njëri moderator jeton në SHBA dhe është i varur për çdo ditë nga gjuha angleze, në fjalimin, pyetjet dhe komentet e tij nuk vërejta anglizma të qëllimshëm sikur nga ata që bënin prezantimin e punimeve, e të cilët ishin nga fakulteti ekonomik i Universitetit të Tiranës ose ndonjë universitet tjetër publik i Shqipërisë. E njëjta mund të thuhet edhe për moderatoren që në studimet e saj ishte e varur më shumë nga gjuha gjermane dhe tjera se sa gjuha shqipe.
Fenomeni i përdorimit të barbarizmave të qëllimshëm nga pedagogët dhe asistentët krahas anashkalimit të termave më të njohur dhe më të pranueshëm kur flitet dhe shkruhet shqip, ndoshta bëhet nga shkaku për të lënë përshtypje tek lexuesit dhe studentët e tyre se autorët janë shumë në trende bashkëkohore. Në fakt nuk është ashtu. Librat dhe punimet janë më të mira nëse shkruhen me një gjuhë të thjeshtë dhe të kapshme për shumicën e lexuesve. E si të ndodhë kjo me librat e autorëve të cekur në Tabelën 3 në të cilat ka vjedhje (në gjuhën popullore thuhet hajni) masive nga librat tjerë në anglisht, serbo-kroatisht dhe shqip. Kjo është dokumentuar me fakte të forta edhe në shtypin ditor të Kosovës, por autorët e akuzuar i kishin futur veshët në lesh, kishin mbyllur sytë dhe gojën, me fjalë tjera heshtën duke na treguar se atyre si hajdutë dhe kriminelë akademik nuk u han palla fare. Kjo ndodh edhe kur titujt e librave të tyre për nga natyra e barbarizmave janë kërdi.

2. Detyrat, rekomandimet dhe rezultatet e pritura

Në bazë të problemeve që u hasen nga analiza e dy pjesëve në këtë artikulli ku u shtjellua gjendja e terminologjisë së ekonomisë në gjuhën shqipe, dalin disa detyra dhe rekomandime. Detyra e parë dhe më e rëndësishmja është që të bëhet zhvendosja e trajtimit nga fjalorët dhe përkufizimet e fjalëve në një sistem të hulumtimit nga shumë këndvështrime si problem strukturor. Kjo detyrë pastaj do të degëzohej në analiza veç e veç për segmente të terminologjisë së ekonomisë, si për shembull, punimet për termat që në gjuhën letrare ende nuk figurojnë si barbarizma por thjeshtë dikujt iu ka tekur t’i fus ato duke menduar se janë të domosdoshëm dhe të tjerët (lexuesit, recensentët, kritikët) nuk kanë bërë vërejtje. Analizat më tutje do të duhej të nxisnin komente, mendime dhe diskutime në mas media – elektronike dhe të shkruara – dhe të kthehen në sintezë të rekomandimeve për standardizimin e terminologjisë. Në mesin e rekomandimeve që bazohen në këtë artikull dhe do të ishin në funksion të standardizimit përfshihen:
• ruajtja e termave me domethënie të qartë në shqip karshi atyre të gjuhëve të huaja që në shikim të parë janë të pakapshëm për shumicën;
• mbajtja e vazhdimësisë dhe periodicitetit të rregullt të botimeve;
• përgatitja dhe botimi i fjalorëve sipas problemeve të identifikuara, duke përfshirë edhe një për termat e përgjithshëm që përdoren në shumë gjuhë tjera e që përdoren edhe në shqip;
• përkrahja e studimeve dhe kërkimeve në lëmin e terminologjisë së ekonomisë në gjuhën shqipe;
• standardizimi i termave dhe përcaktimi i kritereve për botimet që të konsiderohen të pranueshme për nga terminologjia;
• nxitja dhe përkrahja e bashkëpunimit ndërmjet ekonomistëve, albanologëve dhe linguistëve rreth terminologjisë në fjalë.
Këto janë vetëm rekomandime në vija të trasha që pak a shumë dihet se kujt i adresohen. Adresa më e saktë e subjekteve për këto dhe rekomandime tjera do të paraqitet në versionin përfundimtar të punimit. Për momentin, supozimi për rezultatet e pritura
nga detyrat e identifikuara dhe zbatimi i rekomandimeve përkatëse do të ishin:    
• ndalja e „bredhjes” nëpër termat e gjuhëve të huaja sipas „nevojës” historike dhe eliminimi i shumë paqartësive;
• terminologji më e standardizuar dhe më e kapshme për shumicën;
• botime më standarde, më profesionale dhe më të kuptueshme;
• lehtësi më e madhe për zbatimin e strategjive dhe reformave ekonomike;
• nxitje e diskutimeve dhe interesimit të më shumë njerëzve për t’iu qasur problemeve ekonomike dhe alternative më të shumta për zgjidhje e tyre;
• komunikim më efikas dhe si rrjedhojë produktivitet më i lartë në punë dhe gjasa më të mëdha për sukses;
• mbajtje në kontinuitet (vazhdimësi) dhe krijimi i lehtësive për studimin dhe përparimin e shkencës së ekonomisë tek shqiptarët;
• ndërlidhje më e mirë ndërmjet planeve në letër dhe rezultateve në terren.
Në fund vie problemi i drejtshkrimit të gjuhës në temat dhe veprat nga ekonomia. Ky nuk ka qenë në mesin e qëllimeve kryesore të këtij artikulli meqenëse më tepër është kompetencë e gjuhëtarëve, e më pak e ekonomistëve

Ky shkrim është i bazuar në punimin Terminologjia e ekonomisë në gjuhën shqipe: Gjendja, problemet, detyrat, të prezantuar në Takimin e Tretë Vjetor të Institutit Alb-Shkenca të mbajtur në Tiranë prej 1-3 shtator 2008.

*Hulumtues i lartë dhe koordinator për Kosovë i Institutit për Studime dhe Analiza Ekonomike



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora