E premte, 26.04.2024, 11:00 AM (GMT+1)

Speciale

Ditari i Besa Salihut (IV)

E diele, 15.03.2009, 03:18 PM


Besa Salihu
Besa Salihu

E diel, 2 maj 1999

Pasi u detyruam të iknim edhe njëherë, sot po vij edhe unë këtu, bashkë me nënën dhe gruan e xhaxhait.
Në rrugë shiheshin shumë pak njerëz. Është një ditë shumë e nxehtë.
Duke e krahasuar qetësinë e shtëpisë sime këto dy ditët e fundit me këtë të shtëpisë së re, të duket një zhurmë shumë e madhe.
Plus: Nuk dihet se sa kohë do të qëndrojmë këtu. Ndoshta me javë të tëra e kjo është më e keqja. Se atëherë, duke qenë për një kohë të gjatë së bashku, nuk do të mund të shkojmë mirë.

E martë, 4 maj 1999

Sot po e përshkruaj pak shtëpinë e re të banimit tonë.
I ka dy dhoma: një paradhomë dhe një banjë. Oborri nuk është aq i madh.
Gjysmë është prej çimentoje e në gjysmën tjetër ka bar dhe tri pemë.
Ngjitur me ne janë të vendosura  dy familje, ku i kemi disa moshatarë.
Këtu është shumë më mirë se në Pleshinë.
Uji i nxehtë mjafton për të të gjithë. Edhe ushqimin e kemi të mjaftueshëm.
Mund të dalim edhe në oborr. Asgjë e re nuk po ndodh.
Dëgjohen vetëm bombat e NATO-s dhe serbët që gjuajnë pas tyre.
Dëgjohet edhe gjuajtja e kundërajrorit, i cili ikën fill pas kësaj, duke shkaktuar një zhurmë qesharake. E kemi pagëzuar “ ariu i prishur”

E premte, 7 maj 1999

Derisa izolimi vazhdon, për ditën e çlirimit nuk ka asgjë të sigurt.
Por, edhe përkundër kësaj, jeta nuk ndalet. Ajo po vazhdon udhëtimin e saj drejt hiçit, pa pyetur për asgjë në këtë botë.
Edhe ne e vazhdojmë qëndrimin tonë në këtë shtëpi dydhomëshe.
Kur njeriu i ka të gjitha  kushtet më elementare për një jetë pak a shumë të mirë, atëherë ka kohë edhe të mendojë për gjëra të tjera.
Kur së bashku jetojnë njerëz me shije dhe karaktere të ndryshme, nuk mund të pritet prej tyre që të kalojnë si është më së miri.
Mua më duket më së vështiri, ngase nuk jam mësuar të jetoj me shumë njerëz.
Plus  edhe jam nervoze nga natyra dhe më neveriten gjërat që ndodhin pa nevojë dhe nuk e kanë as pikën më të vogël të kuptimit.
Por prapë po them, kur njeriu nuk është në vuajtje, i shkojnë në mendje edhe gjëra për të cilat nuk do të mendonte po të ndodhej në një ambient të vërtetë lufte.
Tollovinë më të madhe e shkaktojnë fëmijët e xhaxhait që është këtu me gjithë gruan e tij, sidomos tre më të vegjlit. Tërë ditën bëjnë zhurmë e janë në gjendje të shkaktojnë makrokonflikte për gjëra mikroskopike. Në çdo gjë e teprojnë dhe nuk na lënë fare të qetë. E veten e ndjej shumë keq, kur jam e detyruar të hyj në dialog me ta.

E hënë, 10 maj 1999

Ditën e kalojmë kështu:
Derisa bëhet vapë: e rregullojmë shtëpinë, përgatisim mëngjesin dhe pastaj drekën për të qenë gati në ora katërmbëdhjetë.
Deri në ora pesë pasdite çdokush ka mundësi ta shfrytëzojë kohën sipas dëshirës.
Shumica në televizor, kjo dihet. Shkaktohet një zhurmë e vogël derisa vendoset se çfarë do të shikohet. Njëherë lajmet, pastaj ndonjë film dhe në fund muzikë. Por televizor mund të shikohet edhe pas darkës, prandaj këtë kohë pak a shumë të qetë unë po e shfrytëzoj për të lexuar.
Këto ditë kam lexuar poezi, por edhe romanin “ Pse” të Sterjo Spasses.
Kur shkruaj, më duhet një qetësi, e cila të mos prishet as nga zhurma e mizës, prandaj këtu nuk po mund të shkruaj si në shtëpi. E kam shkruar vetëm një tregim. Në ora pesë pasdite, vendin e nderit e ka BBC-ja. Përkthyese është motra ime. Gjatë një ore të tërë askush nuk guxon të bëjë zë.
Në darkë kemi nderin të pimë nga një gotë qumësht dhe fill pas kësaj të gjithë me radhë jemi mbretër të banjës. Pas tualetit të mbrëmjes nja dy orë shikojmë televizor dhe gjatë kësaj kohe pihet ujë më shumë se gjatë tërë ditës. Në ora njëzetetre  shtëpia qetësohet e gjumi zëvendëson çdo gjë. 
Tash, si flemë? Në një dhomë gjashtë persona e në tjetrën shtatë.
E të nesërmen në ora tetë fillon përsëri dita e re.

E premte, 14 maj 1999

Tërë këtë javë e kemi kaluar me lojëra të ndryshme.
Luajmë me letra, domino, shah, futboll…
Shikojmë edhe filma të mrekullueshëm.
Nganjëherë po nervozohemi shumë, kur serbët po i rrëzojnë aeroplanët pa pilotë. Me vëmendje të madhe i përcjellim fluturimet e aeroplanëve dhe bombardimet e tyre. Kazermën e kanë shkatërruar plotësisht.
Gjyshja ime dhe daja me gruan e tij janë në qytet. Janë mirë. Nëna i viziton shpesh. Bile njëherë ka qenë edhe Kaltërina. Nuk janë në shtëpinë e tyre, por në shtëpinë e një të njohuri.

E mërkurë, 19 maj 1999

Sot pasdite jam kthyer përsëri në shtëpi, bashkë me Kaltërinën. Pas disa ditësh do të kthehen edhe të tjerët. Në shtëpinë tonë është më së miri.
Policia kinse i paska zënë ushtarët plaçkitës dhe ata nuk do të kthehen më.
Ndoshta kjo është e vërtetë e ndoshta edhe jo.
Por më mirë është të besosh se edhe ashtu nuk ke çfarë të bësh.
Ndoshta çlirimi është afruar, por ende nuk jemi edhe aq të sigurt.
Sidoqoftë, ne po e presim këtë ditë, ashtu siç e pritën krishterët e parë kthimin e Krishtit për vendosjen e një bote hyjnore, pa mëkate, pa vuajtje…
Ëndrra numër gjashtë: Fluturova e fluturova. Bashkë me një engjëll. Kur arritëm në një vend shumë të bukur, m`u shfaq një Princeshë magjike.
Tha: Unë jam liria.
Dhe më mbështolli shumë e shumë me krahët e saj si lule.
Ma fali një shportë me buzëqeshje e një me liri.
Mbolla buzëqeshje në çdo lule, në çdo zog, në çdo fëmijë…
Atdheu çeli si pranverë.

E premte, 28 maj 1999

Të gjithë jemi së bashku.
Fundi i luftës po afrohet, por janë përhapur fjalë se do të bëhen masakra e spastrime masive.
Ç`do të bëhet me ne?
I lutem zotit çdo natë që të na shpëtojë. Uroj që lufta të përfundojë sa më shpejt!
Por, për ta larguar mendjen sadopak nga kjo pritje e ankthshme, duhet të merremi me ndonjë gjë tjetër.
I kam kryer të gjitha mësimet në gjeografi (klasës VI dhe VII), biologji, histori, fizikë, edukatë qytetare, arsim teknik…Kam lexuar disa libra biografikë, si dhe “Psalme murgu”, “Lufta e Peloponezit” dhe “Vuajtjet e djaloshit Verter”.
I kam shkruar tre tregime.
Po e ndjej veten si të huaj.
Pse nuk po ndodh ndonjë çudi, ndonjë mrekulli, e kjo jetë e keqe të marrë fund një herë e mirë?
M`u ka neveritur bota, m`u  ka neveritur gjithçka.
Nuk e kam paramenduar asnjëherë botën si të tillë.
Pse, nuk paskam vallë edhe unë të drejtë ta shijoj pak lumturi?
Ç`u kam bërë unë njerëzve, unë që nuk guxoj ta vrasë as një mizë?!
Por, si duket, drejtësi nuk ka.
Atë e kanë vrarë disa përbindësha, që gëzohen kur e shohin lirinë të përpëlitet mes vuajtjeve e hidhërimit.
Nganjëherë shpirti im ndjehet si një engjëll pa krahë në një shkretëtirë përvëluese. Nuk mund se nuk mund të fluturojë.
Atëherë çdo gjë po zhduket dhe unë e ndjej se nuk kam për të arritur kurrë gjë. As librat nuk kanë mundësi të më qetësojnë. Vetëm se ma shtojnë zbrazëtirën tragjike.
Edhe durimi po më humb. Ndjej një dëshirë për të bërtitur me zë të lartë, për ta tronditur gjithë botën, që nga themelet.

E premte, 11 qershor 1999

Më në fund!
Pas rreth 10 javëve të bombardimeve, pas 800.000 të zhvendosurve, erdhi fundi i tmerrit, erdhi fundi i Serbisë!

E shtunë, 12 qershor 1999

78 ditë dhe net në kërkim të së vërtetës, pritje, ankth, luftë psikike dhe shpirtërore, torturë ndjenjash, shpresë… Por prapë frika bënte të veten.
Dhe 11 qershori, ora 23.00.
Krismat veç kishin filluar, kur vëllai im, i cili rrinte zgjuar, na lajmëroi për nënshkrimin e marrëveshjes, për fitoren…
Nata më e gjatë. Më e gjatë se 78 ditët e ankthit. Qielli dukej si një karrocë e keqe, ku derdheshin plumbat e fundit të ujkut, i cili mendonte se e fitoi përjetësinë, pa i shkuar mendja se po ngordhte e këto krisma ishin vetëm shqelmat e tij të fundit.
Dhe, ja, sot erdhi liria e trëndafiltë, bashkë me trupat e NATO-s.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora