E merkure, 24.04.2024, 10:11 AM (GMT+1)

Speciale

Ditari i Besa Salihut (V)

E hene, 23.03.2009, 10:03 PM


Besa Salihu
Besa Salihu
Unë jam këtu- përgjithmonë!

Isha e shqetësuar së tepërmi. Dola në ballkon. E shikova hënën e verdhë. Edhe sonte m`u duk si një copë molle. Nuk e harrova as një yll që qëndronte në anën e djathtë të hënës. M’u duk i vetmuar. E pyeta: A e di ç’është zemra? Nuk tha: as PO, as JO!
Nga gjethet e lisit e dëgjova një zë: Pse mërzitesh?
Mora frymë thellë, pastaj e piva pak ujë. Papritmas qielli u nda më dysh dhe disa engjëj
po vinin drejt meje. U habita. Prita se çfarë do të ndodhte. Engjëjt gjithnjë afroheshin, kurse qielli ishte mbushur nga një dritë hyjnore.
Kur zbritën në tokë, ata nuk më thanë asgjë, por vetëm më morën për dore dhe unë fillova të fluturoj së bashku me ta.
Kur u gjenda në një lartësi të madhe, shikova poshtë. Shtëpitë dukeshin si prej kartoni.
Pas njëfarë kohe, u gjendëm në qiell, midis reve. Engjëjt, me të cilët po udhëtoja nuk flisnin fare. Udhëtonin e udhëtonin. Sidoqoftë, dikur u ndalën. U ndalën para një pallati e më futën mua aty, në pallatin e Zotit! Engjëjt më lanë para Zotit dhe ai më uli në anën e djathtë të tij. S’po u besoja syve. Vallë ishte ëndërr apo realitet?
Derisa dora ime ishte në dorën e Zotit, ia shfaqa dëshirën për të bërë intervistë me të.
Zoti buzëqeshi.
-Dëshironi të bëni intervistë me mua?- pyeti.
Nëse keni kohë, thashë.
-Koha ime është e amshueshme,- u përgjigj.
Unë e pyeta: Si atë i të gjithëve që jeni, cilat janë gjërat që do të dëshironit t’i dinë fëmijët tuaj?
Zoti u përgjigj: “Të dinë se ata nuk mund ta detyrojnë askënd që t’i dojë. Ajo çka ata mund të bëjnë është që të jenë të dashur ndaj të tjerëve. Të dinë se gjëja më e rëndësishme nuk është ajo çka kanë në jetën e tyre, por kë e kanë në jetën e tyre. Të dinë se ka njerëz që i duan ata me shpirt, por shumica e tyre nuk dinë t’i shprehin ndjenjat e tyre. Të dinë se dy njerëz e vështrojnë të njëjtën gjë, por e shohin atë në mënyra plotësisht të ndryshme. Të dinë se për shërimin e një plage të shkaktuar për pak sekonda në shpirtin e një njeriu që të do, duhen shumë vite. Të dinë se ata e humbin shëndetin për të fituar pasuri, pastaj pasurinë e fituar e harxhojnë për të rikthyer shëndetin e humbur.
DHE TË DINË SE UNË JAM KËTU PËRGJITHMONË!!!

Balena- shpëtimtarja e peshqve

Kur u zgjova, e pashë veten në fund të detit. Nuk e di si kishte ndodhur kjo. Shikova rreth vetes. Isha e shtrirë në një shtrat prej mëndafshi. Afër meje, në një shtrat po prej mëndafshi po flinte një peshk i bukur. Iu afrova. I bëra zë. U zgjua menjëherë dhe doli prej dhome. Pas një kohe u kthye së bashku me  nënën e tij, që ishte një peshk më i madh, i veshur me një  fustan mëndafshi, stolisur me ar dhe me lule.
Më ftuan të shkoja në dhomën e bukës dhe të haja mëngjesin. Pastaj dolëm në shëtitje me një karrocë të bukur, e cila na dërgoi në një vend të mbushur me eshtra.
Peshku i madh, i cili ishte mbretëresha e peshqve, më mori mënjanë dhe ma tregoi historinë e atij vendi.
- Këtu është zhvilluar lufta më e madhe në historinë e mbretërisë sonë. I tërë ky vend mban në vete edhe fitoren më të madhe në historinë e mbretërisë sonë.
Me vite të tëra kemi qenë të shtypur nga një armik i madh, që nuk na linte të merrnim as frymë. Janë vrarë me mijëra peshq, të cilët nuk i nënshtroheshin armikut e ne vazhdonim të ishim në robëri.  Kjo vazhdoi derisa një ditë nuk duruam më dhe i shpallëm luftë peshkaqenëve. Pikërisht në këtë vend u zhvillua ajo luftë, në të cilën ne do të pësonim100% disfatë, sikur të mos na ndihmonin balenat. Ato na ndihmuan shumë, shumë dhe ne i shpartalluam peshkaqenët. Vendi ynë u çlirua një herë e mirë dhe u ndërtua mirë. Këmbë peshkaqeni nuk shkeli më në vendin tonë e për këtë u jemi shumë mirënjohës balenave.
Pas kësaj u kthyem me po atë karrocë në pallat dhe unë qëndrova aty edhe nja dy javë dhe pastaj mbretëresha më përcolli deri në breg të detit. Më vinte pak çudi për historinë që ma tregoi peshku, por ajo ishte shumë e besueshme. U nisa ngadalë për në shtëpi me shportën e dhuratave në dorë.

Shkruar më 24 maj 1999

Buzëqeshja e hënës

Ndërsa përgatitesha për të fjetur, dëgjova një trokitje në dritare. Mbajta vesh me kujdes. Trokitja u përsërit. U ofrova te dritarja. Një dritë shkëlqyese më la në vend. Edhe kopshti shkëlqente nga ajo dritë. Lulet i kishin mbyllur sytë e përgjumur. Edhe ato dukeshin si të arta.
Ç’ishte vallë kjo çudi?!
Dikush trokiti për herë të tretë. E hapa dritaren. Para meje ishte një karrocë e artë, dy kuaj të bardhë me flatra, ndërsa në karrocë ishte ulur një princeshë e bukur, e veshur me dritë. Mendova se kjo mund të ishte vetëm një ëndërr. I hapa sytë më mirë, por ajo mbeti prapë aty. Ajo e ktheu kokën nga unë dhe më buzëqeshi. Ishte një buzëqeshje hyjnore. Edhe zërin e kishte të tillë. Ajo më tha: “Vishu shpejt, do të shkojmë në hënë!”. Zëri i saj s’linte shteg për asnjë kundërshtim. Unë ashtu e veshur dosido, u ula pranë saj në karrocën e artë. Kuajt fluturuan menjëherë. Në qafë kishin të varur ca zile që cingëronin mrekullueshëm. Ata ecnin nëpër rrugën e krijuar nga rrezet e hënës. Çdo gjë ishte e artë: rruga, karroca, princesha...Edhe zëri i saj ishte me nota të arta. Quhej Aurora dhe ishte princeshë e hënës. Më çonte në festën e fëmijëve të mirë dhe të gëzueshëm. Në hyrje të hënës bënin roje dy engjëj. Ata ishin mbrojtës të buzëqeshjeve të fëmijëve. Unë thashë me vete: neve në tokë buzëqeshjet na i vrasin djajtë!
21 prill 1999

Hapet një zbrazëti në terr

Në rrugë pikon gjak
Në kopsht shëtisin hijet
Kanibali han lulet
Etjen shuan me gjak
Dhe bërtet “është pak”!

Loti përpëlitet në prag
Dhembja del si tym nëpër oxhak
Dashuria shuhet braktiset
Kanibali s’ka ndërmend të arratiset

Në sytë e mi një pikturë e zezë
Në dysheme hapet një humnerë
Në kolltuk krimi pi duhan
Kanibali fabrikë po prodhon frikë

Dielli ikën me nxitim
Hëna mbështjell tokën me çefin
Yjet nëpër zgavra të zeza
Mbi tokë sa trishtim


Bardh Frangu
Bardh Frangu
Fëmija që nga universi i vet kishte dëbuar frikën nga vdekja

Nga Bardh Frangu

Besa është një fëmijë i jashtëzakonshëm. Ajo nuk është vetëm nxënëse e shkëlqyeshme, por një fëmijë i pasionuar pas dijes. Besa është një kompjuter i gjallë prej mishi dhe ashti. Besa Salihu është nxënëse e klasës së tetë në shkollën fillore “Jeronim de Rada” të Ferizajt. Ka kohë që Besa redakton dhe është përgjegjëse për faqen e fëmijëve në gazetën lokale “FERpress” të Ferizajt, ku shpesh edhe boton tregime dhe poezi, por edhe shkrime gazetareske. Në faqet e kësaj gazete kohë më parë Besa edhe botoi në vazhdime ditarin e saj të luftës.
Kur e lexon ditarin e Besës për 78 ditët e tmerrit dhe ankthit të luftës, përkatësisht të bombardimeve të NATO-s, s’ka si të mos të kujtohet ditari i Ana Frankut, shkruar gjatë kohës së tmerrit të luftës së dytë botërore. Vërtet mes këtyre dy ditarëve ka shumë analogji, por ka edhe shumë dallime. S’ pari Besa kur e shkroi ditarin ishte më e re se Ana, s’ dyti Besa, për dallim nga Ana, ishte e detyruar që disa herë të kalonte nëpër tytat e barbarëve serbë për të kërkuar strehim nëpër fshatrat përreth qytetit të Ferizajt. Kjo bredhje e saj me familjen edhe bën një dimension më dramatik të këtij ditari, ndërsa në anën tjetër ka ndikuar që Besa të mos ketë mundësi ta mbajë me rregull ditarin e saj, kaq të nevojshëm për një dëshmi të një kohe të mbushur tmerr dhe ankth.
Por edhe në këtë vlerë sasiore dhe cilësore, ditari i Besës dëshmon për të gjitha instinktet, emocionet dhe preokupimet e njeriut të ndodhur para vdekjes. Diku në një vend Besa edhe vet do të dëshmojë se me kohë e kishte kapërcyer frikën nga vdekja, madje ishte mësuar me këtë hije që lëvizte ngado. Ditari në një anë dëshmon gjendjen e përgjithshme të atyre që kishin këmbëngulur të mos i lëshonin vatrat e tyre, ndërsa në anën tjetër dëshmon për një karakter të veçantë çfarë është ai i Besës, ndërsa ajo shfaq refleksione edhe filozofike, që për një moshe fëmije është diçka tepër e veçantë.
Sigurisht që vlera më e madhe e këtij ditari qëndron në faktin se ngjarjet pasqyrohen në mënyrë besnike dhe me gjakftohtësi maksimale. Le që nuk ka elemente predimensionimi të situatave, por përkundrazi vërehet një zbutje në paraqitjen e tyre, me çka Besa dëshmon se nuk kishte në shpirt të kultivuar kurrfarë urrejtje, por ishte një fëmijë që e donte jetën dhe që luftonte ta ruante shpresën edhe në situatat më të vështira. Dimensionin e tmerrit Besa do ta paraqesë figurativisht edhe nëpërmjet qenieve tjera të gjalla, siç janë zogjtë bie fjala. Por e veçanta më e veçantë e këtij libri pa dyshim është mënyra e ndërthurjes së shkëlqyeshme të faktit me fiksionin, ndërsa ajo fakton ngjarjet e ditës duke i veshur në fund, si me një lloj post skriptumi me ëndrrat, të cilat mundësojnë një observim shumë të gjerë të njohjes së ndjenjës dhe refleksionit brenda universit të këtij fëmije.
Tre tregime dhe një poezi, të shkruara gjatë 78 ditëve të ankthit dhe tmerrit, janë dëshmi se Besa bënte jetën e vet të lirë në universin e saj, duke dëshmuar kështu se e kishte mundur frikën nga vdekja dhe fuqishëm mbahej e mbështetur mbi shpresën. Në këto shkrime artistike Besa njëherazi dëshmon edhe talentin e saj të jashtëzakonshëm për artin letrar. Gjuha e saj e pasur letrare-poetike si dhe shkrimi me një siguri të jashtëzakonshme janë e veçanta e këtij ditari, i cili botohet pa asnjë ndërhyrje. 
Në përgjithësi ky libër ka vlerë shumë dimensionale, sepse jo vetëm që është i pari i këtij lloji, por është një dëshmi e mrekullueshme se nëpër çfarë rrathë të tmerrit kaluam ne si popull, e veçmas fëmijët tanë, të cilët ende vazhdojnë të shërohen nga traumat e luftës. Në fund, duhet thënë se Besa shkëlqyeshëm e ka regjistruar kujtesën tonë,  prandaj edhe meriton mirënjohje dhe lëvdata. Në fakt Besa na e fali një nga librat më të mirë që kemi në letrat tona.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora