E enjte, 18.04.2024, 06:55 AM (GMT+1)

Speciale

Ilir Hajdari: Nderim për mikun e madh të shqiptarëve

E enjte, 26.03.2009, 11:56 PM


Nderim për mikun e madh të shqiptarëve

NJË SHESH ME EMRIN TOM LANTOSH

“Shkurti është muaji që e lindi, shkurti është muaji që ia mori jetën, ku e la Kosovën dhe shqiptarët pa humanistin në zë, pa luftëtarin e të drejtave njerëzore, pa lobistin shumë të angazhuar për cështjen e Kosovës”, ka thënë akademik Esat Stavileci.

Nga Ilir Hajdari

Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit Komunal të Gjakovës, Pal Lekaj dhe në bashkëpunim me Shoqatën e Intelektualëve “Jakova”, sot është mbajtur një Akademi përkujtimore, në nderim të kongresistit amerikan, Tom Lantos, i cili ndërroi jetë pak ditë para se të shpallej shteti i pavarur i Kosovës, e për të cilën z. Lantos punoi gjatë. Intelektualët e Gjakovës i kanë dhënë rëndësi nderimit të kësaj figure. Kështu, me një ekspozitë fotografishë nga vizita e Kongresistit Lantos në Kosovë dhe pastaj mbajtja e Akademisë përkujtimore dhe në fund inagurimi i sheshit tashmë të ri, “Tom Lantos”, është shënuar dita e sotme për mikun e madh të shqiptarëve.

Në këtë Akademi, që u mbajt në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, u tha se ky organizim bëhet për ta nderuar dhe rrespektuar ish kongresistit amerikan, Tom Lantos, personaliteti që luftoi për të drejtat e njeriut në botë dhe në veçanti për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Duke përshëndetur të pranishmit, kryetari Kuvendit Komunal të Gjakovës, fillimisht ka potencuar nderimin që duhet bërë atyre që kapërcyen pragun e trillimit të mbjellur serb për popullin shqiptar dhe të cilët u vuan në shërbim të një politike që solli zgjidhjen e nyjes shqiptare. “Nga këto figura, padyshim është edhe Tom Lantos, i cili ngriti zërin në kohën më drastike dhe në kohën kur një fjalë për Kosovën peshonte sa e tërë bota. Ajo kohë, kur me suprimimin e atyre pak të drejtave që kishim në rriskun e përgjithshëm, i madhi Tom Lantos mori guximin dhe ngriti zërin për padrejtësi njerëzore”, tha ndër të tjera, Pal Lekaj, i cili më pas, në fjalën e tij, ka vlerësuar lartë kontributin e pamohueshëm të miqve amerikan në një periudhë të vështir për popullin e Kosovës.

Këtë Akademi e ka përshëndetur me një telegram urimi një nga miqtë e kongresistit Tom Lantos, Hary Bajraktari, i cili jeton dhe punon në SHBA. Pëmes kësaj letre, Bajraktari ka shprehur gëzim që një shesh i Gjakovës po e merr emrin e kongresistit amerikan, Tom Lantos, si mirënjohje për të gjithë atë që ka bërë për Kosovën dhe shqiptarët. “Tom Lantos, përherë do të kujtohet nga shqiptarët si një njeri i madh, që ndihmoj në realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës. Tom Lantosh ishte ndër të parët, që në proqesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës,  ishte deklaruar se për Kosovën nuk do të ketë liri pa pavarësi”, thuhet në letrën e Hari Bajraktarit, dërguar kësaj akademie.

Kujtesë për njeriun që e ndërtuan pavarësinë e Kosovës

Akademik Esat Stavileci ka shprehur ndjeshmërinë e mirë për këto ditë, kur po festohet përvjetori i ndërhyrjes së NATO-s mbi caqet serbe, ndërsa sot po i bëhet falenderim kongresistit, Lantos, një kujtesë për njeriun që bashkë me të tjerët e ndërtuan lirinë e pavarësinë e Kosovës. ”Shkurti është muaji që e lindi, shkurti është muaji që ia mori jetën, ku e la Kosovën dhe shqiptarët pa humanistin në zë, pa luftëtarin e të drejtave njerëzore, pa lobistin shumë të angazhuar për cështjen e Kosovës”, ka thënë në fjalën e tij, akademik Esat Stavileci.

Faton Bislimi, bashkëpunëtor i kongresistit, Tom Lantos, në referencën e tij para të pranishmëve ka vecuar punën e tij të palodhur dhe me dashuri të madhe për të drejtat e qytetarëve të Kosovës, por edhe më gjerë. “Puna e tij për popullin shqiptar nuk filloi as nuk përfundoi me Kosovën. Puna e tij për popullin shqiptar ishte e përgjithshme nëpër të gjitha trevat e tyre autoktone ku jetojnë shqiptarët në Ballkan. Lantos ka qenë dhe do të mbetet ambasadori më i mrë që Kosova ka pasur ndonjëherë. Ai ka qenë mësues i madh për të gjithë shqiptarët”, tha ndër të tjera, Faton Bislimi.

Në këtë Akademi kanë folur dhe përshëndetur edhe Ruzhdi Sefa dhe përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, e cila ka pranuar një portret të Tom Lantosit, të pikturuar nga Esat Jaka.

Më pas, në mënyrë të organizuar është bërë edhe inagurimi simbolik i sheshit më të ri të Gjakovës. Zbulimin e pllakës me mbishkrimin “Tom Lantos”, e kanë bërë Pal Lekaj, akademik Besim Bokshi dhe përfaqësuesja e Ambasadës amerikane në Kosovë. 

Lantosh: Për Kosovën nuk do të ketë liri pa pavarësi

Tom Lantosh lindi në vitin 1928 në Budapest të Hungarisë dhe vdiq në shkurt të vitit 2008, në moshën 80 vjeçare. Ishte politikan dhe anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga viti 1981 e deri në vdekje. Lantosh ishte i vetmi i mbijetuar nga Holokausti, që ka shërbyer në Kongresin Amerikan. Ishte kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve… Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkoi në vitin 1947, ku ka studiuar në Universitetin e Uashingtonit, Berkleyt dhe të Californisë, ku më 1953 mori edhe titullin Ph. D. Nga viti 1950 e deri më 1980, Lantosh ishte professor i ekonomisë, analist për çështje ndërkombëtare dhe një konsulent për një numër të bizneseve.

Gjatë vizitës që i ka bërë Tiranës, zuri fill zbulimi i aktit të madh bujar i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Kongresisti Tom Lantosh i kërkoi presidentit të fundit komunist shqiptar, Ramiz Alisë, të dhëna për komunitetin hebre në Shqipëri e aty filloi zbulimi i një nga “sekreteve” më të bukura të historisë së kombit shqiptar, bujarisë së treguar ndaj të përndjekurve të Holokaustit.

Në janar 2003, zoti Lantosh së bashku me ligjvënësin Henry Hyde, paraqitën në Kongresin Amerikan një projektrezolutë që bënte thirrje për pavarësinë e Kosovës. Po atë vit, në një seancë të Kongresit, zoti Lantosh argumentoi se pavarësia e Kosovës do t’i shërbente paqes në rajon. “për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Europën Juglindore, në këtë rajon me trazira, ne duhet t’i japim Kosovës pavarësinë dhe duhet t’ja japim tani”, - ka thënë Lantosh.

Në një vështrim dhënë procesit nga ana e Kongresit amerikan për nxjerrjen e rezolutës pasuese të Rezolutës 1244 nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së aio tha: “Për Kosovën nuk do të ketë liri pa pavarësi. Dhe për bashkësinë ndërkombëtare nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër të pranueshme përpos pavarësisë”.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora