E premte, 29.03.2024, 03:04 PM (GMT)

Speciale

Kristo Frashëri: Skënderbeu, hakmarrës apo kampion i luftës çlirimtare?

E merkure, 25.03.2009, 09:01 PM


Gjergj Kastrioti - Skenderbeu (Pikture nga Sabir Krasniqi)
Gjergj Kastrioti - Skenderbeu (Pikture nga Sabir Krasniqi)
Skënderbeu, hakmarrës apo kampion i luftës çlirimtare?

Nga Kristo Frashëri

Historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, duke parë përshtypjet negative që shkaktoi teza e tij se motivi i epopesë skënderbegiane ishte hakmarrja e heroit për vrasjen e të atit nga sulltani turk, shpejtoi ta zbuste përshtypjen në një intervistë që dha në "Gazetën Shqiptare", më 21 dhjetor 2008. Në intervistë ai njoftoi se në trajtesën e tij nuk ka dashur të thotë që shqiptarët i vajtën pas Skënderbeut të shtyrë nga motivi i hakmarrjes që kishte Skënderbeu për vrasjen e të atit. Ai pohoi se rezistenca ka rrënjë më të thella. Ai deklaroi në intervistën e vet se ka dashur të thotë që hakmarrja ka qenë motiv personal vetëm për Skënderbeun dhe vetëm për fillimin e kryengritjes së armatosur. Në të vërtetë, publiku shqiptar reagoi ndaj monografisë së historianit zviceran jo më kot. Motivin e hakmarrjes Schmitt e thotë shkoqur që në shpinë të kopertinës së monografisë, kur shkruan: "Është gati emblematike vetmia e Skënderbeut në ditët e tij të fundit: hakmarrësi i të atit, kundërshtari i dy sulltanëve, atleti i Krishtit, Aleksandri i Ri u ndodh i vetëm mbi rrënojat e veprës së tij". Pra, me këtë përcaktim, ai sheh te Skënderbeu i vetmuar në fund të jetës së tij jo kampionin e luftës çlirimtare, as themeluesin e shtetit shqiptar, as mbrojtësin e qytetërimit evropian, por, siç shprehet ai, "hakmarrësin" për vrasjen e të atit. Sidoqoftë, në intervistën e përmendur historiani zviceran bën gjysmë hapi mbrapa, mbasi motivin e hakmarrjes nuk ua atribuon gjithë shqiptarëve që i vajtën pas Skënderbeut, por vetëm heroit. Ne na vjen mirë për këtë tërheqje, meqenëse ai tani u atribuon shqiptarëve motive më jetësore, ndonëse, siç pjesërisht u tha, ai ende nuk i ka parë drejt motivet që i shtynë malësorët shqiptarë ta ndjekin pas Skënderbeun. Megjithatë, nuk jemi të një mendimi me të kur ai e përsërit se motivi që e shtyu Skënderbeun t‘i përvishet kryengritjes antiosmane ishte hakmarrja për vrasjen e të atit.

Para së gjithash, vrasja nga sulltani i të atit të Skënderbeut, Gjon Kastriotit, nuk është vërtetuar nga burime dokumentare. Ka një version tjetër, sipas të cilit Skënderbeu u ngrit kundër sulltanit për të marrë hakun e tre vëllezërve të tij që Murati II i kishte helmuar (M. Barleti). Por edhe ky version nuk është i saktë, mbasi në burimet historike del se vëllai i madh, Stanishi, jetonte në Shqipëri, edhe pasi Skënderbeu braktisi sulltanin, të paktën në vitin 1445, kurse vëllai i dytë, Reposhi, jetonte në rrethinat e malit Atos, pra nuk jetonte peng në oborrin e sulltanit. Historianët e vërtetë e dinë fare mirë se luftërat pushtuese grabitqare ekspansioniste fillojnë pasi gjejnë ose shpikin një rast. Pra, pasi gjejnë siç thoshin latinët: një "casus belli" (pretekst lufte), i cili në fakt nuk përfaqëson motivin e vërtetë të luftës. Dihet se në luftën e Trojës, në fillim të shekullit XII p.e.s., koalicioni grek i kryesuar nga Agamemnoni përdori si "casus belli", sipas Homerit, rrëmbimin e Helenës bukuroshe, gruas së Menelaut, Mbretit të Spartës, nga Paridi, biri i Prijamit, mbretit të Trojës. Historianët as që e vënë në peshë këtë "casus belli", mbasi me kthimin e bukuroshes Helenë në shtëpinë e burrit të tronditur nuk justifikohet pjesëmarrja e të gjitha shteteve greke kundër Trojës, as lufta e lodhshme dhjetëvjeçare, as shpenzimet e shumta që kreu ekspedita, as dëmet e mëdha që pësuan ushtritë greke. Pothuajse të gjithë historianët shohin në këtë luftë motive tepër të thella - prirjen e qyteteve greke për të shtrirë ndikimin e tyre në Azinë e Vogël, të cilin e pengonte shteti dardan me kryeqendrën e vet, bastionin e Trojës. Po ashtu, askush nuk e beson se shkakun e Luftës së Parë Botërore e dha vrasja e Franz Ferdinandit, princit trashëgimtar të perandorisë austro-hungareze, nga një atentator serb në Sarajevë, më 28 qershor 1914. Të gjithë historianët e marrin atentatin e Sarajevës si një "casus belli", kurse shkakun e vërtetë të Luftës së Parë Botërore e shohin në përpjekjet e Fuqive të Boshtit Qendror për supremacinë e tyre në shkallë planetare.

Kemi edhe një rast tjetër, të cilin e mbajnë mend moshatarët e mi. Më 28 tetor të vitit 1940, Italia fashiste përdori si "casus belli" për luftën që i shpalli Greqisë vrasjen në rrethana ende të paqarta të bariut çam, Daut Hoxha, nga një bandë greke, gjoja për të vënë në vend nderin e shqiptarëve. Natyrisht, edhe në këtë rast, pretekstin qesharak që përdori Italia fashiste asnjë historian nuk e ka marrë në konsideratë, madje as që e zënë në gojë. Historianët e të gjitha shkollave shkaqet e vërteta të luftës italo-greke i shohin te synimet imperialiste të Italisë fashiste për mbisundimin e saj në Gadishullin Ballkanik.

Të kthehemi te Skënderbeu. Kapedani shqiptar nuk kishte nevojë për një "casus belli", sepse ai ndërmori një kryengritje çlirimtare dhe pastaj zhvilloi një luftë mbrojtëse. Kryengritja çlirimtare nuk kishte pra nevojë për hakmarrje personale. Ndoshta mund të quhet "casus belli" teza e hakmarrjes ndaj oficerit dezertor që paska frymëzuar sulltanët turq t‘i turren Shqipërisë me egërsi shtazarake për dhjetëra vite me radhë, por edhe në këtë rast, hakmarrja nga pala osmane nuk përbën motivin e vërtetë të luftës së sulltanëve. Për më tepër, motivi i hakmarrjes së Skënderbeut nuk ka sesi t‘i ketë bindur në Kuvendin e Lezhës, në mars 1444, krerët e tjerë të zotërimeve feudale shqiptare që të pranonin të ndërmerrnin luftën kundër sulltanit turk nën udhëheqjen e Kastriotit. Me të tilla motive mund të shkruhen romane, por jo histori.

Si çdo ngjarje historike, e cila për nga madhështia e saj ka përbërë epokë, edhe rezistenca shqiptare e shekullit XV e shndërruar që në kohën e saj në epope, ka rrënjë historike të afërta dhe të hershme.

Rrënjët e hershme përbëjnë një temë më vete, e cila del jashtë qerthullit të këtij debati. Shkurtimisht mund të thuhet se ato duhen kërkuar në fuqinë e rezistencës që kanë treguar shqiptarët, të paktën gjatë pesëmbëdhjetë shekujve të mëparshëm, për të ruajtur etninë e tyre, duke kundërshtuar çdo faktor që rrezikonte asgjësimin e gjuhës, lirisë, zakoneve, dokeve dhe autonominë e bashkësive të tyre etnike. Pra, ato duhen kërkuar në prirjen e tyre për mbijetesë. Vetëm lidhja e ngushtë me komponentët e etnisë së tyre mund të shpjegojë mbijetesën e shqiptarëve përballë presioneve romake, bizantine, bullgare, serbe, anzhuine që ata pësuan gjatë pesëmbëdhjetë shekujve të kaluar. Megjithatë, nuk duhet lënë pa thënë se po kjo lidhje e ngushtë me komponentët e etnisë ka sjellë si pasojë izolimin e tyre, pra ka shkaktuar në të njëjtën kohë prapambetjen ekonomike, shoqërore, politike, kulturore të shqiptarëve. Kjo lidhje organike me etninë mund të shpjegojë edhe arsyen përse një mori etnish që kanë jetuar në Gadishullin Ballkanik për të mos shkuar shumë larg, si trakët, dakët, myzët, keltët, panonët, liburnët në kohën antike -avarët, hunët, lombardët, gepidët, herulët në Mesjetën e hershme - u asimiluan dhe u fshinë nga gjeografia etnike e Evropës Juglindore. Përkundrazi, shqiptarët, natyrisht edhe helenët, i përballuan tallazet që u solli historia. Këtu nuk është fjala për t‘i ngritur një monument autokonservimit etnik të shqiptarëve, as për të justifikuar prapambetjen e tyre që shihet edhe sot e kësaj dite, por për të shpjeguar faktin historik.

Për sa u përket rrënjëve historike të afërta të epopesë skënderbegiane, analiza e tyre meriton më tepër kujdes. Kjo për arsye se mungesa e analizës shkencore nga historiani zviceran edhe ca më keq paragjykimet që ai ka për epopenë skënderbegiane e kanë çuar atë në konkluzione thellësisht të gabuara. Rrënjët e afërta duhet t‘i kërkojmë në gjysmën e dytë të shekullit XIV. Është për të ardhur keq se vorbullën që përfshiu Shqipërinë në gjysmën e dytë të shekullit XIV historiani O.Schmitt nuk e ka lidhur me rezistencën skënderbegiane të shekullit XV, madje as nuk e ka analizuar drejt si proces historik në vëllimin e botuar në variantin shqip dy vjet më parë (2006), me titull "Arbëria Venedike", përkthyer gjithashtu nga Ardian Klosi. Edhe këtu ai i kalon fluturimthi ngjarjet.

Deri në mes të shekullit XIV, Shqipëria vazhdoi, me ndonjë parantezë të shkurtër, të sundohej nga fuqi të huaja. Pas vdekjes së car Stefan Dushanit më 1355, e cila u pasua nga copëzimi i shpejtë i Perandorisë serbe, viset shqiptare më në fund u çliruan nga saçi i huaj. Me asgjësimin e zgjedhës serbe, faktorët politikë shqiptarë e patën për të parën herë fushën të lirë për të vepruar jo në bazë të diktateve të sovranëve të huaj, por në bazë të interesave partikulariste pushtetore, të cilat tani përputheshin me interesat e pavarësisë së etnisë së tyre. Siç e kam trajtuar në monografinë time, "Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra" (Tiranë 2002, fq.30-31), me vdekjen e Stefan Dushanit, bujarët shqiptarë të mëdhenj e të vegjël, të cilët, për t‘i shpëtuar zdrukthit të carit serb qenë strukur në qytetin e Durrësit apo në malësitë e thella, përfshirë edhe ata feudalë të pakët që i kishin shërbyer si vojvodë carit serb, u ngritën për të rivendosur pushtetin partikularist në zotërimet e tyre partikulariste. Të parët qenë bujarët shqiptarë të Çamërisë me Gjin Bua Shpatën në krye, të cilët formuan në Epir më 1358, Despotatin shqiptar të Artës. Një vit më vonë, më 1359, Karl Topia e përtëriti, ndonëse me kufij më të ngushtë, por tani të pavarur, zotërimin e të atit të tij, Tanush Topisë, dikur vasal i mbretit anzhuin, në hapësirën midis Krujës dhe Petrelës. Vitin tjetër, më 1360, doli në skenë plaku Balshë, një ish-vojvodë i carit serb, i cili u shkëput nga vartësia e Perandor Stefan Uroshit dhe mëkëmbi një zotërim feudal të pavarur në trevën e Shkodrës. Pastaj, me radhë bujarë të tjerë feudalë mëkëmbën zotërime të pavarura: Andrea Muzaka në rrethin malor të Tomoricës, Pal Gropa në trevën pjellore të Ohrit, Vlash Matranga në krahinën bregdetare të Karavastasë, Lekë Dukagjini në trevën malore të Mirditës, Nikollë Zakaria në viset rreth e rrotull Danjës, pa zënë në gojë feudalët e vegjël më pak të rëndësishëm. Në këto rrethana, edhe fisnikët e qyteteve e shkundën zgjedhën e huaj dhe i shndërruan qytetet në bashkësi qytetare (comuna civitatis) të pavarura - më parë Durrësi, e pastaj Shkodra, Ulqini, Drishti, Shasi etj. Si rrjedhim, Shqipëria edhe pse u çlirua nga zgjedha e huaj, pësoi një copëzim të thellë politik.

Në situatën e re vepruan menjëherë ligjet e njohura të rendit feudal. Prirja për të rritur rentën solli nevojën për fuqizimin e pushtetit dhe prirjen për zgjerimin e kufijve. Kjo nga ana e saj shpuri në mënyrë të pashmangshme në luftërat midis feudalëve, me të cilat është mbushur historia e viteve ‘60 dhe ‘70 të shekullit XIV. Kështu, si kudo në viset evropiane, edhe Shqipëria u zhyt në anarki feudale. Kam përshtypjen se O.Schmitt e kujton anarkinë feudale si një fenomen krejtësisht negativ, ku nuk sundon as ligji, as rendi, as rregulli. Dihet se anarkia feudale nuk është një fenomen që ndodhi vetëm në Shqipëri. Nëpër të kanë kaluar gjatë Mesjetës të paktën të gjitha vendet e Evropës. Ka qenë një domosdoshmëri historike, një paradhomë për të hyrë në sallonin e kohës moderne. Për këtë arsye, nuk është e drejtë që të akuzohen vetëm shqiptarët. Edhe pse në anarkinë feudale ka një rrëmujë, siç i thonë shqip ku "as qeni nuk e njeh të zonë", prapëseprapë edhe anarkia ka ligjet e veta dhe rregullat e saj. Historia ka provuar se edhe brenda në anarkinë feudale, ku duket se nuk ka ligjshmëri dhe rregullsi, në të vërtetë ka ligjshmëritë dhe rregullsitë e saj. Këto veçori, historiani zviceran, për sa i përket fenomenit në Shqipëri, nuk ka arritur t‘i hetojë.

Si kudo, edhe këtu gjatë anarkisë feudale peshku i madh e përpiu natyrshëm të voglin, i shkathëti e nënshtroi me lehtësi të ngathëtin. Kështu, për shembull, Jonimët u bënë vasalë të Zakariajve, kurse vetë Zakariajt, Dukagjinët e Dushmanët hynë në vartësinë e Balshëve. U shfrytëzuan të gjitha mjetet financiare e ushtarake. U lidhën martesa dhe u nënshkruan aleanca. Interesat politike qenë aq të mëdha, sa në këto martesa dhe në këto aleanca nuk u përfillën fare përkatësitë fetare të ndryshme, institucionet e të cilave qenë në armiqësi midis tyre. Megjithatë, ndërsa në Gadishullin Ballkanik dallimet fetare midis dy kishave të krishtera (perëndimore dhe lindore), madje edhe brenda në radhët e kishës perëndimore (midis papistëve dhe antipapistëve) apo në gjirin e kishës lindore (midis tre kishave: bizantine, bullgare, serbe) ishin burim shqetësimesh, në Shqipëri ato nuk çuan peshë. Kështu, për shembull, Karl Topia, katolik i lidhur me Avinjonin, ndërtoi manastirin ortodoks të Shën-Gjon Vladimirit pranë Elbasanit, ku u varros edhe vetë. Po ashtu, Balsha II katolik roman, lidhi martesë me Komnenën, bijën e Aleksandër Komnen Asenit, ortodoks i kishës bullgare, në një kohë kur edhe vëllai tjetër i tij, Gjergj Balsha, u martua me Marien, bijën e Andrea Muzakës, ortodoks i kishës bizantine, i cili nga ana e vet kishte marrë për grua Eufeminë, motrën e zotit të Vlorës, ortodoks i kishës bullgare. Por këto lidhje familjare nuk i penguan të luftonin me armë midis tyre. U lidhën gjithashtu edhe aleanca me shtete të huaja - dikush me Venedikun e Papatin, dikush me Raguzën apo Rashën.

Rezultati? Harta politike e Shqipërisë ishte në ndryshim të vazhdueshëm. Në kursin e luftërave të brendshme, nga copëzimi i vendit në një shumicë zotërimesh të përçara u kalua brenda disa viteve në krijimin e formacioneve autonome më të mëdha feudale - në principatën e Shkodrës, në atë të Durrësit dhe në despotatin e Janinës. Ngjarjet po i nënshtroheshin ligjit tjetër mesjetar, sipas të cilit, sundimtarët e fuqishëm të kthyer në familje dinastike, synuan t‘i shtrinin kufijtë politikë deri në kufijtë linguistikë. Pra, si kudo edhe në Shqipëri u shfaq aspekti i dyfishtë i ligjit themelor i anarkisë feudale - në fillim luftërat e ashpra midis feudalëve partikularistë dhe më pas kapërcimi me anë luftash nga vetë feudalët - partikulariste i copëtimit drejt krijimit të një shteti të përqendruar.

Por ky proces që po shpinte në formimin e shtetit të bashkuar shqiptar - i cili sapo u shfaq në vitet ‘80 të shekullit XIV me luftën midis dy principatave të mëdha, të Shkodrës dhe të Durrësit - u ndërpre, theksojmë u ndërpre dhe jo u varros, nga dy faktorë madhorë të jashtëm. Njëri ishte invazioni osman që erdhi nga Lindja, i cili vendosi në trojet e Shqipërisë sundimin e vet në dëm të pavarësisë së krerëve të feudalëve shqiptarë, tjetri ishte ndërhyrja e Venedikut nga Perëndimi, i cili pushtoi qytetet bregdetare të Shqipërisë, në dëm të pavarësisë së komunave qytetare shqiptare.

Të dy këta faktorë e ndërprenë, siç u tha, por nuk e varrosën procesin që po e shtynte shoqërinë shqiptare, ashtu si atë të vendeve të tjera të Evropës, të ecte drejt krijimit të një formacioni të vetëm shtetëror, pra formimin e shtetit të përqendruar. Këto ngjarje janë përmendur dhe në punimin tjetër të historianit zviceran O.Schmitt, "Arbëria venedike", por aty ngjarjet nuk janë parë drejt. Pikënisje e vëllimit është pushtimi nga Republika e Venedikut e gjashtë qyteteve bregdetare të Shqipërisë mesjetare: Durrësit, Vlorës, Lezhës, Shkodrës, Ulqinit dhe Tivarit. Me gjithë peshën e madhe ekonomike të këtyre qyteteve, ato nuk përfaqësojnë mbarë trojet shqiptare. Jashtë këtyre, Republika e Venedikut nuk ushtroi asnjë pushtet në pjesën më të madhe të hapësirës gjeografike shqiptare. Kur në këtë monografi trajtohen ngjarjet që ndodhën në prapashpinë të zotërimeve venedike, pra në pjesën dërrmuese të viseve shqiptare, vetë historiani zviceran dëshmon se ato nuk kanë fare lidhje me Republikën e Shën Markut. Atëherë pyesim: Përse monografinë ai e quan "Arbëria venedike"? Apo nuk i pëlqen që ka pasur një moment që viset shqiptare kanë qenë të pavarura? A nuk kemi të drejtë të lexomë këtu, si në një radioskopi, fobinë që ka autori për historinë e Shqipërisë apo të shqiptarëve si farkëtarë të historisë së tyre?

Në fillim të shekullit XV, kur sundimi osman u trondit nga luftërat për fron midis djemve të sulltan Bajazitit I, procesi i formimit të shtetësisë shqiptare rifilloi përsëri të vepronte nga e para. Përsëri u rimëkëmbën zotërimet feudale partikulariste, pavarësisht se jo pak prej tyre, për t‘u mbrojtur nga rivalët e brendshëm, kërkuan strehim në vasalitetin e sulltanit - vasalitet i cili nuk e prekte pushtetin brenda zotërimeve të tyre. Në vitin 1431, kur sulltan Murati II, pas shpronësimit të zotërve feudalë shqiptarë, deri atëherë vasalë të tij, zbatoi në viset e tyre regjimin feudal ushtarak osman - procesi historik i shtetësisë shqiptare përsëri nuk u asgjësua, veçse vazhdoi të lëvrinte si prushi nën hi. Me një fjalë, ai nuk e varrosi dot procesin historik, tashmë shekullor, që e kishte shtyrë shoqërinë shqiptare të shkelte në rrugën e formimit të shtetit të bashkuar shqiptar. Madje, tani procesi i formimit të një shteti të bashkuar shqiptar ishte më dinamik se më parë. Megjithatë, këtë radhë rimëkëmbja e zotërimeve partikulariste nuk prodhoi përplasje me njëra-tjetrën, mbasi mbi krye qëndronte rreziku i ndërhyrjes arrogante të pushtetit të fuqishëm sulltanor. Dëshmi janë kryengritjet e njëpasnjëshme kundër sulltanit, që ndërmorën gjatë viteve ‘30 krerët shqiptarë të shpronësuar nga zotërimet e tyre. Siç dihet, kryengritjet dështuan, ngase për shkak të rivaliteteve feudale, ato nuk u koordinuan midis tyre. Qenë pikërisht këto disfata ato që i bindën krerët feudalë, të rrezikuar për vdekje nga pushteti i sulltanit, të pranonin më në fund vullnetarisht në Kuvendin e Lezhës pjesëmarrjen bashkërisht në luftë kundër zgjedhës osmane me në krye një udhëheqës të aftë politikisht dhe ushtarakisht. Skënderbeu u zgjodh kapedan i përgjithshëm (Capitaneus generalis - siç e quan Gjon Muzaka), si më i denjë, mbasi kishte trashëguar nga i ati zotërimin e Dibrës e të Matit me popullsi luftarake, të gatshme për kryengritje kundër sundimit osman. Në të njëjtën kohë, ai kishte trashëguar, me anë martesash me krerë të tjerë feudalë, një varg lidhjesh familjare, të cilat kishin vlerën e aleancave politike. Më në fund, si gjeneral i ushtrisë osmane, Skënderbeu krijonte besim se ishte i aftë të udhëhiqte kryengritjet kundër ushtrive turke, aq më tepër që taktikën e tyre luftarake e njihte më mirë se krerët e tjerë. Në vështrimin historik, në këtë rol dhe në këtë luftë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte përfaqësuesi më i aftë dhe më i denjë i vazhdimit të procesit të ndërprerë të krijimit të shtetësisë kombëtare shqiptare. Si rrjedhim, motivi i hakmarrjes, të cilin historiani zviceran e ka kaq shumë për zemër, as që duhet zënë me gojë, por duhet hedhur në shportë.

Kur flet për Kuvendin e Lezhës, në të cilin morën pjesë krerët kryesorë të zotërimeve feudale shqiptare dhe të bashkësive malësore të Shqipërisë, O.Schmitt kritikon historianët shqiptarë sikur këta paskan thënë se aty u formua shteti shqiptar. Edhe këtu, historiani zviceran, si zakonisht, nuk është i saktë. Me sa dimë ne, asnjë historian shqiptar nuk ka pohuar se në Lezhë, më 2 mars 1444, u formua shteti shqiptar. Pesëdhjetë vjet më parë në "Historinë e Shqipërisë", vëllimi I, Tiranë 1959, faqe 277, autori i këtyre radhëve e ka përcaktuar lidhjen shqiptare që u formua në Kuvendin e Lezhës më 2 mars 1444 me këto fjalë: "Lidhja Shqiptare (e Lezhës) kishte karakterin e një aleance politike dhe ushtarake e krijuar për nevojat e luftës kundër pushtuesve turq, por secili bujar pjesëmarrës e ruante autonominë e vet. Skënderbeu, si kryetar, ishte në këtë kohë vetëm një ‘i parë midis të barabartëve‘ (primus inter pares). Nuk gëzonte asnjë të drejtë të ndërhynte në zotërimet e bujarëve të tjerë. Megjithatë, caktimi i një udhëheqësi të vetëm politik e ushtarak kishte një rëndësi të madhe; ishte një hap përpara në kapërcimin e përçarjes feudale".

Aty thuhet gjithashtu: "Një vendim tjetër me rëndësi që mori Kuvendi i Lezhës qe formimi i një ushtrie shqiptare me repartet që do të rekrutonin si Skënderbeu, ashtu dhe bujarët e tjerë në zotërimet e tyre. Komandant i saj u caktua gjithashtu Skënderbeu, me titullin "kapiten i përgjithshëm", ndërsa komandantët e tjerë të veçantë do të caktoheshin nga vetë bujarët".

Megjithatë, në atë punim është thënë në vendin e duhur se Kuvendi i Lezhës shërbeu si pikënisje, e cila disa vite më vonë i dha dorë Skënderbeut të formonte shtetin kombëtar shqiptar.

Vlerësimi që historiani zviceran i bën Kuvendit të Lezhës me gati-gati të njëjtat fjalë është një punë e mirë. Por, pretendimi i tij se me këtë vlerësim ai korrigjon historianët shqiptarë, të cilët paskan pohuar se në Kuvendin e Lezhës qenka formuar shteti shqiptar, është një sjellje jo e ndershme.

Dhuna me të cilën Mehmeti II pas vdekjes së Skënderbeut e pushtoi Krujën më 1478 dhe fushatat me të cilat pasardhësi i tij, Bajaziti II, u dha fund më 1506 kryengritjeve të armatosura shqiptare, u duk sikur e futën Shqipërinë nën zgjedhën e tyre, por ata edhe këtë radhë nuk e varrosën dot procesin tashmë historik të formimit të shtetit kombëtar shqiptar. Ky proces vazhdoi përsëri të vepronte nën dhe. Në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, kur shtyllat e pushtetit perandorak osman filluan të lëkundeshin, procesi doli përsëri në sipërfaqe. Këtë radhë, shprehësit e tij u bënë disa nga qeveritarët shqiptarë, të cilët drejtonin si pashallarë në emër të sulltanit administratën perandorake osmane në sanxhakët e Shqipërisë. Shumë prej tyre i kthyen sanxhakët administrativë në pashallëqe autonome. Ashtu si në gjysmën e dytë të shekullit XIV, edhe tani prirja e pashallëqeve shqiptare për t‘u shkëputur nga varësia e sulltanit u shoqërua përsëri me luftërat midis tyre. U përsërit fenomeni i anarkisë feudale. Së bashku me të u përsëritën edhe ligjet e saj, të cilat shpunë në formimin e pashallëqeve të mëdha feudale de facto autonome. Të tillë qenë Karamahmut Pashë Bushatlliu në Shkodër, Ahmet Kurt Pasha në Berat, Ali Pashë Tepelena në Janinë, Mahmut Pashë Begolli në Pejë etj. Tashmë dihet se në pajtim me kushtet historike, politike, ekonomike, shoqërore, kulturore, ideologjike shqiptare dhe ndërkombëtare të shekullit XVIII, pashallarët shqiptarë, në pamundësi për të realizuar pavarësinë e tyre të plotë, synuan të realizonin të paktën formacione shtetërore autonome shqiptare nën sovranitetin e sulltanit. Ashtu si në shekullin XV, edhe këtë radhë pashallëqet autonome shqiptare (ndryshe nga sa i ndodhi Mehmet Ali Pashë Misirit në Egjipt, i cili pati përkrahjen e Francës, pastaj të Anglisë) u shtypën nga dhuna e Perandorisë Osmane dhe nga indiferenca e Fuqive të Mëdha evropiane. Megjithatë, procesi i shtetësisë shqiptare në Shqipëri edhe këtë radhë u ndërpre, por përsëri nuk u varros. Ai prapë vazhdoi herë nën dhe, herë në sipërfaqe, derisa më 1912 procesi gjeti shtegun e vet të përshtatshëm dhe më në fund u realizua me shpalljen në Vlorë më 28 nëntor 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, pa qenë nevoja për fenomenin e anarkisë feudale. Këtë fill të kuq, i cili ka përshkuar historinë e popullit shqiptar, historiani zviceran, i ngërthyer nga megalomania shtetërore prusiane, për fat të keq nuk e ka kapur.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora